Akademikët dhe politikëbërësit mund të joshen nga ideja që të përgjigjen ndaj ngjarjeve të tilla si Brexit duke hedhur poshtë atë që duket sikur ëhstë një festë injorantësh dhe duke u vetëizoluar në kulla të fildishta. Por në fakt, ajo që duhet të bëjnë është që të mos bëjnë më lektorin, të jenë më modestë dhe të mos shikojnë vetëm në pasojat e përgjithshme të vendimeve në politika.
Në kohën kur qytetarët britanikë shkuan në qendrat e votimit më 23 qershor për të vendosur për anëtarësinë e vendit të tyre në Bashkimin Europian, nuk është se ka pasur mungesë këshillash në favor të qëndrimit anëtar. Udhëheqës të huaj dhe autoritete morale ngritën në mënyrë të plotë shqetësimet mbi pasojat e daljes dhe ekonomistët paralajmëruan në shumicë dërrmuese se dalja nga BE mund të mbartë kosto të mëdha ekonomike.
Megjithatë paralajmërimet u injoruan. Një sondazh i YouGov i para referendumit tregon se pse: Votuesit pro daljes nuk kishin besim fare te ata që jepnin këshilla. Ata nuk dëshironin që gjykimin e tyre të mbështetej në politikanët, akademikët, gazetarët, organizatat ndërkombëtare apo institucionet kërkimore. Siç e tha një nga udhëheqësit e fushatës për dlaje, sekretari i Drejtësisë Michael Gove, i cili tashmë po kërkon të pasojë David Cameron si kryeministër: “njerëzit në këtë vend janë ngopur me ekspertë.”
Është ide joshëse për ta hedhur poshtë këtë sjellje si një triumf i pasionit kundër logjikës. Megjithatë ky nuk është një fenomen thjeshtë në Mbretërinë e Bashkuar. Në Shtetet e Bashkuara, votuesit republikanë injoruan të diturit e tyre dhe nominuan Donald Trump si kandidati i tyre për president; në Francë, Marine Le Pen, udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë Fronti Nacional, ka shumë pak simpati mes ekspertëve, por ka mbështetje të fuqishme popullore. Gjithkund, një numër qytetarësh janë bërë armiqësorë ndaj atyre që cilësohen si “cognoscenti”, të diturit.
Po pse është krijuar ky zemërim kundër bartësve të dijes dhe ekspertizës? Shpjegimi i parë është që shumë votues nuk i japin rëndësi opinioneve të atyre që dështuan t’i paralajmëronin mbi rreziqet e krizës financiare të vitit 2008. Mbretëresha Elizabeth II foli për shumë prej tyre kur, gjatë një vizite në Shkollën e Ekonomiksit të Londrës në vjeshtën e vitit 2008, ajo pyeti se pse askush nuk e kishte parë çfarë stuhie po vinte. Për më tepër, dyshimi se ekonomistët janë të kapur nga industria financiare, e shprehur në filmin e vitit 2010 Punë e Brendshme, nuk është hequr me kalimin e viteve. Njerëzit e zakonshëm ndjehen të zemëruar mbi atë që e shohin si një tradhëti nga intelektualët.
Shumica e ekonomistëve, e aq më tepër specialistët në disiplina të tjera, i shikojnë akuza të tilla si të padrejta, për shkak se vetëm shumë pak prej tyre i qenë përkushtuar analizimit të zhvillimeve financiare; megjithatë besueshmëria e tyre është dëmtuar rëndë. Për shkak se askush nuk u vetëdeklarua fajtor për vuajtjet që pasuan krizën, faji u bë kolektiv.
Shpjegimi i dytë ka të bëjë me politikat që kanë mbështetur të diturit. Ekspertët akuzohen se janë të njëanshëm, jo domosdoshmërisht për shkak se janë kapur nga interesa të caktuara, por për shkak se, si profesion, ata mbështesin mobilitetin e punës përtej kufijve, hapjen tregtare dhe globalizimin në tërësi.
Ka pak substancë në këtë argument: megjithëse jo të gjithë ekonomistët, dhe dukshëm jo të gjithë profesionistët e shkencave shoqërore, advokojnë për integrimin ndërkombëtar. Gjithsesi, të gjithë janë më shumë të prirur drejt theksimit të përfitimeve nga integrimi ndërkombëtar se sa është qytetari mesatar.
