Deputetja e PS, Vasilika Hysi thotë në një intervistë për BIRN se reforma në drejtësi është tejet e vonuar në Shqipëri. Ajo shpreh besimin për miratimin e saj, edhe pse parashikon se do të ketë një grup njerëzish që do të mundohen ta pengojnë ose mos ta mbështesin reformën.
Vasilika Hysi, anëtare e Komisionit të Ligjeve dhe e Komisionit të posaçëm parlamentar beson se drejtësia do të reformohet, pavarësisht dhimbjes që mund t’i shkaktojë pjesës së pashëndetshme të sistemit. Në këtë intervistë për BIRN, zonja Hysi nuk flet vetëm teknikisht, por bën edhe një analizë sociale mbi ndjeshmëritë e publikut në raport me drejtësinë.
“25 vjet nuk kemi arritur të ndërtojmë një sistem drejtësie model dhe të mundësojmë akses dhe trajtim të barabartë të të gjithëve para ligjit. Shumë ligje janë miratuar dhe reforma janë ndërmarrë në fushën e drejtësisë. Por sot, njerëzit nuk gjejnë drejtësi ose drejtësia është e vonuar,”thotë ajo. Hysi shpjegon se paketa e reformës në drejtësi parashikon më shumë garanci për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërsa beson se pjesa e shëndetshme e sistemit të drejtësisë do të ndjehet e lehtësuar pas reformës.
Keni qenë dhe mbeteni një nga autoritetet kryesore në hartimin e Ligjeve për Drejtësinë. A ndjeni se megjithë punën e madhe gjithëpërfshirëse që është bërë deri më tani ka një mosbesim publik ndaj tij. Si e justifikoni këtë perceptim?
Hysi: Ju falënderoj për interesimin e treguar për reformën në drejtësi dhe çështjen e perceptimit të publikut për të. Më lejoni të bëj një korrigjim për përcaktimin tim si një person kryesor në hartimin e ligjeve, që do të jenë pjesë e paketës së reformës në drejtësi. Unë jam një anëtare e komisionit të ligjeve dhe komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, por jo personi kryesor. Reforma në drejtësi e nisur tashmë, deri tani, ka prodhuar katër dokumente të rëndësishme: analizën e sistemit të drejtësisë, një projekt strategji për reformimin e tij, planin e veprimit dhe paketën e ndryshimeve kushtetuese. Kjo e fundit është dërguar në Komisionin e Venecias për të marrë një opinion të këtij Komisioni. Këto dokumente janë hartuar nga një grup ekspertësh të nivelit të lartë, vendas dhe të huaj. Ata janë propozuar nga institucionet kushtetuese, të drejtësisë dhe të fushës akademike. Pjesë e këtij grupi janë edhe ekspertë të huaj të misioneve që asistojnë sistemin e drejtësisë. Në këto dokumente gjejnë reflektim mendime dhe sugjerime të profesionistëve të adresuara në sekretariatin teknik të reformës, ose në takimet dhe tryezat e konsultimit publik.
Unë dhe kolegët e tjerë të komisionit të reformës nuk jeni përfshirë ende në këtë proces, pasi, qasja e bërjes së reformës është që ky proces të jetë jashtë ndikimit politik. Një nga arsyet është mosbesimi i publikut se drejtësia nuk bëhet nga politika, se kjo e fundit e ka dëmtuar atë. Ndaj, pavarësisht kapaciteteve dhe përvojave tona personale për aspekte të veçanta të reformës, ne nuk kemi kontribuar, por kemi dëgjuar me vëmendje ekspertët e fushës.
Unë i jap të drejtë një pjesë të mirë të njerëzve që janë mosbesues, pasi 25 vjet nuk kemi arritur të ndërtojmë një sistem drejtësie model dhe të mundësojmë akses dhe trajtim të barabartë të të gjithëve para ligjit. Shumë ligje janë miratuar dhe reforma janë ndërmarrë në fushën e drejtësisë. Por sot, njerëzit nuk gjejnë drejtësi, ose drejtësia është e vonuar.
