“Mos e lër një krizë të shkojë dëm”! Ky ka qenë parimi udhëheqës i BE-së. Por sot, është BE-ja, e cila po përballet me pesë kriza paralelisht, dhe që mund të shkojë dëm, ku Brexit mund të jetë detonatori i shkatërrimit.
“Mos e lër një krizë të shkojë dëm”! Ky ka qenë parimi udhëheqës i BE-së. Por çfarë mund të bëjmë kur kemi pesë kriza paralelisht? Sot, BE-ja përballet me atë që Frans Timmermans, Zëvendëspresident i Komisionit Europian, e përshkruan si një “krizë të shumëfishtë”: Brexit, refugjatët, kursimet fiskale, kërcënimet gjeopolitike nga Lindja dhe Jugu dhe “demokracitë joliberale” në Europën qendrore. Në vend që këto kriza të lihen të shkojnë dëm, ato janë në gjendje ta çojnë dëm vetë BE-në.
Nëse kjo është e vërtetë, Brexit, (dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian), do të jetë detonatori që do të sjellë shkatërrimin. Duke legjitimuar konceptin e ndarjes së BE-së, rrjedhimisht duke e transformuar atë që sot është fantazi mes ekstremistëve politikë në një opsion realisht të politikës së rrymës kryesore në të gjtihë Europën, Brexit rrezikon të ndezë një proces të parezistueshëm disintegrimi. Ajo do të transformojë gjithashtu ekonomiksin, duke paralizuar Bankën Qendrore Europiane në krizën e ardhëshme të euros: ndërsa BQE mundet gjithmonë të mposhtë spekulimet e tregut, ajo është e pafuqishme përballë presioneve për ndarje nga votuesit.
BE-ja për rrjedhojë ka nevojë urgjente ta rikthejë xhindin e disintegrimit prapa në shishe. Kjo do të thotë që Britania duhet të bindet të ndryshojë mendim mbi Europën, gjë që, sipas diturisë konvencionale është e pamundur në të dyja anët e Kanalit Anglez. Por shumë gjëra “të pamundura” po ndodhin në politikën e kohës sonë.
Shumica në referendimin e 23 qershorit qe shumë më e ngushtë se sa ajo që rrëzoi referendumin për pavarësinë e Skocisë më 2014, apo votave negative ndaj traktateve të BE-së në Irlandë, Danimarkë dhe Hollandë, vota që më pas u përmbysën. Më e rëndësishmja, të 52 për qind e votuesve pro Brexit qenë thellësisht të ndarë në qëllimet e tyre, ku disa qenë të përgatitur të pranonin sakrificën ekonomike për një “Brexit të ashpër” (ndarje totale nga Europa), dhe të tjerët që shpresonin për një “Brexit të butë” e tillë që mund të minimizonte ndikimin në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas sondazheve pas referendumit, tri të katërtat e votuesve pro daljes presin ose që ekonomia e Britanisë të forcohet, ose që ajo të mos preket nga dalja ndërsa 80 për qind e tyre besojnë se qeveria do të ketë më shumë para për të investuar në shërbime publike si pasojë e votës së tyre. Votuesit e Brexit janë kaq optimistë për shkak se atyre iu tha (më së shumti nga Sekretari aktual i Jashtëm Boris Johnson) se Britania do të “marrë biskotën e vet dhe do ta hajë atë” – një marrëveshje të re që do të ruajë të gjitha përfitimet ekonomike të anëtarësisë në BE pa pasur paralelisht asnjë detyrim apo kosto.
Kur këto pritshmëri të zhgënjehen, opinioni publik do të ndryshojë. Sakaq, 66 për qind e votuesve thotë se ruajtja e aksesit në treg është më e rëndësishme se sa kufizimi i imigrimit, në rast se Britania nuk ia del t’i marrë të dyja. Kjo bie drejtpërsëdrejti në kontradiktë me prioritetet e deklaruara të kryeministres Theresa May – dhe ndoshta shpjegon se pse ajo refuzon të flasë mbi strategjinë e saj për Brexit.
Për shkak se pritshmëritë e publikur për një dalje të butë ekonomikisht pa pasoja do të jenë të pamundura që të pajtohen me kundërshtimet totale të detyrimeve të Britanisë ndaj BE-së, siç kërkohet nga fraksioni i “Brexit të ashpër” të Partisë Konservatore, May nuk mund të fitojë. Çfarëdolloj rruge të zgjedhë ajo, do të detyrohet të përballet me gjysmën e partisë së saj dhe me një pjesë të madhe të mbështetësve të Brexit, pa përmendur këtu të 48 për qind të votuesve që dëshirojnë të qëndrojnë në BE.
Sapo kjo përballje të nisë, shumë politikanë ambiciozë konservatorë të cilët May i mënjanoi nga qeveria do të jenë të gatshëm ta shfrytëzojnë këtë përplasje. Sakaq, George Osborne, i cili u pushua nga puna menjëherë si Kancelar i Thesarit kur May mori detyrën, e ka hedhur dorashkën e duelit, duke sfiduar mandatin e saj demokratik: Për Brexit votuan shumica. Për Brexit të ashpër nuk votuan shumica.” Edhe vetë dobësia e partive opozitare në Britani punojnë kundër May, duke i lejuar kundërshtarët të komplotojnë kundër saj, të sigurtë në dijeninë se ata nuk kanë rrezik të humbasin pushtetin.
