Ndërsa çdo ditë publikohen zbulime teknologjike, ekonomitë botërore duket se nuk po zhvillohen me hapa gjigantë dhe proporcionalë siç ndodh kur dëshmojmë revolucione. Dani Rodrik eksploron shkaqet dhe jep disa zgjidhje se si të gjithë njerëzit të pasurohen nga teknologjia.
Duket se po jetojmë në një periudhë të përshpejtuar të zbulimeve revolucionare në teknologji. Thuajse asnjë ditë nuk kalon pa lajmërimin e një zhvillimi të ri madhor në inteligjencë artificiale, bioteknologji, dixhitalizim apo automatizim. Megjithatë ata që supozohet që e dinë se ku po na çon e gjitha kjo, nuk arrijnë ta ndajnë mendjen.
Në njërën anë të spektrit janë tekno-optimistët, që besojnë se jemi pranë një epoke të re në të cilën standardet aktuale të jetesës do të shtohet më shpejt se kurrë. Në skajin tjetër janë tekno-pesimistët, të cilët shohin statistikat zhgënjyese të produktivitetit dhe argumentojnë se përfitimet ekonomike të teknologjive të reja do të mbeten të kufizuara. Pastaj janë ata – të shqetësuarit – të cilët bien dakord me optimistët rreth shkallës dhe spektrit të inovacionit por shqetësohen rreth pasojave të kundërta të punësimit dhe barazisë.
Ajo që i dallon këto perspektiva nga njëra-tjetra është mosmarrëveshja rreth normës së inovacionit teknologjik. Mbi të gjitha, kush mund të dyshojë se inovacioni po bën progres të shpejtë? Debati është nëse këto inovacione do të mbeten të përqendruara në sektorët e përparuar teknologjikë që punësojnë vetëm profesionistët më të aftë dhe që përbëjnë një pjesë të vogël të PBB apo do të përhapen në të gjithë ekonominë. Pasojat e çdo inovacioni për produktivitet, punësim dhe barazi së fundmi varen mbi atë se sa shpejt inovacioni përhapet në tregjet e punës dhe produktit.
Difuzioni teknologjik mund të përhapet në anën e kërkesës dhe ofertës në ekonomi. Të marrim anën e kërkesës të parën. Në ekonomitë e pasura, konsumatorët shpenzojnë pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre në shërbime si shëndeti, arsimi, transporti, strehimi dhe të mirat materiale. Inovacioni teknologjik ka pasur pak ndikim deri më sot në shumë prej këtyre sektorëve.
Të marrim në konsideratë disa shifra të ofruara nga raporti i fundit i Institutit MCKinsey Global: Amerika Dixhitale. Dy sektorët e Shteteve të Bashkuara që kanë përjetuar rritjen më të shpejtë të produktivitetit që nga 2005 janë TIK (Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit) dhe industritë e medias, me një pjesë të PBB-së jo më pak se 10 për qind. Përkundrazi, shërbimet qeveritare dhe të shëndetit mjekësor, që së bashku prodhojnë më tepër se një të katërtën e PBBsë, nuk kanë pasur zhvillim të madh në produktivitet.
Tekno-optimistët, si autorët në McKinsey, i shohin të tilla shifra si një mundësi: mbeten ende përfitime të gjera të produktivitetit që mund të vijnë prej adoptimit të teknologjive të reja në sektorët që mbeten pas. Pesimistët, nga ana tjetër, mendojnë se hendeqe të tilla mund të jenë një tipar strukturor dhe i përhershëm i ekonomive të sotme.
Për shembull, historiani ekonomik Robert Gordon argumenton se inovacionet e sotme janë të zbehta në kontrast me revolucionet teknologjike të së shkuarës në kuptimin e ndikimit të tyre të gjerë në ekonomi. Elektriciteti, automobili, aeroplani, ajri i kondicionuar dhe pajisjet shpëtiake ndryshuan mënyrën se si jetonin njerëzit e zakonshëm në kuptimin thelbësor. Ato gjetën hapësirë në çdo sektor të ekonomisë. Ndoshta revolucioni dixhital, sado impresiv që ka qenë, nuk do të arrijë aq larg.
