
Policia sekrete maqedonase mund të jetë keqpërdorur për qëllime përgjimi; askush nuk e ka inspektuar punën e saj prej vitesh, thanë për BIRN ekspertët në çështjet e sigurisë dhe inteligjencës.

Ekspertët e sigurisë dhe inteligjencës në Maqedoni i kanë thënë BIRN se do të ishte e lehtë të përcaktohet nëse regjistrimet audio të pretenduara si të përgjuara të prezantuara nga lideri i opozitës Zoran Zaev janë autentike – dhe nëse janë regjistruar nga Byroja Maqedonase e Sigurisë dhe Kundër-Inteligjencës, UBK.
Ata thonë se duhet një investigim i shpejtë për të testuar pretendimet e opozitës se kryeministri Nikola Gruevski dhe shefi i policisë sekrete, Saso Mijakov, urdhëruan përgjimet e më shumë se 20,000 njerëzve në këto pak vite të shkuara.
Vëzhgimi i popullsisë në shkallë të gjerë nuk është përtej fuqive të shërbimeve inteligjente, thonë ekspertët.
“Kur flasim për përgjime, mund të shkosh lehtësisht përtej kufijve [të ligjit], tha një burim i mirënjohur për BIRN, i cili kërkoi të mbetej anonim.
“Po flasim për laptopë dhe softuerë që regjistrojnë disa numra të caktuar telefonash që po shinjestrohen… Regjistrimi fillon automatikisht sapo bie celulari i shinjestrës,” shpjegoi ai.
“Punonjësit bëjnë një transkriptim të bisedës dhe ia dërgojnë atë departamentit të analizës,” shtoi burimi.
“Njerëzit që punojnë në ‘Sektorin e Pestë’ [të policisë sekrete] jetojnë jetët e personave të tjerë, sepse detyra e tyre e përditshme është të ndjekin komunikimet.”
Sektori i Pestë jo i mbikëqyrur:

Operacionet e Sektorit për Teknikë Operacionale, gjithashtu i njohur në Maqedoni si Sektori i Pestë, janë të fshehura mirë.
Të gjitha të dhënat me të cilat ai merret janë konfidenciale. Edhe sesionet e komisionit parlamentar që mbikëqyrin punën e tij janë të mbyllura për publikun.
Numri i punonjësve në këtë sektor është gjithashtu sekret. Faqja ueb e Ministrisë së Brendshme zbulon vetëm që kreu i UBK është Saso Mijalkov, por nuk thotë asgjë për strukturën aktuale të këtij sektori.
Ky sekret është për një arsye të mirë, thonë vëzhguesit, sepse sektori merret me spiunazhin, terrorizmin dhe forma më të rënda të krimit të organizuar që kërcënojnë potencialisht rendin kushtetues.
I vetmi organ i autorizuar për të mbikëqyrur punën e UBK është komisioni parlamentar, por në praktikë ai nuk e bën detyrën siç duhet.
Gjatë gjithë tetë viteve si kreu i UBK, Mijalkov nuk është shfaqur kurrë personalisht në këtë komision për të dhënë një raportim për shembull.
Zëvendësit e tij shfaqen zakonisht përpara komisionit, por sipas raportimeve të shkuara të medias, raportimet e UBK nuk përmbajnë të dhëna për përdorimin e agjencisë mbi ato që quhen ‘mjetet specifike investigative’, si përgjimet, apo ndonjë llogari të qartë mbi mënyrën e shpenzimit të parave.
Anëtarët e komisionit në të shkuarën kanë shprehur zemërimin e tyre mbi mungesën e llogaridhënies.
“Ne i kemi kërkuar UBK të dorëzojë raporte tremujore mbi përgjimet por nuk morën asnjë raportim të tillë, gjë që do të thotë se ‘mjetet investigative speciale’ po keqpërdoren,” tha Goran Mincev, ish-kryetari i komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e UBK, në nëntor 2011.