E gjitha kjo nënkupton se politika britanike do të bëhet shumë fluide ndërkohë që kushtet ekonomike përkeqësohen dhe votuesit fillojnë të ndryshojnë mendim. BE-ja duhet të nxisë ndryshimin në opinionin publik, gjë që do të thotë se ajo duhet të ndalojë së trajtuari të Brexit si një ngjarje e pashmangshme dhe në vend të kësaj të ofrojë mundësinë e një kompromisi që do të përmbushë shqetësimet e votuesve britanikë, por vetëm me kushtin që Britania të mbetet në BE.
Rruga më e thjeshtë për të arritur këtë do të jetë të arrihet një marrëveshje mbarëeuropiane mbi kontroll më të madh kombëtar mbi imigrimin dhe çështje të tjera simbolike të lidhura ne sovranitetin kombëtar. Një marrëveshje e tillë nuk duhet të shihet si një k oncesion përballë shantazhit britanik por duhet të shihet si një zgjidhje që i ofrohet të gjitha vendeve të BE-së dhe të prezantohet si një përgjigje ndaj opinionit publik në të gjithë bashkimin.
Duke treguar këtë si virtyt të përgjigjes së saj para presionit demokratik, BE-ja mund të rifitojë një mbështetje mbarëEuropiane. Por për t’i dhënë një mesazh pozitiv votuesve, udhëheqësit e Europës do të duhet të rizbulojnë aftësinë për kompromis pragmatik dhe pazareve ndër-qeveritare që qenë dikur themeli i diplomacisë së BE-së.
Për fillestarët, çaktivizimi si i krizës Brexit ashtu edhe i krizës së refugjatëve do të kërkojë disa ndryshime modeste në rregullat e imigrimit dhe mirëqënies sociale. Reforma të tilla, të cilat do të jenë popullore në pothuajse të gjitha vendet anëtare, nuk është e nevojshme të bien në konflikt me parimet themelore të BE-së në rast se ato ruajnë të drejtën për të punuar në të gjithë Europën, por të mjaftohen duke rikthyer një pjesë të kontrollit ndaj migrimit jo-ekonomik dhe pagesave të mirëqenies shoqërore te qeveritë kombëtare.
E dyta, ndërveprimi i refugjatëve me krizën e euros kërkon rregulla të reja fiskale. Trajtimi i problemit të imigrimit është i kushtueshëm dhe në mënyrë ideale duhet të foinancohet nga bonde të BE-së të garantuara bashkarisht. Në mënyrë alternative, vendet e Mesdheut duhet të përfitojnë një lehtësi buxhetore, në shkëmbim për marrjen përsipër të përgjegjësisë së vijës së frontit për kontrollin e imigrimit.
E treta, nevoja për reformë të sistemit të imigrimit, kombinuar me “demokracinë joliberate” në Europën Qendrore, kërkon ndryshime në prioritetet e shpenzimeve të BE-së dhe në politikën e saj të jashtme. Polonia dhe vendet e tjera do të pranojnë kufizime të lëvizshmërisë së qytetarëve të tyre vetëm në rast se atyre i ofrohen fonde strukturore shtesë dhe bashkëpunim më i fuqishëm për çështje të sigurisë. Incentiva të tilla, në shkëmbim, mund të ofrojnë më shumë leva presioni për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut.
Në fund, restaurimi i legjitimitetit demokratik të BE-së do të thotë që t’i japësh fund tensioneve institucionale mes eurozonës dhe BE-së më të madhe. Autoritetet e BE-së duhet të pranojnë se shumë vende anëtare nuk do të anëtarësohen kurrë në Euro, gjë që do të thotë se ata duhet ta braktisin retorikën e tyre mbi “Europën me dy shpejtësi,” me të dyja drejtimet – qoftë me shpejtësi më të lartë apo më të ulët – drejt “bashkimit gjithnjë e më të madh” që nënkuptohet nga monedha e përbashkët. Në vend të kësaj, BE-ja duhet të riformatojë veten në dy rrethe koncentrike: një rreth i brendshëm bazë i angazhuar për integrim më të madh dhe një rredh i jashtëm më i gjerë, votuesit e të cilit nuk kanë interes në monedhën e përbashkët dhe në hapësirën fiskale të përbashkët.
Reforma të tilla mund të duken të pamundura, por disintegrimi i BE-së dukej gjithashtu i pamundur deri sa ndodhi vota për Brexit. Në peridha revolucionale, e pamundura mund të bëhet e pashmangshme brenda pak muajsh. Këtë javë, ish-president i Francës
Nicolas Sarkozy bëri thirrje papritur për një traktat të ri Europian dhe një referendum të dytë në Britani mbi anëtarësimin e këtij vendi në BE. Në Europë, një periudhë revolucionare ka filluar sakaq.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Saving Europe By Reversing Brexit