Partia shqiptare në koalicionin qeverisës maqedonas duket e befasuar nga planet politike për të mirëpritur në bord rivalin e saj, Partinë Demokratike të Shqiptarëve.
Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, që është pjesë e koalicionit qeverisës së kryeministrit Nikola Gruevski, tha të hënën se lideri i tij nuk kishte diskutuar me kryeministrin maqedonas mundësinë që rivali, Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH, në opozitë, t’i bashkohej qeverisë që është aktualisht nën sulm për akuzat e përgjimit masiv.
Këtë fundjavë kreu i PDSH, Menduh Thaçi tha për median shqiptare se kishte negociata me VMRO DPMNE-në e Gruevskit për t’iu bashkuar qeverisë.
Thaçi tha megjithatë se ‘postet ministrore dhe menaxhuese në institucionet shtetërore që do të na përkasin neve nuk janë përcaktuar ende”.
Partia VMRO DPMNE e Gruevskit ka mbetur e heshtur deri më tani për komentet e Thaçit.
Por një anëtar i lartë i BDI tha për BIRN në kushte anonimati se kreu i PDSH mund të jetë duke bërë blof.
Burimi i BDI tha se “Thaçi nuk mund të merret seriozisht”. Ai ka sugjeruar se lideri i opozitës së PDSH me shumë gjasa e bëri deklaratën për të hequr vëmendjen nga një bisedë e përgjuar e publikuar së fundmi në të cilën zëri i tij dëgjohet teksa i betohet ‘deri në vdekje’ shefit të policisë sekrete maqedonase, kushëririt të Gruevskit, Saso Mijalkov.
“Mendoj se ajo deklaratë është për përdorim të brendshëm, [e drejtuar te mbështetësit e tij] që ai të shpëtojë lëkurën e vet politike”, tha burimi nga BDI.
Lajmërimi surprizë i PDSH erdhi në mes të një krize të rëndë politike në vend, pasi partia Social Demokrate në opozitë, SDSM, tha se PDSH-ja e Thaçit po shtirej si në opozitë ndërsa në fakt kontrollohej prej shefit të policisë Mijalkov.
Në përpjekje për të provuar argumentin, SDSM publikoi bisedën e përgjuar telefonike, në të cilën Thaçi i betohej për besnikëri Mijalkovit.
Thaçi e ka mohuar se përgjimi ishte origjinal, duke këmbëngulur se SDSM ‘duhet t’i heqë kthetrat nga shqiptarët’ dhe se ‘SDSM duhet të përgatitet të kalojë 50 vitet e ardhshme në opozitë;.
Përgjimi ishte pjesë e një fushate më të gjerë të SDSM të publikimit të përgjimeve, në të cilat partia ka akuzuar Gruevskin dhe Mijalkovin se kanë orkestruar mbikëqyrje të paligjshme të më shumë se 20,000 njerëzve, përfshirë dy ministra të vet.
SDSM në shkurt filloi publikimin e përgjimeve të bisedave mes ministrave të qeverisë dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, të cilat pretendohet se tregojnë për përfshirje në aktivitete të ndryshme kriminale, përfshirë inkuadrimin e kundërshtarëve politikë, krimin me pasuritë e paluajtshme, caktimin politik të gjyqtarëve dhe ndërhyrjen në punën e prokurorisë, kontrollin e ngushtë mbi media dhe mashtrim me zgjedhjet.
Gruevski është përgjigjur se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe ka refuzuar kërkesën e SDSM për formimin e një qeverie kujdestare.
Gruevski këmbëngul se përgjimet janë krijuar nga shërbime të huaja sekrete në bashkëpunim me opozitën, të cilën e akuzon për shantazh në mënyrë që të destabilizojë vendin.
Nëse PDSH hyn në qeverinë e sulmuar të Gruevskit dhe BDI nuk largohet, kryeministri mund të ketë për herë të parë që kur erdhi në pushtet në 2006 kontroll mbi një maxhorancë prej dy të tretash me mbi 82 deputetë në parlamentin me 123 vende, që mund të jetë mjaftueshëm për të ndryshuar kushtetutën.
Megjithatë PDSH kontrollon vetëm shtatë deputetë ndërsa BDI ka 20.
Analisti politik Arsim Zekoli tha se VMRO DPMNE e Gruevskit mund të përfitojë nga ardhja në bord e PDSH-së sepse në atë rast kërcënimet e mundshme të BDI për t’u larguar nga koalicioni prej krizës në vijim do të kishin më ndikim.
Por Zekoli tha se ‘lufta për supremaci mes BDI dhe PDSH do të përkeqësojë me siguri kushtet në terrenin kriminal ku mbështeten të dyja partitë, që me shumë gjasa do të çojë në incidente. Kështu, kampi shqiptar, ashtu si maqedonasi, do të përfshihet në një konflikt ndëretnik, që do të jetë i vështirë për t’u kontrolluar prej shembjes së përgjithshme të institucioneve.”
Gjatë fundit të viteve 1999 dhe në fillim të 2000 PDSH e djathtë u pa si një partnere tradicionale etnike shqiptare e VMRO DPMNE të qendrës së djathtë të Gruevskit.
Kur ai erdhi në pushtet në 2006, PDSH kaloi dy vite në qeveri, deri në 2008, pavarësisht se humbi zgjedhjet mes votuesve shqiptarë ndaj BDI.
Pas zgjedhjeve të parakohshme të 2008, Gruevski ftoi BDI t’i bashkohej qeverisë në vend të PDSH. Vendimi i tij u nxit nga mundja e dytë pasuese e PDSH ndaj BDI mes votuesve shqiptarë.