Kjo na shpie te shpjegimi i tretë dhe më bindës: ndërsa ekspertët theksojnë përfitimet e përgjithshme të hapjes, ata kanë tendencën të injorojnë ose minimizojnë efektet e saj mbi profesione apo bashkësi të caktuara. Ata e shikojnë imigrimin – për të cilin Cameron tha se solli fitoren e fushatës për dalje nga BE – si një fenomen që sjell përfitime neto për ekonominë; por ata dështojnë të shikojnë se çfarë nënkupton kjo për punëtorët që përjetojnë presione për paga më të ulëta apo për bashkësitë që vuajnë nga mungesa e shtëpive të përballueshme, nga shkollat e mbingarkuara dhe nga sistemet e kujdesit shëndetësor në gjendje të keqe. Me fjalë të tjera, ata janë fajtorë për indiferencë.
Kjo lloj kritike është në përgjithësi e drejtë. Siç e tha Ravi Kanbur nga Universiteti Kornell shumë kohë më parë, ekonomistët (dhe politikëbërësit) kanë tendencën të shikojnë te problemet në mënyrë të agreguar, të shohin perspektivat afatmesme dhe të supozojnë se tregjet funksionojnë mjaftueshëm mirë për të përthithur pjesën më të madhe të goditjeve negative. Perspektiva e tyre është e kundërt me atë të njerëzve që shqetësohen më shumë për probleme të shpërndarjes dhe kanë këndvështrime të ndryshme (zakonisht afatshkurtra) apo janë të mërzitur nga sjellja monopoliste.
Nëse ekonomistët dhe ekspertë të tjerë dëshirojnë të rifitojnë besimin e qytetarëve, ata nuk duhet të jenë shurdhë ndaj këtyre shqetësimeve. Ata duhet fillimisht të jenë modestë dhe të shmangin dhënien e leksioneve. Ata duhet të mbështesin mendimet e tyre mbi politikat mbi provat e disponueshme më shumë se sa mbi teori. Dhe ata duhet të jenë të gatshëm të ndryshojnë mendje në rast se të dhënat empirike nuk i konfirmojnë bindjet e tyre. Kjo është pak a shumë ajo që aktualisht bëjnë kërkuesit; por kur flasin për publikun, ekspertët kanë tendencën të thjeshtëzojnë me tepri mendimet e tyre.
Për ekonomistët, përulja nënkupton gjithashtu nevojën për të dëgjuar nga njerëzit e disiplinave të tjera. Mbi imigrimin, ata duhet të dëgjojnë çfarë thonë sociologët, ekspertët e shkencave politike, apo psikologët që shpjegojnë problemet që krijon bashkëjetesa në bashkësitë multikulturore.
E dyta, ekspertët duhet të jenë më të detajuar në përqasjen e tyre. Ata nuk duhet t’i ekzaminojnë ndikimet e politikave vetëm në PBB-në e përgjithshme afatmesme, por edhe në mënyrën se si pasojat e këtyre politikave shpërndahen në kohë, në hapësirë dhe mes kategorive të ndryshme shoqërore. Një vendim politik mund të ketë një efekt pozitiv në terma agregate por mund të dëmtojë rëndë disa grupe të caktuara – gjë që ndodh zakonisht me masat e liberalizimit.
E treta, ekonomistët duhet të lëvizin përtej mendimit (në përgjithësi korrekt) se pasojat në shpërndarje mund të kompensohen përmes taksimit dhe transferimit, dhe duhet të punojnë për të gjetur ekzaktësisht se si duhet të bëhet diçka e tillë.
Po, nëse një vendim mbi politika sjell përfitime në nivel agregat, humbësit në parim mund të kompensohen. Por kjo është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet.
Në praktikë, është shpesh e vështirë të identifikosh humbësit dhe të gjesh instrumentin e duhur për t’i mbështetur ata. Dhe që të argumentosh se problemet mund të zgjidhen pa i ekzaminuar se si dhe në çfarë kushtesh është thjeshtë dembeli intelektuale. Që t’i thuash njerëzve që janë dëmtuar se problemi i tyre gjithsesi është i zgjidhshëm, nuk i jep atyre më pak arsye për t’u ankuar; ajo thjeshtë nxit pakënaqësitë ndaj teknokratëve.
Për shkak të rritja e mosbesimit publik ndaj të diturve ofron tokë pjellore për demagogët, kjo përbën edhe një kërcënim për demokracinë. Akademikët dhe politikëbërësit mund të joshen nga ideja që gjithçka që ndodhi mund të quhet një festë e injorancës dhe të tërhiqen në kullat e tyre të fildishta. Por kjo nuk do t’i përmirësojë gjërat. Dhe nuk ka nevojë që të dorëzohemi. Ajo që nevojitet është më shumë ndershmëri, më shumë përulje dhe më shumë analizë e detajuar si dhe receta më të rafinuara.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Why Are Voters Ignoring Experts?