Fushata brutale dhe ofenduese e Beogradit kundër kërkesës për anëtarësim të Kosovës, duke e krahasuar atë me ISIS-in, i ka kujtuar Europës dhe vetë fqinjëve të saj se sa pak ka ndryshuar Serbia “e re”.
Kosova aplikoi për anëtarësim në UNESCO në verën e vitit 2015. Ne e bazuam vlerësimin tonë për aplikim në tri konsiderata kryesore: Së pari, bordi ekzekutiv i UNESCO-s përbëhej nga një shumicë vendesh që e kishin njohur Kosovën, për këtë arsye një rekomandim i mirë mund të pritej nga bordi si një hap drejt votimit në konferencën e përgjithshme.
Së dyti, kjo agjenci specifike e OKB-së ka pranuar vende që nuk janë anëtare të OKB-së. Shumë shtete anëtare të UNESCO-s, nga Gjermania e deri te Vietnami, iu bashkuan UNESCO-s para se ato t’i bashkoheshin OKB-së. Edhe sot, dy anëtarë të dy shteteve anëtare të UNESCO-s, Cook dhe Niue, nuk e kanë një vend në OKB.
Konsideratë e tretë ishte çështja e përfitimeve. Kosova do të përfitonte shumë duke u përfshirë në një organizatë që mbështet bashkëpunimin në fushën e arsimit, kulturës, shkencës, lirisë së shprehjes, mbrojtjen e klimës, të gjitha fusha të rëndësishme për Kosovën, sidomos duke pasur parasysh demografinë e re të vendit.
Ne morëm gjithashtu në konsideratë edhe faktin që na duhej një numër i madh votash, 2/3 e vendeve anëtare.
Së dyti, SHBA-ja nuk ka të drejtë vote në Konferencën e Përgjithshme për shkak të anëtarësimit të Palestinës – Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ndalon qeverinë e SHBA-së të financojë ndonjë agjenci të OKB-së që pranon PLO-në.
Së treti, është edhe situata e përgjithshme gjeo-politike në botë dhe rritja e ndarjes midis Rusisë (dhe ndonjëherë e të ashtuquajturit Bllokut) dhe “Perëndimit”. Ekzistonte rreziku që Rusia do të shikonte anëtarësimin e Kosovës si një tjetër raund në ndeshjen e saj të boksit me armiqtë e saj, pavarësisht meritave të aplikimit të Kosovës.
Konsiderata e katërt ishte kapaciteti i Ministrisë së Jashtme të Kosovës. Me një staf dhe buxhet tetë herë më të vogël se ai i Serbisë – dhe më pak se gjysma e madhësisë së misionit të UNMIK-ut në Kosovë – ishte e qartë se Kosova ka kufizime në fushën e diplomacisë shumëpalëshe, ku të tregtimi i votave dhe ndereve, lidhjet personale dhe renditjet globale janë po aq të rëndësishme sa edhe forca e lidhjeve dypalëshe.
Ne u angazhuam në javë të tëra konsultime në Paris dhe kryeqytete të tjera nga janari në maj. U takua me më shumë se 150 delegacione për të krijuar idenë e anëtarësimit para e të angazhoheshim në aplikimin për anëtarësim.
Gjendja e përgjithshme në Kosovë ishte pozitive. Ekspertët ligjorë mendonin se Kosova e kishte rrugën e hapur. Ekspertët teknikë ishin të shqetësuar për truket procedurale, siç janë vonesat, urdhrat ose mekanizma të ndryshme që mund të krijonin telashe për shqyrtimin e rastit të Kosovës në Konferencën e Përgjithshme.
Në fund, vlerësimi i rrezikut ishte se procesi nuk ishte i garantuar dhe do të ishte e vështirë, por përfitimet e anëtarësimit peshonin më shumë sesa rreziqet e dështimit për të fituar anëtarësimin.
Është e rëndësishme të theksohet se nga dita e parë, Ministria e Jashtme e Kosovës e bazoi fushatën për anëtarësim në një mesazh pozitiv dhe jo në një negativ. Në vend që të lobonte me fotografi të xhamive të djegura nga Ushtria Serbe në vitin 1999 apo vjedhjen e monumenteve nga shteti serb, ne do të përqendroheshim në nevojën që rinia e Kosovës ka për të pasur qasje të barabarta me programet e organizatës botërore për arsim, kulturë dhe shkencë.
Fushata #KosovoinUNESCO në rrjetet sociale u bazua në një mesazh pozitiv tolerance, dashurie, bashkëpunimi dhe dialogu ndërfetar. Kosovarët në masë iu bashkuan një fushate që bashkoi akademikë, mediat, liderët fetarë, minoritetet dhe mbështetësit ndërkombëtarë të Kosovës.
Një detaj që nuk dihet është se burimet për fushatën lobuese ishin shumë të kufizuara, por ne i jemi shumë mirënjohës miqve dhe aleatëve të vjetër që u angazhuan në mënyrë aktive. Ne operuam me një buxhet të kufizuar për shkak të shkurtimeve të ashpra buxhetore të vendosura në ministri dhe qeveri pas firmosjes së marrëveshjes midis FMN-së dhe Kosovës në mes të vitit 2015, por disa ambasada evropiane dhe OJQ-të e ndihmuan fushatën duke siguruar ekspertë të pavarur dhe dije.
