Shumica e qyteteve europiane lindore i kanë riemërtuar rrugët e tyre që prej rënies së komunizmit, por në Beograd ky proces ka qenë tepër radikal.
Për 70 vjet me radhë, familja e Marko Cabriç ka jetuar në të njëjtën ndërtesë në të njëjtën rrugë në Beograd. Megjithatë, në atë kohë, ata kanë pasur katër adresa të ndryshme.
Kjo nuk është e pazakontë për shumë banorë të Beogradit. Pas rënies së komunizmit në vitet 1990, shumë vende në Europën Lindore filluan riemërtimin e rrugëve për të përforcuar identitetet e reja kombëtare të shteteve të tyre.
Por, ndërkohë që riemërtimi i rrugëve ishte i rëndësishëm në qytete si Berlini Lindor, Bukureshti dhe Sofja, procesi në shtetet e ish-Jugosllavisë, siç është Serbia, ishte edhe më i shtrirë dhe radikal. Ato shtete jo vetëm që po kalonin nga socializmi në demokraci, por edhe nga shtete te bashkuara dhe multi-etnike në gjashtë shtete-kombe të pavarura.
Në Beograd, kryeqyteti i Jugosllavisë Socialiste për 45 vjet me radhë, qeveria kishte për detyrë riemërtimin e rrugëve të tij për të pasqyruar një identitet të papritur ekskluzivisht serb. Kjo u vërtetua të ishte një sipërmarrje shumë e madhe dhe e diskutueshme.
“Në rrugët e Beogradit ka pasur shumë shtresa identiteti jugosllav që nuk ishin të pranishme në qytete të tjera të mëdha të Jugosllavisë,” tha Srdjan Radoviç, një studiues në Institutin Etnografik në Beograd i cili ka shkruar shumë libra mbi emërtimin e rrugëve.
“Beogradi nuk e citoi haptazi këtë, por politika themelore po hiqte qafe jo vetëm socializmin, por edhe jugosllavizmin nga emrat e rrugëve, për ta treguar vendin sa më serb që është e mundur.”
Sot, emërtimi i rrugëve dhe riemërtimi i tyre në Beograd paraqet ende një ndarje të madhe në shoqërinë serbe mbi mënyrën si kujtohet e kaluara.
Të fshish kujtimet
Në vitin 2004, Këshilli i Qytetit të Beogradit për emërtimin e rrugëve dhe shesheve kishte riemëruar pothuajse 200 rrugë, përfshirë edhe ato që ishin emërtuar sipas Josip Broz Titos, Karl Marksit dhe Ushtrisë së Kuqe, forca sovjetike e armatosur që ndihmoi në çlirimin e Beogradit nga nazistët në vitin 1944.
Në vitin 1990, nga 150 rrugë në qytetin e vjetër të Beogradit, deri në 25 kishin lidhje me socializmin ose Luftën e Dytë Botërore. Sot, vetëm katër ose pesë rrugë mbajnë emra të asaj periudhe kohore.
Rruga e Cabriçit, një rrugë plot me banesa tani e quajtur Krunksa, fjala në serbisht për “kurorë”, u riemërtua pesë herë midis vitit 1945 dhe 1997. Ajo është rruga që i është ndryshuar më shumë emri në Beograd.
Që prej vitit 1945, rruga është quajtur dy herë Krunska, ka nderuar një dukeshë të kaluar të Jugosllavisë një herë dhe u quajt Moskovska, sipas Moskës, kryeqyteti i Bashkimit të Republikave Sovjetike Socialiste. Në vitin 1951, disa vjet pasi Jugosllavia shkëputi lidhjet me Bashkimin Sovjetik, rruga u quajt Brigada Proleterskih për të nderuar njësitë speciale në Ushtrinë Çlirimtare të Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rruga ndryshimin e saj më të fundit e pësoi në vitin 1997, kur Cabriç ishte në të njëzetat e tij, kur ndryshoi nga Brigada Proleterskih përsëri në Krunska. Kjo ishte pjesë e një nisme në vitet 1990 nga qeveria e atëhershme serbe për t’i rivendosur rrugëve emrat që ato kishin para Luftës së Dytë Botërore.