Nga ana e ofertës, pyetja kyçe është nëse sektori inovativ ka akses në kapital dhe aftësitë e nevojshme për t’u zhvilluar me shpejtësi dhe vazhdimisht. Në vendet e përparuara, asnjë nga pengesat nuk është shumë i lidhur. Por kur teknologjia kërkon aftësi të larta – ndryshimi teknologjik është i bazuar te aftësia sipas terminologjisë të ekonomistëve – adoptimi i tij dhe shpërndarja priten të zgjerojnë hendekun midis fitimeve të punonjësve me aftësi të ulëta dhe atyre me aftësi të larta. Zhvillimi ekonomik do të shoqërohet me rritje të pabarazisë, siç ishte në vitet 1990.
Problemi i anës së ofertës me të cilat përballen vendet në zhvillim ka edhe më shumë efekte negative. Forca e punës është kryesisht me aftësi të pakëta. Historikisht, kjo nuk ka qenë një pengesë për industrializuesit, për sa kohë prodhimi konsistonte në operacione të shumta të punëtorëve si veshjet dhe automobilët. Fshatarët mund të transformohen në punonjës brenda natës, duke implikuar përfitime të mëdha produktiviteti për ekonominë. Prodhimi ka qenë tradicionalisht një nxitës i shpejtë i niveleve më të larta të të ardhurave.
Por sapo operacionet e prodhimit të bëhen të robotizuara dhe të kërkojnë aftësi të larta, ana e ofertës ka ende mangësi. Vendet në zhvillim humbasin avantazhin e tyre relativ përballë vendeve të pasura. Ne shohim pasojat në “deindustrializimin e parakohshëm” në botën në zhvillim sot.
Në një botë të deindustrializimit të parakohshëm, arritja e zhvillimit të produktivitetit të shtrirë në të gjithë ekonominë bëhet edhe më e vështirë për vendet me të ardhura të ulta. Nuk është e qartë nëse ka zëvendësime efektive për industrializimin.
Ekonomisti Tyler Cowen ka sugjeruar që vendet në zhvillim mund të përfitojnë nga zhvillimi i ekonomive më të përparuara: ata mund të konsumojnë një grup produktesh të reja me çmime të lira. Ky është një model që Cowen e quan “celularë në vend të fabrikave automobile”. Por pyetja mbetet: Çfarë do të prodhojnë dhe eksportojnë këto vende – përveç produkteve bazë – për të qenë në gjendje të përballojnë celularët e importuar?
Në Amerikën Latine, produktiviteti i gjerë ekonomik ka mbetur në stanjacion pavarësisht inovacionit të rëndësishëm në firmat e menaxhuara më mirë dhe në sektorët pararojë. Paradoksi i dukshëm është zgjidhur duke vënë në dukje se zhvillimi i shpejtë i produktivitetit nga ana e inovacionit është zhbërë nga punëtorët që kalojnë nga pjesë më produktive në pjesë më pak produktive të ekonomisë – një fenomen që bashkëautorët e mi dhe unë e kemi quajtur “ndryshimi strukturor i pakësimit të zhvillimit”.
Ky rezultat jo i mirë bëhet i mundur kur ka një dualizëm të rëndë teknologjik në ekonomi dhe shtimi i aktiviteteve të prodhimit nuk zgjerohet aq shpejt sa duhet. Është shqetësuese, por ka prova se ndryshimi strukturor i pakësimit të zhvillimit është duke ndodhur së fundmi edhe në Shtetet e Bashkuara.
Së fundmi, janë pasojat e produktivitetit të përhapur në të gjithë ekonominë nga ana e inovacionit teknologjik, jo inovacioni në vetvete, ai që rrit standardet e jetesës. Inovacioni mund të bashkëjetojë krah për krah me produktivitetin e pakët (në mënyrë kontroverse, rritja e produktivitetit është ndonjëherë e mundur në mungesë të inovacionit, kur burimet zhvendosen në sektorë më produktivë). Tekno-pesimistët e dinë këtë; optimistët mund të mos e kenë gabim, por për të qenë sa më bindës, ata duhet të përqendrohen në mënyrën se si pasojat teknologjike ndikojnë te ekonomia si një e tërë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Innovation Is Not Enough