Ngritja e proteksionizmit dhe ndjenjave kundër imigrantëve në Britani, Amerikë dhe Europë besohet gjerësisht se reflekton të ardhurat në stanjacion, pabarazinë në zgjerim, papunësinë strukturore dhe ndoshta edhe lehtësimin sasior të tepruar. Por ka shumë arsye për të vënë në pikëpyetje lidhjen mes politikës populiste dhe shqetësimeve ekonomike.
Nëse Donald Trupm humbet zgjedhjet në SHBA, a do të fillojë të dobësohet dallga e populizmit që ka kërcënuar të shkatërrojë botën pas votimit për Brexit në qershor? Apo a ka rrezik që revolta kundër globalizimit dhe imigrimit thjeshtë të marrë një formë tjetër?
Ngritja e proteksionizmit dhe ndjenjave kundër imigrantëve në Britani, Amerikë dhe Europë besohet gjerësisht se reflekton të ardhurat në stanjacion, pabarazinë në zgjerim, papunësinë strukturore dhe ndoshta edhe lehtësimin sasior të tepruar. Por ka shumë arsye për të vënë në pikëpyetje lidhjen mes politikës populiste dhe shqetësimeve ekonomike.
Për fillestarët, shumica e votuesve populistë nuk janë as të varfër dhe as të papunë; ata nuk janë viktima të globalizimit, imigrimit dhe tregtisë së lirë. Grupi kryesor demografik pas rebelimit anti-estabilishment kanë qenë njerëzit jashtë forcës së punës: pensionistë, shtëpiakë në moshë të mesme dhe burra me arsimim të ulët që marrin pagesa paaftësie për punë.
Në Britani, ku analizat e detajuara të votave të hedhura në referendumin Brexit tashmë janë të disponueshme në publik, grupi më drejtpërsëdrejti i prekur nga konkurrenca me paga të ulëta nga imigrantët dhe importet kineze – të rinjtë nën 35 vjeç – votuan kundër Brexit në shkallë të gjerë, 65% me 35%. Ndërkohë, 60 për qind e pensionistëve mbështetën kampin e daljes nga BE, dhe po kështu, 59 për qind e votuesve me aftësi të kufizuara. Në kontrast me këtë, punonjësit me punë me kohë të plotë votuan në masën 53 për qind për qëndrim në BE dhe po kështu, 51 për qind e punonjësve me kontrata me kohë të pjesshme votuan për BE-në.
Të dhënat nga Britania e Madhe sugjerojnë se prirjet kulturore dhe etnike dhe jo motivet ekonomike janë cytësit e vërtetë të votuesve anti-globalizim. Të pyetur nëse “liberalizmi shoqëror: është një “forcë pozitive” apo “forcë negative,” 87 për qind e votave pro BE-së thanë se qe forcë pozitive ndërsa 53 për qind e votuesve Brexit e cilësuan liberalizmin “një forcë të së keqes”. Në lidhje me “multikulturalizmin,” dallimi qe edhe më i thellë, votuesit kundër BE në masën 65 për qind qenë kundër ndërsa votuesit pro BE qenë në masën 86 për qind pro multikulturalizmit. Një analizë tjetër e publikuar nga BBC pas referendumit gjeti se një nga përcaktuesit më të rëndësishëm të votës për dalje nga BE qe mbështetja për dënimin me vdekje.
Në Amerikë, sondazhet sugjerojnë se gjinia është një tregues edhe më i rëndësishëm për mbështetjen për Trump nga sa është mosha apo niveli arsimor. Më herët këtë muaj, kur Trump qe vetëm disa pikë pas Clinton në mbështetjen e përgjithshme, anketimi Washington Post/ABC krahasoi qëllimet e votuesve me zgjedhjet e vitit 2012. Ajo zbuloi se jo vetëm që burrat e bardhë mbështesnin Trump me mbi 40 pikë përqindjeje më shumë, por edhe se mbështetja e tyre për Trump qe 13 pikë më e lartë nga sa pati qenë për Mitt Romney, kandidati republikan për president më 2012.
Gratë e bardha, në kontrast, mbështetën me një shumicë modeste Clinton fillimisht por pastaj kaluan me mbi 15 pikë përqindjeje diferencë kundër republikanëve. Mes votuesve pa arsim universitar, dallimi gjinor qe edhe më i madh: burrat e bardhë më pak të arsimuar mbështetën Trump në masën 60 për qind dhe janë zhvendosur në mbështetje të republikanëve me 28 pikë përqindjeje diferencë ndërsa gratë janë zhvendosur me 10 pikë diferencë në drejtim të kundërt dhe vetëm në mënyrë të kufizuar mbështetën Trump.
