Kapitalizmi demokratik është një system në zhvillim që i përgjigjet krizave duke transformuar në mënyrë radikale si marrëdhëniet ekonomike ashtu edhe institucionet politike. Koha për një fazë të re ka ardhur, pavarësisht nëse politikanët “e përgjegjshëm” janë përgatitur ta pranojnë atë apo jo.
Nëpër të gjithë botën sot, ka një ndjesi se po jetojmë fundin e një epoke si dhe një parandjenjë të keqe mbi disintegrimin e shoqërive që më parë qenë të stabilizuara. Në disa rreshta të pavdekshme të poemës së madhe të W.B. Yeats “Ardhja e Dytë”
“Gjërat po shkatërrohen; qendra nuk mban më
Thjeshtë anarkia po shtrihet nëpër botë…
Të mirët nuk kanë besim ndërsa të këqinjtë
Janë përplot intensitet pasionant…
Dhe çfarë bishe e egër, koha e tij erdhi më në fund
Duke lëvizur drejt Betlehemit për të lindur?”
Yeats i shkroi këto vargje në janar 1919, dy muaj pasi Lufta e Parë Botërore përfundoi. Ai instinktivisht ndjente se paqja do t’i linte vendin shpejt tmerreve edhe më të mëdha.
Gati 50 vjet më vonë, më 1967, eseistja amerikane Joan Didion zgjodhi Ngadalë drejt Betlehemit si titull të përmbledhjes së eseve të saj mbi ndryshimet sociale të fundit të viteve 1960. Në 12 muaj pas publikimit të librit, Martin Luther King, Jr. dhe Robert Kennedy u vranë, qytetet nëpër Shtetet e Bashkuara shpërthyen në trazira dhe studentët protestues në Francë filluan një rebelim që rrëzoi presidentin Charles de Gaulle më vonë atë vit.
Nga mesi i viteve 1970, Amerika pati humbur luftën e Vietnamit. Brigadat e Kuqe, Organizata Weather Underground, Ushtria Republikane Irlandeze, terroristët neofashistë italianë e të tjerë, po organizonin sulme të përgjakshme në SHBA dhe Europë. Dhe hetimi ndaj presidentit Richard Nixon e pati kthyer demokracinë perëndimore në një barsoletë.
Plot 50 vjet të tjera kanë kaluar tashmë dhe bota sërish po përndiqet nga frika për dështimin e demokracisë. A mund të nxjerrim ne disa leksione nga këto periudha të mëparshme të dyshimeve ekzistenciale mbi vetveten?
Në vitet 1920 dhe 1930 si dhe në vitet 1960 e 1970 e sërish sot, dëshpërimi në lidhje me politikën qe i lidhur me një zhgënjim me sistemin e dështuar ekonomik. Në periudhën mes dy luftërave, kapitalizmi dukej i dënuar të rrëzohej nga pabarazitë e patolerueshme, deflacioni dhe papunësia masive. Në vitet 1960 dhe 1970, kapitalizmi dukej se po rrëzohej për arsye krejt ë kundërta: inflacion dhe reagim nga taksapaguesit dhe biznesi kundër politikave rishpërndarëse të “qeverisë së madhe.”
Që të vëresh këtë model të krizave që përsëriten nuk është njësoj si të pretendosh se një farë ligji natyror dikton një krizë pothuajse shkatërrimtare për kapitalizmin çdo 50-60 vjet. Ajo është, gjithsesi, e vlefshme për të kuptuar se kapitalizmi demokratik është një sistem në evolim që i përgjigjet krizave duke transformuar në mënyrë radikale si marrëdhëniet ekonomike ashtu edhe institucionet politike.
Kështu ne duhet t’i shohim trazirat e sotme si një përgjigje e parashikueshme e rrëzimit të një modeli specifik të kapitalizmit botëror në vitin 2008. Duke gjykuar nga eksperiencat e së shkuarës, pasoja e pritshme mund të jetë një dekadë apo më shumë kërkimi brenda vetes dhe destabiliteti, gjë që eventualisht do të sjellë një bazë të re si në politikë ashtu edhe në ekonomi.
Kjo është ajo që ndodhi kur zgjedhjet e Margaret Thatcher dhe Ronald Reagan pasuan inflacionin e madh të fillimit të viteve 1970, dhe kur Marrëveshja e Re e Amerikës dhe “bisha e egër” e riarmatimit të Europës u rishfaq pas Depresionit të Madh. Secila prej këtyre realiteteve post-krizë u shënua nga transformime thelbësore të të menduarit të ekonomisë si dhe të politikës.
Depresioni i Madh solli revolucionin kejsianist, krahas Marrëveshjes së Re (Neë Deal) në politikë. Krizat inflacionare të viteve 1960 dhe 1970 provokuan kundërrevolucionin monetarist të Milton Friedman, i cili frymëzoi Thatcher dhe Reagan.
