ICIJ dhe Huffington Post vlerësojnë se 3.4 milionë njerëz janë zhvendosur fizikisht ose ekonomikisht nga projektet e mbështetura prej Bankës Botërore që nga viti 2004.
Me raportim nga Musikilu Mojeed, Besar Likmeta, Ciro Barros, Giulia Afiune, Mar Cabra, Anthony Langat, Jacob Kushner, Jeanne Baron, Barry Yeoman, Blaž Zgaga dhe Friedrich Lindenberg.
Nën një qielli të zymtë, më shumë se 100 policë të armatosur vërshuan në lagjet e varfra të Badia East në megaqytetin e tejmbushur të Lagosit, Nigeri.
Teksa ata përparonin, godisnin me shkopinj rrugët e pashtruara dhe muret e rrënuara të barakave.
“Nëse e doni jetën tuaj, lëvizni!” bërtitën oficerët.
[fact title=” Gjetjet kryesore “]
Gjatë dekadës së fundit, projektet e financuara nga Banka Botërore kanë zhvendosur fizikisht ose ekonomikisht 3.4 milionë njerëz duke i detyruar ata të dalin nga shtëpitë, duke i marrë tokën ose dëmtuar mjetet e sigurimit të jetesës.
Banka Botërore ka dështuar rregullisht të përmbushi politikat për mbrojtjen e njerëzve të dëmtuar nga projektet që ajo financon.
Banka Botërore dhe dega e saj e huadhënies së sektorit privat, Korporata Financiare Ndërkombëtare, kanë financuar qeveritë dhe kompanitë e akuzuara për shkelje të të drejtave të njeriut si përdhunimi, vrasja dhe tortura. Në disa raste huadhënësit kanë vazhduar t’i financojnë këto huamarrës edhe pasi provat për abuzime janë zbuluar.
Autoritetet etiopiane devijuan miliona dollarë nga një projekt i mbështetur nga Banka Botërore për të financuar një fushatë të dhunshme të dëbimeve në masë, sipas ish-zyrtarëve që zbatuan programin e zhvendosjes së detyruar.
Nga 2009 në 2013, Grupi i huadhënësve të Bankës Qendrore pompoi 50 miliard dollarë në projekte të vlerësuara me rrezikun më të lartë për ndikime të pakthyeshme ose të paprecedent në shoqëri dhe mjedis – më shumë se dyfishi i sasisë së pesëvjeçarit të mëparshëm. [/fact]
Mijëra njerëz morën sendet e tyre që mund t’i transportonin dhe u larguan.
Më pas një rresht ekskavatorësh të rëndë hynë brenda, duke përdorur kthetrat e tyre hidraulike për të copëtuar shtëpitë.
Brenda disa orësh, lagjja ishte një rrënojë.
Bimbo Omowole Osobe menjëherë humbi gjurmët e fëmijëve të saj në kaos. Kur ajo u kthye në komunitet disa orë më vonë, shtëpia e saj me bllok betoni dhe dy dyqane të vogla ishin zhdukur.
“Është si të të vijnë dhimbjet e lindjes dhe fëmija të dalë i vdekur,” tha ajo. “Kështu e përjetova unë”.
Qeveria e shtetit Lagos e rrafshoi Badia East në shkurt 2013 për të hapur vend në një zonë urbane të rinovuar të financuar nga Banka Botërore, huadhënësja globale e angazhuar në luftimin e varfërisë. Banorët e varfër të lagjes u dëbuan pa paralajmërim apo kompensim dhe u lanë t’i dalin zot vetes në një qytet të populluar dhe të rrezikshëm.
Dëbimet si ai i Badia East nuk supozohet të ndodhin mes projekteve të mbështetura nga Banka Botërore.
Për më shumë se tre dekada, huadhënësja ka ruajtur një set të politikave ‘mbrojtëse’ që sipas pretendimit të saj kanë sjellë një sistem zhvillimi ekonomik më njerëzor dhe më demokratik. Qeveritë që marrin para hua nga banka nuk mund t’i dëbojnë njerëzit nga shtëpitë e tyre pa paralajmërim. Familjet e dëbuara për të hapur vend për diga, impiante energjetike ose projekte të tjera të mëdha duhet të rregullohen dhe t’i kompensohen mjetet e jetesës.
Zotimi i bankës, thuhet, është të mos dëmtojë njerëzit apo mjedisin.
Banka Botërore e ka thyer premtimin.
Gjatë dekadës së shkuar, banka rregullisht ka dështuar në zbatimin e rregullave të veta, me pasoja shkatërrimtare për disa nga njerëzit më të varfër dhe më të cenueshëm të planetit, ka zbuluar një investigim nga Partneriteti Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë, Huffington Post dhe partnerë të tjerë mediatikë.
