Teksa Papa Françesk po kthehej në Romë nga Filipinet muajin e shkuar, ai i tregoi gazetarëve për një grua që kishte pasur shtatë fëmijë me operacione cezariane dhe që tani ishte shtatzënë përsëri. Kjo do të thoshte, tha ai, të ‘provokoje Zotin’. Ai e pyeti nëse donte të linte shtatë jetimë. Katolikët kanë miratuar mënyra për rregullimin e lindjeve, vazhdoi ai, dhe duhet të praktikojnë ‘të qenët prindër të përgjegjshëm’ në vend që të shumohen ‘si lepuj’.
Komenti i ‘lepurit’ të Françeskut u lakua shumë nga media, por pak raportuan se ai kishte thënë gjithashtu se asnjë institucion i jashtëm nuk duhet t’i imponojë pikëpamjet e veta për rregullimin e përmasave të familjes në botën në zhvillim. “Çdo njeri” këmbënguli ai, duhet të jetë në gjendje të ruajë identitetin e vet pa qenë i ‘kolonizuar ideologjikisht’.
Ironia e kësaj vërejtje është se në Filipine, vend i më shumë se 100 milionë njerëzve, nga të cilët katër nga pesë janë katolikë, është pikërisht Kisha që ka qenë kolonizues ideologjik. Është Kisha, mbi të gjitha, që ka kërkuar të imponojë kundërshtimin e vet për kontraceptivët mbi popullatën, duke kundërshtuar edhe sigurimin e kontraceptivëve nga qeveria për të varfrit në zona rurale.
Ndërkohë, kërkimet kanë treguar vazhdimisht se shumica e filipinasve janë pro kontraceptivëve, gjë që nuk është befasuese, duke marrë parasysh se metodat e kontrollit të lindjeve të miratuara nga Kisha, të përmendura nga Françesku janë më pak të besueshme se alternativat moderne. Është e vështirë të besohet se nëse filipinasit do të ishin kolonizuar nga, le të themi, britanikët protestantë sesa nga katolikët spanjollë, përdorimi i kontraceptivëve do të ishte një problem atje.
Problemi më i madh që Françesku ngriti, megjithatë, ishte nëse është e ligjshme për agjencitë e jashtme të promovojnë planifikimin familjar në vendet në zhvillim. Ka disa arsye për këtë. Së pari, duke lënë mënjanë pyetjen ‘ideologjike’ nëse planifikimi familjar është një e drejtë, ka prova që s’mund të shpërfillen të cilat tregojnë se mungesa e aksesit te kontraceptivët është e dëmshme për shëndetin e grave.
Shtatzënitë e shpeshta, veçanërisht në vendet pa një sistem shëndetësor universal modern, janë të lidhura me vdekshmërinë e lartë të nënave. Me ndihmë nga agjencitë e jashtme për të dhënë një dorë në pakësimin e vdekjeve të parakohshme te gratë në vendet në zhvillim sigurisht nuk është ‘kolonizim ideologjik’.
Së dyti, kur lindjet janë më të shpërndara, fëmijët ia dalin më mirë, si fizikisht dhe në arritjen e edukimit. Ne duhet të biem të gjithë dakord se është në dëshirën e organizatave të ndihmës të promovojnë shëndetin dhe edukimin e fëmijëve në vendet në zhvillim.
Arsyeja më e gjerë dhe më e diskutueshme e nxitjes së planifikimit familjar, megjithatë, është se vënia në dispozicion e planifikimit për të gjithë ata që e duan është në interes të shtatë miliard njerëzve të botës dhe brezave që, veç fatkeqësisë, duhet të jenë në gjendje të banojnë në planet për mijëvjeçarët e ardhshëm. Dhe këtu, lidhja midis ndryshimit klimaterik dhe nevojave të kontrollit të lindjeve duhet të sillet në fokus.
Faktet kyçe rreth ndryshimit klimaterik janë shumë të njohura: atmosfera e planetit tonë ka absorbuar tashmë një sasi të madhe të gazeve serë të prodhuara nga njeriu saqë po ndodh ngrohja globale, me më shumë lëkundje ekstreme të ngrohtësisë, thatësira dhe përmbytje se më parë. Akulli në detin Arktik po shkrin dhe nivelet në rritje të detit po kërcënojnë të përmbytin rajonet bregdetare me densitet të pakët popullsie në disa shtete. Nëse format e reshjeve të shiut ndryshojnë, qindra miliona njerëz mund të bëhen refugjatë të ndryshimeve klimatike.
Për më tepër, një shumicë dërrmuese e shkencëtarëve në fushat përkatëse besojnë se ne jemi rrugës për të kapërcyer nivelin e ngrohjes globale në të cilin mekanizmat e sprapsjes do të bien dhe ndryshimi klimatik do të bëhet i pakontrollueshëm, me pasoja të paparashikueshme dhe ndoshta katastrofike.
Është përmendur shpesh se janë vendet e pasura ato që kanë shkaktuar problemin, falë çlirimeve më të larta të gazit serë gjatë dy shekujve të fundit. Ato vazhdojnë të kenë nivelet më të mëdha të çlirimit për frymë dhe mund të pakësojnë çlirimet me më pak vështirësi. Nuk ka dyshim, nga ana etike, vendet e zhvilluara të botës duhet të ndërmarrin pakësimin e çlirimeve.
Çfarë nuk përmendet aq shpesh, megjithatë, është niveli në të cilën popullata globale në rritje do të pengonte ndikimin e reduktimit të çlirimit të gazeve që shtetet e pasura do të bindeshin të bënin.
Katër faktorë ndikojnë nivelin e çlirimeve: prodhimi ekonomik për frymë; njësitë e energjisë së përdorur për të gjeneruar çdo njësi të prodhimit ekonomik; gazet e çliruara për njësi energjie; dhe popullata totale. Një pakësim në secilin prej tre nga këto faktorë do të kompensohet nga rritja e të katërtit. Në “Përmbledhje për politikëbërësit” të Raportit të Vlerësimit të Pestë për vitin 2014 të Panelit Ndërqeveritar në Ndryshimin Klimaterik u citua se, në shkallë globale, rritja ekonomike dhe ajo e popullatës do të vazhdojnë të jenë ‘nxitësit më të rëndësishëm’ të rritjes së çlirimeve të CO2 djegia e karburantit fosil.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 222 milionë gra në vendet e zhvilluara nuk duan të bëjnë fëmijë tani, por nuk kanë mjete për të siguruar që nuk do të konceptojnë. Ofrimi i aksesit në kontraceptivë i ndihmon ato të planifikonin jetët e tyre siç dëshirojnë, ul kërkesën për abort, pakëson vdekjet e nënave, i jep fëmijëve një fillim më të mirë të jetës dhe kontribuon në ngadalësimin e rritjes së popullatës dhe çlirimin e gazeve serë, si rrjedhim përfitojmë të gjithë.
Kush mund të kundërshtojë një propozim qartazi me fitore të dyanshme? Të vetmit që refuzojnë, mund të dyshojmë, se janë ata që janë mbërthyer pas një ideologjie fetare që kërkon t’i imponohet të tjerëve, pavarësisht pasojave te gratë, fëmijët dhe pjesa tjetër e botës, për tani dhe për shekujt që do vijnë.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. Population and the Pope