Shqipëria planifikon një reformë të thellë në mënyrën se si drejtohen universitetet publike dhe ato private, por kritikët thonë se rezultati do të jetë tarifa më të larta dhe më pak pavarësi financiare për universitetet.
Parlamenti në Shqipëri pritet të miratojë një ligj të ri për arsimin e lartë, bazuar në një raport të prodhuar nga një komision i posaçëm.
I krijuar nga kryeministri Edi Rama në janar të vitit 2014, komisioni kryesohej nga Arjan Gjonça, një akademik në “London School of Economics”, dhe në të përfshiheshin një numër profesorësh të shquar nga universitetet publike dhe private.
Qëllimet e reformës, të përcaktuara në raportin përfundimtar te komisionit janë për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencore në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, duke e bërë sistemin më të përgjegjshëm kundrejt të tregut të punës dhe zhvillimit strategjik të Shqipërisë.
Reforma ka gjithashtu si qëllim të forcojë stabilitetin financiar të universiteteve duke diversifikuar burimet e të ardhurave dhe standardizuar mekanizmat e kontrollit, për t’u siguruar që ata të jenë në përputhje me standardet evropiane.
Raporti iu nënshtrua një sërë konsultimesh me aktorë kyç në sistemin e arsimit të lartë vitin e kaluar, duke krijuar bazën për ligjin e ri që parlamenti pritet të miratojë së shpejti.
“Kjo reformë për herë të parë përfshiu të gjithë aktorët e interesuar të arsimit të lartë që nga pedagoget e deri tek studentët, dhe mendoj që të gjithë kanë një pjesë në ketë reformë,” Gjonça i tha BIRN. “Kjo gjithëpërfshirje do të krijojë një frymë të re në implementim dhe duhet të vazhdojë në të njëjtën formë, masë dhe ritëm,” shtoi ai. Lexo intervistën e plotë me Arjan Gjonça
Sektori i arsimit të lartë në Shqipëri, si ai privat ashtu edhe ai publik, u përball me një zgjerim të madh gjatë dekadës së kaluar. Numri i studentëve që studiojnë në universitete është trefishuar.
Megjithatë, të dhënat e publikuara nga Instituti Kombëtar të Statistikave, INSTAT, sugjerojnë se një në tre të diplomuar tani është i papunë, duke ngritur kështu pyetje në lidhje me cilësinë e arsimit që ata kanë marrë dhe nëse ai i është përgjigjur nevojave të tregut të punës.
Në mënyrë që reforma të përmbushë qëllimet e saj, komisioni ka propozuar një rritje në financimin e universiteteve nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe tarifave.
Megjithatë, disa akademikë dhe grupe studentësh e kundërshtojnë rritjen e planifikuar të tarifave, duke argumentuar se kjo do t’i bëjë universitetet të papërballueshme nga ata që janë në gjendje më pak të mirë ekonimike.
Ata nuk besojnë se transformimi i universiteteve i propozuar në reformë po shkon në drejtimin e duhur.
Një grup studentësh, të cilat janë bashkuar në një grup të quajtur “Për Universitetin,” kundërshton fort atë.
Grupi ka mbajtur disa protesta në kampuset e universiteteve të Tiranës gjatë muajve të fundit, duke kundërshtuar reformën, që ata thonë se nuk merr parasysh shqetësimet e shprehura nga studentët për rritjen e kostos së arsimit.
““Kushtet e jetesës dhe kushtet e studimeve të studentëve në universitetet publike do duhej të ishin baza e shqetësimit të një reforme të thellë në arsimin e lartë”,” tha Deni Sanxhaku, aktiviste me lëvizjen ‘Për Universitetin.’
“Ndërkohë drafti, si i pari ashtu edhe i dyti, fliste qartë për rritje tarifash duke e konsideruar të papërfillshme rritjen e përvitshme aktuale dhe si zgjidhje jepte zhytjen në borxhe përmes kredisë studentore,” shtoi ajo. Lexo intervistën e plotë me Deni Sanxhakun.
Pavjo Gjini, një tjetër aktivist i lëvizjes, tha se askush nuk është konsultuar me studentët gjatë procesit të hartimit të reformës.
“Ne thjesht na u dha për herë të parë një draft amatoresk me 19 prill 2014, i shkruar nga një komision i ardhur nga jashtë universitetit, ilegjitim dhe i dyshimtë për konflikte interesi,” u shpreh ai.
“Duke qenë të përjashtuar nga procesi, rrjedhimisht edhe problemet që kemi realisht nuk marrin vëmendjen e duhur në draftet e reformës,” Gjini shtoi.
