
Azilkërkuesit shqiptarë përballen me vështirësi të shumta në kampet e refugjatëve apo në vendet e strehimit, por nuk dorëzohen pa e testuar deri në fund mundësinë e tyre për azil në Gjermani.

Në kuzhinën e hapur të një hoteli në qendër të Berlinit, një 32-vjeçar nga Korça po gatuan fërgesë me mëlçi. Dy familje të tjera azilkërkuesish shqiptarë presin radhën për të përgatitur drekën e tyre.
Korçari, një ish-emigrant në Greqi ka aplikuar për azil në Gjermani disa javë më parë. Ai qëndron në hotel bashkë me të shoqen shtatzanë, në pritje të përgjigjes nga autoritetet gjermane.
“Ika prej kushteve të jetesës dhe papunësisë në Shqipëri,” thotë ai për BIRN, duke këmbëngulur që të mbetet anonim për të mos rrezikuar shanset për azil.
Pas emigrimit disa-vjeçar në Greqi, ai ishte kthyer në qytetin e tij të lindjes, në Korçë rreth 1 vit më parë. Kishte kërkuar punë, por nuk kishte gjetur. Të lodhur nga pritja, burrë e grua kishin udhëtuar sërish drejt Greqisë, por vetëm tranzit. Në Athinë i kishin hipur avionit për të zbritur pak orë më vonë në aeroportin Tegel të Berlinit.
I riu nga Korça është njëri prej mijëra shqiptarëve që kanë dorëzuar kërkesë për azil në Gjermani.Por ndryshe nga shumë të tjerë, ai e konsideron veten me fat.
Familjet në pritje të një fëmije marrin trajtim më të mirë nga shteti gjerman në pagesa që shkojnë 300 euro në javë, ndërsa strehohen në hotele dhe jo në kampe refugjatësh.
Qindra kilometra larg Berlinit, në Schawrzenborn të qytezës Hesse, 600 azilkërkues mes të cilëve edhe 12 shqiptarë jetojnë në çadra në mes të një zone pyjore.
“Këtu bën shumë ftohtë. Ne flemë dhe ushqehemi në çadra, por unë do të duroj deri në fund, pasi për mua në Shqipëri nuk ka asnjë shpresë,” thotë për BIRN G. Gj, një tjetër azilkërkues shqiptar që qëndron në kampin e Schawrzenbornit.
Pritja e vështirë

Më shumë se 30 mijë shqiptarë ndodhen aktualisht në kampet e refugjatëve në Gjermani, në pritje të një përgjigjeje për kërkesat e tyre të azilit. Fluksi më i madh i të larguarve është shënuar në muajt e verës, kur mijëra shqiptarë injoruan thirrjet dekurajuese të autoriteteve shqiptare dhe atyre gjermane, duke mos hequr dorë nga mundësitë minimale për të fituar azil.
Përgjatë dy muajve të fundit, fluksi është në kahun e kundërt; autoritetet gjermane po kthejnë në Shqipëri një pjesë të të ikurve. Apeli i tyre i përsëritur është: “të gjithë do të kthehen”.
Megjithatë, paralajmërimet nuk e kanë vrarë shpresën në një kamp refugjatësh në periferi të Berlinit, i cili përbëhet nga dhjetra kontenierë.
Një 37-vjeçar nga Tirana, i cili qëndron prej javësh në këtë kamp i tha BIRN-it se u detyrua të linte pas familjen dhe të largohej prej vendit për shkak të gjendjes shëndetësore. Ai tregon se sëmundja i ka kushtëzuar jetën dhe se nuk mund të vazhdonte në atë gjendje.
“Në Shqipëri, askush nuk e mori përsipër operacionin tim, ndaj erdha në Gjermani,” thotë ai në kushtet e anonimatit.
Ndryshe prej azilkërkuesit nga Korça, 37-vjeçari nga Tirana ka mbërritur në Berlin përmes aeroportit të Prishtinës. Më parë, ai kishte udhëtuar me autobus nga Tirana drejt Prizrenit dhe kryeqytetit të Kosovës.
Ai tregon se shumica e azilkërkuesve kanë kërkuar rrugë alternative për të mbërritur në Gjermani, pasi nuk kanë pasur mundësi financiare për të përballuar biletat e avionit. Të njohur të tij kanë udhëtuar me traget nga Durrësi në Itali, e më pas kanë përdorur autobusët dhe trenat për të mbërritur në Berlin.
Ai tregon se të gjithë azilkërkuesit dërgohen fillimisht në një kamp të stërmadh, që mes emigrantësh njihet me emrin “balona”. Brenda tij qëndrojnë bashkë njerëz të kombësive të ndryshme.
“Me krevate marinarësh dhe pa asnjë lloj sigurie për sendet vetjake, ai vend ishte gati i pamundur për të jetuar,” tregon azilkërkuesi 37-vjeçar.
Kushtet e mëpasme të jetesës për azilkërkuesit në Gjermani varen prej vendimit që marrin autoritetet. Të strehuarit në hotele; gra shtatzana apo aplikantë me probleme shëndetësore mund të gatuajnë vetë në kuzhina të përbashkëta, të përdorin lavanterinë kundrejt pagesës apo t’u shpëtojnë kapriçove të motit.
Azilkërkuesit e tjerë në kampe duhet t’i kalojnë ditët përmes sprovës së durimit.
“Shumë shqiptarë që kam takuar në balonë kanë tërhequr pasaportat mbrapsht dhe janë kthyer në Shqipëri,” thotë 37-vjeçari nga Tirana.
Vetë ai ka provuar pak nga të gjitha. Nga “balona” ka kaluar në hotel dhe më pas është vendosur tek kampi i kontenierëve në periferi të Berlinit. Ai tregon se ka qëndruar 9 orë në radhë për të realizuar intervistën me autoritetet e kampit dhe i caktuan një kuotë mujore prej 365 eurosh.
Ai e përshkruan pritjen si pjesën më të vështirë, ku çdo azilkërkuesi i duhet të bashkëjetojë me frikën e refuzimit të azilit.
“Në çdo lloj shërbimi, shqiptarët nuk janë prioritet,” thotë ai.
Ballkanasit si refugjatë

