Argumenti në mbështetje të ristrukturimit të borxhit qëndron në mundësinë për të reduktuar volumin e kredive të reja që nevojiten për të shpëtuar një ent në paaftësi paguese. Kreditorët ofrojnë lehtësim borxhi për të marrë një vlerë sa më të madhe pas nga borxhi i dhënë si dhe ofrojnë shumë pak financime të reja për entin në paaftësi paguese.
Në mënyrë mbresëlënëse, kreditorët e Greqisë duken se janë të paaftë të kuptojnë këtë patim të shëndoshë financiar. Kur bëhet fjalë për borxhin e Greqisë, një tipar i qartë është shfaqur përgjatë pesë viteve të fundit dhe që vijon të mbetet në fuqi.
Në vitin 2010, Europa dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i dhanë kredi shtetit Grek në paaftësi paguese të barabarta me 44 për qind të PBB-së së vendit. Edhe thjeshtë përmendja e fjalës ristrukturim borxhi u konsideruar e papranueshme dh enjë shkak për tallje me të gjithë ata që guxuan të sugjeronin se diçka e tillë qe e pashmangshme.
Më 2012, ndërsa raporti i borxhit me PBB-në arriti kulmin, kreditorëve privatë të Greqisë iu dha një qethje domethënëse prej 34 për qind. Në të njëjtën kohë, gjithsesi, kreditë e reja në masën sa 63 për qind e PBB-së iu shtuan borxhit kombëtar të Greqisë. Pak muaj më vonë, në nëntor, Eurogrupi (i përbërë nga ministrat e financave të Eurozonës) sugjeroi që lehtësimi i borxheve mund të finalizohet nga dhjetori i vitit 2014, sapo që programi i vitit 2012 të realizohej “me sukses” dhe që buxheti i qeverisë së Greqisë të kishte realizuar një surplus primar (i cili përjashton pagesat për interesat).
Më 2015, gjithsesi, ndërsa surplusi primar u realizua, kreditorët e Greqisë refuzuan edhe thjeshtë diskutimin mbi lehtësimin e borxheve. Për pesë muaj, bisedimet mbetën të bllokuara, duke shënuar kulmin në referendumin e 5 korrikut në Greqi, në të cilin votuesit në mënyrë dërrmuese hodhën poshtë kërkesat për më shumë masa kursimesh, si dhe dorëzimin pa kushte të qeverisë së Greqisë pak më vonë, i cili u finalizua në marëveshjen e Samitit të Euros të 12 korrikut.
Marrëveshja, e cila tashmë përbën një udhërrëfyes për marrëdhënien e Greqisë me eurozonën, vijon sjelljen tashmë pesëvjeçare të vendosjes së idesë së ristrukturimit të borxhit në fund të një sekuence për të ardhur keq të shtrëngimeve fiskale, kontraktimit ekonomik dhe dështimit programor.
Për më tepër, rendi i paketës së re të “shpëtimit” të përcaktuar në marrëveshjen e 12 korrikut nis siç pritej me miratimin – para fundit të muajit – të masave të ashpra fiskale si dhe objektivave fiskale të ashpra, ekujvalente me një goditje tjetër kursimesh. Pastaj vjen negocimi i mesit të verës për një kredi tjetër të madhe, të barabartë me 48 për qind të PBB-së (ndërsa raporti i borxhit me PBB-në është sakaq mbi 180 për qind). Në fund, në nëntor, dhe pasi të përfundohet rishikimi i parë i programit të ri, “Eurogrupi mbetet i gatshëm për të konsideruar, nëse është e nevojshme, masa të tjera shtesë… me synimin e sigurimit që nevojat totale për financime të mbeten në nivele të qëndrueshme.”
