Nikolo Makiaveli është në modë. Më shumë se 500 vjet pasi shkroi traktatin Princi, Makiaveli është rishfaqur si një nga mendimtarët politikë më të njohur të Europës. Në fakt, libri i tij – një nga manualët më të hershëm “si të” – ka disa këshilla shumë të vlefshme për politikëbërësit ekonomikë në një kohë kur ata po përballen me sfida jashtëzakonisht ngatërruese.
Autoritetet monetare i janë kthyer Makiavelit për t’i ndihmuar të kuptojnë qasjen politike të presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi. Ministri i ri francez i ekonomisë, Emmanuel Macron, ka gjasa të përdorën idetë e Makiavelit – mbi të cilat ai shkroi tezën e tij të masterit – për të ndihmuar formësimin e planit për të modernizuar ekonominë e vendit të tij. Një think-tank moskovit me ndikim i quajtur Nikolo M. këshillon Kremlinin mbi politikat si teknologjitë sulmuese ushtarake të komunikimit dhe luftimit hibrid.
Por Makiaveli është pak i kuptuar. Kapitulli më i njohur i Princit, kapitulli XVIII, që shpjegon rrethanat në të cilat është e lejueshme – dhe madje e dëshirueshme – për drejtuesit që të thyejnë premtimet, duket se argumenton se udhëheqësit më të suksesshëm mendojnë ‘pak rreth mbajtjes së mirëbesimit” dhe dinë “si të manipulojnë mendjet njerëzore me dinakëri”. Kapitulli është interpretuar gjerësisht se do të thotë që liderët duhet të gënjejnë sa më shpesh të jetë e mundur.
Mesazhi i Makiavelit, megjithatë, ishte më kompleks. Me një analizë eksperti të pasojave të gjera të mashtrimit dhe ‘tjerrjes’ së të vërtetës, ai tregon se manipulimi mund të funksionojë vetëm nëse drejtuesit mund të shtiren bindshëm se nuk janë përfshirë në të. Shkurtimisht, liderët duhet të kultivojnë një reputacion si të besueshëm dhe të sinqertë – një mësim që presidenti rus Vladimir Putin nuk e bëri kurrë të vetin.
Politikat demokratike dhe politikëbërja moderne janë të bazuara mbi premtimet. Partitë politike dhe kandidatët përdorin premtimet për të joshur votuesit dhe më pas për të fituar mbështetje për politikat. Njerëzit nuk do i përgjigjen zotimeve të papranueshme, veçanërisht nëse politikanët që i bëjnë ato duken të pabesueshëm.
Një variacion i këtij problemi shfaqet në politkëbërjen monetare. Në zhargonin e teknokratëve modernë monetarë, çështja është si të ‘ankorohen pritshmëritë’. Udhëzimi paraprak (një premtim mbi normat e interesit në të ardhmen) nuk është efektiv kur politikëbërësit duhet të pranojnë se rrethanat mund t’i detyrojnë të ndryshojnë mendjen – dhe politikat e tyre – pa paralajmërim.
Makiaveli pa një nevojë për paraqitjen e konsistencës, me zyrtarët që projektonin virtytet që do të përforconin atë imazh, duke krijuar kështu një bazë të fortë për politika efektive. “Për ata që e shohin dhe dëgjojnë atë, drejtuesi duhet të shfaqet se është gjithë mëshirë, miëbesim, integritet, njerëzi dhe besim fetar. Dhe nuk ka gjë më të nevojshme sesa të duket se e ka këtë cilësi të fundit. Me fjalë të tjera, politikanët nuk duhet të duken kurrë – aq më pak të themi – se nuk besojnë në asgjë.
Ende politikat moderne priren të fillojnë me pragmatizëm dhe të vazhdojnë me premtime të thyera. Vetë Europa pëlqen ta modelojë veten si një ndërtim postmodern, por një nga tiparet e postmodernizmit është pakësimi i jetës politike për të mbledhur grupfokuse vazhdimisht në ndryshim.
Farkëtimi i politikave postmoderne qëndron në kontrast të thellë me rezolutat që prevalojnë nën Uinston Çërçillin, Konrad Adenauer, Sharl de Golin, Alkide de Gasperin dhe madje Zhak Delorsin. Perceptimi se bindjet fundamentale drejtuan këta lider është çfarë i bëri ata të përfshihen në mashtrimin politik me efektivitet.
Sigurisht, politikat e bindjes nuk mund të mbështeten vetëm mbi fjalë. E vetmja mënyrë për të qenë vazhdimisht dhe thellësisht Makiavelian është të ndërmerren veprime për të ndërtuar dhe mirëmbajtur reputacionin e duhur.
Ky mësim mund të jetë çelësi për liderët europianë sot, në një kohë kur kaq shumë po orvaten të gjejnë një kuptim se ç’do të thotë vërtetë të jesh evropian. Nocioni që, në thelb, Europa duhet të përqendrohet mbi diçka po aq mondane sa ndreqja e rregullave fiskale duket zhgënjyese, për të thënë së paku – veçanërisht teksa kontinenti përballet me një krizë në humanitare në rritje, të shkaktuar nga fluksi i refugjatëve prej vendeve të shkatërruara nga lufta si Libia dhe Siria.
Me Shtetin Islamik që kërcënon të nxisë një shtim të numrit të refugjatëve të tillë në Europë, dhe krizën në Ukrainë që me shumë gjasa do t’i shtohet vërshimit njerëzor, europianët po ndihen në presion për të menduar përtej sfidave fiskale me të cilat përballen. Ky presion është edhe më i fuqishëm, ngaqë shtet më të ndikuara prej sfidave njerëzore – Greqia, Italia dhe Spanja – gjithashtu pësuan dëmin më të madh nga kriza financiare.
Është koha që liderët europianë të veprojnë, duke treguar llojin e bindjes që Makiaveli do të nxiste, për t’i dhënë fund krizës njerëzore. Së pari, ata duhet të lehtësojnë vuajtjen e refugjatëve duke i përfshirë ose integruar ata në një mënyrë konstruktive. Një përpjekje e tillë do të kërkonte injektime të konsiderueshme financiare te shtet në vijën e parë të krizës. Nëse përballohen siç duhet, refugjatët mund të bëhen një burim shumë i nevojitur i dinamizmit për ekonomitë e dobëta dhe një zgjidhje për problemin e plakjes së popullsisë.
Njëkohësisht, liderët e Europës duhet të punojnë për të frenuar fluksin e refugjatëve, duke zhvilluar një program politik që do i japë fund dhunës që po nxit me milion njerëz të dëshpëruar në vendet në kufi. Europa nuk mund të përballojë të jetë një ishull i stabilitetit relativ në detin e kaosit.
Me shumë gjasa mënyra më e mirë për ta bërë Europën të besueshme është të ndërmarrë një pozicion që është vërtet i guximshëm, një që përkrah interesat e veta dhe ruan vlerat e thella. Metafora e Makiavelit për misterin e sjelljes efektive politike ofron një model të fuqishëm. Europa ka nevojë të jetë njëkohësisht dhelpër dhe luan.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. Machiavelli in Euroland