Cabriç tha se banorëve iu desh pak kohë që të mësoheshin me emrin e ti. “Gjatë viteve të para ishte paksa konfuze,” kujton ai. “Fatura e energjisë nga kompania vinte për adresën Brigada Proleterskih, kurse ajo e ujit thoshte rruga Krunska.”
Tani, shumica e beogradasve janë mësuar me emrat e tij. Por disa përdorin ende emrat e rrugëve nga koha e Jugosllavisë, edhe 20 vjet pasi shumica e tyre janë riemërtuar. Cabriç tha ai shkoi në organet tatimore këtë pranverë për të paguar taksat për apartamentin e tij dhe rruga e adresës së tij në formular ishte ende e shënuar Brigada Proleterskih.
Parkuerja Ljiljana Karolija ka punuar gjithë jetën e saj në rrugën Lole Ribara, e emërtuar pas një heroi jugosllav komunist të luftës. Në vitin 1997 emri i rrugës ndryshoi në Svetogorska, në nder të shtetit manastirik ortodoks në Greqi, por tha se ajo vazhdon të përdorë emrat e kohës së komunizmit.
“Ende shumicën e rrugëve në Beograd vazhdoj t’i quaj sipas emrave të tyre të vjetër,” tha ajo. “Nuk më pëlqen ta shoh këtë lloj fshirje të historisë.”
Me shpërthimin post-socialist të nacionalizmit në Serbi, dhe në të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë, prireshin të festoheshin interpretime më nacionaliste të historisë, ndërsa kujtimet pozitive të socializmit dhe Jugosllavisë injoroheshin.
“Ka një tendencë për të treguar se Serbia midis Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore ishte epoka më e mirë në historinë serbe, ndërsa e kaluara jugosllave ishte disi e dëmshëm për Serbinë dhe serbët,” tha historiania dhe aktivistja Natasa Govedarica. “Dhe kjo nuk është aspak e vërtetë.”
Në Jugosllavinë socialiste, tha Govedarica, gratë gëzonin për herë të parë të drejta të barabarta, qytetarët mund të udhëtonin pothuajse kudo pa viza dhe përqindja arsimimit arriti kulmin e saj.
“Tani, ajo që ne bëjmë, në vend që të diskutojmë në mënyrë konstruktive trashëgiminë e së kaluarës dhe gabimet e shtetit jugosllav, i hedhim poshtë të gjitha,” tha Govedarica. “Nuk është mirë të kesh një qasje të tillë kaq të verbër dhe e manipuluese ndaj të kaluarës dhe historisë tënde.”
Cabriç është dakord me këtë. Në sytë e qeverisë aktuale, “para vitit 2000 nuk ekzistonte asgjë,” tha ai. “Ne jemi një vend krejtësisht i ri dhe po fillojmë nga e para. Por kjo s’është aspak produktive.”
“Nëse nuk e mban mend të kaluarën, nuk mund të mësosh nga ajo,” shtoi ai.
Për disa beogradas, emërtimi i rrugëve sipas emrave të tyre të vjetër është thjesht një zakon. Për të tjerët, vendimi është i paramenduar dhe personal.
“Keni shumë njerëz që, për arsye ideologjike apo politike, nuk duan ta pranojnë emrin e ri,” tha Branislav Radoviç, një student 25-vjeçar i drejtësisë që jeton në rrugën Krunska. “Kjo shkakton shumë emocione, sidomos për njerëzit që kanë qenë aktivë në atë luftë.”
Por për disa ndryshimi i emrit s’është ndonjë problem i madh.
