Shtetet e Ballkanit po peshojnë impaktin e mundshëm mbi tregtinë, bankat, valutat dhe investimet nëse Greqia detyrohet të dalë nga eurozona.
Ndërsa bota pret të shohë nëse kryeministri grek Alexis Tsipras do të nënshtrohet i pari në bisedimet që, ose bëjnë ose zhbëjnë, me kreditorët e vendit të tij, ose nëse Greqia lë eurozonën, ekspertët ekonomikë nëpër Ballkan po peshojnë ndikimin e mundshëm të një “Grexiti” mbi shtetet e tyre.
Ata besojnë se nëse Greqia detyrohet të dalë nga eurozona, bankat e lidhur me Greqinë do të preken patjetër.
Ndërsa bankat vetë janë të sigurta në lidhje me aftësinë e pagesës, problemi më i mundshëm është që klientët të fillojnë tërheqjen në masë të fondeve.
Efekti i një Grexiti në tregtinë e Ballkanit do të ishte më i kufizuar, pasi asnjë vend i Ballkanit nuk mbështetet në eksportet me Greqinë.
Ndonëse Greqia ishte një investuese madhore në rajon përpara fillimit të krizës së vitit 2008, ajo filloi tërheqjen e kapitalit në vitet e fundit, duke pakësuar shanset e një Grexiti për të shkaktuar një çrregullim më të madh ekonomik në Ballkan.
Disa madje thonë se në qoftë se Greqia largohet nga eurozona, kjo mund t’i sjellë përfitime shteteve të tjera të Ballkanit, teksa kompanitë mund të heqin funksionimin nga Greqia për ta çuar në ekonomitë më stabël në shtetet fqinje.
Bankat janë në vijën e parë
Ekspertët thotë se influenca greke dhe rreziqet e mundshme të një Grexiti në disa shtete të Ballkanit kryesisht qëndrojnë në sektorin bankar.
Kompania amerikane e vlerësimeve Standard and Poor’s më 24 qershor paralajmëroi se mund të ulë normat e kreditit të Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Rumanisë dhe Serbisë nëse problemet në Greqi përhapen në sistemet e tyre bankare.
Standard and Poor’s tha se bankat greke zotërojnë banka të rëndësishme në këto shtete dhe shqetësimi është nëse Athina detyrohet të dalë nga eurozona, këto huadhënës mund të falimentojnë, duke krijuar një efekt domino te degët e tyre.
“Ne nuk përjashtojmë mundësinë e mbështetjes qeveritare për bankat. Nëse një mbështetje e tillë dobëson kryesisht metrikat fiskale dhe të borxhit të qeverisë, kjo mund të ndikojë negativisht në normimet tona sovrane,” shkroi Standard and Poor’s në një raport.
Ai paralajmëroi se banka greke mëmë mund të sulmojë filialet e saj në një luftë për mbijetesë, duke i lënë bankat qendrore të rajonit në vështirësi për të ndaluar lëvizjen e depozitave të tyre.
Bankat greke zotërojnë katër banka në Serbi dhe aksionet në treg të këtyre filialeve të bankave në sektorin bankar të Serbisë është 15 për qind .
Në Rumani, grekët gjithashtu zotërojnë katër banka, me një pjesë prek 17.6 për qind në sistemin bankar lokal.
Prania e kapitalit grek në bankat e Maqedonisë dhe Shqipërisë është më e lartë.
Në Maqedoni, grekët zotërojnë dy banka të mëdha me 20 për qind të sistemit bankar.
Tre banka greke zotërojnë 32 për qind të të gjithë kapitalit bankar në Shqipëri.
Megjithatë, të gjitha këto banka vendase që punojnë si entitete të ndara, qeverisen nga rregullat vendase dhe do të trajtohen si entitete të ndara në rast të problemeve më të mëdha në Greqi.
Deri më tani, Shqipëria ka përfituar nga problemet në bankat greke meqenëse shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi kanë transferuar kursimet e tyre nga Greqia në atdhe.
Duke vepruar sipas rekomandimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, të gjitha vendet e Ballkanit kanë futur edhe ligjet për të ndarë degë bankare greke në vendet e tyre dhe duke i bërë ato entitete të ndara.
