Njihuni me atletët ballkanas që do të valëvitin flamujt e vendeve të tyre në Lojërat Olimpike 2016 që nga Luiza Gega e Shqipërisë apo Majlinda Kelmendi e Kosovës deri te kampionia serbe e qitjes Ivana Maksimoviç-Andjusiç.
Secili vend i Ballkanit po dërgon skuadrën e vet në Lojërat Olimpike Verore në Brazil, që do të mbahen nga 5 deri më 21 gusht.
Eventi më shumëngjyrësh – përveç lojërave vetë – është Parada e Kombeve, që është pjesë e hapjes së Lojërave.
Nga portierët e vaterpolos te ekspertët e xhudos, qitësit sportivë, anëtarët e hendbollit për femra dhe notarët e rinj, të gjithë janë entuziastë për përzgjedhjen e mbajtjes së flamurit kombëtar.
Këmbëshpejta shqiptare
Luiza Gega është një atlete 28-vjeçare e specializuar në vrapin e distancës së mesme. Ajo është shqiptarja që mban rekordin në 800, 1500 dhe 3000 metra, si dhe në 3000-metërshin e vrapimit me pengesa.
Së fundmi, Luiza mori medaljen e argjendit në Kampionatin Europian të Atletikës në Amsterdam në korrik, duke vënë rekordin kombëtar prej 9:28.52 për 3000-metërshin me pengesa.
Ajo është gjithashtu e vetmja atlete shqiptare e kualifikuar për Rio – megjithëse pavarësisht suksesit të saj, autoritetet shqiptare kanë bërë një sy qorr ndaj nevojave të saj.
Gega është stërvitur në parkun e Tiranës në një fushë vrapimi të improvizuar për amatorët, teksa stadiumi kombëtar Qemal Stafa është duke u prishur për t’i hapur rrugën ndërtimit të një stadiumi të ri dhe një qendre tregtare.
Pavarësisht kushteve të rënda të stërvitjes, Gega duket optimiste rreth shanseve të saj në Rio.
“Kur mësova nga media se stadiumi do të prishej nuk e besova se kjo ndodhi përpara Lojërave Olimpike. Jam stërvitur prej vitesh atje dhe nuk e di se çfarë do të bëj tani. Këto janë Lojërat e mia të para Olimpike. Jam entuziaste, por duhet të punoj fort,” tha Gega për median.
Vrapuesi kryesor i Bosnjës
Amel Tuka, një vrapues 25-vjeçar i distancës së mesme, i cili ka lindur në qytetin qendror të Kakanj, ka bërë tashmë shumë për vendin e tij duke fituar medaljen e parë të Bosnjës në një kampionat të rëndësishëm të atletikës, ku doli në vendin e tretë në 800-metërshin për meshkuj në Kampionatin Botëror të Atletikës në 2015.
Tuka mban edhe dy rekorde kombëtare për Bosnjë dhe Hercegovinë për 400 dhe 800-metërshin.
Gjatë karrierës së tij, që filloi vetëm tetë vjet më parë, Tuka ka fituar shumë gara në vend dhe në shkallë ndërkombëtare dhe u shpall gjithashtu Atleti më i Mirë i Ballkanit në vitin 2015.
Ndër rezultatet e tij është një vrap në Monako në vitin 2015, ku ai u pozicionua si kryesori në botë në garën 800 metra për meshkuj.
Sytë e Tukës janë tashmë në Rio. “Lojërat Olimpike janë një histori e veçantë. Kualifikimi në finale do të jetë një rezultat i madh, por le të shohim se çfarë do të ndodhë. Natyrisht, qëllimi im është një medalje, e para [në Olimpiadë] që kur vendi ynë fitoi pavarësinë,” tha Tuka.