Për rrjedhojë është e arsyeshme që të presësh një shkatërrim të kapitalizmit financiar të derregulluar dhe një ndryshim të katërt sizmik (unë e quajta atë më 2010 Kapitalizmi 4.0) si në politikë ashtu edhe në të menduarit ekonomik. Por nëse kapitalizmi botëror është me të vërtetë duke hyrë në një fazë të re evolucionare, çfarë karakteristikash mund të ketë faza e re?
Tipari përcaktues i secilës fazë pasuese të kapitalizmit botëror ka qenë një ndryshim në kufijtë mes ekonomiksit dhe politikës. Në kapitalizmin klasik të shekullit të 19, politika dhe ekonomiksi idealizoheshin si sfera të ndara, me ndërveprime mes qeverisë dhe biznesit të kufizuara te rritja (e nevojshme) e taksave për aventura ushtarake dhe mbrojtjen (e dëmshme) të interesave të fshehtë dhe të fuqishëm.
Në të dytën, versionin kejsianist të kapitalizmit, tregjet shiheshin me dyshim, ndërsa ndërhyrjet e qeverisë supozoheshin si korrekte. Në fazën e tretë, të dominuar nga Thatcher dhe Reagan, këto supozime u përmbysën: qeveria qe zakonisht gabim dhe tregjet kishin gjithmonë të drejtë. Në fazën e katërt, ndoshta tipari kryesor do të jetë pranimi se si qeveritë, ashtu edhe tregjet mund të jenë gabim me pasoja katastrofike.
Pranimi i një gabueshmërie të tillë të përgjithshme mund të duket paralizuese – dhe fryma aktuale politike duket se e reflekton këtë gjë. Por pranimi i gabueshmërisë mund të jetë në të vërtetë, fuqizues, për shkak se nënkupton mundësi për përmirësime si në ekonomiks ashtu edhe në politikë.
Nëse bota është tepër komplekse dhe e paparashikueshme si për tregjet ashtu edhe për qeveritë për të arritur objektivat socialë, atëherë sisteme të reja të kontrollit dhe balancave duhet të konceptohen në mënyrë që vendimmarrja politike të mund të përmbajë incentivat ekonomike dhe anasjelltas. Nëse bota karakterizohet nga ambiguiteti dhe paparashikueshmëria, atëherë teoritë ekonomike të periudhës së parakrizës – pritshmëritë racionale, tregjet eficente dhe neutraliteti i parasë – duhet të rishikohen.
Për më tepër, politikanët duhet të rimendohen shumë mbi superstrukturën ideologjike të ngritur mbi supozimet fondamentaliste të tregut. Kjo përfshin jo vetëm derregullimin financiar, por edhe pavarësinë e bankës qendrore, ndarjen e politikave monetare dhe fiskale dhe supozimit se tregjet konkurruese nuk kërkojnë ndërhyrje të qeverisë për të prodhuar shpërndarje të pranueshme të të ardhurave, për të nxitur novacionin dhe për të ofruar infrastrukturën e nevojshme apo për të dhënë të mirat publike.
Është e qartë se teknologjia e re dhe integrimi i miliarda punëtorëve shtesë në tregjet botërore ka krijuar mundësi që duhet të nënkuptojnë mirëqënie më të lartë në dekadat e ardhëshme se sa në dekadat para krizës. Megjithatë politikanët “e përgjegjshëm” gjithkund paralajmërojnë qytetarët për “normalen e re” të rritjes në stanjacion. Nuk është çudi se pse votuesit janë të zemëruar.
Njerëzit ndjejnë se udhëheqësit e tyre kanë mjete të fuqishme ekonomike të cilat mund të rrisin standardet e jetesës. Paraja mund të prodhohet dhe shpërndahet drejtpërsëdrejti te qytetarët. Pagat minimale mund të rriten për të reduktuar pabarazinë. Qeveritë mund të investojnë shumë më tepër në infrastrukturë dhe novacion me kosto të parasë zero. Rregullimi i bankave mund të nxisë kreditimin, në vend që ta kufizojë atë.
Por zbatimi i politikave të tilla radikale nënkupton të hedhësh poshtë teoritë që kanë dominuar ekonomiksin që nga vitet 1980, bashkë me organizimet institucionale që janë bazuar te këto teori, të tilla si Traktati i Mastrihtit në Europë. Pak njerëz “të përgjegjshëm” janë bërë sakaq gati të sfidojnë ortodoksinë ekonomike të para-krizës.
Mesazhi i revoltës së populistëve të sotëm është që politikanët duhet t’i grisin rregullat e parakrizës dhe të nxisin një revolucion në të menduarit ekonomik. Nëse politikanët e përgjegjshëm refuzojnë, “ndonjë bishë e egër, ora e të cilit ka ardhur më në fund” do ta bëjë këtë në vend të tyre.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. When Things Fall Apart