Banka Botërore shpesh neglizhon në rishikimin e duhur të projekteve përpara kohe për t’u siguruar se komunitetet janë të mbrojtura dhe shpesh nuk ka idenë se çfarë ndodh me njerëzit pasi zhvendosen. Në shumë raste, ajo ka vazhduar të bëjë biznes me qeveritë që kanë abuzuar shtetasit e vet, duke dërguar një sinjal se huamarrësit kanë pak frikë nëse shkelin rregullat e bankës, sipas punonjësve aktualë dhe atyre të kaluar të bankës.
“Shpesh nuk kishte synim nga ana e qeverive të bindeshin – dhe shpesh nuk kishe synim nga ana e menaxhimit të bankës të detyronte,” tha Navin Rai, një ish-zyrtar i Bankës Botërore që mbikëqyri mbrojtjet e bankës për njerëzit indigjen nga 2000 deri në 2012. “Kështu luhej loja”.
Në mars, pasi ICIJ dhe HuffPost informoi zyrtarët e Bankës Botërore se mediat kishin gjetur ‘hendeqe sistematike’ në mbrojtjet e institucioneve për familjet e zhvendosura, banka pranoi se mbikëqyrja e saj kishte qenë e dobët dhe premtoi reforma.
“Ne analizuam veten mbi zhvendosjen dhe çfarë zbuluam më shqetësoi thellë,” tha Jim Yong Kim, presidenti i Bankës Botërore në një deklaratë.
Spektri i ‘zhvendosjes jovullnetare’, siç e quan banka, është i gjerë. Që nga 2004, projektet e bankës kanë zhvendosur fizikisht ose ekonomikisht 3.4 milionë njerëz, duke i dëbuar ata nga shtëpitë, duke i marrë tokën apo dëmtuar mjetet e jetesës, zbulon analiza e ICIJ për të dhënat e Bankës Botërore.
Shifra reale është me gjasa më e lartë, sepse banka shpesh nuk ia del të llogarisë ose llogarit më pak numrin e njerëzve të prekur nga projektet e saj.
Një skuadër prej më shumë se 50 gazetarësh nga 21 shtete shpenzuan gati një vit duke dokumentuar dështimin e bankës për të mbrojtur njerëzit e zhvendosur në emër të progresit. Partnerët raportues analizuan mijëra të dhëna të Bankës Botërore, intervistuan qindra njerëz dhe raportuan nga terreni në Shqipëri, Brazil, Etiopi, Honduras, Ganë, Guatemalë, Indi, Kenia, Kosovë, Nigeri, Peru, Serbi, Sudan Jugor dhe Ugandë.
Në këto shtete dhe të tjera, investigimi zbuloi se gabimet e bankës kanë dëmtuar banorët e lagjeve urbane, fermerët e mjeruar, peshkatarët e varfër, banorët e pyjeve dhe grupe indigjene – duke i bërë ata të luftojnë për shtëpitë, tokën dhe mjetet e jetesës, ndonjëherë përballë kanosjes dhe dhunës.
Azia dhe Afrika e risistemuar
Afërsisht të gjithë 3.4 milionë njerëzit e vlerësuar që janë zhvendosur fizikisht ose ekonomikisht nga projektet e Bankës Botërore nga 2004 në 2013 jetojnë në Afrikë ose në një nga tre shtetet aziatike: Vietnam, Kinë dhe Indi. Lexoni rreth të dhënave dhe metodologjisë sonë këtu.
Nga 2004 deri në 2013, Banka Botërore dhe dega e saj e huadhënies së sektorit privat, Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) u zotuan të japin hua 455 miliard dollarë për të financuar rreth 7200 projekte në vendet në zhvillim.
Gjatë të njëjtës kohështrirje, njerëzit e prekur nga investimet e Bankës Botërore dhe IFC paraqitën dhjetëra ankesa te panelet e rishikimit të brendshëm të huadhënësve, duke pretenduar se huadhënësit dhe huamarrësit nuk ia dolën të përmbushin rregullat e sigurisë së Bankës Botërore dhe IFC-së.
Në Lagos, avokati i popullit i Bankës Botërore, Paneli i Inspektimit, tha se menaxhimi i bankës “nuk arriti të mbrojë komunitetet e varfra dhe të cenueshme nga dëbimet me forcë”. Zyrtarët e bankës duhet t’i kishin kushtuar më shumë vëmendje asaj që po ndodhte në Badia East, tha paneli, duke marrë parasysh historinë e gjatë të shkatërrimit të lagjeve dhe dëbimit me dhunë nga shtëpitë prej autoriteteve të Lagosit.