Për rrjedhojë, duket se konfliktet që në përgjithësi i janë veshur pakënaqësive ekonomike dhe globalizimit në fakt janë beteja të një lufte kulturore që ka ndarë shoqëritë Perëndimore që nga fundi i viteve 1960. Rëndësia e vetme e ekonomiksit është që pas krizës financiare të vitit 2008 janë krijuar kushtet për një reagim politik nga votuesit më të moshuar dhe më shumë konservatorë, të cilët kanë qenë duke humbur betejat kulturore në lidhje me racën, gjininë dhe identitetin shoqëror në të shkuarën.
Dominimi i ideologjisë së tregut të lirë para krizës ka lejuar shumë ndryshime të debatueshme shoqërore, duke filluar nga pabarazia në të ardhura dhe konkurrencë intensive me paga, te barazia më e lartë gjinore, gjëra që kanë ecur pothuajse të pasfiduara. Social liberalizmi “progresiv” dhe ekonomiksi “konservator” i tregut të lirë duket se kanë qenë të dyja anët e së njëjtës medalje. Por kur liberalizmi i tregut të lirë dështoi në krizën e vitit 2008, sfidat politike ndaj liberalizmit shoqëror nuk mund të shmangeshin më tutje duke u mbështetur te ligjet ekonomike jashtë ndikimit të njeriut.
Por nëse ndryshimi shoqëror nuk mund të legjitimizohet më tutje si një kusht i nevojshëm për progresin ekonomik, duket pa gjasa që demokracitë tashmë do të votojnë për të rikthyer kushtet shoqërore që dominonin para shfaqjes së liberalizmit ekonomik dhe globalizimit. Barazia racore dhe gjinore tashmë mbështeten nga shumica e popullsive në SHBA, Britani dhe në shumicën e vendeve Europiane dhe madje edhe politika populiste të tilla si proteksionizmi tregtar dhe kontrolli mbi imigrimin rrallë herë mbështeten nga më shumë se 30 apo 40 për qind e votuesve nëpër anketime. Po pse pra, Brexit fitoi dhe pse është ende e mundshme që Donald Trump të bëhet presidenti i ardhshëm i SHBA-së?
Si Brexit ashtu edhe Trump u ushqyen nga një aleancë e paqëndrueshme mes dy lëvizjeve shumë të ndryshme, e madje, kontradiktore. Baza e mbështetësve të tyre qe me të vërtetë konservatore nga pikëpamja shoqërore dhe proteksionistë që dëshironin të përmbysnin ndryshimet shoqërore që filluan vonë në vitet 1960.
Dy nga slloganet më efikasë të Brexit dhe Trump kanë qenë “rimerr kontrollin” dhe “unë dua të rimarr vendin tim.”
Por konservatorët shoqërorë të frymëzuar nga ndjenja të tilla ataviste dhe autoritariste nuk përbëjnë shumicën në asnjë nga vendet e Perëndimit. Në vetvete, konservatorizmi shoqëror nuk mund të mobilizojë kurrë më shumë se 30-40 për qind të votave. Që të arrijë shumicë elektorale, proteksionizmi konservator duhet të bashkohej me atë që ka mbetur nga lëvizja laissez faire e Thatcher-Reagan, të cilët kanë urrejtje për ndërhyrjet në menaxhmentin ekonomik të ndodhura në periudhën pas vitit 2008 dhe dëshirojnë të intensifikojnë konkurrencën, derregullimin dhe globalizimin, gjëra që konseratorët shoqërorë nuk i duan.
Kjo përbërje e paqëndrueshme politike tashmë po shpërbëhet në SHBA dhe gjithashtu në Britani, ky qeveria e kryeministres Theresa May është e ndarë mes nacionalistëve ideologjikë dhe liberalëve ekonomikë. Nëse zgjedhjet e 8 nëntorit në SHBA konfirmojnë dështimin e Trump për të bashkuar konservatorët shoqërorë me liberalët ekonomikë në një koalicion fitues, disintegrim i ngjashëm mund të pritet të ndodhë edhe mes populistëve Europianë.
Në këtë rast, vota Brexit do të fillojë të duket si një lloj lajthitjeje – jo fillimi i një tendence të re të fuqishme drejt nacionalizmit, proteksionizmit dhe de-globalizimit, por fundi i një lufte kundër modernitetit nga një aleancë e paqëndrueshme autoritaristësh shoqërorë dhe liberalësh të tregut të lirë. Kjo do të jetë rënkama e fundit e një gjenerate në plakje që u përpoq të impononjë provincializmin nostalgjik të vetin mbi një gjeneratë gjithnjë e më shumë kozmopolitane të rinjsh, por që ia doli vetëm në një vend të pafat.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Pensioners and Populism