Azilkërkuesit nga Ballkani janë një telash i shtuar për Gjermaninë, vend qëu shenjua si destinacion i preferuar për mijëra refugjatëve sirianë që i largoheshin luftës. Vetëm në periudhën janar-gusht 2015, në Gjermani mbërritën 257 mijë azilkërkues, një pjesë e mirë e të cilëve ishin nga Shqipëria, Kosova, Serbia apo Bosnje Hercegovina.
Për të përshpejtuar kthimin e tyre, autoritetet gjermane i shpallën shtetet e Ballkanit si “vende të sigurta”, por ky vendim ka lënë të zhgënjyer mijëra njerëz në kërkim të një jete më të mirë.
Shqetësimi i autoriteteve gjermane shkon për azilkërkuesit nga Siria; ata marrin ndihmën më të madhe dhe trajtim të dorës së parë. Emigrantët ballkanas të intervistuar nga BIRN thanë se përballen shpesh me bezdinë e gjermanëve, të cilët pyesin se pse njerëz nga vende në paqe vijnë në vendin e tyre.
“Njerëzit këtu e lidhin azilin vetëm me luftën, por dikush mund të kërkojë azil për shkaqe të ndryshme. Çdo njeri ka të drejtën të largohet nga vendi ku ka lindur apo ku jeton, kur gjendja e tij është e vështirë,” tha për BIRN një 40-vjeçare nga Bosnje-Hercegovina.
Në hotelin që ndodhet në qendër të Berlinit, 40-vjeçarja nga Bosnja ndan me azilkërkuesit shqiptarë ditët e pritjes dhe njësoj si ata, nuk ka ndërmend të kthehet pa ndryshuar gjendja në vendin e saj.
“Nuk mund të rrija pa e provuar mundësinë,” thotë ajo.
Një i moshuar sirian ndez një cigare në oborrin e hotelit, ndërsa azilkërkuesit shqiptarë sapo kanë përfunduar së gatuari ushqimin e tyre. Ndryshe nga qytetarët gjermanë, ai nuk habitet me arsyet që shtynë fqinjët e rinj ballkanas të ndajnë të njëjtin fat me të në Gjermani.
“Bota është një republikë e vetme, ku njerëzit kanë të drejtë të lëvizin sipas dëshirës dhe të shkëmbejnë kulturën e tyre. Unë mendoj se edhe shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë kushte më të mira jetese, edhe pse vendi i tyre nuk është në luftë si ai i imi,” thotë ai për BIRN.