Një vit pas dëbimeve, banka i dha borxh autoriteteve të Lagosit 200 milionë dollarë për të mbështetur buxhetin e qeverisë së shtetit.
Banka Botërore tha se nuk ishte një pjesë e shkatërrimit dhe se e kishte këshilluar qeverinë e Lagosit të negociojë me njerëzit e zhvendosur, duke çuar në kompensim të shumicës së atyre që u tha se ishin dëmtuar.
Rastet e dënimeve kanë tërhequr shumicën e vëmendjes, por vështirësitë më të zakonshme të vuajtura prej njerëzve që jetojnë në rrugën e projekteve të Bankës Botërore përfshijnë të ardhura të humbura ose të rrënuara.
Në bregdetin veriperëndimor të Indisë, anëtarë të një komuniteti mysliman historikisht të shtypur pretendojnë se ujë i ngrohur prej një impianti energjetik të furnizuar me qymyr ka varfëruar rezervat e peshqve dhe karavidheve në gjirin dikur pjellor ku ata fitojnë jetesës. IFC-ja i dha borxh Tata Power, një nga kompanive më të mëdha të Indisë, 450 milionë për të ndihmuar ndërtimin e impiantit.
SHBA dhe fuqi të tjerë globale themeluan Bankën Botërore në fund të Luftës së Dytë Botërore për të promovuar zhvillimin në shtetet e shkatërruara nga lufta dhe varfëria. Shtetet anëtare financojnë bankën dhe votojnë nëse do të miratojnë rreth 65 miliard dollarë në vit kredi, grante apo investime të tjera.
Në 2014, banka financoi iniciativa të larmishme si trajnimi i fermerëve të pulave në Senegal dhe përmirësime të sistemeve të ujërave të zeza në Bankën Perëndimore dhe Rripin e Gazës.
Presidenti i Bankës Botërore tha në mars se kërkesa në rajonet në vështirësi për shpenzime në infrastrukturë – për të ofruar ujë të pastër, elektricitet, kujdes mjekësor dhe nevoja të tjera jetësore – do të thotë se banka do të financojë një numër në rritje të projekteve të mëdha që me gjasa do të largojnë njerëzit nga toka apo që mund t’i prekë mjetet e jetesës.
Banka Botërore gjithashtu publikoi një ‘plan veprimi’ prej 5 faqe e gjysmë që tha se do të përmirësonte mbikëqyrjen e zhvendosjes.
“Ne duhet dhe do të veprojmë më mirë,” tha David Theis, zëdhënës i Bankës Botërore, në përgjigje të pyetjeve të skuadrës raportuese.
Ende edhe pse premtoi reforma në procedurat e saj, banka ka propozuar ndryshime të gjera në politikat që i përmbajnë ato. Banka është tani në mes të një rishkrimi të politikës së mbrojtjes që do të rregullojë kursin e saj për dekadat e ardhshme.
Disa zyrtarë aktualë dhe ish–zyrtarë paralajmërojnë se rishikimet e propozuara do të pakësojnë zotimin e bankës për të mbrojtur njerëzit që u krijua për të mbrojtur. Drafti më i fundit i politikës së re, i publikuar në korrik 2014, do t’i japë qeverive më shumë hapësirë për të shmangur standardet e bankës dhe për të marrë vendime nëse popullatat lokale kanë nevojë apo jo për mbrojtje, thotë ata.
“Jam i pikëlluar të shoh tani se arritjet e politikës pionierë të bankës po shpërbëhen dhe degradohen,” tha Michael Cernea, një ish-zyrtar i lartë i bankës që mbikëqyri mbrojtjet e risistemimit të bankës për rreth dy dekada. “Më të varfrit dhe më të pafuqishmit do ta paguajnë çmimin.”
Banka thotë se i ka vënë veshin kritikave dhe se do të publikojë një draft të rishikuar me masat mbrojtëse më të forta dhe më të arrira të mjedisit dhe shoqërisë”.
Histori e pazgjidhur
Një katastrofë e bërë nga dora e njeriut në Brazilin lindor në fund të viteve 1970 ndihmoi në nxitjen e Bankës Botërore që të adoptojë mbrojtjet e para sistematike për njerëzit që jetojnë në zonën e prekur nga projektet e mëdha.
Rritja e ujërave në rrjedhën e sipërme të Digës Sobradinho, e ndërtuar me financimin e Bankës Botërore, dëboi më shumë se 60,000 njerëz nga shtëpitë e tyre. Ristrehimi i tyre ishte i planifikuar dobët dhe kaotik. Disa familje u larguan prej fshatrave të tyre teksa uji filloi të rridhte në shtëpitë e tyre dhe në fusha, duke lënë për t’u mbytur kafshët shtëpiake.