Majlinda Keta, lektore në Universitetin e Tiranës, shprehet që sistemi anglo-sakson, i cili është zgjedhur nga komisioni si referencë të reformës, nuk është i përshtatshëm për kushtet e vendit.
“Modeli anglo-sankson është një qasje ku barra e shpenzimeve universitare kalon drejt studentëve duke tkurrur gjithmonë e më shumë subvencionet e shtetit drejt universiteteve – prirje kjo që është e lehtë për t’u bërë në letër por e vështirë për t’u pranuar për këto kushte socio ekonomike të Shqipërisë,” thotë ajo.
Artan Boriçi, një profesor në Universitetin e Tiranës u pajtua me këtë, duke thënë se roli i institucioneve të arsimit të lartë është i dyfishtë. Ai ka për qëllim krijimin e elitave kombëtare dhe furnizimin e tregut me specialistë të trajnuar.
“Ka një moskuptim thelbësor mbi misionin e dyfishtë të institucioneve të arsimit të lartë: prodhimi i elitave dhe ideologjive kombëtare si dhe plotësimi i nevojave të ekonomisë me specialistë,” u shpreh ai.
“Misioni i parë është anashkaluar në frymë duke u konsideruar madje si pengesë zhvillimore. Më keq akoma, ka qarqe brenda dhe jashtë vendit, lobuese pranë politikës, që e kanë kthyer në mision të vetin shkatërrimin e arsimit kombëtar nën flamurin e ekonomisë së tregut,” Boriçi shtoi.
Mark Marku, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, tha se në reformë ishte një paradoks. Qeveria nga njëra anë kërkon të ulë kontributet e veta buxhetore dhe nga ana tjetër dëshiron të rrisë kontrollin mbi menaxhimin e financave.
“Nëse shteti kërkon të ulë kontributin financiar duhet të rrisë autonominë financiare, gjë që nuk ndodh,” tha ai.
Megjithatë, sociologu Fatos Tarifa vë në dukje se si një projekt në inxhinierinë sociale, reforma e arsimit të lartë është një eksperiment në një shkallë makro, e cila do të ketë nevojë për kohë për të prodhuar efektet e dëshiruara.
“Reforma e propozuar, e cila, pas miratimit të ligjit të ri për Arsimin e Lartë shpresoj të fillojë të zbatohet menjëherë, është objektivisht një proces i gjatë; si një projekt i rëndësishëm inxhinierie sociale, kjo reformë është një eksperiment makrosocial, që kërkon kohën e vet,” tha ai.
“Arsimi i lartë nuk jep rezultate në tremujorin e ardhshëm, as në dy ose në pesë vjet; ai ka të bëjë me inovacione dhe zbulime që mund të kërkojnë dekada të tëra. Por kjo nuk do të thotë që sistemi të mos reformohet,” Tarifa shtoi. Lexo intervistën e plotë me Fatos Tarifën.
Adrian Civici, profesor i ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës dhe anëtar i komisionit që hartoi raportin, gjithashtu mbrojti ndryshimet e planifikuara.
Ai shprehet se reforma krijon një model të ri për universitetet, duke zvogëluar dallimet midis institucioneve publike dhe private.
“Qëllimi kryesor i reformës në këtë aspekt është ‘krijimi i një forme të re të universiteteve në Shqipëri’, një formë që synon përafrimin sa më të madh të universiteteve shtetërore dhe atyre private drejt një forme tjetër të cilësuar si ‘universitete publike,” u shpreh Civici
“Kjo nënkupton thellim shumë të madh të autonomisë dhe pavarësisë së universiteteve shtetërore, si dhe kalim të universiteteve private në fondacione apo institucione jofitimprurëse brenda kuadrit ligjor të domosdoshëm,”shtoi ai.
Gjonça mohoi se reforma ka për qëllim të ulë kontributet shtetërore kundrejt sistemit të arsimit të lartë, duke argumentuar se ajo ka për më tepër qëllim t’i zgjerojë ato, së bashku me burimet e tjera të të ardhurave.
“Në raport thuhet qartë dhe hapur që investimi aktual në arsimin e lartë është shumë i ulët në krahasim me vendet e zhvilluara por edhe fqinjët e rajonit,” tha ai.
“Reforma parashikon diversifikim e financimit që tu japë mundësi institucioneve të arsimit të lartë të rrisim autonominë financiare dhe ti bëjë ato më te qëndrueshëm për zhvillimin e tyre në të ardhmen dhe të garantojë rritje cilësie,” Gjonça përfundoi.
Ky artikull u prodhua si pjesë e iniciativës “Fuqizimi i Bashkëpunimit mes Shoqërisë Civile dhe Gazetarëve Investigativë,” me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.