Ndërsa artistët dhe promovuesit luftojnë për mbijetesë, ekspertët paralajmërojnë se skena e pavarur kulturore do të vuajë pa mbështetje financiare afatgjatë.
Përveç pasionit të tyre për artet, Rudina Xhaferi, 37 vjeç, Muhamad Arifi, 29, dhe Blerta Kosova, 21, nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta. Ata përfaqësojnë tri gjenerata të ndryshme dhe tri zhanre të ndryshme artistike – Xhaferi është një artiste e mirënjohur e performancës, Arifi është një aktor që ka fituar çmime ndërsa Kosova është një këngëtare dhe DJ e re dhe e suksesshme.
Një gjë që ata kanë të përbashkët, gjithsesi, është fakti se ata, si shumë artistë të tjerë në Kosovë, nuk janë në gjendje të jetojnë me artin e tyre dhe janë detyruar të bëjnë punë të tjera për të mbijetuar.
Xhaferi tashmë punon si skenografe për televizionin kombëtar të Kosovës, RTK, Arifi punon si berber kur ai nuk është duke udhëtuar apo në prova ndërsa Kosova punon si kamariere në pabin popullor të Prishtinës Dit e Nat.
Fatet e tyre janë përcaktuar nga niveli i ulët i mbështetjes financiare të qeverisë për kulturën dhe ligjet e vjetërsuara që nuk e patën parashikuar se një skenë e pavarur post-socialiste artesh do të fillonte të ekzistonte.
Për rrjedhojë, mundësitë për artistët për të fituar një jetesë nga profesioni i tyre i parapëlqyer janë të paktë e të rrallë. Pavarësisht vështirësive, shumë vijojnë të ndjekin ëndrrat e tyre, duke punuar fort ndërsa përpiqen të bëjnë karrierë me pasionin e tyre.
Rreth 300 artistë janë të regjistruar në Kosovë, por ky numër përfshin vetëm ata që punojnë në institucionet shtetërore të tilla si Teatri Kombëtar dhe Orkestra Filarmonike. Ata në skenën alternative mbeten të mënjanuar dhe nuk i gëzojnë përfitimet e statusit të artistit.
Ligjet e vjetra nuk i parashikuan artet e pavarura
Mënjanimi i artistëve alternativë është pasojë si e ligjit të vjetërsuar mbi kulturën, i cili nuk parashikoi apo lejoi ekzistencën e një skene të pavarur artesh, ashtu edhe e mungesës së rregullave të qarta mbi sponsorizimin e projekteve të artit dhe kulturës.
Ligjet e reja mbi sponsorizimet e artit në ditët tona supozohej se do të miratoheshin në shtator të këtij viti por seancat parlamentare janë ndërprerë dhe ligji është shtyrë për më vonë pasi deputetët e opozitës lëshuan gaz lotsjellës në sallën e seancave në tri raste. Ligjvënësit e opozitës kundërshtojnë marrëveshjen e fundit me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE, e cila i jep zonave me shumicë serbe në Kosovë më shumë pushtet.
Shumë artistë dhe organizues të aktiviteteve kulturore nga skena e pavarur thonë se ata nuk e dinë se çfarë pritet të ndryshojë mbi sponsorizimet në legjislacionin e ri pasi ky të miratohet, duke sugjeruar se ata nuk janë konsultuar nga parlamenti.
Ministria e Kulturës nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi legjislacionin e ri.
Në të njëjtën kohë, me një ekonomi të dobët si Kosova, investimet në art dhe kulturë mbeten nga më të ulëtat në rajon.
Rrjeti i Organizatave Kulturore të Pavarura në Kosovë, Forumi Kulturor, është një projekt kombëtar i mbështetur nga Bashkimi Europian. Në një studim të vitit 2011, ai zbuloi se vetëm 0.36 për qind e buxhetit total të shtetit i është dhënë kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Me fjalë të tjera, gjatë vitit 2011, çdo qytetar dha vetëm 6.3 euro për artet dhe kulturën përmes taksave.