Zoran Ivanovski, një profesor ekonomie në Universitetin Europian Juglindor të Tetovës tha për BIRN se këto banka nuk do të kenë arsye të përballen me probleme të aftësisë paguese për shkak se ato funksionojnë sipas ligjit maqedonas.
“Nëse firmat nënë falimentojnë, këto banka në Maqedoni do të përballen me presionin e shtuar për të dalë në shitje [te një tjetër pronar] sepse ligjet maqedonase nuk i lejojnë bankat me themelues të falimentuar të vazhdojnë punën,” tha Ivanovski.
Florin Georgescu, një zëvendës guvernator i bankës qendrore të Rumanisë, tha së fundmi se Rumania ishte gati për të përballej me pasojat e mundshme të një Grexiti.
Të gjitha bankat e zotëruara nga grekët në Rumani janë të kapitalizuara mirë, theksoi ai. “Ato kanë një likuiditet të mirë dhe kanë një strukturë aseti që është në sinkron me nevojat që dalin kur ka situata të vështira,” tha ai.
Banka qendrore e Rumanisë “ka një set masash dhe procedurash të cilat, në bashkëpunim me bankat që mund të kërkojnë një mbështetje të caktuar, mund të vihen në punë për të shmangur çdo tension dhe efekt të padëshirueshëm në sistemin bankar rumun,” shtoi Georgescu.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rreziku mund të vijë nga klientët e bankave sesa nga vetë këto.
Kërcënimi më i madh për vende si Rumania është rreziku i njerëzve që mund të bëjnë tërheqjen e parave të tyre nga bankat, sepse mënyra njerëzit do të reagojnë [ndaj një Grexiti] është e panjohur,” tha Aurelian Dochia, një ekonomist rumun.
Ekonomisti serb Goran Nikolic ra dakord. “Falimenti grek mund të shkaktojë panik dhe kjo mund t’i vërë bankat në rrezik,” tha Nikolic.
Shqetësimet për të ardhmen e tregtisë
Që nga fillimi i krizës ekonomike, volumi i tregtisë greke me rajonin ka rënë, megjithëse në disa shtete është ende domethënës.
Greqia është ende një partner madhor tregtie me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Rumaninë.
Tregtia midis Rumanisë dhe Greqisë ishte në nivel rekord në vitin 2008 por ra në mënyrë konstante nga 2009-2012. Volumi filloi të ngrihej sërish në dy vitet e fundit.
Në fund të 2014, tregtia midis Rumanisë dhe Greqisë vlente rreth 1.3 miliard euro, ku eksportet rumune në Greqi llogariteshin në 651 milionë euro.
Greqia është një nga partnerët më të rëndësishëm të tregtisë dhe investimeve të Maqedonisë, pavarësisht nga marrëdhëniet e dobëta politike mes dy fqinjëve. Në vitin 2014, Greqia ishte partneri i tretë i rëndësishëm tregtar i Maqedonisë pas Gjermanisë dhe Britanisë.
Në vitin 2014, Maqedonia eksportoi rreth 170 milionë euro mallra në Greqi, ndërsa importoi mallra me vlerë 501 milionë euro. Enti Statistikor Shtetëror i Maqedonisë tha se 33.8 për qind e importeve të Maqedonisë në Greqi në vitin 2014 u mbuluan nga eksportet e anasjellta.
Ivanovski tha për BIRN se pasoja mbi Maqedoninë nëse Greqia largohet nga eurozona do të ishte negative.
“Presioni mbi kompanitë që kanë lidhje tregtare dhe biznesi me Maqedoninë është i pritshëm për shkak të rënies së kërkesës në Greqi,” tha Ivanovski.
Greqia është gjithashtu një nga partnerët kryesorë tregtarë të Malit të Zi së bashku me Serbinë.
Mali i Zi eksportoi vetëm 295,000 euro mallra në Greqi në vitin 2014, që përbën thjesht 0.3 për qind të eksportit të Malit të Zi. Mali i Zi importoi nga Greqia mallra me vlerë 144 milionë euro në vitin 2014, që shkojnë në rreth 8 për qind të importeve të tij të përgjithshme .
Pas takimit të shefave të FMN dhe Bankës Qendrore Malazeze në prill, të dy palët dolën në përfundimin se kriza në Greqi nuk do të ndikonte shumë mbi Malin e Zi për shkak të “pjesëmarrjes së ulët të eksporteve malazeze në Greqi”.
