Takimi mes Ramës dhe Bashës zgjati tre orë, por nuk ofroi asgjë të re për draftin e reformës në drejtësi, ndërkohë që liderët shkëmbyen akuza duke ia faturuar dështimin njëri-tjetrit.
Tre orët e takimit mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dështuan të prodhonin një marrëveshje për reformën në drejtësi. Kryeministri Edi Rama u shfaq i vetëm, me një dosje të kuqe në dorë në sallën e improvizuar të konferencës, ku lajmëroi mungesën e konsensusit si produkt të vetëm të takimit.
“Më vjen keq që nuk arritëm të bindnim Partinë Demokratike për të miratuar së bashku draftin e përgatitur me partnerët,” tha Rama.
Kryeministri Rama shpjegoi se në takim u diskutua mbi draftin përfundimtar të komisionit të reformës dhe një plan disa pikësh, të përgatitur nga ekspertët ndërkombëtarë për të lehtësuar dialogun. Ai shtoi se mazhoranca e kishte pranuar 100 për qind këtë plan, ndërsa sipas tij, Partia Demokratike refuzoi shumicën prej 2/3 në zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.
I pahabitur nga dështimi, Rama tha se ai nuk bën pjesë ndër ata që besojnë se Partia Demokratike e do reformën në drejtësi. Ai paralajmëroi se mazhoranca do të ndjekë të vetmen rrugë që i ka mbetur, dërgimin e draftit në Kuvend.
Ndryshe nga Rama, kryetari i opozitës, Lulzim Basha tha se kishte ardhur në këtë takim me vullnetin për të kërkuar dhe ofruar zgjidhje për një drejtësi të pakapur nga politika.
“Erdha sot për të gjetur zgjidhje për një drejtësi që lufton krimin e organizuar, për një drejtësi të pakapur. Nëse politika nuk do t’i mbronte Shullazët, Kokëdhimët, Habilajt… por drejtësia trembet dhe shantazhohet nga një vullnet politik,” tha Basha.
Ai shpjegoi se nën frymën e Komisionit të Venecias, PD vlerëson se formula e “vendeve të rezervuara” e garanton pavarësinë, por ky variant u kundërshtua nga kryeministri.
“Opozita nuk erdhi me një model të vetin, as me kapriço, por me modelin e Venecias. Ky model funksionon sot në Kroaci dhe në Maltë. Kryeministri nuk pati asnjë kundërshtim serioz, thjesht nuk i pëlqen. E kundërta është një kapje politike e sistemit, ku edhe më keq, nuk duken duart,” tha Basha.
Koncepti i vendeve të rezervuara u prezantua fillimisht si një nga opsionet e Komisionit të Venecias, në kushtet kur mes mazhorancës dhe opozitës nuk do të kishte dakordësi për shumicën e cilësuar. Ky opsion parashikon që anëtarët jo-gjyqtarë të KLGJ dhe KLP të ndahen mes mazhorancës dhe opozitës.
Kushti i opozitës është cilësuar që herët si e vetmja pikë e panegociueshme nga përfaqësues të mazhorancës. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj i tha BIRN në maj se “anëtarët do të vijnë në Kuvend si profesionistë dhe do të dalin që andej si partiakë”.
Në deklaratën për mediat, kryeministri Rama lajmëroi se drafti i reformës në drejtësi do të niset menjëherë drejt Kuvendit. Ai la megjithatë hapur një derë për kompromis të orëve të fundit, duke shprehur gatishmëri për të dëgjuar çdo propozim të opozitës që “nuk cenon thelbin e reformës dhe nuk përbën përpjekje për të mbajtur duart e politikës brenda sistemit të drejtësisë”.
Kësaj ftese, Basha iu përgjigj me argumentin se mazhoranca është e vetmja që mban përgjegjësi për dakordësi të orës së fundit, ndërsa e paralajmëroi atë se çdo akt i njëanshëm do të përballej me dështim në Parlament.
Takimi mes Ramës dhe Bashës shihej gjerësisht si shansi i fundit për konsensus për miratimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese brenda qershorit. Njësoj si reforma në drejtësi, edhe takimi u realizua si produkt i përpjekjes së ndërkombëtarëve, më shumë sesa si vullnet i dy liderëve politikë.
Në vigjilje të takimit, kryeministri Rama pranoi kërkesën e kahershme të opozitës për zgjedhjen me 2/3 të drejtuesve të institucioneve të drejtësisë. Megjithatë, konsensusi duket i vështirë për t’u arritur, pasi opozita fortifikoi qëndrimin e saj për “vendet e rezervuara” në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Opozita ka pretenduar gjithashtu një ndërhyrje në arkitekturën e sistemit, duke nxjerrë nul një pjesë të institucioneve të reja. Por edhe kjo kërkesë ka hasur në kundërshtimin e mazhorancës.
Takimi mes Ramës dhe Bashës u zhvillua nën vëmendjen e lartë të zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Bashkimit Europian. Në prag të tij, përfaqësues të lartë të politikës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bruksel kanë komunikuar me palët dhe kanë dhënë mesazhe të forta për miratimin e një “reforme tërësore dhe kuptimplotë në drejtësi”.
Të shtunën, ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland telefonoi kryetarin e opozitës, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, duke kërkuar kompromis për reformën në drejtësi.
Bashkimi Europian shtoi gjithashtu dozën e presionit mbi partitë politike shqiptare për miratimin e reformës në drejtësi gjatë fundjavës. Përmes një deklarate të posaçme, përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme në BE, Federica Mogherini kërkoi miratimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me kufirin e nevojshëm prej 2/3 të votave në Parlament.
“Propozimi ligjor që ndodhet tashmë para Kuvendit pasqyron rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe përputhet plotësisht me standartet evropiane,” tha Mogherini.
“ Është thelbësore që ky propozim të miratohet një shumicë prej 2/3 që kërkohet. Bëhet fjalë për një votë për të cilën çdo deputet i Kuvendit, i cilitdo grupimi politik, mban përgjegjësi të veçantë,” përfundoi ajo.