Ish-drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Arben Seferi dhe dy drejtues të tjerë u kallëzuan nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për 9.7 milionë euro dëm të identifikuar nga procedurat e dyshimta të blerjes së energjisë, procedura që qenë ekspozuar më herët si të manipuluara nga BIRN.
Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri të ditur në një njoftim për shtyp sot se ka dorëzuar në prokurori kallëzim penal për ish-drejtorin e OSHEE Arben Seferi si dhe dy ish-drejtues të tjerë nën akuzat e shpërdorimit të detyrës për shkak të parregullsive të identifikuara në shumë tenderë si dhe veçanërisht në tenderët e blerjes së energjisë elektrike nga kompanitë private për mbulimin e humbjeve përgjatë muajve të parë të vitit 2014.
“Nga moszbatimi i rregullt i procedurave të blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistem, për periudhën Janar-Korrik 2014, nga shoqëria “CEZ Shpërndarje” Sha, është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 1,357,823 mijë lekë ose 9,727,223.4 euro”, thuhet në njoftimin e KLSH. (Kliko këtu për të lexuar njoftimin e plotë të KLSH).
“Konkretisht blerja e energjisë elektrike është kryer me çmime shumë më të larta se çmimet e tregut (përfshirë dhe kostot të transportit të energjisë), nga 7.94 euro deri në 13.12 euro për Mëh,” vijon më tej njoftimi i KLSH.
BIRN zbuloi në tetor të vitit të kaluar se procedurat e blerjes së energjisë nga ana e OSHEE qenë të dyshimta dhe se qenë denoncuar si të manipuluara nga kompania GEN-I Tirana sh.p.k, një nga kompanitë që konkurron në tregun privat të energjisë. GEN-I përgatiti dy ankesa për këto tenderë dhe ia dorëzoi Autoritetit të Konkurrencës. Sipas llogaritjeve të GEN-I “praktikat jokonkurruese të OSHEE i kushtuan taksapaguesve 6.87 milionë euro nga janari deri në korrik dhe 457 mijë euro të tjera në muajt gusht dhe shtator 2014.”
Në ankesën e 18 shtatorit, GEN-I thotë se “OSHEE i ka siguruar përfitime të jashtëligjshme operatorëve të tregut – EFT dhe GSA – duke kryer të njëjtat shkelje ligjore siç janë përmendur në ankimin e mëparshëm, duke bërë të mundur që EFT dhe GSA të harmonizonin ofertat e tyre (në lidhje me çmimin/sasinë), mbi bazën e shkëmbimit në mënyrë të paligjshme me këta operatorë të të dhënave konfidenciale mbi ofertat e fundit dhe më të mira, të paraqitura nga operatorët e tjerë, ndër to dhe ofertat e GEN-I Tirana Sh.p.k.”
Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton se ka zbuluar edhe një sërë shkeljesh të tjera me dëm të përgjithshëm prej 32 milionë eurosh.
Ndërkohë, në një shënim në fund të njoftimit, KLSH thotë se auditimi i saj do të duhej të qe kryer që në fillim të vitit 2014, por nuk kishte arritur ta kryente këtë auditim për shkak të pengesave të hasura nga drejtuesi i OSHEE, kompania që në atë kohë kishte emrin CEZ Shpërndarje.
“Auditimi u pengua me të padrejtë nga administratori i CEZ Shpërndarje Sh.a., duke sjellë pengesa artificiale dhe të qëllimshme për ta refuzuar atë, si dhe për shkak të bllokimit që iu bë ligjit të ri organik të KLSH-së përgjatë gjithë vitit 2014”, thotë njoftimi i KLSH.
Me shkresën nr. 495/21, datë 25.09.2015, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, kallëzimin penal për A.S. në cilësinë e ish-Administratorit të shoqërisë CEZ Shpërndarje Sh.a., (përgjatë vitit 2014); E.Z. në cilësinë e ish-Drejtorit të Departamentit të Shitjes në CEZ Shpërndarje Sh.a.; dhe J.Z. në cilësinë e ish-Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në CEZ Shpërndarje Sh.a., të cilët në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre funksionale kanë konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, thotë KLSH.
Arben Seferi mori drejtimin e CEZ Shpërndarje në tetor 2013 me vendim të Entit Rregullator të Energjisë. Ai u shkarkua nga detyra në dhjetor 2014.
Shqipëria importoi 2.8 miliardë kilovatorë energji elektrike gjatë vitit 2014 me një kosto të përgjithshme prej 155 milionë eurosh. Formulat e importit të energjisë elektrike kanë qenë gjithmonë subjekt aludimesh për manipulime dhe korrupsion në Shqipëri, që kur vendi u bë importues neto në vitin 1999.
Që nga viti 2002, Shqipëria ka importuar energji elektrike me vlerë 1.3 miliardë euro.