Konfuzioni në Maqedoni mbi atë se si duhet të veprohet me emigrantët – t’i lënë të kalojnë apo t’i përzënë – reflekton një ngatërresë shumë më të gjerë mbi këtë çështje në Europë.
Jo shumë kohë më parë, Maqedonia lehtësoi kontrollet mbi kalimin e azilkërkuesit përmes territorit të saj duke i dhënë atyre 72 orë kohë për të kaluar vendin të papenguar si dhe të drejtën për të përdorur transport publik.
Nëse synimi qe që të lehtësohej kalimi i të huajve përmes një territori ku ata nuk kanë ndër mend të qëndrojnë, kjo nuk ka funksionuar.
Skena gjithnjë e më shumë kaotike në kufijtë me Greqinë dhe Serbinë sugjerojnë që këto masa thjeshtë kanë sjellë gjithnjë e më shumë njerëz që përpiqen të përdorin Maqedoninë si rrugë tranzit drejt Perëndimit.
Tashmë maqedonasit kaluan në krah të kundërt, duke dërguar më shumë forca policore e ushtarake në kufij dhe – siç ndodhi të premten – edhe duke hedhur gaz lotsjellës mbi turmat e azilkërkuesve për t’i shpërndarë ata.
Maqedonia nuk është vendi i vetëm u Europës i kapur në dilemën se çfarë duhet të bëhet me një nga dallgët më të mëdha të migrimit në histori – të përshpejtojë kalimin e tyre nëpër territorin e vet apo të përpiqet t’i dërgojë ata gjetkë?
Bullgaria, relativisht e paprekur nga dallga e emigrantëve, ka nisur të ndërtojë një gardh me tela me gjemba me Turqinë për të mbajtur të ulët numrin e refugjatëve. Hungaria, e cila është shumë më e prekur se sa Bullgaria, po bën të njëjtën gjë në kufirin e vet me Serbinë.
Shumë pak njerëz besojnë se gardhet me tela me gjemba janë ndonjë gjë më shumë se sa një veprim simbolik. Për sa kohë ato gardhe nuk ruhen në të gjithë gjatësinë e vet, ato kalohen kollaj.
Edhe nëse gardhet funksionojnë, gjë që ka pak gjasa të ndodhë, rezultati i vetëm do të jetë zhvendosja e prurjeve njerëzore drejt një vendi tjetër.
Për shkak të frikës se mund të bëhen destinacioni i rradhës për refugjatët nga shumë vende, përpjekjet për të arritur një zgjidhje mbarëeuropiane nuk kanë sjellë asnjë rezultat.
Vendet nuk dëshirojnë të marrin asnjë emigrant për shkak të frikës se diçka e tillë do të nxisë shumë të tjerë të vijnë.
Britania, për shembull, refuzoi prerazi të marrë pjesë në një marrëveshje pan-Europiane për të ndarë një pjesë të refugjatëve mes vendeve të BE-së, duke deklaruar se sakaq ka më shumë emigrantë nga sa mund të mbajë.
Por edhe vende të tjera janë njësoj refuzues ndaj planit të kuotave, gjë që shkaktoi dështimin e samitit të BE-së në qershor. Sllovakia ndërkohë, ka thënë se dëshiron të marrë vetëm refugjatë të cilët janë kristianë.
Në realitet, plani për të vendosur kuota për të gjitha vendet e BE-së qe shumë i dobët për shkak se shumë pak emigrantë dëshirojnë të qëndrojnë përgjithmonë në ndonjë nga vendet më të varfra të BE-së.
Në shumicë dërrmuese ata nisen për vetëm pak vende të BE-së si Gjermania, Suedia apo Hollanda, ku standardet e jetesës janë të larta dhe tregu i punës është i fortë.
Plani për kuota përfshinte ndërkohë vetëm 40 mijë refugjatë – shifër shumë e ulët në krahasim me numrin e atyre që po lëvizin nëpër Europë aktualisht.
Në mungesë të një marrëveshjeje kontinentale se si duhet të veprohet, Gjermanisë po i lihet të mbajë mbi shpatulla shumicën e barrës.
Gjermania pritet të marrë një numër trullosës prej 800 mijë azilkërkuesish deri në fund të këtij viti, katër herë më shumë nga sa mori vitin e kaluar dhe më shumë se sa të gjitha vendet e tjera të BE-së sëbashku.
Gjermania mori 37,531 kërkesa vetëm në korrik, gati dy herë më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, më shumë se 400 mijë aplikime për azil u dorëzuan në vendet anëtare të BE-së, sipas Eurostat.
Përveç Gjermanisë, 67 mijë aplikime u bënë në Hungari dhe 29 mijë në Suedi, 26,500 në Francë dhe 25 mijë në Itali. Sa për krahasim, Mbretëria e Bashkuar mori më pak se 9,500 aplikime.
Tani për tani, gjermanët po sillen me zemërgjerësi. Por edhe zemërgjerësia gjermane ka filluar të lodhet. Planet po hartohen për të deportuar dhjetëramijëra azilkërkues të refuzuar nëpër vendet e Ballkanit me presupozimin se këto vende janë “të sigurta”.
Se çfarë mund të ndodhë në rast se Gjermania fillon të mbyllë derën për emigrantët e shumtë nga Lindja e Mesme askush nuk mund ta imagjinojë. Por ajo që është e qartë është se asnjë vend tjetër europian nuk ka vullnetin apo kapacitetin për ta zëvendësuar Gjermaninë.