
Aktivistët kundër ndërtimit të HEC-it iu drejtuan Prokurorisë, pasi protestat e tyre ranë në veshin e shurdhër të politikës. Përballë hetimit pritet të vendosen të gjithë zyrtarët që kanë përfshirë në dhënien e koncesionit.

Prokuroria e Rrethit të Tiranës ka nisur hetimet për hidrocentralin që po ndërtohet mbi lumin Lengaricë të Përmetit, i cili gjendet brenda parkut kombëtar të Hotovë-Dangëllisë. Më 6 mars 2015, Prokuroria ka regjistuar procedimin penal për procedurat e ndjekura nga autoritetet shqiptare në dhënien e lejes koncesionare.
Hidrocentrali i Lengaricës po ndërtohet prej një viti e gjysmë nga kompania austriake Enso, falë një financimi të Bankës Botërore. Ky projekt kundërshtohet nga banorët e zonës dhe ambientalistët, të cilët shqetësohen për ndikimin negativ që do të ketë kjo vepër në mjedis.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme, Albi Serani i tha BIRN se çështja është regjistruar kryesisht, ndërsa Prokuroria po heton nëse gjatë procedurave të nënshkrimit të lejes koncesionare janë konsumuar elementët e veprave penale.
“Në kuadër të këtij hetimi, do të merren në pyetje të gjithë personat që mund të kenë pasur dijeni për rrethanat e ngjarjes,” tha Serani për BIRN.
“Mes të pyeturve do të jenë edhe zyrtarë të lartë të institucioneve që pëgatitën dhe firmosën lejen koncesionare,” shtoi ai.
Projekti i nisur në vitin 2008 nga kompania austriake Enso Hydro është kundërshtuar nga aktivistët mjedisorë, për shkak të ndikimit negativ që ai mund të shkaktojë mbi kanionin e Lengaricës dhe Parkun Kombëtar të Hotovë-Dangëllisë në Përmet.

Sipas një investigimi të botuar më parë në BIRN, leja mjedisore për impaktin që hidrocentrali do të ketë te resurset natyrore të zonës është e dyshimtë. Ministria e Mjedisit kishte refuzuar më parë ndërtimin e HEC-it, me argumentin se binte ndesh me ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe rrezikonte kanionin e Lengaricës, i shpallur nga qeveria si monument natyre.
Ambientalistë, ekspertë të hidroteknikës dhe juristë të së drejtës penale kanë analizuar dosjen e HEC-it të Lengaricës dhe kanë arritur në përfundimin se autoritetet shqiptare kanë kryer 22 shkelje në paisjen e tij me lejet e nevojshme.
Më pas, grupi i ekspertëve i është drejtuar Prokurorisë me një kallëzim penal. Edhe pse zyrtarisht, Prokuroria deklaron se hetimet për Lengaricës kanë nisur kryesisht, një oficer i policisë gjyqësore pranoi se organi i akuzës u vu në lëvizje pas kallëzimit të ambientalistëve dhe ekspertëve.
“Procedimi është regjistruar pas kallëzimit të bërë nga grupi i aktivistëve, të cilët deklarojnë se leja koncesionare është dhënë në kundërshtim me ligjin,” tha oficeri i Prokurorisë, Klevis Çifligu.
Kallëzimi penal i dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës për HEC-in e Lengaricës mban firmat e 9 aktivistëve dhe ekspertëve më në zë të hidroteknikës në Shqipëri. Dokumenti i siguruar nga BIRN tregon se ai është firmosur nga juristi Kondi Ilia, Sazan Guri, Lavdosh Ferrunaj, Prof. dr.Alfred Frashëri, Prof. dr.Kristo Goga, Prof.dr. Farudin Hoxha, Inxh. Engjëll Cici, Dr. Faruk Kaba dhe Artan Manushaqe.
Aktivisti Kondi Ilia i tha BIRN-it se kallëzimi penal ishte aksioni i dytë që ambientalistët ndërmorrën. Më parë, ata kishin organizuar disa protesta në mbrojtje të kanionit të Lengaricës dhe Parkut Kombëtar, por ato kishin rënë në vesh të shurdhër.

“Askush nuk u shqetësua nga thirrjet tona publike në adresë të Presidentit, Kryeministrit apo ministrit të Mjedisit për ta ndalur ndërtimin e hidrocentralit,” thotë Ilia.
“Vendosëm që këtë kauzë ta çojmë deri në fund, me shpresën se drejtësia do të veprojë,”shton ai.
Kondi Ilia dhe aktivistët e tjerë të kësaj çështjeje këmbëngulin se ndërtimi i HEC-it në një zonë sensitive siç është parku kombëtar dhe kanioni i Lengaricës do të ndikojë negativisht mbi natyrën, pasi projekti parashikon devijimin e lumit në një pjesë të gjatësisë së kanionit.
Në kallëzimin penal të firmosur prej tyre thuhet se :” Marrëveshja koncesionare e hidrocentralit bie ndesh me një sërë ligjesh të shtetit shqiptar”.
Ekspertët kanë arritur gjithashtu në përfundimin se leja mjedisore është e kundraligjshme, duke kërkuar shpalljen e saj të pavlefshme.
Ministria e Mjedisit e pajisi kompaninë austriake me leje mjedisore më 21 janar 2012, duke i hapur përfundimisht dritën jeshile vazhdimit të projektit. Megjithatë, kompania “Lengarica&Energji kishte dështuar në aplikimin e vet të parë për ta marrë këtë leje.
Në një shkresë të 4 tetorit 2011, Ministria e Mjedisit refuzonte dhënien e lejes, me argumentin se ndërtimi i hidrocentralit binte ndesh me ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe rrezikonte kanionin e Lengaricës-monument natyre.
“Kemi kërkuar një hetim penal për ekspertët, të cilët kanë hartuar lejen mjedisore duke mashtruar për vlerësimin e ndikimit në mjedis. Ne besojmë se kjo leje është e manipuluar,” thotë avokati Kondi Ilia.
Aktivistët kundër HEC-it argumentojnë në kallëzimin e tyre se leja mjedisore është vetëm një prej 22 shkeljeve ligjore, të cilat ata pretendojnë se janë kryer nga autoritetet e shtetit shqiptar.
Ata kërkojnë hetime të plota dhe vënien para drejtësisë, të të gjithë zyrtarëve që kanë shkelur ligjin në miratimin e koncesionit për HEC-in e Lengaricës.
“Dosja që kemi dorëzuar në Prokurori ka prova të konsiderueshme, që vërtetojnë shpërdorimin e detyrës dhe korrupsionin me këtë aferë,” thotë Kondi Ilia.
“Shpresojmë që hetimi të vërë para përgjegjësisë zyrtarët e përfshirë,” përfundoi ai.