Katastrofa i dha Cerneas, sociologut të parë të Bankës Botërore, mundësinë që të bindë bankën të miratojë politikën e saj të parë kompensuese për mbrojtjen e njerëzve jetët e të cilëve preken nga projektet e bankës. Cernea i mbështeti rregullat e reja, të miratuara nga banka në 1980, në një premisë të thjesht: Njerëzit që humbin tokën, shtëpinë apo punën duhet të marrin mjaftueshëm ndihmë për të rifituar ose tejkaluar standardet e vjetra të jetesës.
Nën rregullat e reja të Bankës Botërore, qeveritë që kërkojnë para nga banka duhet të paraqesin plane të detajuara risistemimi për njerëzit që zhvendosen fizikisht ose ekonomikisht.
Punonjës aktualë ose ish-punonjës thonë se puna e zbatimit të këtyre standardeve shpesh është penguar nga presione të brendshme për të fituar miratim për projekte të mëdha dhe të bollshme. Shumë menaxherë të bankës, thonë të brendshmit, e përcaktojnë suksesin nga numri i marrëveshjeve që financojnë. Ata shpesh dalin kundër kërkesave që shtojnë kosto ose ndërlikime.
Daniel Gross, një antropolog që punoi për bankën për dy dekada si një këshilltar dhe anëtar stafi, tha se monitoruesit e brendshëm të mbrojtjes kanë një vend në tryezë në debatet mbi sa i duhet bankës të bëjë për të mbrojtur njerëzit. Por në mes të presionit për të bërë projektet, ata shpesh shpërfillen ose shtypen për ta pasuar topin dhe për të vazhduar,” tha ai.
Në një studim të brendshëm të kryer vitin e shkuar nga auditorët e bankës, 77 për qind e punonjësve përgjegjës për zbatimin e mbrojtjeve të institucionit thanë se ata mendojnë se menaxhimi ‘nuk e vlerëson’ punën e tyre. Banka e publikoi studimin në mars, në të njëjtën kohë që pranoi mbikëqyrjen e dobët të politikës së risistemimit.
“Mbrojtjet janë të parëndësishme për menaxherët,” tha një punonjës që ishte pyetur për raportin.
S’ka ngushëllim
Në 2007, banorët e Jalës, një fshat i vogël detar shqiptar në Detin Jon, e gjetën veten në rrugën e një përpjekje pastrimi bregdetar të mbështetur nga një kredi 17.5 milionë dollarë nga Banka Botërore. Më shumë se një dyzinë familjesh të varfra jetonin në Jalë, shumica në shtëpi me shtesa dhe kate ekstra që ia jepnin me qira pushuesve.
Autoritetet shqiptare kishin plane të tjera për bregdetin.
Ata e panë Jalën si një vend ideal për një resort të shtrenjtë për të joshur turistët në vend. Ata vendosën të përdorin projektin e restaurimit bregdetar – që u menaxhua nga dhëndri i Sali Berishës, kryeministrit të Shqipërisë në atë kohë – si një mjet për ta kthyer planin në realitet.
Përpara agimit një mëngjes prilli, dhjetëra oficerë policie vërshuan në komunitetin e plazhit, të drejtuar për nga struktura të identifikuara më parë në foto të bëra gjatë inspektimeve ajrore të paguara nga Banka Botërore. Policia i ngriti banorët nga gjumi dhe i nxori nga shtëpitë. Skuadrat e shembjes rrafshuan shtëpi të tëra dhe shkatërruan të tjera që qeveria tha se ishin ndërtuar pa leje.
Sanie Halilaj qau teksa ekipi i punës i shembën gjysmën e shtëpisë që ajo kishte ndarë me bashkëshortin e saj për më shumë se gjysmë shekulli.
“Kur humb një person të dashur, dikush të ngushëllon,” tha 74-vjeçarja në një intervistë të fundit. “Por kur humbet shtëpinë, nuk ka ngushëllim”.
Zyrtarët e bankës fillimisht mohuan që dëbimet nga shtëpitë të ishin të lidhura me iniciativën bregdetare të financuar prej bankës. Por një vit më vonë Paneli i Inspektimit të bankës gjeti ‘lidhje direkte’ midis projektit dhe shembjeve. Paneli e kritikoi bankën për përzierjen në një ‘përpjekje sistematike’ për të penguar investigimin, duke ofruar përgjigje ‘ndonjëherë në konflikt total me informacionin faktik që prej kohësh ishte njohur për menaxhimin”.
Pasi u publikua raporti i panelit në 2008, presidenti i atëhershëm i Grupit të Bankës Botërore Robert Zoellick i quajti veprimet e bankës si ‘të tmerrshme’. Zoellick u betua se institucioni do të forconte me shpejtësi mbikëqyrjen dhe do të përmirësonte procedurat dhe do të ndihmonte familjet që i janë shembur ndërtesat”.