Mendimi im është se mungesa e besimit shkaktohet edhe nga fakti që deri më sot, reforma ka qenë pjesore, ligjet kanë ndryshuar shpesh, herë si nevojë për të përafruar legjislacionin dhe sistemin me standardet ndërkombëtare, herë për t’iu përgjigjur formave të reja të krimit dhe herë nën ndikimin e opinionit publik ndaj ngjarjeve të ditës, ose pse pjesë të sistemit të administratës publike nuk funksionojnë si duhet. Në kushte të tilla, reformat duket sikur do japin rezultatet e duhura, por ato janë të përkohshme dhe jo afatgjata. Kështu, publiku përsëri mbetet i pakënaqur.
Deri më sot, jo në pak raste, gjyqtarët e zgjedhur në gjykatat e nivelit të lartë ose si drejtues nuk kanë qenë zgjedhjet më të mira. Ndaj me të drejtë njerëzit pyesin se si do të ndryshojë sjellja e gjyqtarëve, e prokurorëve, e avokatëve, përmbaruesve ose noterëve me bërjen e kësaj reforme. Është kjo arsyeja që kjo reformë do të ndërtojë mekanizma që problemet të zgjidhen në të gjithë sistemin, që ky sistem të funksionojë në të gjithë hallkat e tij. Reforma nuk është konceptuar si- hiq një palë prokurorësh dhe gjyqtarësh dhe zgjidh disa të tjerë.
Ka edhe një problem tjetër: informimi i publikut dhe kultura juridike bazë e njerëzve. Shumë herë njerëzit e vlerësojnë sistemin e drejtësisë si të korruptuar dhe të paaftë në tërësi. Përgjithësimi është i gabuar, por një perceptim i tillë krijohet edhe nga një rast i vetëm, si mosdënimi i një afere korruptive në nivel të lartë, dënimet jo drejta për vepra penale të rënda, dënimi i një personi që ka një pozitë sociale të dobët në shoqëri edhe kur ka kryer një vepër penale jo shumë të rrezikshme dhe mosdënimi i një zyrtari, që me veprimet dhe paaftësinë e tij shkakton dëme të madhe ekonomike, financiare, mjedisore të mëdha dhe të pariparueshme, etj.
Perceptimi i publikut do të ndryshojë, jo se e them unë dhe nuk mund të bëhet me urdhra apo detyrim, por duke ofruar një model drejtësie ndryshe për ata që janë në kontakt me drejtësinë dhe ata që mësojnë për të- me të dëgjuar ose përmes medies.
Veçmas pozicionit tuaj si ligjvënëse, ju njiheni si një nga mbrojtëset e të drejtave të komuniteteve te ndryshme të cenuara në vendin tonë. A mendoni se në paketën e ligjeve të drejtësisë do ekzistojë hapësira e duhur për të mbrojtur identitetin e tyre?
Hysi: Absolutisht po. Në fakt, edhe në ligjet që janë miratuar deri më sot, janë parashikuar një sërë të drejtash dhe garancish për të mbrojtur grupe shoqërore që kanë nevojë për një vëmendje të veçantë si: gratë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuar, LGBT etj.
Ndonëse paketa e ligjeve të reformës në drejtësi është në përgatitje e sipër, parlamenti ka miratuar ligje që dënojnë dhunën në familje, ose mbrojnë gratë dhe fëmijët viktima të dhunës. Komisioni i ligjeve po diskuton disa shtesa dhe ndryshime në kodin e punës që rregullojnë më mirë pozitën e punëmarrësve në sektorin privat dhe publik, mbrojnë gratë dhe fëmijët, parashikohet një mbrojtje më e mirë nga ngacmimi moral, seksual në punë; po ndryshojmë barrën e të provuarit të rasteve të diskriminimit në punë, duke ja ngarkuar atë personit që dyshohet se e ka bërë.