Më 2013, buxheti i Kosovës për kulturën, trashëgiminë dhe rininë qe vetëm 8.8 milionë euro. Vitin që pasoi kjo u rrit në 10.2 milionë euro dhe u ul sërish më 2015 në 10.1 milionë euro.
Megjithatë, rritja e vogël e financimeve që nga viti 2011 nuk ka sjellë shumë ndryshim, siç pranoi vetë ministria e kulturës para BIRN, shteti është ende duke vuajtur për të paguar borxhin e vitit të kaluar prej rreth 500 mijë eurosh.
Thjeshtë duke ndarë buxhetin më të fundit të qeverisë së Kosovës prej 10.1 milionë eurosh me popullsinë prej 1.9 milionë, shpenzimi për frymë në kulturë është rreth 5.3 euro.
Financimet ‘të pakta dhe jotransparente’
Përveç mungesës së përgjithshme të fondeve, artistët nga i gjithë spektri janë gjithashtu të shqetësuar për atë që shumë e përshkruajnë si shpërndarje e paparashikueshme dhe jotransparente të granteve dhe subvencionimeve.
Më 2015, për shembull, disa projekte morën fonde më të mëdha ndërsa disa të tjera morën financime prej rreth 25 për qind më pak se sa buxheti i mëparshëm.
Ata që përfituan nga rritja e financimeve shtetërore më 2015 përfshinë muzikën folk dhe tradicionale të festivalit Hasi Jehon (2,500 euro), festivali ndërkombëtar i filmit të animuar (vizatimor) Anibar, (5,000 euro), dhe takimet poetike Agim Deva (6000 euro). Festivali i rëndësishëm Doku Fest mori financime shtetërore prej 25 mijë eurosh.
Gjithsesi, shumë aktivitete të tjera dhe projekte të rëndësishme morën fonde ndjeshëm më të pakta ose nuk morën fonde fare. Festivali i filmit Pri Film Fest pa fondet e saj të reduktuara më 2014 në vetëm 5,000 euro këtë vit. Po kështu, festivali studentor i filmit dhe teatrit Skena Up pësoi reduktim të grantit nga 15,000 euro më 2014 në vetëm 4,000 këtë vit.
Financimet shtetërore për Festivalin e Pianos Chopin (Shopen) ranë nga 9,000 euro vitin e kaluar në 2,000 euro më 2015 dhe granti i qeverisë për festivalin e muzikës Dam Fest u ul nga 5,000 euro vitin e kaluar në 2,500 euro këtë vit.
Qendra për Arte Bashkëkohore të Kosovës – Stacion – nuk mori financime qeveritare këtë vit, pavarësisht se mori 9,000 euro më 2014 për të mbështetur misionin e saj për të “përparuar dhe emancipuar skenën e artit bashkëkohor dhe klimën kulturore’ në vend.
‘Nevojitet një strategji kombëtare’
“Ministria e Kulturës ka qenë gjithmonë e pasuksesshme me menaxhimin e granteve,” thotë Dardan Selimaj, organizator i Dam Fest, festivalit të muzikës kombëtare që promovon muzikantët e rinj përgjatë dhjetë viteve të fundit.
Ai ankohet për mungesën e një strategjie të qartë se si duhet të mbështeten dhe promovohen artistët e pavarur në Kosovë. Sipas tij, kriteret për marrjen e mbështetjes shtetërore janë tërësisht opake dhe nuk ka vlerësim në vijim për të ndihmuar artistët të krijojnë ide më të mira si të zhvillojnë projekte dhe aktivitete.
Selimaj thotë se ministria e kulturës nuk shpjegoi se pse ajo reduktoi mbështetjen financiare për Dam Fest me 50 për qind këtë vit, por vetëm se nuk ka pasur kurrë një vizion afatgjatë nga qeveria.
“Edhe në rastet kur ne morëm përgjigje pozitive nga ministria, nuk pati shenja për krijimin e ndonjë strategjie afatgjatë që të mund të sjellë pak stabilitet në sektorin e artit,” thotë ai.