Akuzat e opozitës të lehta për t’u testuar:
Sipas ligjit, përgjimi i njerëzve që policia i dyshon për krime është i ligjshëm pas lëshimit të një mandati nga një gjykatës ose prokuror.
Koha maksimale e lejuar për përgjim është katër muaj, mund të shtrihet në gjashtë në disa raste të veçanta. Limiti mund të zgjatet deri në 14 muaj, por vetëm nga Gjykata e Lartë, kur një person dyshohet për krime të rënda që kërcënojnë rendin kushtetues.
Vladimir Pivovarov, një ish-kryetar i shërbimit të inteligjencës ushtarake, tani profesor universiteti, thotë se akuzat e opozitës për përgjim të shkallës së gjerë mund të kontrollohen.
Gjithçka duhet është një ‘krahasim i thjeshtë midis mandateve të vëzhgimit të lëshuara nga organet e duhura me numrin e linjave telefonike të përgjuara në UBK,” shpjegoi ai.
“Nëse dy numrat nuk përputhen, do të thotë se ka keqpërdorim dhe se dikush është përgjuar pa leje,” shto ai.
Ish-ministri i policisë, Pavle Trajanov tha për BIRN se mundësitë e keqpërdorimit dhe shkeljes së ligjit për përgjime ilegale janë të shumta.
“Megjithatë,” tha ai për BIRN, “çdokush i vënë nën mbikëqyrje lë një gjurmë. Të dhënat elektronike mund të gjurmohen lehtësisht për të zbuluar kur filloi përgjimi dhe kur mbaroi, vetëm nëse pajisja shkatërrohet fizikisht,” shtoi Trajanovski.

Roli i operatorëve telefonikë në pyetje:
Ekspertët që BIRN kontaktoi thanë kategorikisht se përgjimet nuk do të ishin të mundura pa dijeninë e operatorëve privatë në vend.
Që kur kreu i Social Demokratëve, Zoran Zaev zbuloi pretendimet e tij – dhe tha se operatorët e dinin se çfarë po ndodhte – tre operatorët telefonikë në Maqedoni T-Mobile, VIP dhe One, kanë mohuar përgjimin ose mbikëqyrjen e komunikimeve.
Esad Rahic, ish-kryetar i komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e UBK, gjithashtu thotë se përgjimet e shkallës së gjerë nuk do të ishin të mundur pa dijeninë e operatorëve telefonikë.
“Sistemi i mbikëqyrjes së komunikimit është një sistem shumë i fuqishëm. Po flasim për satelit mbikëqyrje, por që kjo të ndodhë, personat e operatorëve telefonikë duhet të përfshihen,” tha Rahic për BIRN.
Një burim me eksperiencë në UBK, që këmbënguli për anonimitet, tha për BIRN se operatorët telefonikë mund të jenë gjithashtu viktima, në kuptimin e thyerjeve të kodeve pa dijeninë e tyre.
Kjo do të mundësonte akses të paautorizuar në përdoruesit e komunikimit. Burimi nuk saktësoi nëse kjo ishte një teori ose nëse kishte ndodhur tashmë.
BIRN i kërkoi operatorëve telefonikë t’i përgjigjen akuzave të opozitës se një operacion i tillë përgjimi në shkallë të gjerë me synim 20,000 persona, nuk do të ishte i mundur pa përfshirjen e tyre.
VIP ‘punon sipas ligjeve maqedonase dhe nuk ka pajisje për dëgjim, gjurmim, ruajtje, regjistrim, mbajtje apo çdo lloj forme tjetër për përgjimin dhe mbikëqyrjen e komunikimit”, tha kompania.
Megjithatë, “sipas nenit 175 të Ligjit mbi Komunikimin Elektronik, operatorët janë të detyruar të lejojnë ndërhyrjen e duhur dhe të krijojnë linja për transferimin e komunikimit elektronik te ato institucione që janë të autorizuara për mbikëqyrjen e komunikimit,” shtoi VIP.