Një fjalë për përgjigjen e Serbisë ndaj kërkesës për anëtarësim të Kosovës: Serbia ia doli mbanë ta vonojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO me dy vjet. Jam i bindur se kjo fitore e Serbisë do të jetë si Fitorja e Pirros, me një kosto të madhe për marrëdhëniet afatgjatë të Serbisë me Kosovën, si dhe në Evropë dhe më gjerë.
Fushata e Kosovës nuk u bazua te sigurimi i votave nga Bashar Al-Assadi i Sirisë apo Kim Jong-un i Koresë së Veriut. Njerëzit e Serbisë organizuan gjatë javëve të fundit një fushatë kundër Kosovës.
Asnjë fqinj i Serbisë nuk votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. As edhe një vend i ish-Jugosllavisë, përveç Serbisë, nuk votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe njeriu duhet të pyesë veten se si ka mundësi që të gjithë fqinjët e saj nuk kanë besim tek Serbia? Si ka mundësi që pjesa më e madhe e kombeve ortodokse të krishterë në Ballkan votuan kundër propozimit të Serbisë për të bllokuar Kosovën?
Unë mendoj se përgjigja qëndron në taktikat e rrezikshme dhe ogurzeza të ndjekura nga Serbia, që i ngjanë shumë stilit të kaluar të Millosheviçit. Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç citoi se shqiptarët e Kosovës nuk kanë kulturë për të ruajtur gjëra me vlerë përveç “pikave të karburantit dhe hoteleve të lira”. Ai i quajti gjithashtu shqiptarët e Kosovës “njerëz të mallkuar “. Në fjalimin e tij para trupit diplomatik në Beograd, Nikoliç vazhdoi të thoshte se shqiptarët e Kosovës janë “barbarë” dhe “mizorë”.
Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç tha në Beograd se që “Kosova të hyjë në UNESCO është njësoj si Shteti Islamic/ISIS të aplikojë për anëtarësim në UNESCO”. Kjo fjali u përsërit disa herë nga të gjithë ambasadorët serbë në diskutimet e tyre ne UNESCO dhe në kryeqytete të ndryshme.
Ambasadori serb në UNESCO, Darko Tanaskoviç, në një intervistë për radion ruse Sputnik bëri thirrje për “organizimin e një fronti më të gjerë të krishterë mbrojtës në mënyrë që efikasiteti i veprimit kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO të ishte më i madh”. Edhe kryeministri Aleksandër Vuçiç në një letër dërguar shefes së politikës së jashtme të BE-së Mogherini e krahasoi Kosovën me ISIS/DAESH-in. Patriarku ortodoks serb Irinej në një deklaratë shqetësuese bëri thirrje “që të përdoret dhunë për të kthyer Kosovën”.
Serbia arriti të vendosë kishën e saj në krye të fushatës kundër Kosovës. Duke vendosur priftërinj dhe patriarkë në një skenë politike si zëdhënës politik, kjo gjë mjegullon në mënyrë të rrezikshme kufirin midis politikës dhe besimit. Si munden murgjit ose peshkopët serbë të rifitojnë besueshmërinë si promovues të tolerancës ndërfetare kur politikanët e Beogradit i shtynë ata të lëshonin deklarata dhe imazhe nga më fyeset dhe të pasaktat, duke e krahasuar Kosovën – me presidenten e saj femër dhe të drejtat e LGBT-së të pasqyruara në kushtetutë – me ISIS-in? Duhet të jemi të qartë. Kisha Ortodokse Serbe është dhe do të mbetet një kategori e mbrojtur kushtetuese në Kosovë pavarësisht nga rezultati në Paris.
Megjithatë, është e qartë që Beogradit nuk i interesonte shumë vendin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë kur vendosi ta përdorte atë si një vegël për të përhapur propagandë urryese kundër Kosovës.
Viktima e dytë e taktikës serbe “tokë e djegur” kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Serbisë nuk i interesojnë marrëdhëniet me Kosovën, kjo tashmë është e qartë. Ne duhet të kujtojmë se dialogu në Bruksel u ndërmor nga BE-ja si një përgjigje ndaj konfirmimit Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai dialog ishte menduar të bënte të mundur që të dy vendet të ecnin përpara pa e njohur njëri-tjetrin. Dialogu në Bruksel nuk duhet të jetë një argument që Serbia të bllokojë Kosovën, por më tepër një mënyrë që Serbia të pranojë të drejtat e barabarta të Kosovës në skenën ndërkombëtare, pavarësisht nga mosmarrëveshjet mbi statusin e Kosovës.
Mposhtja e Kosovës në UNESCO mund të jetë një hap pas për të siguruar të drejta të barabarta dhe mjete zhvillimi për kosovarët në arsim apo shkencë, por do të sigurojë ende disa përfitime për kosovarët në aspektin e kompetencave të tyre në rritje në diplomacinë shumëpalëshe. Ajo ka rindezur miqësi me aleatë të mëdhenj dhe më të vegjël. Ajo do të shërbejë si një kujtesë për fqinjët e Serbisë dhe për Brukselin gjithashtu, se pavarësisht të gjitha bisedave për një Serbi europiane nën udhëheqjen e Vuçiçit, në korridoret e pushtetit në Beograd ndihet ende era e qelbur e diçkaje të kalbur.