Kur bie fjala për një aleancë Sino-Ruse që sfidon Perëndimin, historia nuk ka gjasa të përsërisë veten. Ndryshe nga shpresat e Putinit, 2014 nuk do të mbahet mend si një vit i suksesit të politikës së jashtme ruse.
Kembrixh – Disa analistë besojnë se 2014 na futi në një periudhë të re të gjeopolitikave të stilit të Luftës së Ftohtë. Ndërhyrja e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë u prit me sanksione të rënda ekonomike nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara, duke dobësuar lidhjet e Rusisë me Perëndimin dhe duke e lënë Kremlinin të paduruar për të forcuar lidhjet me Kinën. Pyetja është nëse Rusia do ia dalë të ndërtojë një aleancë të vërtetë me Republikën Popullore.
Në pamje të parë, duket bindëse. Në fakt, teoria tradicionale e balancës së pushtetit thotë që supermacia e SHBA-së pushtetin e burimeve duhet të kompensohet nga një partneritet Sino-Rus.
Ndoshta më bindës, duket të jetë precedenti historik për një partneritet të tillë. Në vitet 1950, Kina dhe Bashkimi Sovjetik ishin aleatë kundër SHBA-së. Pas hapjes së SHBA-së me president Riçard Nikson ndaj Kinës në 1972, balanca ndryshoi, me bashkëpunimin e SHBA-së me Kinën për të kufizuar atë që ata e shihnin si një rritje të rrezikshme të pushtetit të Bashkimit Sovjetik.
Me rënien e këtij të fundit, de facto aleanca SHBA-Kinë mori fund dhe një riafrim Kinë-Rusi filloi. Në 1992, dy shtetet deklaruan se ato po ndiqnin një ‘partneritet konstruktiv’; në 1996, ato bënë progres drejt një ‘partneriteti strategjik’; dhe në 2001, nënshkruan një marrëveshje ‘miqësie dhe bashkëpunimi’.
Në vitet e fundit, Kina dhe Rusia kanë bashkëpunuar ngushtësisht në Këshillin e Sigurimit të OKB dhe kanë mbajtur pozicione të ngjashme në rregullimin e internetit. Ato kanë përdorur korniza diplomatike – si grupi i vendeve të mëdha në zhvillim BRICS (mes tyre Brazili, India dhe Afrika e Jugut) dhe Organizata e Bashkëpunimit Shangai (mes tyre Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani) për të koordinuar pozicionet. Dhe Putin ka ngritur një marrëdhënie të mirë pune me presidentin kinez Xi Jinping, bazuar në iliberalizmin e përbashkët dhe dëshirën për t’iu kundërvënë ideologjisë dhe influencës s amerikane.
Marrëdhëniet e tyre ekonomike, gjithashtu duket se po bëjnë progres. Në majin e shkuar, menjëherë pas aneksimit të Krimesë, Rusia lajmëroi një marrëveshje 400 miliard dollarëshe për të furnizuar 38 miliard metër kub gaz në Kinë çdo vit për 30 vjet duke filluar nga 2019.
Kontrata, midis gjigantit të energjisë së zotëruar nga shteti i Rusisë, Gazprom dhe Korporatës Kineze të Naftës, sjell ndërtimin e një gazsjellësi 4023 km në provincën kineze Heilongjiang (për të cilën dy vendet desh filluan një luftë disa dekada më parë). Ndonëse çmimi i saktë mbetet sekret, duket se Rusia ka ofruar koncesione madhore, pas rreth një dekade bisedimesh, për të siguruar suksesin e marrëveshjes.
Për më tepër, në nëntor, Gazprom lajmëroi një marrëveshje kornizë për të furnizuar me 30 miliard metër kub gaz në provincën Xingjiang të Kinës nga Siberia perëndimore për 30 vjet nëpërmjet një gazsjellësi të ri. Nëse gazsjellësit nga ‘lindja’ apo ‘perëndimi’ përfundohen siç është planifikuar, 68 miliard metrat kub që do të çojnë në Kinë në vit do të bëjnë të duket fare e vogël sasia prej 40 miliard metër kub që Rusia i eksporton aktualisht klientit të saj më të madh, Gjermanisë.
