Për muajin e dytë radhazi, Indeksi i Çmimeve të Konsumit qëndroi në vendnumëro, duke sugjeruar se inflacioni relativisht i lartë i vitit 2015 qe në fakt joreal dhe se vështirësitë ekonomike të vendit janë të thella.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me vetëm 0.3 për qind në muajin mars, në krahasim me një vit më parë, nga 0.2 për qind që qe rritja në muajin shkurt. Sipas INSTAT, çmimi më i ulët i naftës ka qenë shkaku kryesor i inflacionit tepër të ulët, por edhe grupime të tjera si veshje e këpucë, shëndeti pësuan rënie. Ushqimet dhe Arsimi kushtuan më shtrenjtë se sa një vit më parë. (Link njoftimi i INSTAT)
Kjo është hera e parë në shumë dhe shumë vite kur indeksi i çmimeve të konsumit qëndron në nivelin pranë zeros dhe qëndron aty për dy muaj me rradhë. Shqipëria ka aktualisht si objektiv të inflacionit nivelin 3 për qind me marzh plus minus 1 për qind. Kur inflacioni bie nën 2 për qind, atëherë BSH supozohet se ndërhyn për ta rritur atë dhe kur rritet mbi 4 për qind, BSH ndërhyn për ta ulur.
Por kur inflacioni është zero, kjo konsiderohet zakonisht si një dobësi e thellë në kërkesën konsumatore në ekonomi dhe sinjalizon rrezikun për një situatë deflacioniste, ku prodhimi, çmimet dhe konsumi, bien.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë e ka cilësuar situatën aktuale si dizinflacion dhe jo si deklacion. Por fakti është që Banka e Shqipërisë uli më tej normën e vet bazë të interesit duke argumentuar se aktualisht, prodhimi është “nën potencial”, termi që zakonisht përdoret për të argumentuar se kapacitetet prodhuese në ekonomi disponohen, por ato lihen pa u përdorur për shkak se nuk ka konsumatorë.
“Inflacioni shënoi rënie të shpejtë gjatë dy muajve të parë të vitit. Norma vjetore e tij zbriti në 0.2% në muajin shkurt, kundrejt nivelit 2% të regjistruar në dhjetor 2015. Analizat tona tregojnë se kjo rënie pasqyron veprimin e kombinuar të tre faktorëve: (i) inflacionin e ulët të produkteve ushqimore, veçanërisht të ushqimeve të freskëta të stinës; (ii) efektin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të çmimeve të ulëta të naftës; si dhe, (iii) bazën e lartë krahasuese të çmimeve gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë. Të tre këta faktorë shpjegojnë rreth ¾ e rënies së inflacionit në këtë periudhë,” deklaroi guvernatori Gent Sejko dy ditë më parë, kur shpalli edhe uljen e normës bazë të interesit.
“Efekti i bazës së lartë krahasuese pritet të shuhet brenda muajit prill. Nga ana tjetër, çmimet e ulëta të ushqimeve dhe të naftës kanë goditur ecurinë e inflacionit në të gjitha vendet e rajonit dhe në partnerët tanë tregtarë. Këta faktorë do të vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre në inflacion edhe përgjatë disa muajve në vazhdim. Për rrjedhojë, parashikimet e përditësuara sugjerojnë se inflacioni do të luhatet rreth nivelit 1.9% në fund të vitit 2016, krahasuar me 2.3% në parashikimin tonë paraardhës,” tha ai.
Inflacion i rremë më 2015?
Inflacioni në Shqipëri ka rezultuar i zbehtë dhe përgjithësisht poshtë fashës së ulët të objektivit të BSH prej 2 për qind, për pjesën më të madhe të kohës që nga viti 2011, kur besimi i konsumatorëve u trondit thellë. Megjithatë, në vitet 2014 dhe 2015, disa goditje në inflacion të krijuara nga rritja e taksave apo çmimeve të administruara nga qeveria, duket se kanë krijuar një rritje çmimesh që, ndonëse rënduese për xhepat e konsumatorëve, e fsheh faktin që inflacioni i shkaktuar nga kërkesë-oferta është pothuajse inekzistent. Në fillim të vitit 2016, ndërhyrjet përmes rritjes së taksave dhe çmimeve të administruara nuk ndodhën për herë të parë në dy vjet, gjë që u reflektua menjëherë në rënien e shpejtë të inflacionit pranë zeros. Ndërsa me të drejtë BSH argumenton se çmimi në rënie i karburanteve është përgjegjës për pjesën më të madhe të inflacionit të ulët, fakti është që kjo rënie në tregun ndërkombëtar ka nisur që nga viti 2014, ndërsa në Shqipëri, rënia nuk ndodhi për shkak se u kompensua nga rritja e taksave nga ana e qeverisë. Në mungesë të taksave shtesë, inflacioni real duket se ka qenë më i ulët dhe vështirësitë ekonomike, shumë më të mëdha.