Ylli bullgar i sprinterit
“Në Olimpiadën time të parë 12 vite të shkuara, nuk isha shumë e interesuar,” tha Ivet Lalova, një atlete 33-vjeçare nga Sofja, e cila ka fituar dy medalje argjendi në Kampionatin Europian të Atletikës në Amsterdam në fillim të korrikut.
“Për mua, [mbajtja e flamurit] është diçka e mrekullueshme – një ëndërr e bërë realitet,” tha ajo.
Në tre Lojërat Olimpike të mëparshme, Ivet gjithmonë ka arritur në gjysmë-finale në një nga dy disiplinat e 100 dhe 200-metërshit.
Performanca e saj më e mirë ishte në debutimin Olimpik në Athinë në vitin 2004, kur doli e katërta në 100-metërsh dhe e pesta në 200-metërsh. Katër vite më vonë, ylli i sprintit arriti në gjysmë finale në sprintin e shkurtër, ndërsa në vitin 2012 në Londër, ajo hyri në gjysmë finale në të dyja disiplinat.
Ajo është gruaja e 12-të më e shpejtë në historinë e 100-metërshit dhe ka marrë disa medalje nga kampionatet europiane për të rinj dhe të rritur.
Ivet vjen nga një familje sportistësh. Babai i saj, Miroslav, ishte kampioni bullgar i 200-metërshit në vitin 1966.
Mjeshtri kroat i vaterpolos
“Në emër të të gjithë sportistëve, premtoj se do ta përfaqësojmë denjësisht Kroacinë në të gjitha seancat e trajnimit dhe ndeshjet… Jam i bindur se do të kthehemi nga Brazili me medalje”, tha Josip Paviç, një portier i skuadrës së vaterpolos, i cili aktualisht luan për Olympiacos Piraeus në Greqi.
34-vjeçari është i njohur edhe me Olimpiadën – pasi Rio është hera e tij e tretë. Ai konkurroi në vitin 2008 dhe në vitin 2012, duke fituar një medalje të artë në Londër.
Paviç filloi të luajë si portier i vaterpolos në vitin 1992 në klubin Jadran në Split, Kroaci, dhe ka luajtur në shumë klube përfshirë ato në Serbi dhe Mal të Zi.
Paviç është nderuar disa herë: në vitin 2012 ai u shpall Atleti i Vitit në Vaterpolo nga Federata Ndërkombëtare e Notit [FINA]. Tre vite më vonë ai u shpall Portieri më i Mirë në Botë në Finalen e Ligës Superiore 2015 në Bergamo të Italisë. Në atë kohë, megjithatë, ai luante për Klubin e Zagrebit Mladost – dhe paguhej prej 18 muajsh për shkak të vështirësive financiare të klubit.
Mjeshtrja e xhudos për Kosovën
Majlinda Kelmendi është një xhudiste 25-vjeçare e suksesshëm dhe më shumë gjasa një nga sportistet më të suksesshme në historinë e Kosovës. Rio 2016 janë Lojërat e para Olimpike të vendit ndaj Majlinda ka nderin e të qënit e para bartëse e flamurit.
Ajo filloi të merrej me xhudo në vitin 1999 në qytetin e saj të Pejës në Kosovën perëndimore.
Kelmendi ka një histori në botën e xhudos – ajo ishte kampione bote në xhudo në vitin 2013 dhe 2014, si dhe fituese për të tretën herë e Grand Slam në Paris 2014, 2015 dhe 2016. Ajo fitoi gjithashtu Çmimin e Madh në Budapest në fund të qershorit.
Ajo renditet e para në listën botërore të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos për xhudoka, në kategorinë nën 52 kilogramë. Por, pavarësisht nga të qënët një nga atletet më të mira të vendit, Majlinda shpesh është ankuar se shteti nuk arrin të mbështesë talentet në atletikë si ajo.
Përveç fitoreve të medaljeve, Majlinda pati edhe një fitore të rëndësishme diplomatike: pas fitores së vendit të parë në kampionatin Europian të Xhudos në Rusi në prill, ajo bindi Rusinë, një kundërshtare e fortë e pavarësisë së Kosovës, të luante himnin kombëtar të Kosovës – gjë që krijoi disa polemika.
