Përgjatë dy viteve të fundit, Gjermania ka marrë një rol udhëheqës në lidhje me konfliktin në Ukrainë, në Luftën Civile në Siri dhe në krizën e refugjatëve. Ndërsa ky është një zhvillim i mikpritur, udhëheqësit gjermanë duhet të kenë parasysh se anëtarësia e vendit të tyre në Bashkimin Europian mbetet burimi më i fuqishëm i pushtetit të tyre.
Në dy vitet e fundit që kur presidenti, ministri i jashtëm dhe ministri i brendshëm i Gjermanisë sinjalizuan se vendi i tyre do të marrë një rol më të madh në çështjet ndërkombëtare, udhëheqësit e vendit kanë marrë një rrugë përplasjeje në realizmin gjeopolitik. Sfidat me të cilat Gjermania është përballur përfshijnë aneksimin e Krimesë nga Rusia, konfliktin në lindjen e Ukrainës, shpërthimi në Siri, sulmet terroriste në Europë dhe një dallgë e paprecedent refugjatësh.
Këto kriza e kanë rritur në mënyrë të ndjeshme profilin ndërkombëtar të Gjermanisë. Megjithatë ringritja e vendit si një lojtat i madh në arenën ndërkombëtare duhet të zbutet me pranimin se fuqia e saj varet nga bashkëpunimi me partnerët e saj në zhvillimin e një politike të jashtme dhe politike të sigurisë të fortë dhe të bashkuar në nivel Europian.
Përqafimi nga ana e Gjermanisë e një roli më aktiv botëror ka ndodhur në një kohë kur panorama gjeopolitike ka pësuar ndryshime të shpejta – ndryshme të tilla që Gjermania dhe udhëheqësit e tjerë të Europës janë detyruar të pranojnë se shumica e pjesës tjetër të botës nuk kanë të njëjtën parapëlqim me ta për vendimmarrje shumëpalëshe.
Atyre i është dashur gjithashtu të përballen me faktin se Shtetet e Bashkuara nuk janë më të gatshme të udhëheqin në çdo krizë dhe se fuqitë botërore në ngritje – të tilla si Kina, India dhe Brazili – nuk janë ende të përgatitura të kontribuojnë në mënyrë efikase në ruajtjen e një rendi botëror të qëndrueshëm.
Ndërkohë, vijat ndarëse mes çështjeve të brendshme dhe atyre ndërkombëtare janë bërë gjithnjë e më të padallueshme. Kriza e refugjatëve, për shembull, kërkon ndërhyrje politike në fusha shumë të ndryshme, nga mbrojtja dhe ndihma për zhvillim, te integrimi Europian, te sigurua e brendshme dhe te politikat e mirëqënies shoqërore.
Gjithnjë e më shumë, sfidat me të cilat Gjermania po përballet janë bërë të ndërthurrura; terrorizmi, lufta civile në Siri, agresioni Rus dhe dallga e refugjatëve po ndërveprojnë në mënyrë të rrezikshme dhe të paparashikueshme. Këto kriza janë gjithashtu të tilla që nuk do të mund të kufizohen lehtë apo të zgjidhen shpejt; secila do të duhet të menaxhohet për një periudhë të gjatë kohore.
Dhe duke marrë parasysh shkallën e lartë të integrimit të saj në ekonominë botërore, Gjermania është e prekshme edhe nga zhvillimet më të largëta. Për shembull, parandalimi i konflikteve detare dhe ruajtja e lirisë së lundrimit në Detin e Kinës së Jugut është dukshëm një interes i gjermanisë.
Për të mirë të tyre, udhëheqësit e Gjermanisë, duke kuptuar rolin e rëndësishëm që vendi i tyre mund të luajë, kanë ndërmarrë udhëheqësinë diplomatike përballë Rusisë në lidhje me ndërhyrjen e saj në Ukrainë. Për më tepër, Gjermania qe pjesëmarrësi kyç në bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit dhe ka qenë e përfshirë shumë në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike për luftën civile të Sirisë. Gjermania mori gjithashtu presidencën e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë për vitin 2016.