“Banka nuk mund ta lejojë këtë të ndodhë sërish,” tha ai.
Shtatë vite më vonë, pak ka ndryshuar – në Jalë, ku banorët ende nuk i kanë marrë pagesat për ç’ka humbën, ose në bankë, ku mbikëqyrja mbetet e dobët.
Një analizë e brendshme e vitit 2014 e Bankës Botërore zbuloi se në 60 për qind të rasteve të marra, punonjësit e bankës nuk ia dolën të dokumentojnë se çfarë i ndodhi njerëzve që u dëbuan nga toka apo shtëpitë.
Shtatëdhjetë për qind e rasteve të marra në raportin e 2014 kishin mungesë të informacionit të kërkuar nëse ishin bërë ankesa dhe nëse ishin zgjidhur këto ankesa, duke lënë të kuptohet se mekanizmat e bankës për përballjen me ankesat ishin ushtrime ‘të plotësimit të kutizave’ që ‘ekzistonin në letër por jo në praktikë’ shkruan analistët e brendshëm.
Këto ‘hendeqe të konsiderueshme në informacion’ tregojnë ‘për dështime të potencialit domethënës në sistemin e bankës për risistemimin’, thoshte raporti. ‘Paaftësia për të kontrolluar se risistemimi ishte plotësuar kënaqshëm paraqet një rrezik reputacional për Bankën Botërore’.
‘Ata na braktisën’
Shumica e investimeve të Bankës Botërore nuk kërkojnë nxjerrje nga shtëpia apo nuk dëmtojnë aftësinë e njerëzve për të fituar jetesën apo për të ushqyer familjet e tyre. Por përqindja e këtyre është rritur ndjeshëm në vitet e fundit.
Në 2012 auditi i brendshëm zbuloi se projektet në tubacionet e bankës vunë në lojë politikën e risistemimit të bankës në 40 për qind të herëve – dy herë më shpesh se projektet që banka i kishte plotësuar tashmë.
Banka Botërore dhe IFC ka nxitur gjithashtu mbështetje për mega-projektet, si tubacionet e naftës dhe digat, që huadhënësit e pranojnë se kanë më shumë gjasa të shkaktojnë dëm të pakthyeshëm social dhe mjedisor, zbuloi një analizë e HuffPost dhe ICIJ.
Një projekt i madh mund të ndikojë në jetët e dhjetëra mijëra njerëzve.
Që nga 2004, vlerësimet nga Banka Botërore tregojnë se të paktën një dyzinë e projekteve të mbështetura nga banka zhvendosën fizikisht ose ekonomikisht më shumë se 50,000 njerëz secili.
Studimet tregojnë se zhvendosjet e detyruara mund të ndajnë rrjetet farefisnore dhe të rrisin rreziqet për sëmundje. Popullatat e zhvendosura kanë më shumë gjasa të vuajnë nga papunësia dhe uria dhe norma e vdekshmërisë është më e lartë.
Banka Botërore pranon se risistemimi është i vështirë, por thotë se është shpesh e pamundur të ndërtohen rrugë, impiante energjetike dhe projekte të shumënevojitura pa zhvendosur njerëzit nga shtëpitë e tyre.
“Ne mbështesim nevojën për të vazhduar financimin e projekteve të infrastrukturës, përfshirë ato që detyrojnë përvetësim të tokës dhe risistemim jovullnetar,” tha Theis, zëdhënësi i Bankës Botërore.
Banka thotë se orvatet të sigurohet se huamarrësit ofrojnë ndihmë reale te njerëzit prekur nga projektet e mëdha. Në Laos, banka thotë, autoritetet ndërtuan më shumë se 1300 shtëpi të reja me elektricitet dhe tualete, 32 shkolla dhe dy qendra shëndetësore për mijëra njerëz që u zhvendosën nga shtëpitë për t’i hapur rrugën një dige të financuar nga Banka Botërore.
“Përmes projekteve të planifikuara me kujdes dhe zbatimit të duhur, përvetësimi i tokës dhe risistemimi jovullnetar kanë rezultuar në përmirësimin e ndjeshëm të jetës së njerëzve,” tha Theis në një deklaratë.
Në një rajon me thatësirë në Brazil, familjet fermere të prekura nga një tjetër digë e mbështetur prej Bankës Botërore thonë se jetët e tyre nuk janë përmirësuar.
Pesëdhjetë e pesë familje jetojnë në një fshat të ndërtuar nga qeveria të quajtur Gameleira, sipas emrit të digës dhe rezervuarit që i detyroi ata të largoheshin prej shtëpive përgjatë lumit Mundau.