Megjithatë, Rio nuk është hera e parë që 25-vjeçarja luan në Lojërat Olimpike. Ajo ka luajtur gjithashtu në Olimpiadën e Londrës 2012. Por, atëherë ajo përfaqësonte Shqipërinë, pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, IOC, nuk e kishte njohur ende Kosovën.
Majlinda është e bindur se do të fitojë një medalje në Rio. “Për mua, ky do të jetë suksesi më i fundit; pas fitores së Kampionatit Botëror dhe Europian në xhudo, më mungon vetëm kjo medalje”, tha ajo për BIRN në fillim të korrikut.
Princesha maqedonase e notit nga SHBA
Anastasia Bogdanovski është më e reja nga vendet e Ballkanit që do të mbartë flamurin. 23-vjeçarja ka lindur në Nju Xhersi, në SHBA, ku prindërit e saj migruan para se ajo të lindte.
Anastasia, e cila do të notojë në 200-metërshin e stilit të lirë për femra, e ka të vështirë të besojë se do të jetë konkurrente në Rio. “Kjo është disi e pabesueshme. Më duket se kam pritur prej kaq shumë kohësh,” tha ajo.
Ajo është anëtare e ekipit kombëtar të Maqedonisë dhe mban pesë rekorde kombëtare – në 50-100-200-metërshat e lirë dhe në 50 e 100-metërshat e notit me kurriz.
Viti 2016 shënon një moment të rëndësishëm për të, jo vetëm për shkak të Lojërave të saj të para Olimpike, por edhe për shkak se ka filluar Shkollën e Mjekësisë në Universitetin Rutgers.
Dashuria e parë e Bogdanovskit ishte kalërimi, ku mori pjesë në shkallë kombëtare, por e la pas disa lëndimeve.
Në vend të kësaj, ajo hyri në pishinë. Anastasia u rekrutua në ekipin kombëtar të Maqedonisë gjatë kolegjit. Në atë kohë, ajo notonte për ekipin NCAA Division III Johns Hopkins dhe konkurronte në skenën ndërkombëtare për Maqedoninë në të njëjtën kohë.
Para nisjes për në Rio, Anastasia ka pranuar se nuk priste të fitonte një medalje të artë, por tha se qëllimi i saj është të notojë në kohën më të mirë personale dhe të vendosë një rekord të ri për Maqedoninë.
Veterania malazeze e hendbollit
Kjo lojtare 37-vjeçare – e konsideruar si lojtarja më e mirë e hendbollit për dy dekadat e shkuara – është kthyer në fushë pas largimit të shkurtër dhe arsyeja është Rio.
Bojana Popoviç nuk ka luajtur hendboll konkurrues që pas daljes në pension në vitin 2012, menjëherë pasi fitoi një medalje argjendi në Lojërat Olimpike për Malin e Zi.
“Lojërat Olimpike janë të veçanta. Londër më bëri një përshtypje të madhe dhe në atë kohë kam thënë se vetëm Lojërat Olimpike mund të më motivojnë për të zbuluar diçka e madhe”, tha Popoviç.
Nëna 37-vjeçare e dy fëmijëve është gjithashtu një nga lojtarët më të vlerësuara – ajo ka fituar disa Liga Kampionësh, Kupën EHF të Femrave, si dhe kampionate në Danimarkë, Serbi dhe Mal të Zi.
Megjithatë, rezultatet e saj më të mira ishin një medalje bronzi në Kampionatin Botëror në vitin 2001, kur luante për Jugosllavinë dhe një argjendi në Lojërat Olimpike në Londër katër vjet më parë, në fanellën malazeze.