Mund të duket se kjo lajmëron një marrëdhënie bilaterale të thellë. Por në fakt ka një pengesë: marrëveshjet për gazin përforcojnë një çekuilibër të rëndësishëm të tregtisë bilaterale, me Rusinë që furnizon lëndë të para në Kinë dhe importon prodhimin kinez. Dhe marrëveshjet e gazit nuk e shlyejnë humbjen e Rusisë ndaj aksesit të teknologjisë perëndimore për të cilën ka nevojë për të zhvilluar fushat në kufi të Arktikut dhe për t’u bërë një superfuqi në energji, jo thjesht stacioni i gazit të Kinës.
Në fakt, problemet me një aleancë Sino-Ruse janë edhe më të thella. Me barrën ekonominë, ushtarake dhe demografike, Kina gjeneron shqetësim të konsiderueshëm në Rusi. Konsidero situatën demografike në Siberinë lindore, ku gjashtë milionë rusë jetojnë pranë kufirit me më shumë se 120 milionë kinezë.
Për më tepër, fuqia ekonomike dhe ushtarake e Rusisë ka qenë në rënie, ndërsa e Kinës ka shpërthyer. Ankthi mbi superioritetin konvencional ushtarak të Kinës me shumë gjasa motivoi, të paktën pjesërisht, lajmërimit e vitit 2009 të Rusisë për një doktrinë të re ushtarake duke rezervuar shprehimisht të drejtën për të përdorur e para armët bërthamore – një qëndrim që i ngjan shumë sjelljes së Amerikës për Luftën e Ftohtë, që synonte të frenonte forcat superiore konvencionale sovjetike në Europë. Këto mungesa balancash sugjerojnë se Rusia do t’i rezistojë një aleance të fortë ushtarake me Kinën, edhe nëse të dyja vendet ndjekin taktikën e përfitimit të përbashkët të koordinimit diplomatik.
Vullneti i Kinës për të bashkëpunuar me Rusinë ka gjithashtu limitet e tij. Mbi të gjitha strategjia e zhvillimit të Kinës varen në integrimin e saj të vazhdueshëm me ekonominë botërore dhe, veçanërisht, në aksesin e qëndrueshëm në tregjet dhe teknologjinë amerikane. Legjitimiteti që ka Partia Komuniste kineze varet shumë në rritjen ekonomike dhe ajo nuk do të rrezikojë këtë strategji për ‘aleancë autoritare’ me Rusinë.
Edhe brena forumeve multilaterale, marrëdhënia mes Rusisë dhe Kinës është larg prej të qenët e balancuar. Duke marrë parasysh që ekonomia e Kinës është më e madhe se e katër ekonomive të tjera të BRICS të marra së bashku, iniciativat e grupit – përfshirë bankën e vet të zhvillimit – kanë shumë gjasa të reflektojnë një influencë kineze disproporcionale. Dhe ndonëse Organizata e Bashkëpunimit Shangai ka ndërtuar disa koordinime diplomatike, Kina dhe Rusia mbeten të zëna në një luftë për influencë në Azinë Qendrore.
Aleanca Sino-Ruse në shekullin e njëzet ishte një produkt i dobësisë së Kinës pas Luftës së Dytë Botërore dhe fillimit të Luftës së Ftohtë dhe, madje edhe atëherë, zgjati më pak se një dekadë. Kina e sotme është e fortë dhe ka pak gjasa të afrohet shumë me një Rusi rënia e së cilës është përshpejtuar nga gjykimi i dobët i liderit të saj.
Me pak fjalë, kur bie fjala për një aleancë Sino-Ruse që sfidon Perëndimin, historia nuk ka gjasa të përsërisë veten. Ndryshe nga shpresat e Putinit, 2014 nuk do të mbahet mend si një vit i suksesit të politikës së jashtme ruse.
Marrë me të drejta autori nga Project Syndicate.