Unë kam lexuar me shumë kujdes, madje kam nënvizuar çdo gjetje të ekspertëve të nivelit të lartë lidhur me reformën në drejtësi nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut. Personalisht, ndihem mirë që janë evidentuar shumë probleme. Nuk duhet të kemi frikë të thuhen qartë dhe saktë pikat e dobëta të sistemit. Njëkohësisht, së bashku me kolegët e mi ligjbërës do të jemi shumë të kujdesshëm që gjatë diskutimit të projektligjeve, t’i vlerësojmë ato nga standardet më të mira të të drejtave të njeriut.
Ligjet, jo vetëm, duhet të parashikojnë mekanizma për të mbrojtur të drejtat e njeriut, por ato duhet të jenë të qarta dhe të zbatohen në praktikë; të drejtat e njeriut kanë nevojë të njihen dhe të respektohen, së pari, nga ata që japin drejtësi. Ligjet që i parashikojnë ato duhen kuptuar dhe zbatuar në mënyrë të njëjtë, kudo, nga të gjithë dhe ndaj të gjithëve. Respektimi i të drejtave të njeriut në sistemin e drejtësisë kanë nevojë për punonjës drejtësie të aftë, por edhe që kanë integritet moral dhe profesional. Nga ana tjetër, nuk duhet të nënvleftësojmë faktin se shpesh të drejtat e grupeve në nevojë janë të parashikuara në ligj, por nuk ka mekanizma për zbatimin e tyre në praktikë, nuk ka burime njerëzore dhe financiare të mjaftueshme ose shërbimet mbështetëse mungojnë në territor, ose janë të përqendruar në disa pjesë të tij.
Unë vlerësoj që ka një ndjeshmëri në rritje në politikat e qeverisë për të mbrojtur kategoritë sociale të dobëta, në parlament dhe në publikun e gjerë për nevojën e mbrojtjes së grupeve të tilla, duke parashikuar masa shtesë ndaj tyre, si kuota gjinore, mbrojtje të veçantë në marrëdhëniet e punës etj.
Cili ka qenë dhe është koncepti juaj personal për realizimin e kësaj reforme jetike për të ardhmen e vendit?
Hysi: Unë kam besim se kjo reformë do të bëhet, megjithë dhimbjet që mund të shkaktojë te një pjesë jo shëndetshme e sistemit të drejtësisë, të politikës dhe pjesës së inkriminuar në shoqëri, politikë dhe administratë publike. Kjo reformë është tejet e vonuar. Jam për t’i dhënë fund sa më shpejt shërimit të plagëve të sistemit, sesa ta shtyjmë sa të mundemi ose të presim akoma se ai do të shërohet vetë. Pjesa e shëndetshme e sistemit do të marrë frymë lirisht me këtë reformë dhe do jetë modeli që do të inkurajojë profesionistët e rinj.
Reforma nuk është e lehtë dhe padyshim do këtë nga ata që do përpiqen ta pengojnë ose të mos e mbështesin atë. Por unë besoj se, sot më shumë se kurrë, grupi i ekspertëve të lartë të reformës në drejtësi duhet të mbështetet fort, duhet të inkurajohet dhe të falënderohet për punën e lodhshme dhe voluminoze që po bën. Secili sipas fushës së ekspertizës së tij mund dhe duhet t’i bashkohet këtij grupi me mendimet dhe sugjerimet e tij si dhe të adresojë përvojën e vet mes dërgimit të ideve pranë këtij komisioni.
Kjo reformë do të bëhet, por që japë efektet shpejt dhe sa më mirë, secili lë të kontribuojë që në këtë fazë. Kështu, jo vetëm do të njohë më mirë ligjet dhe sistemet që do të krijohen, por edhe do të jetë zbatues më i mirë i tyre.
Kjo intervistë është pjesë e një cikli intervistash nga BIRN Albania me ekspertë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar të përfshirë në procesin e reformës në drejtësi. Ky cikël artikujsh që synon të nxisë informimin dhe debatin publik mbi reformën, mbështetet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.