Gjatë një fjalimi së fundmi, presidenti i Kinës Xi Jinping e përshkroi ekonominë e Kinës si “normalitet i ri” një ekonomi me rritje më të ngadaltë pas tri dekadash rritjeje dyshifrore. Por, megjithëse Kina ka pak gjasa të vijojë në rritjen mbi 10 për qind në vit, ka shumë pak gjëra në ekonominë e saj të cilat mund të konsiderohen si normale.
Unë sapo kalova një javë në Kinë, ku mora pjesë në Forumin Aziatik Boao, një konferencë e ngjashme me takimin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Tema e panelit tim qe ajo që Presidenti Xi Jinping e ka quajtur “normalja e re” e ekonomisë së Kinës: Një epokë e një rritjeje relativisht më të ngadaltë pas tri dekadash ekspansioni me dy shifra.
Por ajo që më godet më shumë mbi ekonominë e Kinës është se sa mbresëlënëse është ajo. Me të vërtetë, performanca vijon të më hutojë. Megjithëse pa dyshim ajo përballet me shumë kriza, pyetja kyçe është se sa gjasa kanë këto sfida që të rrëzojnë të gjithë ekonominë.
Nga të katër vendet BRIC – Brazili, Rusia, India dhe Kina – Xi është i vetmi që ka përmbushur pritshmëritë e mija për rritje deri tani gjatë kësaj dekade. Nga viti 2011 deri më 2014, ekonomia e Kinës u rrit me mesatarisht 8 për qind në vit. Nëse ajo vijon të rritet me rreth 7 për qind për pjesën e mbetur të dekadës, siç shpresojnë autoritetet dhe ekonomistët, ajo do të ketë një rritje mesatare prej 7.5 për qind për të gjithë dekadën, në përputhje me parashikimet e mija.
Faza e re “normalja e re” është një mesazh shumë inteligjent nga udhëheqësit e Kinës, të cilët duhet t’i shpjegojnë 1.4 miliardë nënshtetasve të vendit se pse ekonomia nuk do të rritet më me 10 për qind në vit. Por nuk ka asgjë normale me një ekonomi që sakaq është dy herë më e madhe se sa vendi tjetër me ekonomi më të madhe, Japonia, dhe ndoshta do të kapërcejë Bashkimin Europian për nga madhësia brenda pesë viteve të ardhëshme.
Unë isha në Kinë kryesisht në rolin tim si Kryetar i Zyrës së Analizimit të Rezistencës Antimikrobale të qeverisë së Britanisë; por gjithashtu kërkova mundësi për të folur me njerëz mbi sfidat me të cilat përballet ekonomia e tyre. Shumë vëzhgues ndërkombëtarë janë shqetësuar për stokun e tëpërt të tregut të shtëpive në këtë vend dhe bumin e kreditit të lidhur me të, gjë që më shtyn të vras mendjen se mos Kina është treguar tepër e etur për këtë sektor pa marrë parasysh rreziqet. Por njerëzit me të cilët fola më bindën mua se që të dyja problemet ka gjasa që janë të menaxhueshme.
Që të jemi të qartë, situata në tregun e shtëpive është e trishtë. Por, siç më treguan shumë njerëz, kjo është pjesërisht pasojë e masave të qëllimshme të qeverisë për të deflacionuar këtë treg (gjithashtu pozitiv është fakti që konsumatorët në përgjithësi nuk janë të mbingarkuar). Disa ndërtues do të hasin probleme me kreditë, siç mund t’u ndodhë edhe disa qeverive vendore. Por shpenzimet nga qeveria qendrore janë një pjesë aq e vogël e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit sa politikëbërësit kanë shumë hapësira për manovrim nëse ndërhyrja bëhet e nevojshme në këtë fushë.
Vëzhguesit e huaj vazhdimisht spekulojnë se autoritetet e Kinës mund të jenë duke mbivlerësuar qëllimisht gjendjen e ekonomisë. Por është po aq e mundshme që përmasat e disa sektorëve janë të nënvlerësuara. Pasi kalova pak ditë në Pekin, qe dukshëm e qartë se Kina po përballet me një bum në përdorimin e internetit, përfshirë internetin si një plaftormë për konsumatorët. Tregtia në internet po kompenson disa sektorë më të dobëta të ekonomisë dhe ndikimi i plotë i tregtisë në internet mund të jetë e nënvlerësuar nga statistikat zyrtare.
Unë nuk shqetësohem se qeveria nuk po lëviz mjaftueshëm shpejt për t’i dhënë miliona punëtorëve migrantë të vendit rezidencë zyrtare nëpër qytetet ku ata punojnë dhe jetojnë. Vijimi i mungesës së aksesit të migrantëve në shërbimet publike mund të pengojë rritjen e konsumit si pjesë e PBB-së. Por, siç më thanë gjatë vizitës sime, ngurrimi i qevrisë qëndrore për të lëvizur më shpejt reflekton shqetësimin e saj për barrën ekstra fiskale që mund t’i shkaktohet autoriteteve vendore nga dhënia e rezidencës për popullsinë migrante.
Një fushë tjetër me shqetësime serioze është kujdesi shëndetësor. Në një pikë të caktuar, qeverisë qendrore do t’i nevojitet të merret me deficencat e sektorit. Unë mësova një rast gjatë diskutimeve mbi rezistencën antimikrobale, në të cilin qeveria i qe përgjigjur problemit duke u përpjekur të kufizojë sasinë e antibiotikëve që një pacient mund të marrë. Telashi është se në shumë spitale mjekët varen nga shitja e ilaçeve, e cila i siguron një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre, një incentivë kjo e fuqishme për të gjetur mënyra për të shmangur këto rregulla.
Ndotja mbetet një sfidë e rëndë gjithashtu. Por duhet gjithashtu të theksohet se emisionet e dioksidit të karbonit të Kinës ranë në mënyrë të ndjeshme në vitin 2014, duke ofruar ndoshta provat e para të dukshme se vendi po bën disa përparime në këtë front. Eficenca energjetike dhe përdorimi i energjisë së rinovueshme janë që të dyja në rritje.
Më e rëndësishmja, pavarësisht sfidave me të cilat përballet, rëndësia thelbësore e ekonomisë së Kinës aktualisht është e pranuar në të gjithë botën. Arritjet ndërkombëtare të kohëve të fundit të Kinës – veçanërisht aftësia e saj për të siguruar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë për Bankën Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë pavarësisht kundërshtive nga Shtetet e Bashkuara – nënkupton një shkallë të lartë besimi se Kina do të zgjidhë problemet e veta me sukses.
Nga ana tjetër, roli i Kinës brenda institucioneve financiare ndërkombëtare mund të rritet këtë vit. Në dhjetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar do të shqyrtojë idenë e shtiit të monedhës së Kinës, renminbi, në shportën e monedhave që përbëjnë monedhën llogari të Fondit, të njohur si E Drejta e Posaçme e Tërheqjes, (SDR), krahas dollarit amerikan, euros, paundit britanik dhe Jenit japonez.
Dhe bota është ende duke pritur që SHBA-të të zbatojnë reformën e vitin 2010 mbi FMN-në, reformë që mund të fuqizojë pozicionin e Kinës dhe ekonomive të tjera të mëdha në zhvillim në strukturën qeverisëse të këtij institucioni. Duke parë rëndësinë e ekonomisë së Kinës, gjithsesi, lënia pa zgjidhur e problemeve aktuale ekonomike të vendit është gjithçka tjetër por jo normale.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. China’s Not-So-New Not-So-Normal