Deficite më të mëdha buxhetore dhe tregues më të dobët ekonomikë mund të çojnë në një valë të re të protestave në 2015, presioni i BE-së mbi klasën politike mund t’i japë reformave një mundësi.
Bosnja ka gjasa të shohë formimin e një qeverie në nivel shtetëror në fillim të 2015, pas së cilit administrata e re do të përballet me shumë sfida.
Një situatë e rëndë ekonomike pritet të vazhdojë, ose ndoshta të përkeqësohet, me deficite buxhetore dhe pakënaqësi në rritje mbi rënien e standardeve të jetesës dhe mungesën e punësimit, që mund të nxisë protesta të reja si ato të vitit 2014.
“Situata ekonomike do të përkeqësohet më shumë se 2014, gjë që do të sjellë protesta të reja, vetëm nëse ndodh ndonjë mrekulli dhe politikanët bëhen serioz,” tha analisti politik Srdjan Puhalo për Balkan Insight.
“Nevojitet një rigjenerim. Ç’ka është më e rëndësishme është krijimi i një klime të një shoqërie të drejtë dhe që njerëzit të shohin atë që e quajnë funksionim të drejtësisë,” shtoi ai.
“Së dyti, duhet të kthehet besimi te e ardhmja. Njerëzit kanë hequr dorë dhe të rinjtë veçanërisht po kërkojnë për mënyra për t’u larguar”.
Me kaq shumë detyra përpara krijimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve të tetorit 2014, përmirësimi i ekonomisë dhe fundi i paqëndrueshmërisë politike të Bosnjes do të jenë disa nga sfidat më të vështira me të cilat do të përballen partitë në fuqi.
“E vënë përballë një situate katastrofike ekonomike dhe shoqërore, qeveria e re do të duhet të bëjë shkurtime të dhimbshme,” parashikoi analisti politik Adnan Huskic.
“Por, duke pasur në mend që kontrolli i parave publike, kompanive shtetërore dhe prokurimeve publike është baza e aktivitetit të tyre politik, nuk e di si mund të ndodhë dhe që ata të fillojnë politikat e kursimit dhe racionalizimit.”
Koalicionet e partive që fituan në zgjedhjet e 2014, që kanë formuar ose ka gjasa të formojnë, qeverisjet në nivele të ndryshme, që nga niveli kantonal deri te shtetëror, janë parë si të brishta, veçanërisht prej sasisë së punës që u duhet të bëjnë që t’i mbijetojnë vitit politikisht.
Një tjetër vit i lëkundur
Pas protestave të shkurtit 2014, përmbytjeve shkatërrimtare në pranverë dhe një periudhe pa reforma gjatë zgjedhjeve që dominuan gjysmën e dytë të vitit të shkuar, problemet ekonomike pritet të vazhdojnë.
Analiza më e fundit e FMN-së tha se përparimi në rajonin në zhvillim të Europës, ku përfshihet edhe Bosnja, mbetet i pabarabartë. Megjithatë në një ton më optimist tha se pritet që PBB e Bosnjës të rritet në 3.5 për qind.
“Europa juglindore pritet të përjetojë rritje të ngadaltë në 2014, pjesërisht prej përmbytjeve në maj që ndikuan veçanërisht Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë, përpara se të përmirësohet në 2015, ku në disa vende do të vërehet rritje e punësimit,” tha raporti.
Drejtoria për Planifikimin Ekonomik të Bosnjes tha në një prej raporteve më të fundit të Këshillit të Ministrave se priten investime të huaja direkte në Bosnje në 2015 në shifrën rreth gjysmë miliardi euro, kryesisht në projekte energjetike.
Megjithatë, eksperti ekonomik në Sarajevë, Zlatko Hurtic, tha për Balkan Insight se ka shenja që Bosnja do të përballet me një vit më të keq në 2015 dhe se ai pret një tjetër periudhë të paqëndrueshme me zhvillim minimal.