Gjatë bisedimeve në të cilat unë isha pjesë, nga 25 janari më 5 korrik, unë në mënyrë të përsëritur i propozova kreditorëve tanë një seri shkëmbimesh borxhesh inteligjente. Synimi qe që të minimizohej nevoja për financime të reja të krkuara nga Mekanizmi Europian i Stabilitetit dhe FMN-ja për të rifinancuar borxhin grek dhe që të sigurohej që Greqia të plotësonte kushtet brenda vitit 2015 për të përfituar nga programi i Bankës Qendrore Europiane për blerjen e aseteve (lehtësimin sasior), efektivisht duke rikthyer aksesin e Greqisë në tregjet e kapitalit. Ne vlerësuam se jo më shumë se 30 miliardë euro, (33 miliardë dollarë ose 17 për qind e PBB-së) nga financimet e reja me burim nga ESM qenë të nevojshme, nga të cilat asgjë nuk do të nevojitej për buxhetin primar të shtetit të Greqisë.
Propozimet tona nuk u hodhën poshtë. Megjithëse ne kishim argumente bindëse se ato qenë të qarta nga pikëpamja teknike dhe të shëndetshme nga pikëpamja ligjore, ato thjeshtë nuk u diskutuan kurrë. Vullneti politik i Eurogrupit qe që të injoroheshin propozimet tona, që të shkaktohej dështimi i bisedimeve, të imponohej një mbyllje bankash pa afat dhe të detyrohej qeveria e Greqisë të pranonte gjithçka – përfshirë një kredi të re masive që është gati tri herë më e madhe nga ajo që ne patëm kërkuar. Edhe një herë, kreditorët e Greqisë e vunë kalin para karrocës, duke këmbëngulur që për kreditë e reja duhet të bihet dakord para çdo lloj diskutimi mbi mundësinë e faljes së borxheve. Për rrjedhojë, një kredi e re e konsideruar si e nevojshme u bë e pashmangshme, njësoj si më 2010 dhe 2012.
Borxhi i paqëndrueshëm mbetet, herët apo vonë, për t’u falur. Por koha e saktë dhe natyra e asaj që duhet falur përbën një dallim shumë të madh për perspektivat ekonomike të një vendi. Dhe Greqia është në mes të një krize humanitare sot për shkak se ristrukturimi i pashmangshëm i borxhit të saj është përdorur si një justifikim për të shtyrë çështjen në ad infinitum. Siç më pyeti në një rast një zyrtar i lartë i Komisionit Europian: “Borxhi juaj do të duhet të falet pavarësisht se çfarë ndodh, po pse ju kërkoni të përfitoni kapital politik duke këmbëngulur që kjo falje të ndodhë tani?”
Përgjigjja duhej të qe e qartë. Një ristrukturim borxhesh ex ante i cili redukton përmasat e kredive të reja dhe e bën borxhin të qëndrueshëm para se reformat të zbatohen ka më shumë shanse të krijojë kushte për thithjen e investimeve, për të stabilizuar të ardhurat dhe për të krijuar kushtet për rimëkëmbje. Në kontrast të prerë, një shkurtim borxhesh si në rastin e Greqisë më 2012, i cili erdhi si pasojë e dështimit të programit, thjeshtë sa kontribuon në vijimin me spiralen për poshtë.
Pse refuzojnë kreditorët e Greqisë për të lëvizur drejt ristrukturimit të borxhit para se të negociojnë kredi të reja? Dhe pse ata pëlqejnë të japin një paketë shumë më të madhe kredish të reja nga sa është e nevojshme?
Përgjigjet për këto pyetje nuk mund të gjenden duke diskutuar financa të shëndosha, puvlike apo private, për shkak se përgjigjet gjenden ngushtësisht në fushën e politikës së pushtetit. Borxhi është pushteti i kreditorit; dhe, siç e ka mësuar Greqia përmes dhimbjeve, borxhi i papërballueshëm e kthen kreditorin në Leviatan. Jeta nën të bëhet e poshtër, e shëmtuar dhe, për shumë nga bashkëatdhetarët e mi, e shkurtër.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Lethal Deferral of Greek Debt Restructuring