Si artistët e tjerë jashtë institucioneve të shtetit, Selimaj beson se problemet shkaktohen nga mekanizmi jotransparent i financimeve dhe që është përkeqësuar nga mungesa e të kuptuarit nga ministria e kulturës të skenës së pavarur të arteve si dhe komunikimit të pamjaftueshëm mes zyrtarëve dhe artistëve.
“Për shembull, një thirrje e dytë për grante për artistët e pavarur u premtua se do të hapej në shtator 2015 [por] nuk u hap kurrë,” thotë ai.
Pavarësisht këtyre problemeve, Selimaj vijon të besojë se subvencionimet dhe grantet e qeverisë, të mbështetura me strategji më afatgjata zhvillimi dhe transparencë më të madhe, janë mënyra më e mirë për të mbështetur artistët e pavarur të Kosovës.
Selimaj, i cili është gjithashtu anëtar i Orkestrës Filarmonike të Kosovës, thotë se ndërsa nuk ka të dhëna statistikore zyrtare mbi numrin e artistëve që punojnë jashtë kësaj fushe, është gjithsesi e gjithëditur se shumë artistë bëjnë dy punë në Kosovë për t’ia dalë.
“Një artist që mban dy punë, veçanërisht një punë të lodhshme, si kamarier, e ka të vështirë të jetë i suksesshëm megjithëse ka përjashtime,” thotë ai.
Albert Heta, i cili është bashkëthemelues i Stacion, Qendrës për Arte Bashkëkohore që pësoi reduktime fondesh shtetërore, thotë se as ai nuk mori një shpjegim nga ministria e kulturës se pse ata ia hoqën grantin.
I shqetësuar nga mungesa e strategjisë së zhvillimit të kulturës kombëtare, Heta themeloi Rrjetin e Institucioneve të Artit dhe Kulturës së Pavarur për të luftuar për ligje më të mira dhe një mjedis krijues nga i cili të mund të përfitojnë artistët e pavarur.
Heta thotë se ai nuk e di se çfarë përmban ligji i ri për sponsorizimet por është i shqetësuar për shkak se ai është hartuar pa u konsultuar me artistët e pavarur dhe organizatat joqeveritare.
Për rrjedhojë, ai thotë se do të vijojë të luftojë për dialog mes zyrtarëve të ministrisë së kulturës dhe artistëve të pavarur dhe për decentralizimin e rolit të ministrisë e për themelimin e një Fondi për Art dhe Kulturë.
Artistët luftojnë për të mbijetuar
Por ndërsa qeveria vonon reformat ligjore dhe zbatimi i një strategjie kombëtare duket se është ende shumë larg, artistët e pavarur janë detyruar të bëjnë punë të tjera për të nxjerrë jetesën.
Shumë thonë se kjo do të thotë se ata po vuajnë njëkohësisht për të mbijetuar dhe për të mbajtur gjallë skenën e arteve në Kosovë.
Xhaferi filloi të organizojë performanca dhe spektakte mode në moshën 18 vjeç. Që nga ajo kohë, aji ka marrë pjesë në shfaqje të shumta kolektive në Indi, Sloveni, Suedi, Austri, Republikën Çeke, Sllovaki, Itali, Hollandë, Gjermani, Greqi, Turqi, Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë.
Ajo ka bërë shtatë ekspozita vetjake gjatë vitit të kaluar dhe mori çmimin e parë nga Galeria Kombëtare e Arteve ë Kosovës për ekspozitën e saj “Salloni i Nentorit”, ndërsa performanca e saj e fundit, e cila u zhvillua në qershor 2015, u pa nga gati 200 vizitorë.
Pavarësisht këtyre sukseseve dhe punës së saj të fortë, këmbënguljes dhe dedikimit, ajo e gjeti veten në vitin 2003 përballë zgjedhjes së të bërit atë që dashuronte, por duke vuajtur në jetën e përditshme apo të merrte një punë që sillte pak stabilitet për familjen e saj.