“Nëse e ndryshon emrin nga Bulevardi Revolucije në Bulevardi Aleksandër, të gjithë do të vazhdojnë ta quajnë Bulevardi,” tha Ivani që punon në rrugën Svetogorska.
“Çdo qeveri ka idealet e saj dhe i ndryshon emrat në përputhje me ato ideale. Kush thotë që qeveria e ardhshme nuk do t’ia ndryshojë përsëri kësaj rruge emrin në Rruga Ribara, sepse ata janë (ideologjikisht) pranë atij regjimi? Ndryshimi i emrave të rrugë nuk ndryshon asgjë.”
Në vitin 2007, Këshilli i Qytetit të Beogradit vendosi ta riemërtojë një rrugë në Beogradin e Ri sipas emri të kryeministrit të parë të Serbisë të zgjedhur në mënyrë demokratike, Zoran Djindjiç, i cili u vra në vitin 2003.
Që në mes të viteve 2000, ritmi i riemërtimit të rrugëve është ngadalësuar. Komisioni për emërtimin e rrugëve dhe shesheve ende ekziston, por është më shumë e fokusuar në emërtimin e rrugëve të reja sesa në riemërtimin e të vjetrave.
Por procesi nuk ka përfunduar ende plotësisht. Këtë maj, menaxheri i qytetit, Goran Vesiç, tha se ai i kishte paraqitur një propozim Komisionit për të zëvendësuar rrugët Goce Delceva dhe Pohorska në Beogradin e Ri me emra rrugësh që nderojnë gjeneralët sovjetikë në Luftën e Dytë Botërore, Marshallin Fyodor Tolbukhin dhe Vladimir Zhdanov.
Të dy, të cilët udhëhoqën trupat e Ushtrisë së Kuqe gjatë çlirimit të Beogradit në vitin 1944, më parë kishin rrugë me emrat e tyre në qendër të qytetit. Ato u riemërtuan në respektivisht me emrat Mekenzijeva dhe Resavska.
Autoritetet e Beogradit më vonë emërtuan dy rrugë periferike pas heronjve sovjetikë të luftës, por vetëm pasi Serbia ri përforcoi lidhjet me Rusinë e Vladimir Putinit disa vite më parë. Vesiç tani dëshiron që ata të kenë rrugë më të rëndësishme, për të përkujtuar kontributin e tyre në çlirimin e Beogradit gjatë luftës.
Srdjan Radoviç thotë se riemërimi i rrugëve nuk është më i nevojshëm si një mjet për të rregulluar kujtimet kombëtare siç ishte dikur. Rrugët kryesore që kanë mbajtur emrat e figurave socialiste tashmë i janë rikthyer emrave të tyre të vjetër ose emrat e tyre janë ndryshuar, dhe të rinjtë nuk mësojnë më në shkollë për heronjtë jugosllavë.
“Figura apo terma nga e kaluara jugosllave nuk kanë më shumë rëndësi për njerëzit në ditët e sotme. Njerëzit, sidomos të rinjtë, nuk e dinë se kush janë këta heronj të vjetër,” tha ai.
“Në lagjen time, një rrugë mban emrin e një luftëtareje komuniste të rezistencës që luftoi në Beograd gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kur isha fëmijë, mësuam për të në shkollë. Në ditët e sotme, ajo nuk përmendet në asnjë libër, tekst shkollor, fjalime mediatike apo publike. Njerëzve s’u intereson.”
Në ditët e sotme, shtoi ai, qeveria nuk ka nevojë të riemërtojë rrugët për të ndryshuar mendimet e njerëzve. Ajo thjesht fshin persona apo terma që kanë lidhje me socializmin dhe Jugosllavisë nga sistemi arsimor dhe nga fjalimi publik.
“Është njësoj si të kesh një monument të ndryshkur dhe që s’është pastruar për shumë kohë në një vend vërtet të errët,” tha ai. “Praktikisht, nuk është më një monument.”