Në shtëpitë e tyre të vjetra, ata mund të nxirrnin ujë nga puset dhe vetë lumi, por fshati i sajuar nuk ka burim të ujit të freskët. Një raport i Bankës Botërore pranoi një vonesë në aksesin e ujit për fshatin e ri, por tha se problemet e ujit të fshatit ishin zgjidhur në fund të 2012.
Fshatarët thonë se kjo nuk është e vërtetë. Ata janë ende duke pritur, katër vjet pasi u detyruan të zhvendosen, që autoritetet të mbajnë premtimin dhe të ndërtojnë një tubacion të vogël për të marrë ujë nga një rezervuar i ri te fshati i rilokalizuar. Ndërkohë, uji nga rezervuari i çohet zonave urbane.
Një pus në fshat prodhon ujë të kripur dhe, me gjithë pajisje distilimi, çdo familje ka një sasi të limituar prej 36 litrash ujë në ditë. Familjet e shtojnë furnizimin me ujë duke blerë nga shitësit duke shpenzuar ndonjëherë deri në një të tretën e të ardhurave të tyre modeste.
Këto blerje i ofrojnë atyre mjaftueshëm ujë për të vaditur kopshtet e vogla me juka, bishtajore dhe misër. Nëse ata duan të mbjellin bimë me vlerë tregu duhet të presin për shiun, që vështirë se vjen.
“Ne na duket se po vuajmë që njerëzit nga qyteti të kenë ujë,” tha 39-vjeçari Francisco Venílson dos Santos, një fermer dhe baba i katër djemve dhe dy vajzave. “Ata na kanë braktisur”.
Në një deklaratë të shkruar, banka tha se është e kënaqur që fshati ka një furnizim të duhur me ujë si në kuptimin e sasisë edhe në atë të cilësisë. Deklarata nuk iu përgjigj një pyetjeje rreth tubacionit që ishte planifikuar të lidhte fshatin me rezervuarin.
Mangësitë
Në korrik 2012, një lider i pazakontë mori detyrën e presidentit të ri të Bankës Botërore. Jim Yong Kim, një fizikan koreano-amerikan i njohur për punën e tij në luftën kundër AIDS në Afrikë, u bë i pari president i Bankës Botërore e shkuara e të cilit nuk ishte në financë ose politikë.
Dy dekada më parë, Kim i ishte bashkuar protestave në Uashington DC, duke i bërë thirrje Bankës Botërore të ndalonte funksionimin së bashku me treguesit vlerësues si rritja ekonomike për asistimin e të varfërve.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe punonjësit e bankës që punojnë te mbrojtjet shpresuan që caktimi i Kim do të sinjalizonte një ndryshim drejt mbrojtjeve më të mëdha për njerëzit e prekur nga projektet e Bankës Botërore.
Në mars, Kim tha se ai ishte i shqetësuar rreth ‘problemeve madhore’ në mbikëqyrjen e bankës për politikat e saj të risistemimit. Ai lajmëroi një plan veprimi duke bërë thirrje për pavarësi më të madhe të monitoruesve të mbrojtjes të bankës dhe një 15 për qind rritje financimi për zbatimin e mbrojtjeve.
Por ndërsa Kim dhe të tjerë zyrtarë të bankës kanë pranuar mangësitë e përgjithshme, ata kanë mohuar vazhdimisht se banka ka faj të përbashkët për dëbimet e dhunshme dhe të gabuara të huamarrësve të saj.
Në Etiopi, Paneli i Inspektimit të Bankës Botërore zbuloi se banka kishte shkelur rregullat e veta duke dështuar në pranimin e një ‘lidhje operacionale’ mes një iniciative shëndetësore dhe edukuese të financuar nga banka dhe një fushate të zhvendosjes në masë të kryer nga qeveria etiopiane. Në 2011, ushtarët që kryen largimin e detyruar shënjestruan disa fshatarë për rrahje dhe përdhunime, duke vrarë të paktën shtatë, sipas një raportimi nga Monitorimi i të Drejtave të Njeriut dhe intervistat e ICIJme njerëzit që u dëbuan.
Kim tha se ndërsa ‘ne mund të kishim bërë më shumë’ për të ndihmuar komunitetet e dëbuara, banka nuk kishte faj.
Në Indi, avokati i brendshëm i IFC zbuloi se huadhënësi i kishte shkelur politikat e veta duke mos bërë mjaftueshëm për të mbrojtur komunitetin e madh peshkatar që jetonte në hije të impiantit energjetik të qymyrit që financoi në Gjirin e Kutchit. Me miratimin e Kim, menaxhimi i IFC refuzoi shumë prej zbulimeve të avokatit të popullit dhe mbrojti vendimet e klientit të vet korporatë.
