Skandali i Volkswagen-it me makinat na kujton edhe një herë se korporatat e gjejnë gjithnjë mënyrën për të anashkaluar rregullimet. Ndjesa dhe rregullat strikte nuk do të na bëjnë punë, nëse nuk ndryshojmë stimujt në ekonomi, arsyeton Harold James, profesor në Universitetin Princeton.
Deri më tani skandali i Volkswagen është luajtur sipas një skenari të shkruar mirë. Zbulimet e një sjellje të turpshme të një korporate dalin në pah (në këtë rast, prodhuesi gjerman i makinave që programoi 11 milionë makina me naftë të ndiznin sistemet e tyre të kontrollit të ndotjes vetëm kur kryen testin e çlirimit të gazeve). Ekzekutivët kërkojnë ndjesë. Disa humbin vendin e punës. Pasardhësit e tyre premtojnë të ndryshojnë kulturën e korporatës. Qeveritë përgatiten të lëshojnë gjoba të mëdha. Jeta vazhdon.
Ky skenar është bërë i njohur, veçanërisht që nga kriza financiare e vitit 2008. Bankat dhe institucione të tjera financiare e kanë bërë vazhdimisht, edhe teksa skandale të njëpasnjëshme kanë vazhduar të gërryejnë besimin në të gjithë industrinë. Këto raste, së bashku me mashtrimin e Volkswagen për “naftën e pastër”, duhet të na japin arsye të rimendojmë qasjen tonë ndaj krimeve të korporatave.
Premtimet për një sjellje të mirë janë dukshëm jo të mjaftueshme, siç kanë treguar një numër në dukje i pafund skandalesh në industrinë financiare. Sapo rregullatorët përballen me një çështje të manipulimit të tregut, shfaqet një tjetër.
Telashi me industrinë bankare është se është e ndërtuar mbi një parim që krijon stimuj për sjellje të keqe. Bankat dinë më shumë rreth kushteve të tregut (si mundësia që kreditë e tyre të shlyhen) krahasuar me debitorët. Ky sekret gjendet në zemër të aktivitetit financiar. Analistët e sjellshëm e quajnë “menaxhim të informacionit”. Kritikët e konsiderojnë një formë të sjelljes së brendshme.
Bankat janë gjithashtu veçanërisht të prekshme nga skandalet sepse shumë nga punonjësit e tyre sillen vazhdimisht në mënyra që mund t’i prekin reputacionin, bilancin e të gjithë firmës. Në vitet 1990, një tregtar me bazë në Singapor çoi në kolaps bankën e nderuar Barings Bank. Në vitin 2004, grupi bankar privat Citigroup në Japoni u mbyll pasi një tregtar manipuloi tregun e obligacioneve të qeverisë. Te JPMorgan Chase, një tregtar i vetëm – i njohur si Balena e Londrës, i kushtoi kompanisë 6.2 miliard dollarë.
Këto skandale të përsëritura tregojnë se ndjesat janë pak më shumë sesa fjalët dhe se të flasësh për ndryshim të kulturës së korporatës është zakonisht e pakuptimtë. Për sa kohë stimujt mbeten të njejtë, po ashtu edhe kultura.
Rasti Volkswagen është një kujtues i dobishëm se shkeljet e korporatave nuk mbeten te industria bankare dhe se thjesht gjobat e majme dhe ashpërsimi i rregullave nuk do të zgjidhin problemin. Në fakt është një nga ligjet e hekurta të fizikës së korporatave: për çdo rregull, ka një shtim proporcional të risive për ta anashkaluar atë.
Nuk duhet të jetë befasi që pati stimuj në industrinë automobile për të vënë në lojë sistemin. Çdokush e di se ekonomia aktuale e karburantit nuk i korrespondon numrave në dhomën e ekspozitës, sepse ato gjenerohen nga testet e kryera me erën që fryn nga pas ose në një sipërfaqe të butë rruge. Po ashtu, çdokush që ka qëndruar pas një makine nafte, edhe një që ka virtytet e ‘naftës së pastër’, mund të kuptojë se është me më tepër erë sesa makinat me benzinë.
Ka dy ngjashmëri të rëndësishme mes skandaleve në industrinë financiare dhe në Volkswagen. E para është se korporatat e mëdha, qofshin banka apo prodhues, janë shumë të ngulitura në politikat kombëtare, ku zyrtarët e zgjedhur varen nga këto firma për krijim të vendeve të punës dhe të ardhurave të taksave. Volkswagen në veçanti, është një ikonë e prodhimit gjerman. Kancelarja Angela Merkel ka ndjekur rrugën e saj për të mbështetur kompaninë, ashtu si paraardhësi i saj, Gerhard Schröder, i cili i erdhi në mbrojtje në vitin 2003, kur Komisioni Europian sfidoi ligjshmërinë e strukturës së saj mbajtëse.
Ngjashmëria e dytë është se të dyja industritë janë subjekt i objektivave të shumta rregullatorë. Rregullatorët mund të duan që bankat të jenë më të sigurta, por ata duan gjithashtu që bankat të huajnë më shumë para te ekonomia reale, gjë që shpesh nënkupton më tepër rreziqe. Si pasojë, ata imponojnë rregulla që nuk e shtyjnë bankën qartësisht në një drejtim apo në një tjetër.
Rregullimi i çlirimeve të gazeve nga makinat përballet me një problem të ngjashëm. Teksa rregullatorët përqendrohen drejt kufizimit të ngrohjes globale, pati stimuj të ndryshëm te prodhuesit e makinave që të prodhonin më pak çlirim të gazeve serrë, edhe nëse kjo do të thoshte që motorët e naftës të çlironin gaze të tjera me mikro-grimca edhe më të dëmshme për njeriun. Nuk pati kurrë një diskutim të shkëmbimit midis kufizimit të ndotjes vendase dhe luftës ndaj ndryshimit klimatik.
Siç e ilustron shumë mirë kriza e Volkswagen, ne kemi nevojë për më shumë se kërkesë për falje nga korporata dhe shtrëngim të rregullave. Është koha për një diskutim të qëndrueshëm se si të krijohen rregullime që ofrojnë stimujt e duhur për të arritur objektivat që ne vërtetë dëshirojmë: mirëqenie ekonomike dhe shoqërore. Vetëm kur diskutimi të ndodhë, do të kemi bankat, makinat dhe të mirat e shërbimet që dëshirojmë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Decadence of the People’s Car