Në frontin ushtarak, Gjermania ka përforcuar kontributin e saj për masat e NATO-s që synojnë të rrisin mbrojtjen në rajonin e Balltikut dhe në Europën Qendrore, dhe ajo është bërë gjithnjë e më e hapur për të kontribuar me forca ushtarake në ndërhyrjet në krizat jashtë zonës së aleancës. Ajo ka marrë pjesë në përpjekjet paqëruajtëse të OKB-së në Mali, ka zgjatur angazhimin e saj në Afganistan dhe ka furnizuar me armë dhe trajnime forcat në Irakun e veriut. Ajo ka ofruar flurutime rikonjicioni dhe ndihma të tjera për bombardimet ajore franceze kundër Shtetit Islamik në Siri.
Politikëbërësit europianë janë të vetëdijshëm se partnerët e tyre ndërkombëtarë presin që kjo lloj udhëheqësie të bëhet normë dhe ata kanë demonstruar një interes në zgjerimin e rritjes së ndikimit të Gjermanisë. Si një fuqi me përmasa të mesme, gjithsesi, Gjermania nuk mund të jetë e pranishme gjithkunt; ruajtja e një pranie më të madhe ndërkombëtare do të kërkojë bashkëpunim me aleatët dhe partnerët nëpër botë.
Në të vërtetë, sa më shumë të udhëheqë Gjermania, aq më e varur do të bëhet ajo nga faktorët e tjerë ndërkombëtarë – më së shumti, nga partnerët e saj në Bashkimin Europian – dhe aq më e ekspozuar do të bëhet ajo ndaj luhatjeve në mjedisin gjeopolitik. Për shembull, pozicionimi rajonal i Kinës dhe marrëdhënia e saj strategjike me SHBA-të do të ndikojë në përpjekjet e Gjermanisë për të gjetur një zgjidhje shumëpalëshe ndaj krizave botërore të tilla si ndryshimet klimaterike dhe kërcënimet kibernetike.
Ndërsa Gjermania vijon të shtyhet përpara në arenën ndërkombëtare, ajo pritet të rrisë shpenzimet në politikën e jashtme dhe në sigurinë ndërkombëtare. Që të jemi të qartë këtu, Berlini nuk e ka realizuar ende objektivin e NATO-s për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen. Si shumica e shteteve, ajo ka dështuar të plotësojë angazhimin ndërkombëtar të njohur për të shpenzuar së paku 0.7 për qind të PBB-së në ndihmë zyrtare për zhvillim. Por, ndryshe nga disa nga partnerët e vet, Gjermania nuk e ka pakësuar buxhetin e vet të mbrojtjes dhe në mënyrë thelbësore ka rritur financimet për diplomacinë.
Gjithsesi, edhe nëse ajo ka rritur kapacitetet e veta për të ofruar forca ushtarake për OKB-në, NATO-n apo Bashkimin Europian, Gjermania e ka bërë të qartë se ajo nuk e sheh veten si një fuqi ushtarake. Politikëbërësit gjermanë vijojnë të besojnë se mjetet politike dhe ekonomike të ndikimit janë më efektive se sa dhuna, duke nënkuptuar se do të ketë zhvillim të mëtejshëm të mjeteve të pushtetit të butë, përfshirë diplomacionë dixhitale. Ata janë gjithashtu të etur për të zhvilluar më shumë politika “në rrjet” kombëtare dhe të punëve të jashtme të Europës, të cilat përfshijnë aktivitete dhe kontribute të mundshme nga aktorët joshtete.
Tani për tani, prioritetet kyçe të politikës së jashtme të Gjermanisë ka gjasa do të mbeten Bashkimi Europian dhe fqinjët lindorë e jugorë të kontinentit – nga ku mund të vijnë edhe rreziqet më imediate të sigurisë. Kjo mund të jetë një zgjedhje e mençur. Gjermania dhe partnerët e vet të BE-së do të jenë më efektivë kur të menaxhojnë konflikte, të stabilizojnë qeveri apo të mbështesin tranzicione ekonomike e politike mes fqinjëve të vet të afërt.
Për më tepër, duke parë mjedisin aktual jashtëzakonisht të turbullt gjeopolitik, Gjermania ka interes themelor në nxitjen e zhvillimit të politikës së jashtme të BE-së si dhe të institucioneve të saj të sigurisë. Sado që politikëbërësit gjermanë mund të jenë duke shijuar kërkesën në rritje për kontributet e tyre në politikën ndërkombëtare, anëtarësia e këtij vendi në Bashkimin Europian është burimi i tyre më i fuqishëm i pushtetit dhe sigurisë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Limits of German Power