Si në Etiopi dhe në Indi, Grupi i Bankës Botërore mohoi t’i detyrojë klientët e vet të kompensojnë plotësisht komunitetet e prekura.
Në përgjigje të ankesave rreth dënimeve të Badia East në Nigeri, Banka Botërore përqafoi një alternativë që shkeli premtimin se njerëzit e prekur nga projektet do të kompensohen plotësisht për humbjet e tyre.
Zakonisht, një komunitet që pretendon se është dëmtuar ndjeshëm nga një projekt i bankës mund të dërgojë një ankesë që do të nxisë një investigim nga Paneli i Inspektimit të bankës.
Por kur tre banorë të Badia East ngritën një ankesë, punonjësit e panelit ngurruan të fillojnë një investigim. Në vend të kësaj, ata i futën banorët në një program të ri pilot për përballimin e mosmarrëveshjeve. Programi e vuri komunitetin në negociata direkte me qeverinë e shtetit të Lagosit.
Megan Chapman, një avokat i Qendrës për të Drejtat Sociale dhe Ekonomike, përfaqësoi banorët e dëbuar. Paneli i Inspektimit i premtoi Chapman se komuniteti i Badia East mund të kërkonte një investigim në çdo kohë nëse nuk ishte i kënaqur me rezultatin, sipas emaileve të rishikuara nga ICIJ.
Negociatat nuk shkuan mirë për banorët e zhvendosur. Qeveria e Lagosit këmbënguli se ata kishin qenë banorë të paligjshëm, edhe pse disa prej tyre kishin jetuar atje për dekada. Ajo i dha grupit një ultimatum, prano një pagesë të vogël dhe nënshkruaj për heqjen e të drejtave ligjore, ose nuk merr asgjë.
Chapman besoi se oferta e qeverisë shkeli politikën e risistemimit të bankës sepse nuk ofroi shtëpi të reja për të zhvendosurit ose kompensim të barabartë për atë që ata humbën. Pagesat që autoritetet e Lagosit ofruan për struktura më të mëdha të shembura, për shembull, ishin 31 për qind më të ulta nga sa kishin vlerësuar këshilltarët e Bankës Botërore.
“Ishte si David dhe Golia. Këta njerëz të vegjël po luftonin kundër këtij gjiganti,” tha Chapman. Banka i la vërtetë njerëzit e cenueshëm vetëm.
Ultimatumi i qeverisë përçau komunitetin. Lideri i organizatës së Chapman tha se ishte oferta më e mirë për të dëbuarit do të merrnin. Ai tha se ishte i kënaqur me marrëveshjen. Shumë banorë dhe avokatët e tyre – përfshirë Chapman – refuzuan.
Por nuk kishin ku të drejtoheshin për ndihmë.
Mesazhe të brendshme të siguruara nga ICIJ tregojnë se në fillim të 2014, kryetarja e Panelit të Inspektimit, Eimi Watanabe, po bënte presion që të sigurohej se paneli nuk do të hetonte rolin e Bankës Botërore në çështje.
Pasi dëgjoi se lideri i grupit të Chapman ishte i kënaqur me rezultatin e negociatave, Watanabe e nxiti stafin e saj të lëshojë një lajmërim formal që hiqte mundësinë e ndonjë investigimi përpara se të shpërbëhej marrëveshja e brishtë, sipas emaileve të brendshme të siguruara nga ICIJ.
“Ju lutem lëshojeni lajmin sa më shpejt përpara se shpërbëhet,” shkroi Watanabe më 6 shkurt 2014.
Urdhri i Watanabes nuk e anuloi direkt hetimin, por gjatë muajve në vijim paneli e bëri të qartë se nuk donte të kërkonte më thellë në veprimet e Bankës Botërore.
Në korrik 2014, dy nga tre banorët që kishin ngritur ankesën i thanë panelit se nuk ishin të kënaqur me marrëveshjen dhe se donin të vazhdonin një investigim. Paneli e refuzoi kërkesën e tyre dhe mbylli çështjen me një lajmërim zyrtar që thoshte, si mënjanë, se banka kishte dështuar në standardet e veta të risistemimit.
Chapman dhe avokatë të tjerë thonë se banka i keqdrejtoi ata rreth mënyrës se si do të funksionojë programi pilot dhe i braktisi njerëzit e Badia East.
Watanabe nuk iu përgjigj pyetjeve të ICIJ rreth çështjes së Lagos.
Gonzalo Castro de la Mata, kryetari aktual i Panelit të Inspektimit, tha se ‘diskutoi me kujdes në çdo fazë të çështjes’ dhe nuk bëri mbyllje arbitrare të investigimit përpara se të mund të fillonte.