Për sa i përket pjesës tjetër të rajonit, tregtia totale mes Serbisë dhe Greqisë u përllogarit në 355 milionë euro në vitin 2014. Serbia importoi mallra nga Greqia me vlerë 229 milionë euro ndërsa eksportet ishin të vlerës 125 milionë euro, sipas Zyrës Serbe të Statistikave.
Kroacia eksportoi mallra me vlerë 115 milionë euro në Greqi në 2014, që përbëjnë 1.1 për qind të eksportit kroat. Njëkohësisht Kroacia importoi mallra me vlerë 90.8 milionë euro.
Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar ndërmjet Bosnje-Hercegovinës dhe Greqisë në vitin 2014 ishte rreth 87 milionë euro, që është 11 për qind më pak se një vit më parë.
Greqia është përgjegjëse për vetëm 3.4 për qind të të gjitha eksporteve shqiptare dhe për rreth 9 për qind të importeve.
Greqia është një nga pesë vendet e BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe lidhjet ekonomike mes dy vendeve janë pothuajse inekzistente.
Zyrtarë dhe ekspertë nga këto vende nuk parashikojnë shqetësime të mëdha në rast të një Grexiti, përtej interesit të përbashkët për të mbajtur ekonominë në rajon sa më të qëndrueshme që të jetë e mundur.
“Greqia nuk është ndër partnerët më të rëndësishëm të tregtisë së jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës, edhe pse çdo treg është i rëndësishëm,” tha për BIRN Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnje-Hercegovinës, “ndaj kalimi i krizës në Greqi dhe rimëkëmbja e saj janë në interes të drejtpërdrejtë të Bosnjës dhe Hercegovinës”.
Kapitali grek po tkurret në Ballkan
Megjithëse Greqia ka qenë një nga investitorët më të mëdha në rajon që nga 2000, influenca e saj është tkurrur që nga fillimi i krizës, ku kompanitë greke u tërhoqën prej shumë vendeve.
Greqia ishte investitori i tre më i madh në Serbi gjatë periudhës 2005 deri në 2011. Sipas Bankës Kombëtare, Greqia investoi rreth 1.2 miliard euro në Serbi gjatë asaj periudhe, duke krijuar 25.000 vende të reja pune.
Në vitin 2013, kompanitë greke investuan rreth 29 milionë euro në tregun serb, që e kategorizoi Greqinë në vendin e 12 në listën e investitorëve.
Megjithatë, kapitali grek është tërhequr që atëherë. Në vitin 2012, kompania greke OTE ia shiti aksionet në Telekomin Serb qeverisë. Greqia ishte atëherë në vendin e 93, në fund të listës së investitorëve të huaj të Serbisë.
Në Kroaci, kompanitë greke investuan vetëm 23.4 milionë euro nga 1993 deri 2014.
Në Maqedoni, mes viteve 1997 dhe 2008, kur investimet greke në Maqedoni arritën kulmin, firmat greke investuan më shumë se 450 milion euro, tregojnë të dhënat e Bankës Kombëtare të Maqedonisë.
Kjo është thuajse 15 për qind e totali të Investimit të Huaj Direkt në Maqedoni nga ajo periudhë.
Shumica e investimeve ishin në sektorin bankar, kimik dhe naftë. Grekët zotërojnë rafinerinë e naftës bruto, OKTA, fabrikën e çimentos Usje, si dhe rreth 250 ndërmarrje më të vogla.
Megjithatë, që nga fillimi i krizës greke, investimi grek ka rënë ndjeshëm, duke pasur vlerën e vetëm pak milionave euro në 2013. Në vitin 2008, operatori mobil grek Cosmote e shiti veprimtarinë e vet maqedonase te Telekom Slovenije për 190 milionë euro.
Zoran Ivanovski, nga Universiteti Europian Juglindor, tha se mund të ketë më shumë presion mbi firmat greke për të dalë në shitje nëse firmat mëmë në Greqi mbeteshin pa para.
Megjithatë, ai sheh një mundësi për Maqedoninë, nëse ajo mund të tërheqë kompanitë me bazë serbe të zhvendosin punën në mjedisin ekonomik më të qëndrueshëm maqedonas.
Greqia ka qenë ndër investitorët madhorë të huaj në Malin e Zi.