Ajo zgjodhi opsionin e dytë dhe mori postin e skenografes në televizionin publik të Kosovës.
“Gjatë tri muajve të parë (të punës), unë qaja çdo ditë. Nuk e pranoja dot se do të bëja diçka krejt të ndryshme nga ajo që dëshiroja në jetë,” thotë Xhaferi.
Megjithëse pranon se shumë do ta shikonin me zili punën e Xhaferit si skenografe, artistja e performancës refuzon të spekulojë se si do të mund të qe jeta e saj profesionale nëse gjërat do të ishin ndryshe.
Duke vërejtur se familja e saj nuk do të mund të mbijetonte pa të ardhurat nga puna në televizion, ajo thjeshtë thotë: “Arti është ushqim për shpirtin tim dhe puna më mundëson të ekzistoj.”
Dhe Xhaferi mund të konsiderohet me të vërtetë me shumë fat duke marrë parasysh se ajo jeton në një vend ku norma e papunësisë është 35.3 për qind për të gjithë popullsinë dhe 41.6 për qind për gratë, sipas Agjencisë Statistikore të Kosovës.
‘Pasion përballë financës’
Aktori Arifi vjen nga Gjilani, një komunë në Kosovë me popullsi prej gati 100 mijë banorësh. Ai u përball me një dilemë të ngjashme me Xhaferin në vitin 2005.
Pavarësisht shumë shfaqjesh në teatro dhe seriale televizive të ndryshme, ai nuk mund të mbijetonte me të ardhurat e veta dhe vendosi të mësojë një zanat që është gjithmonë i kërkuar. Përgjatë dhjetë viteve të fundit ai ka kombinuar aktrimin me punën e berberit në një dyqan në Prishtinë.
“Është një problem mes pasionit dhe financave. Të jesh aktor aktiv në Kosovë nuk do të thotë se ke një pagesë mujore,” thotë Arifi duke rikujtuar kohën kur ai priste shtatë muaj për të marrë një rol.
Në janar 2015, ai mori çmimin e aktorit më të mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit Shqiptar në Gjilan për rolin e tij në dramën Trangullat. Aktrimi i tij i fundit qe në qershor këtë vit për dramën Muaji i Mjaltit, nën regjinë e Ben Apollonit në qytetin e Prizrenit.
Ndërsa Arifi nuk ankohet për jetesën e tij, ai pranon se në disa raste e gjen të lodhshme për të mbajtur të dy profesionet njëkohësisht.
“Aktorët nga Kosova nuk kanë luksin për t’u përgatitur për rolin e tyre, le të themi, për gjashtë muaj – në mënyrë që aktrimi të qe i shkëlqyer,” thotë ai duke shtuar se në një rast ai pati vetëm 48 ditë për prova për një rol.
“Kjo është kohë shumë e shkurtër për shkak se duhet që të njohësh personazhin, të mësosh tekstin dhe të luash rolin,” thotë ai.
Studentja, këngëtarja dhe kamerierja Blerta Kosova thotë se ajo u përball gjithashtu me pengesa të mëdha për zhvillimin e karrierës së saj muzikore, pavarësisht mbështetjes nga prindërit e saj.
“Deri tani unë nuk ia kam dalë të regjistroj albumin tim, apo të bëj një videklip, për ta promovuar veten më mirë,” thotë ajo duke theksuar se promovimi serioz kërkon para serioze.
Pasi përfundoi shkollën e mesme të muzikës në Mitrovicë, ai filloi të angazhohej seriozisht në muzikë që kur qe adoleshente. Por ndërsa thotë se puna dhe muzika njëkohësisht është fizikisht rraskapitëse, ajo nuk ka rënë ende në dëshpërim.
“Artistët e Kosovës, si të gjithë artistët nëpër botë, kanë dy opsione për të zgjedhur; ose të ndjekin bioritmin e tyre të artit i cili është shfaqur te ta, ose të heqin dorë. Unë rekomandoj opsionin e parë.”
Ky artikull financohet nën projektin Invisible Art, mbështetur nga Fondi Prince Claus.