“Mundësia e daljes së Britanisë nga BE-ja është dëshira e gjysmë-përmbushur e manjatit të medias më të fuqishme në Mbretërinë e Bashkuar, por nëse kjo ndodh, vendi nuk do ta ketë çuar në vend porosinë e Çërçillit dhe do të shkojë drejt vetëshkatërrimit” argumenton një ish-ministre franceze.
Mundësia që Britania të dalë nga Bashkimi Europian është e pamohueshme. Për dekada, politikanët e njohur britanikë kanë parashtruar përçmimin e tyre për Europën; si rezultat, euroskepticizmi në Mbretërinë e Bashkuar është ngulitur. Kur vendi të mbajë një referendum mbi anëtarësinë e tij në BE më 23 qershor, shumë votues mund të mos kenë vullnetin të votojnë për të qëndruar.
Disa faktorë kanë konspiruar për ta bërë një dalje të Britanisë ose “Brexitin” të mundur. Më kryesori është rritja e populizmit. Pasi Mbretëria e Bashkuar ratifikoi Traktatin e Mastrihtit në vitin 1992, politikani britanik Nigel Farage u largua nga Partia Konservatore dhe themeloi Partinë e Pavarur Britanike. Që atëherë, ai e bëri largimin nga BE-ja synimin e jetës (edhe përse gëzon avantazhet e plota të të qenët anëtar i Parlamentit Europian). Efektiviteti i retorikës së tij nacionaliste është provë se Mbretëria e Bashkuar nuk është imune ndaj demagogjisë populiste.
Një tjetër arsye për eurofobinë në psikologjinë britanike janë gazetat e fiksuara pas BE-së në vend, që lexohen nga miliona njerëz. Pak persona kanë bërë më shumë për të nxitur ndjenjën anti-europiane sesa mandati australian-amerikan i medias, Rupert Murdoch, pronar i disa gazetave dhe televizionit më të rëndësishëm privat në Britani. Në librin e tij “Si Britania do të largohet nga Europa”, ish-ministri i Europës, Denis MacShane përshkruan si ish-kryeministri Tony Blair e mori në konsideratë mbajtjen e një referendumi për miratimin e euros, duke e anuluar planin nga frika se figura e errët e RUpert Murdoch do të përdorte median e tij perandorake për të bërë fushatë kundër referendumit.
Së fundmi, kriza e emigracionit në Europë nuk po ndihmon aspak ata që po peshojnë për nga BE-ja. Farage ishte i shpejtë kur paralajmëroi “se kriza e migracionit do të përkeqësohet” nëse Britania mbetet në union. Ai gjithashtu argumentoi se britanikët do të jenë më të prekshëm nga sulmet terroriste nëse Mbretëria e Bashkuar nuk “largohet nga BE-ja dhe të marrë nën kontroll kufijtë e saj”. (Për Francën që aktualisht po bën punën e Mbretërisë së Bashkuar në kufirin Calais, ky element i Brexit do të ishte joshës).
Sigurisht, shumë britanikë kanë qenë skeptikë për Europën që kur u propozua së pari ideja e bashkimit në vitet 1950. Por ata që bëjnë fushatë për Brexit e anashkalojnë faktin se Europa është bërë një treg i hapur dhe i lirë, diçka që Britania e ka dashur gjithnjë dhe që Britania ishte një nga pak shtetet anëtare që nuk kufizoi hyrjen e punëtorëve pas zgjerimit të BE-së nga lindja në vitin 2004.
Shumë rëndësi ka edhe aftësia e kryeministrit David Cameron për të bindur votuesit se qëndrimi në BE ia vlen. Përpjekja e tij më e dukshme ishte mbajtja e negociatave me 27 vendet e tjera anëtare në BE për një marrëveshje të kufizimit të aksesit në përfitimet shoqërore për shtetasit që banojnë në një vend tjetër. Ai gjithashtu ra dakord në një lloj pakti jo-agresion me eurozonën, që zotohet të respektojë “të drejtat dhe kompetencat e shteteve anëtare jo-pjesëmarrëse” në këmbim të një premtimi britanik për të mos kundërshtuar thellimin e bashkimit ekonomik dhe monetar.
Nëse votuesit zgjedhin të largohen, negocimi i kushteve të Brexitit do të marrë vite. Nëse Mbretëria e Bashkuar do ta ruajë aksesin në tregun europian – që u përllogarit për 45 për qind të eksporteve dhe 53 për qind të importeve në 2014 – kjo mbetet një pyetje e hapur. Dhe ndërsa Britania mund të kërkojë të gjejë vendin e saj pas ndarjes nga BE-ja, reputacioni i qytetit të Londrës si qendër globale financiare mund të jetë dëmtuar. Që tani, Douglas Flint, kryetar i HSBC, huadhënësit më të madh europian ka deklaruar se banka rezervon të drejtën për të lëvizur njerëzit nga Londra në Paris.
Në një fjalim të famshëm të dhënë në Universitetin e Zyrihut, Çërçilli bëri thirrje për krijimin e “Shteteve të Bashkuara të Europës” – por pa Mbretërinë e Bashkuar. “Në këtë punë urgjente, Franca dhe Gjermania duhet të drejtojnë së bashku”, tha ai. “Britania e Madhe, Shtetet britanike të Komonuelthit, ndoshta Amerika [dhe Bashkimi Sovjetik] duhet të jenë miq dhe sponsorë të Europës së re dhe duhet të mbështesin të drejtën e ekzistencës së saj”.
Sot, larg nga mbështetja e të drejtës për të jetuar të Europës, Mbretëria e Bashkuar po e vë atë në rrezik. Dhe, duke vepruar kështu, po e vë edhe vetë ekonominë e saj në një rrezik më të madh sesa çdo kohë që prej luftës së dytë botërore. Teksa kontinenti përballet me sfidat më të vështira që ka hasur prej mëse një brezi, as Europa dhe as Mbretëria e Bashkuar nuk mund të përballojnë një vetëshkatërrim të tillë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Brexit Conspiracy