Investimet greke arritën në 142 milionë euro për periudhën 2006-2013, kryesisht në lidhje me privatizimin e kompanisë së naftës Jugopetrol Kotor dhe disa investimeve në turizëm.
Importuesi dhe shpërndarësi kryesor i produkteve të naftës në Malin e Zi, Jugopetrol, u shti për 102 milionë dollarë te Hellenic Petroleum i Greqisë në 2003.
Aleksandar Damjanovic, kreu i Komitetit parlamentar maqedonas mbi Ekonominë dhe Buxhetin, tha se Mali i Zi ka nevojë për një “plan B” që përmban masa të qarta për të gjitha institucionet nëse ndodh një Grexit, për të pakësuar kërcënimin e një ndikimi në Malin e Zi.
Ai tha se Greqia mbetet një partner ekonomik madhor për Malin e Zi, për shkak të investimeve të saj të kaluara dhe të tregtisë. “Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme që Mali i Zi… të bëjë gjithçka për të ruajtur dhe për të përmirësuar marrëdhëniet ekonomike me Greqinë, pavarësisht nëse ajo qëndron në BE apo jo,” tha ai.
Në fund të vitit 2014, rreth 5,800 kompani greke u regjistruan në Rumani. Volumi total i investimit grek në atë kohë kishte vlerën 1.7 miliard euro, sipas autoriteteve rumune.
Megjithatë, investimet greke në Rumani nuk janë të përqendruar në sektorët strategjikë dhe përfaqësojnë vetëm një sasi të vogël të investimeve të huaja në vend.
Në Shqipëri, investimet greke zënë 37 për qind të të gjitha investimeve të huaja në vend. Megjithatë, Elvin Meka, një ekspert ekonomie në Tiranë, tha se asetet greke në Ballkan mund të konsiderohen të sigurta. “Ne madje mund të shohim transferimin e disa investimeve greke te fqinjët veriorë, ” tha ai.
Ndikimi në eurozonë
Ekspertët thonë se një tjetër zonë problematike, nëse ndodh një Grexit, janë valutat vandase të lidhura me euron.
Ekspertët rumunë kanë paralajmëruar se valuta kombëtare, Ron-i, mund të pësojë presion të madh dhe me shumë gjasa mund të zhvlerësohet kundrejt euros. Megjithatë, ky kërcënim shqetëson të gjithë rajonin jo vetëm Rumaninë.
Analisti kroat Guste Santini tha për BIRN se ndikimi largimit të Greqisë nga eurozona në Kroaci ka të bëjë kryesisht me lidhjet kroate me kompanitë dhe bankat në Gjermani dhe Itali, të cilat janë dy prej partnerëve më të mëdha të Kroacisë.
“Duke pasur në mendjen se kuna kroate është e lidhur me euron, do të ndikojë edhe kunën po ashtu,” tha ai. “Në këtë sens, Kroacia është një vend financiarisht i përfshirë,” shpjegoi ai.
Nëse Greqia largohet nga euro zona ai parashikon “tronditje tektonike” në të gjitha vendet që përdorin monedhën e vetme, gjë e cila do të ndikojë në shpenzimet e konsumatorëve dhe do të ketë një efekt mbi industrinë e rëndësishme turistike të Kroacisë.
Igor Gavran, nga Dhoma e Tregtisë së Huaj të Bosnjës, ra dakord.
“Një dalje nga euro zona dhe monedha e vetme do të ulte nivelin e marrëdhënieve të përgjithshme ekonomike të Greqisë me vendet që përdorin euron apo monedhat e lidhura me të, si marka bosnjake,” vuri në dukje Gavran.
Elvin Meka, një ekspert ekonomie në Tiranë, nënvijëzoi rrezikun për kursimtarët ballkanas në përgjithësi, prej faktit se gjatë dekadës së shkuar shumë njerëz u përpoqën të shpëtojnë prej zhvlerësimit të valutave të Ballkanit, si dinari serb, lei rumun, leku shqiptar, duke i kthyer kursimet në euro.
“Një Grexit do të shkaktonte një rënie të vlerës së euros, ndaj edhe nëse kursimtarët nxitojnë t’i kthejnë paratë e tyre në dollarë apo valuta të tjera, ata mund të humbin një pjesë të kursimeve,” paralajmëroi ai.