E lindur në qytetin jugor të Serbisë, Nish, Popoviç filloi të luajë hendboll në moshën 11-vjeçare. Ajo kaloi shumicën e karrierës së saj në Danimarkë, ku ishte Lojëtarja e Vitit katër herë, si dhe një nga golashënueset më të mira për Ligën Daneze dhe Ligën e Kampionëve.
Media në rajon – veçanërisht në Mal të Zi – njoftoi kthimin e saj me entuziazëm, duke shpresuar për të parë të luajë e saj të shkëlqyer edhe një herë. ekipi kombëtar i femrave Malazeze nuk e ka parë një medalje që nga Londra, dhe rikthim pretendimi Popoviq është një stimul i mirë dhe një shans i madh.
Media në rajon – veçanërisht në Mal të Zi – njoftoi kthimin e saj me entuziazëm, duke shpresuar një lojë të shkëlqyer nga ana e saj. Ekipi kombëtar i femrave na Mal të Zi nuk ka marrë një medalje që nga Londra, dhe rikthimi i Popoviç është një stimul i mirë dhe një shans i madh.
Mbretëresha rumune e gjimnastikës
“E kam unë flamurin!!! Kaq shumë emocione. Jepini!,” shkroi në llogarinë e saj zyrtare në Tëitter Catalina Ponor, një gjimnaste artistike 29-vjeçare nga Konstanca në bregun e Detit të Zi.
Por këto nuk janë lojërat e para olimpike të Catalinas. Ajo fitoi tre medalje të arta në Olimpiadën Verore 2004, një medalje argjendi dhe një bronzi në Olimpiadën Verore 2012.
Catalina është gjithashtu fituese e shumë medaljeve të Kampionatit Botëror dhe atij Europian.
Për Catën, siç e thërrasin rumunët, suksesi filloi kur ishte vetëm katër vjeç. Ajo më pas “u zbulua” në vitin 2002 nga trajnerët rumunë të ekipit kombëtar Mariana Bitang dhe Octavian Belu, të cilët shumë shpejt e ftuan të stërvitej për ekipin kombëtar.
Pjesa tjetër është histori. “Përshëndetje fshati Olimpik!!! “, shkroi ajo përsëri më 29 korrik në Tëitter, pas mbërritjes së saj në Rio.
Mbretëresha serbe e qitjes
Kur bëhet fjalë për Serbinë, nuk do të jetë Novak Djokoviç që do të mbajë flamurin, siç pritet. Lojtari më i mirë në botë në tenis, tha se nuk do ta mbajë flamurin, edhe nëse zgjidhet nga Komiteti Olimpik i Serbisë, pasi “është e drejtë që dikush tjetër ta bëjë.” Djokoviç e mbajti flamurin në vitin 2012.
“Dikushi tjetër” është qitësja sportive Ivana Maksimoviç-Andjusiç, 26-vjeçarja që mban medaljen e argjendit në goditjen me pushkë në 50-metra në Olimpiadën e Londrës.
Lindur në Beograd, Ivana filloi stërvitjen në vitin 2002 dhe e gjithë karriera e saj është shënuar nga sukseset brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa rezultati i saj më i mirë është medalja prej argjendi në Londër, ajo tani shpreson të kthehet nga Brazili me dy medalje.
Ivana nuk është e vetmja në familjen e saj që mbart medalje olimpike – babai i saj Goran Maksimoviç, edhe gjithashtu qitës sportiv dhe ka fituar një medalje të artë në 10-metërshin e pushkës me ajër në Olimpiadën e Verës 1988 në Seul. Ai është gjithashtu një anëtar i Federatës së Qitjes Sportive të Serbisë.
Pas shpalljes nga Komiteti Olimpik, Ivana tha se një tjetër ëndërr e saj ishte bërë realitet.
“Përveç [fitores së] medaljeve olimpike, kjo është një pikë e lartë [në karrierën e një atleti]. Kjo ka qenë gjithmonë dëshira ime, nuk e dija se do të realizohej kaq shpejt,” tha ajo.