Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras duket se ka harruar tradidën marksiste për unitetin mes teorisë dhe praktikës. Kjo është edhe diferenca mes të qenit në opozitë dhe në pushtet, thotë Joschka Fischer. Në opozitë mund të ëndërosh, në pushtet duhet të bësh marrëveshje dhe të qeverisësh.
Dikush thjeshtë mund të ndjejë keqardhje për Greqinë. Për më shumë se pesë vjet, “trojka” (Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar) e kanë bërë këtë vend objekt të një eksperimenti të dështuar me masa kursimesh që kanë përkeqësuar krizën ekonomike të vendit. Dhe tani, kryeministri Alexis Tsipras dhe qeveria e tij duken te gatshëm për ta shtyrë Greqinë në humnerë.
Kjo nuk kishte nevojtë të ndodhte. Në kohën kur partia e majtë Syriza e Tsiprasit erdhi në pushtet në janar, një kompromis i ri, më i përqendruar te rritja ekonomike dukej i mundshëm. Edhe promovuesit gjermanë të vijës së ashpër të kursimit – dhe sigurisht, kancelaria Angela Merkel – patën filluar të rimendoheshin për pozicionin e tyre, për shkak se recetat e tyre qenë bërë në mënyrë të pamohueshme të dëmshme për euron dhe për stabilitetin e Bashkimit Europian.
Me pak justifikime, qeveria e Tsipras mund ta kishte paraqitur veten para Europës si partneri më i mirë për të zbatuar një program shumë të gjerë reformash dhe modernizimi në Greqi. Masat për të kompensuar më të varfrit u pritën me simpati të konsiderueshme në kryeqytetet e BE-së dhe, klima e mirë duhej të kishte përforcuar atë që Greqia kishte filluar ta kryente tashmë, të shkurtonte buxhetin e saj të fryrë të mbrojtjes (siç supozohet se pritet nga një qeveri e majtë).
Por Tsiprasi e shpërdoroi mundësinë e Greqisë për shkak se ai dhe udhëheqësit e tjerë të Syriza nuk qenë në gjendje të shihnin përtej horizontit të origjinës së partisë së tyre në aktivizmin opozitar radikal. Ata nuk kuptuan – dhe nuk deshën të kuptonin – dallimin mes të bërit fushatë dhe të qeverisurit. Realpolitika, në këndvështrimin e tyre, qe shitje.
Natyrisht, është pikërisht pranimi i të nevojshmes ajo që përbën dallimin mes qeverisjes dhe opozitës. Një parti opozitare mund t’i japë zë aspiratave, të bëjë premtime dhe madje edhe të ëndërrojë disi; por një parti në qeverisje nuk mund të vijojë të qëndrojë në një botë imagjinare apo në ndonjë sistem teorik. Dhe sa më ëndërrimtare të jenë premtimet e një partie në opozitë, aq më të mëdha janë sfidat për të ngushtuar hendekun me realitetin, nëse, si Syriza, kjo parti fiton zgjedhjet dhe merr pushtetin.
Për më tepër, Tsipras duket se ka harruar theksimin tradicional marksist në unitetin dialektik të teorisë dhe praktikës. Nëse dëshiron të negociosh një ndryshim kursi me kreditorët tuaj, nuk ka gjasa t’ia dalësh nëse ti shkatërron besueshmërinë tënde me retorikë dhe ankesa mbi paranë e kujt ke nevojë për të shmangur falimentin. Ky, së paku, është leksioni që shumica jonë e ka mësuar nga kalimi nga teoria në praktikë (e njohur gjithashtu si realitet).
Por paaftësia e Syriza për t’i shpëtuar fluskës së vet radikale nuk e shpjegon se pse ajo krijoi një koalicion ne Grekët e Pavarur, një parti e ekstremit të djathtë, kur ajo mund të kishte qeverisur me ndonjë nga partitë centriste dhe pro-Europiane. Shpresoj që këto dy parti të mes kenë ide politike të përbashkëta, veçanërisht sa i përket ndryshimit të aleancave strategjike, ndryshim që mund të jetë njësoj i dëmshëm si për Greqinë ashtu edhe për Europën. Por dy veprime të Tsipras shpejt pasi ai mori postin kanë ngritur dyshimet e mija: flirti i tij me presidentin e Rusisë Vladimir Putin dhe përpjekja e tij për të izoluar Gjermaninë brenda eurozonës, gjë që nuk kishte asnjë shans të funksiononte.
Brenda bashkimit monetar të Europës, një konsensus është arritur për atë që çdo gjë e mundshme do të bëhet për ta mbajtur Greqinë brenda. Por qeveria e Greqisë duhet të kuptojë se anëtarët e tjerë të eurozonës nuk janë të gatshëm të lëshojnë ndaj kërkesave të saj nëse kjo sjell njëkohësisht deligjitimim të vetë reformave të tyre të dhimbshme. Më e rëndësishmja, tani që ora po afrohet për faliment (i cili mund të ndodhë që në qershor), autoritetet e Greqisë duhet të bindin partnerët e tyre përmes veprimeve dhe jo premtimeve.
Dalja e paorganizuar e Greqisë nga euro – aktualisht rreziku më i madh – mund të shmanget vetëm nëse të dyja palët punojnë me supozimin se negociatat e ardhshme nuk janë mbi atë se cili do të fitojë dhe cili do të humbasë. Kjo nuk do të jetë e lehtë: të gjitha palët përballen me presion të madh të brendshëm dhe çfarëdolloj kompromisi të arrihet, dikush do të duhet të japë ca shpjegime në shtëpi. Por edhe po të mos kishte trojkë apo bashkim monetar, Greqia sërish do të kishte nevojë për reforma të thella për t’u ringritur. Ajo ka nevojë gjithashtu për kohë dhe para, të cilat BE mund t’i japë nëse dhe vetëm nëse autoritetet e Greqisë përballen me realitetin.
Por edhe të tjerët në Europë kanë nevojë gjithashtu të braktisin iluzionet e veta. Kriza e Greqisë nuk mund të përdoret as për të dobësuar konservatorët e Europës dhe për të ndryshuar balancën e pushtetit brenda BE-së, ose për të hequr të majtën greke nga pushteti.
Kriza aktuale dhe bisedimet për ta zgjidhur atë janë vetëm për një gjë: të ardhmen e Greqisë brenda Europës dhe të ardhmen e projektit të përbashkët Europian. Ringritja e Greqisë në këmbë dhe mbajtja e saj brenda eurozonës është në interes në Europës, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht. Por çdo marrëveshje se si mund të realizohet kjo kërkon që Greqia të demonstrojë që ka të njëjtin objektiv.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate.