Për shkak të ezaurimit të mjeteve konvencionale të politikës monetare, Banka e Shqipërisë po shqyrton mundësinë për “lehtësim sasior”, ekujvalenti modern i prodhimit të parasë shtesë për të rigjeneruar ekonominë, por për momentin kjo mbetet vetëm një ide.
Banka e Shqipërisë ka shqyrtuar gjatë javëve të fundit mundësinë e zbatimit të politikës së debatueshme të “lehtësimit sasior”, e cila konsiston në blerjen e titujve të borxhit me para të re të prodhuar nga BSH. Sipas një burimi të BIRN, në Bankën e Shqipërisë po diskutohen disa lëvizje, përfshirë idenë e stimulimit të kreditimit të një segmenti të caktuar apo krijimit të një linje financimi, por nuk ka asnjë vendimmarrje konkrete.
Pyetur zyrtarisht nga BIRN, Banka e Shqipërisë nuk e hodhi poshtë lajmin por as nuk e konfirmoi atë.
“Banka e Shqipërisë studion në vazhdimësi opsionet e saj dhe ndërton strategjitë e ndërhyrjeve në tregun financiar në përputhje me mandatin dhe kufizimet ligjore, si dhe në funksion të transmetimit sa më efektiv të politikës monetare. Çdo produkt ose mase konkrete, i komunikohet publikut dhe agjenteve të interesuar në kohen e duhur dhe në mënyrë transparente,” deklaroi BSH për BIRN përmes zyrës së shtypit.
Lajmi i raportuar fillimisht nga Vizion Plus, sugjeron se Banka e Shqipërisë po mendon të ndërhyjë në treg duke blerë tituj borxhi, efektivisht duke prodhuar lekë, pasi ndërhyrjet e deritanishme me “instrumentet konvencionale” të politikës monetare nuk kanë ndihmuar shumë në rigjallërimin e kreditimit.
Gjithsesi, një burim nga banka tha se po shqyrton shumë “pengesa ligjore” dhe pikëpyetje të propozimit.
“Lehtësim sasior”
Lehtësimi sasior hyri në terminologjinë e bankingut qendror pas krizës ekonomike dhe financiare botërore të vitit 2008. Disa banka qendrore e kanë përdorur atë deri tani, përfshirë Bankën Qendrore Europiane. Gjithsesi, zbatimi i një politike të tillë në Shqipëri është së paku e debatueshme. Lehtësimi sasior nënkupton prodhimin e parave të reja në formë elektronike, dhënien e këtyre parave bankave, në shkëmbim të titujve të borxheve, (psh titujt e borxhit publik) dhe rrjedhimisht, nxitjen e bankave që të japin këto para kredi për bizneset. Diskutimi në BSH është që kjo linjë financimi të shënjestrojë segmentin e biznesit të vogël dhe të mesëm.
Gjithsesi, kjo është një politikë e debatueshme për shkak se automatikisht zhvlerëson monedhën kombëtare. Problemi i zhvlerësimit të monedhës nuk është aq i rëndë për zonën Euro apo për Shtetet e Bashkuara, por për vende të vogla si Shqipëria, e cila ka detyrime në valutë të fortë, nuk është e qartë nëse një ndërhyrje e tillë do të sjellë më shumë të mira apo më shumë të këqija.
Modeli hungarez
Burime nga BSH thanë se një nga temat e diskutuara është i ashtuquajturi “modeli hungarez” i vënë në punë nga Banka Qendrore e Hungarisë këtë vit. Modeli hungarez, sipas një lajmi të Reuters, synon të përdorë fondet e bankës qendrore për të nxitur bankat të kreditojnë më shumë korporatat si dhe të blejnë më shumë borxh vendës të qeverisë hungareze për të reduktuar varësinë e qeverisë nga financimet e huaja.
Precedenti 2009
Shqipëria ndërmori një politikë të ngjashme në vitin 2009, kur Banka e Shqipërisë akordoi kredi afatshkurtra për bankat, të cilat, nga ana e tyre, i përdorën këto para në një pjesë të madhe për të blerë bono thesari të qeverisë. Ligjshmëria e një mase të tillë qe e dyshimtë pasi në mënyrë indirekte, Banka e Shqipërisë financoi shpenzimet e qeverisë, e cila në atë kohë qe angazhuar në projekte ndërtimi rrugësh ndërkohë që nuk kishte para. Si pasojë e kësaj politike, leku shqiptar u zhvlerësua nga kuota 122 lekë për euro që qe para vitit 2009 në 140 lekë që është aktualisht.
Problemi me kreditimin
Përgjatë dy viteve të fundit, plani i qeverisë, i Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar ka konsistuar në marrjen e masave për të reduktuar kreditë e këqija që kanë bizneset te bankat dhe rrjedhimisht, për të rritur kreditimin për bizneset. Tre qenë masat kryesore të planifikuara për t’u ndërmarrë: shlyerja e detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj bizneseve, të cilat, supozohej se kishin shkaktuar një pjesë të kredive të këqija, lehtësimi fiskal i bankave në rastet e fshirjes nga bilanci të kredive të këqija dhe lehtësimi i mëtejshëm i procedurave për ekzekutimin e kolateralit të kredive të këqija. Të tre masat e ndërmarra nuk sollën ndryshim real. Dy vjet më vonë, kreditë e këqija vijojnë të mbeten në mbi 20 për qind të totalit të kredive ndërsa vetëm vitin e kaluar, Banka Botërore dhe qeveria shqiptare zbuloi se në fakt, janë gjithsej rreth 30 korporata të mëdha, të cilat janë përgjegjëse për shumicën e kredive të këqija në vend. Për të zgjidhur problemin e këtyre korporatave, u propozua që një ligj i ri falimenti të krijonte kushtet për të ristrukturuar nën mbikëqyrjen e Bankës Botërore, një pjesë të korporatave të cilat vlerësohet se kanë vlerë reale si dhe për të falimentuar dhe likuiduar pjesën tjetër.
Aktualisht, projektligji i falimentit ka mbetur në letër i pamiratuar për arsye të panjohura, ndërsa rezistenca nga grupet e biznesit që rrezikojnë ristrukturim apo falimentim raportohet se është e lartë. Disa nga këto grupe kanë ndikim në media dhe politikë.
Ndërkohë, paralelisht me këto plane, Banka e Shqipërisë e ka ulur interesin bazë në 1.75 për qind, nga 3 për qind që qe në fund të vitit 2013. Interesat e kredive të dhëna nga bankat janë ulur në mënyrë të vazhdueshme duke arritur aktualisht në nivelet më të ulëta historike. Megjithatë, kreditimi vijon të mos rritet.