Ai tha se meqë qeveria e Lagosit kishte rënë dakord të ndiqte rregullat e Bankës Botërore për risistemimin në Badia East dhe lagjet e tjera, dëbimet nuk ishin bërë nën kontrollin zyrtar të iniciativës së rinovimit urban të bankës. Për shkak të kësaj dhe faktorëve të tjerë, tha ai, paneli vendosi se ‘një proces i stërzgjatur investigimi nuk do të sillte domosdoshmërisht rezultate të mira në fund të ditës’ për banorët që kishin humbur shtëpitë.
Një e ardhme e pasigurt
Teksa hyn në dekadën e tetë, Banka Botërore përballet me një krizë identiteti.
Nuk është më i vetmi huadhënës që është i gatshëm të rrezikojë në shtetet që janë në vështirësi dhe të financojë projekte madhore. Po sfidohet nga konkurrenca e re prej bankave të tjera të zhvillimit që nuk kanë të njëjtat standarde sociale – dhe që po tërheqin shpejt mbështetje nga mbështetësit tradicionalë të Bankës Botërore.
Kina ka themeluar një bankë të re zhvillimi dhe bindi Britaninë, Gjermaninë dhe aleatë të tjerë të Amerikës të bashkohen, pavarësisht kundërshtimit të hapur të SHBA.
Këto zhvendosje gjeopolitike kanë nxitur dyshime rreth faktit nëse Banka Botërore ka ende pushtet – ose dëshirë – të imponojë mbrojtje të fortë për njerëzit që jetojnë në rrugën e zhvillimit.
Zyrtarët e të drejtave të njeriut në Kombet e Bashkuara i kanë shkruar presidentit të Bankës Botërore Kim për t’i thënë se janë të shqetësuar se aftësia në rritje e huamarrësve për të aksesuar financim tjetër ka nxitur bankën t’i bashkohet ‘një gare për në fund’ dhe t’i ulë edhe më shumë standardet për mbrojtjen e njerëzve.
Ndryshimet e propozuara nga banka për rregullat e saj të mbrojtjes do t’i jepnin huamarrësve më shumë autoritet për të kontrolluar veten. Në draftin aktual, qeveritë do të lejohen të presin në përgatitjen e planeve të zhvendosjes deri pasi banka t’i japë dritën jeshile projekteve. Ato do të lejohen gjithashtu të përdorin politikat e tyre mjedisore dhe sociale në vend të mbrojtjeve të bankës, për sa kohë banka vendos se këto politika janë konsistente me të sajat.
Disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bankës thonë se këto ndryshime do të sillnin katastrofë për njerëzit që jetojnë në zonat që preken nga projektet e bankës – duke i lejuar qeverive të përfitojnë nga standarde më të dobëta kombëtare dhe të vendosin nëse popullatat e cenuara kanë nevojë për mbrojtje pasi ta kenë marrë financimin.
Në dhjetor, mbështetësi më i madh i Bankës Botërore, Kongresi i SHBA, miratoi një masë që i urdhëronte përfaqësuesit amerikanë në bordin e Bankës Botërore të votonin kundër çdo projekti të ardhshëm që do të ishte subjekt i garancive më të dobëta nga ato që janë aktualisht.
Banka thotë se rregullat e reja do të forcojnë mbrojtjet për popullatat e prekura nga projektet e saj.
Theis, zëdhënësi i bankës, tha se nën rregullat e propozuara, ‘kërkohet gjithnjë një studim rigoroz paraprak’ dhe huamarrësit ende duhet të përgatisin planet për të zgjidhur risistemimin dhe ndikime të tjera të projekteve ‘shumë përpara çdo veprimi ndërtimi’.
Zyrtarët e Bankës Botërore tani po shkruajnë një version të ri të mbrojtjeve që thonë se do të marrë parasysh kritikat e draftit të mëparshëm. Ata pritet ta publikojnë draftin e ri në fund të pranverës ose verës.
Ndërkohë, banka vazhdon të rrisë investimet e veta në projektet e mëdha të infrastrukturës, si ai që i mori shtëpinë Bimbo Osobe në Badia East.
Osobe shpenzoi muaj pas dëbimit të saj duke fjetur vetëm nën një rrjetë për strehim, tha ajo.
Që nga mesi i marsit ajo po qëndron në një klinikë mjekësore, duke fjetur në zonën e recepsionit pasi klinika mbyllet natën. Ajo është detyruar t’i çojë tre fëmijët e saj të qëndrojnë me të afërmit, thotë ajo.
“Nuk është gjë e mirë për një familje që të ndahet,” tha Osobe.