Çfarë do të ndodhë me legjislacionin rregullues për numrin gjithnjë e në rritje të dronëve? Mes ndalimit dhe lejimit të përdorimit të tyre ekziston një shumëllojshmëri dobish dhe rreziqesh që Rachel Finn dhe David Wright i analizojnë.
Dronët, duket se janë papritur kudo. Ata kanë fluturuar në linjat e komplotit të thrillerave të televizionit si 24 dhe Homeland, janë vënë në punë si mundësi e shpërndarjes nga gjiganti i shitjeve me pakicë Amazon.com, kanë vepruar në zonat e katastrofave në Haiti dhe Filipine dhe kanë fluturuar mbi impiantet e energjisë bërthamore franceze. Kjo teknologji dikur sekrete është bërë pothuajse e kudogjendur.
Me politikëbërësit në Shtetet e Bashkuara dhe Europë të zotuar të lirojnë hapësirë ajrore civile për dronët jo-ushtarakë, mjetet fluturuese pa pilotë do të bëhen më të zakonshme. Ndaj është thelbësore që sfidat unike që ata përfaqësojnë për liritë civile dhe privatësinë të identifikohen dhe të zgjidhen shpejt.
Si fillim, dronët po ndryshojnë ndjeshëm mënyrën e grumbullimit të të dhënave. Deri tani, shumica e dronëve civilë janë pajisur vetëm me kamera të rezolucionit të lartë, duke i ofruar oficerëve të policisë, skuadrave të kërkim-shpëtimit, gazetarëve, regjisorëve dhe inspektorëve të mbjelljeve dhe infrastrukturës një pamje të gjërave përreth prej lartësisë. Por kjo do të ndryshojë. Prodhuesit po eksperimentojnë me dronë që mund të mbledhin imazhe termike, të ofrojnë shërbime telekomunikacioni, të ndërmarrin matje mjedisore dhe madje të lexojnë dhe analizojnë të dhëna biometrike. Përveç kësaj, disa operatorë janë bërë të interesuar në mbledhjen e ‘të dhënave të mëdha’, duke përdorur një shumëllojshmëri sensorësh njëkohësisht.
Ndërkohë, dronët po bëhen më të vegjël, duke i lejuar që të depërtojnë në hapësira që zakonisht do të ishin të pamundura. Ata mund të shohin vjedhurazi nga dritaret, të fluturojnë në ndërtesa dhe të qëndrojnë, të padukshëm, në cepa dhe hapësira të tjera të vogla. Përmasa dhe heshtja e tyre nënkupton se mund të përdoren për mbikëqyrje të fshehtë, duke rritur shqetësimet për spiunim industrial, sabotim dhe terrorizëm. Droni i ardhshëm që do të fluturojë mbi një impiant energjie bërthamore franceze mund të jetë shumë i vogël për t’u vënë re.
Çmimi i dronëve gjithashtu është në rënie. Tashmë, një model bazë mund të blihet për jo më shumë se disa qindra dollarë. Operatorët komercialë, që duan të ruajnë marrëdhënie të mira me klientin, kanë një interes për të përdorur dronët me përgjegjësi. Por individët privatë kanë më shumë gjasa të kenë pak skrupuj në përdorimin për të spiunuar fqinjët, familjarët dhe publikun në përgjithësi.
Veprimi është i nevojshëm. Por, ndonëse pasojat e privatësisë së dronëve të vegjël, të zakonshëm dhe me kosto të ulët, të pajisur për të mbledhur një rang të gjerë të dhënash, janë të qarta, përgjigjja e duhur nuk është e tillë. Thjesht ndalimi i tyre do të privonte shoqërinë nga shumë përfitime që dronët kanë për të ofruar, nga angazhimi i tyre në detyra të rrezikshme, të pista dhe të zakonshme te kostot e tyre të ulëta të operimit dhe mirëmbajtjes krahasuar me avionët e drejtuar manualisht.
Përdorimi i dronëve për spërkatje të mbjellash, monitorim të ndotjes apo shumicën e operacioneve kërkim-shpëtim ka pak gjasa të rrisë shqetësime serioze. Por aplikime të tjera, veçanërisht nga policia, gazetarët dhe qytetarët privatë, dukshëm mundet. Varieteti i gjerë i aplikimeve potenciale të teknologjisë e bën pothuajse të pamundur të rregullohet vetëm me legjislacion. Në vend të kësaj, palët e interesuara të të gjitha niveleve duhet të vlerësojnë ndikimin e mundshëm në privatësi, mbrojtjen e të dhënave dhe etikën në bazë rast pas rasti.
Operatorët me qëllime të mira të dronëve duhet të konsiderojnë me kujdes sesi veprimet e tyre mund të shkelin privatësinë dhe liritë civile dhe ata duhet të marrin hapa për të minimizuar këto efekte, duke përdorur – sipas mundësisë – mjetet ekzistuese, si vlerësimet privatësi-impakt. Autoritetet për mbrojtjen e të dhënave, organizatat e shoqërisë civile dhe oficerët e privatësisë në biznese dhe organizata publike duhet të publikojnë udhëzime mbi përdorimin e dronëve, siç kanë bërë teknologjitë ekzistuese dhe ato në zhvillim. Udhëzimet që drejtojnë përdorimin e televizionit me qark të mbyllur mund të shërbejnë si pikë e mirë fillimi – por duhet të plotësohen për të llogaritur llojet e ndryshme të të dhënave që një dron mund të mbledhë.
Prodhuesit e dronëve duhet të luajnë rolin e tyre po ashtu, përfshirë ofrimin e udhëzimeve për të ndihmuar përdoruesit – veçanërisht qytetarët privatë – në funksionimin e produkteve brenda kufijve të ligjit. Numrat serialë duhen përfshirë, që dronët të jenë të gjurmueshëm. Autoritetet civile duhet të plotësojë këto përpjekje duke konsideruar se si mund të përdoret legjislacioni ekzistues mbi privatësinë, mbrojtja e të dhënave, kalimi dhe ngacmimi për të ndjekur penalisht operatorët që shkelin të drejtat e njeriut. Së fundmi, kompanitë e sigurimit mund të ofrojnë stimujt e duhur duke eksploruar potencialin në rritje të tregut nga përgjegjësia në rast keqpërdorimi dhe aksidentesh.
Sfida është urgjente dhe komplekse. Të drejtat e qytetarëve duhen mbrojtur përpara se tregu dhe vetë dronat, të ngrihen.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. The Day of the Drone