Deklarata të ngjashme erdhën nga T-Mobile dhe One.
Një dyshim se operatorët ishin të përfshirë është nxitur gjithashtu nga shprehja e Ligjit mbi Mbikëqyrjen e Komunikimit Elektronik.
Në të thuhet se operatorët telefonik duhet të përdorin pajisjen që është e pajtueshme me sistemet e policisë. Ky parashikim shihet si një një ilustrim i një qëllimi të mundur e Sektorit të Pestë për të përdorur operatorët.
Pivovarov thotë se ligji duhet të ndryshojë në mënyrë që të parandalojë përdorimin e operatorëve për përgjime, duke përmendur shembullin e Gjermanisë, ku lidhjet direkte midis autoriteteve dhe operatorëve janë shkëputur.
Shteti gjerman ka ‘formuar operatorin e vet celular dhe ai institucion merr një mandat në gjykatë për përgjimin e individëve të caktuar,” vërejti ai. “Ky institucion mbledh të mëdha të mëtejshme, ndaj nuk ka lidhje direkte mes autoriteteve dhe operatorëve telefonikë,” shtoi Pivovarov.
Përpara se opozita të zbulonte regjistrimet audio që pretendon se e kanë origjinën nga shërbimet vendase të inteligjencës, lideri në largim i opozitës së Demokratëve Liberalë, LDP, Andrej Zernovski, tha në një mbledhje politike të nëntorit të shkuar se ‘një kompani e njohur ishte përfshirë në mbikëqyrjen e adresave IP” të përdoruesve.
“Maqedonia është mes vendeve të rajonit që ka siguruar teknologjitë dixhitale dhe pajisje për përgjim, që i përdor. Kjo i jep mundësinë të gjurmojë dhe të përgjojë informacion dixhital, trafikun e internetit dhe telefoninë celulare,” tha Zernovski.
Sekret i hapur prej vitesh:

Pavarësisht se kjo është hera e parë që publiku dëgjoi regjistrime audio të pretenduara si të biseda të përgjuara midis ministrave qeveritarë, për liderët e bllokut etnik shqiptar, liderët e opozitës dhe gazetarët, ka qenë një sekret i hapur prej kohësh që autoritetet i keqpërdorin përgjimet.
Kjo çështje doli në pah në 2006, kur Ligji i parë për Mbikëqyrjen e Komunikimit u miratua. Kryeministri Nikola Gruevski erdhi në pushtet atë vit.
Partitë atëherë shkëmbyen akuza për përgjime të dyanshme dhe akuza për posedim të pajisjeve të tilla.
Vetëm Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, partia e formuar nga ish-luftëtari etnik shqiptar, pranoi se kishte përdorur pajisje komunikimi të sofistikuar gjatë konfliktit të armatosur në 2001. Megjithatë, tha se e përdori pajisjen për të fshehur komunikimet e veta nga shërbimi i shtetit, jo për të përgjuar të tjerët.
Mister për paratë:
Ligji i vitit 2006 nuk paraqiti asnjë transparencë në financat e UBK.
Gjithë ç’ka dihet është se nga viti në vit, buxheti i UBK është rritur. Komisioni Europian ka përmendur gjithashtu mungesën e mbikëqyrjes për punën e UBK në progres-raportet e përvitshme.
Për shembull, në ribalancimin e buxhetit në 2008 u shtuan 25 milionë euro për policinë sekrete si shpenzime brenda pesë muajve. Disa vëzhgues theksuan se, në statistikë të thjeshtë, një ngritje e tillë në paratë e alokuara për policinë sekrete nuk ka ndodhur as në Shtetet e Bashkuara pas sulmeve terroriste të 11 shatorit 2001.
Në 2007, opozita kërkoi të dinte se si i ka shpenzuar UBK 10 milionë eurot shtesë që mori nga rebalancimi i buxhetit që u projektua në mënyrë jo transparente për aktivitete ‘të përziera’. Paratë mendohet se ishin shpenzuara brenda 10 ditëve.
Përgjigjja e kryeministrit Gruevski ishte se paratë qenë përdorur për të blerë pajisje për UBK, por se çfarë lloji dhe çfarë sasie ishin pajisje, mbeti informacion i klasifikuar.
Disa dyshuan se Maqedonia posedon pajisje të sofistikuar dhe të shtrenjtë për mbikëqyrjen e komunikimit.
Përgjimi i lajmëruar nga opozita është punë e shërbimeve vendase, thotë Rahic, kategorikisht.
Ai i hodhi poshtë përpjekjet e qeverisë për të fajësuar ‘shërbime të huaja’ të anonime për përgjimin, që implikon opozitën në tradhti. “Është e kotë të pretendohet se kjo është bërë nga shërbimet e huaja”, tha Rahic për BIRN.
Nëse ajo që thotë qeveria është e vërtetë, dhe një shërbim i huaj inteligjent ishte në gjendje të përgjonte aq shumë njerëz në Maqedoni, ekspertët thonë se kjo do të thotë që sistemi maqedonas i sigurisë praktikisht është shkatërruar. Puna e Sektorit të Pestë është pikërisht mbrojtja e vendit nga depërtime të tilla, vërejtën disa.