Serbia ka burgosur tetë persona të akuzuar për përfshirje në vrasje masive të boshnjakëve nga Srebrenica në korrik 1995.
Policia serbe të mërkurën arrestoi tetë ish-luftëtarë të akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e mbi 1000 boshnjakëve pasi forcat serbe të Bosnjës pushtuan enklavën e Srebrenicës në korrik 1995.
“Është e rëndësishme të theksohet se kjo është hera e parë që zyra jonë e prokurorit po merret me vrasjet në masë të civilëve dhe të burgosurve të luftës në Srebrenicë”, zëvendës prokurori serb i krimeve të luftës, Bruno Vekaric, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press.
“Nuk jemi marrë kurrë me një krim të këtyre përmasave,” shtoi Vekaric.
Shtatë nga burrat e dyshuar për krime lufte kundër civilëve boshnjakë që u vranë në një magazinë në Kravica pranë Srebrenicës u identifikuan vetëm me inicialet N.M., A.G., M.B., A.D., B.M., J.P. dhe D.P. I teti, që u arrestua disa orë pas të tjerëve, nuk është identifikuar.
Sipas prokurorisë serbe, ata janë ish-anëtarë të Qendrës së Stërvitjes Jahorina, një njësi që i përkiste brigadës special të policisë serbe të Bosnjës.
BIRN ka mësuar se dy burrat e arrestuar janë ish-oficerë policie, Nedeljko Milidragovic dhe Aleksa Golijanin, të cilët kanë tashmë aktakuza të lëshuar nga gjykata boshnjake për gjenocid.
Sipas akuzave të ngritura nga prokuroria boshnjake, Milidragovic, një ish-komandant i skuadre nga brigada Qendra e Stërvitjes së policisë speciale serbe të Bosnjës, dhe Golijanin, një ish-zv. Komandant i skuadrës së Qendrës së Stërvitjes Jahorina, kryen gjenocid kundër boshnjakëve nga Srebrenica midis 10-19 korrikut 1995.
Prokuroria e akuzon Milidragovic për vrasjen e një boshnjaku me aftësi të kufizuara gjatë një kërkimi në zonën Potacari pranë Srebrenicës më 12 korrik dhe për marrjen e një grup prej 15-20 burrash nga familjet e tyre për t’i vrarë më pas në një kullotë aty pranë.
Ai akuzohet gjithashtu për urdhërim të qëllimit të rreth 100 të burgosurish nga Srebrenica në fshatin Kravica.
Golijanin ndërkohë akuzohet për pjesëmarrje në izolimin e disa mijëra boshnjakëve.
Ai gjithashtu akuzohet për urdhërim të anëtarëve të skuadrës së Qendrës Stërvitëse Jahorina që të ekzekutonin 15-20 të burgosurit anë rrugës që të çon nga Konjevic Polje në Bratunac, dhe pjesëmarrje në ekzekutimet.
Mes viktimave janë 1000 civilë eshtrat e të cilëve u gjetën në zonat e varreve masive Ravnica dhe Glogova 1 dhe 2 në Bosnje dhe Hercegovinë.
Më shumë se 7000 burra dhe djem boshnjakë u vranë pasi forcat serbe kaluan ‘zonën e sigurt’ të mbrojtur nga OKB,një krim që është klasifikuar nga vendimet e gjykatës ndërkombëtare si gjenocid.
Policia dhe prokuroria serbe po kërkojnë ende për të dyshuar shtesë që besohet të jenë në vendet fqinje.
Kada Hotic nga enklavat Nënat e Srebrenicës dhe Zepa, që përfaqëson familjet e viktimave të masakrës, tha për BIRN se arrestimet tregonin të dyshuarit për krime lufte që janë fshehur në Serbi prej vitesh që nga konflikti boshnjak nuk janë të paprekshëm.
“Prokuroria hapi një kuti dhe tregoi se ata që mendonin se mund të fshiheshin nuk janë të sigurt. Ne shpresojmë që të ndiqen penalisht. Ka shumë kriminelë lufte, ne jemi të vetëdijshëm se jo të gjithë do të kapen. Mjafton të dimë se ata nuk janë në paqe, se ata nuk mund të flenë dhe të dinë që ajo që bënë nuk shlyhet,” tha Hotic.
Kryetari i Lidhjes me bazë në Bosnje të Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, Murat Tahirovic, tha se ishte lajm i mirë që autoritetet serbe arrestuan të dyshuarit dhe se tani duhet të ndiqen penalisht për akuzat e gjenocidit.
“Nëse e bëjnë këtë, atëherë Serbia është drejtuar vërtetë në rrugën e duhur, ne do duhet ta përgëzojmë vendin” tha ai, pavarësisht se shprehu dyshimin nëse ata do të hetohen për gjenocidit.
Zyra e prokurorit të shtetit në Bosnje dhe Hercegovinë tha se arrestimet ishin rezultat i bashkëpunimit të mirë të prokurorëve në Sarajevë dhe Beograd.
“Përfaqësuesit e familjeve të viktimave të krimeve të luftës, si palë e dëmtuar, dhanë miratimin që gjyqësori serb të ndjekë këta të dyshuar, gjë që përfaqëson një shenjë të qartë besimi dhe bashkëpunimi,” tha zëdhënësi i prokurorisë Boris Grubesic.