“Ekonomitë e BE-së do të kenë vetëm nivele të ulëta të zhvillimit ekonomik, përfshirë vendet prej të cilave varet më së shumti ekonomia e Bosnjës,” tha ai.
“Trendet aktuale të niveleve të ulëta të investimeve dhe deficitet në rritje të buxhetit kanë krijuar pasiguri të madhe për 2015,” shtoi ai.
Në vend që të shihte shenja të një viti më të ndritur në 2015, Hurtic tha se ai kishte frikë se më shumë punë do të humbeshin dhe do të rritej papunësia.
Më tepër trazira priten
Srdjan Puhalo, një kërkues dhe analist, tha: “Nëse vazhdojmë kështu, po shkojmë drejt katastrofës.”
Ai paralajmëroi për një valë të re protestash të lidhura me problemet ekonomike dhe sociale, këtë herë kryesisht në entitetin serb në Bosnje, Republika Srpska, si dhe në Federatë.
Analisti Adnan Huskic tha për Balkan Insight se autoritetet në të gjitha nivelet duket se nuk kanë strategji të qarta si të dalin nga kriza aktuale.
“Përkeqësimi mund të ndalohet vetëm nga politikat e guximshme dhe të përgjegjshme,” tha ai. “Por çdo qeveri që vendos të bëjë shkurtime të dhimbshme dhe racionalizim mund të humbë lehtësisht në zgjedhjet e ardhshme… që është arsyeja përse masa të tilla janë të papranueshme për partitë politike.”
Huskic pranoi se një valë e re e trazirave sociale si ato të shkurtit të vitit të shkuar mund të jetë në horizont.
“Një periudhë e re e trazirave të vazhdueshme dhe protestave shtrihet përpara dhe nuk mund të përjashtojmë dhunë të ngjashme me atë që pamë në shkurt,” argumentoi ai. “Megjithatë, autoritetet do të jenë më të gatshme këtë herë ndaj duhet të presim presion mbi unionet si dhe ndaj medias”.
Një prej arsyeve të trazirave të tilla, sipas Huskic, mund të jetë rritja e vazhdueshme e shpenzimeve për administratën shtetërore.
Ekonomisti Zlatko Hurtic argumenton se presioni në buxhete do të shtohet në 2015 dhe se qeveritë e reja mund të kërkojnë të rrisin taksat.
“Autoritetet e reja duhet të konsiderojnë rritjen e taksave, fillimisht të TVSH-së dhe taksën mbi të ardhurat,” tha ai. “Përveç kësaj, është e mundur që ata mund të vënë taksa mbi pronën dhe mbi interesin.”
Presioni Europian
Iniciativa gjermane dhe britanike për Bosnje-Hercegovinën e mbështetur nga Këshilli i BE-së për Çështjet e Jashtme në dhjetorin e shkuar, do të luajë një rol në çështjet e Bosnjës në 2015.
Andy McGuffie, i delegacionit të BE-së, tha se një angazhim me shkrim i politikanëve boshnjakë mund t’i inkurajonte ministrat e BE-së të zbatonin Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit që vendi nënshkroi në 2008.
“Megjithatë, Bosnja përballet me sfida shumë serioze, si 63 për qind papunësi e të rinjve, ndaj problemet duhet të trajtohen me vendosmëri,” theksoi McGuffie.
Srdjan Puhalo tha se presioni nga jashtë do të kishte një ndikim mbi politikanët vendas që duket se janë në dijeni të faktit se nëse nuk reagojnë, mund të ndodhin protesta të reja, si në Republika Srpska dhe në Federatë.
“Problemi bazë nuk është se çfarë reformash duhet të bëhen, por problemi qëndron te pasiguria e qeverisë për të ndërmarrë reformat dhe në frikën se ato mund të sjellin protesta më të mëdha se ato të shkurtit të vitit të shkuar,” vërejti Hurtic.