Ndërsa Trump lëviz nga populizmi te politika, liberalët nuk duhet të largohen të neveritur dhe të dëshpëruar, por duhet të ndërveprojnë me Trump dhe me anën pozitive të potencialit të tij. Propozimet e tij duhet të analizohen dhe përmirësohen dhe jo të hidhen poshtë si përçartje prej injoranti.
Estabilishmenti republikan po punon fort për të prezantuar Presidentin e Zgjedhur Donald Trump si garantues të vijimësisë. Natyrisht, ai nuk është aspak i tillë. Ai bëri fushatë kundër estabilishmentit dhe, siç tha në një miting paraelektoral, një fitore për të do të jetë një “Brexit plus, plus, plus.” Me dy tërmete politike brenda pak muajsh dhe shumë të tjera që mund të pasojnë, ne mund të biem dakord me verdiktin e ambasadorit të Francës në Shtetet e Bashkuara: bota siç ne e njohim atë është “duke u shkërmoqur para syve tanë.”
Hera e fundit që një gjë e ngjashme ndodhi qe epoka mes dy luftërave botërore, 1914 deri më 1945. Ndjesia e botës që po “shkërmoqej” u artikulua nga poema e William Butler Yeats e vitit 1919 “Ardhja e Dytë”: ” “Gjërat po shkatërrohen; qendra nuk mban më;/ Thjeshtë anarkia po shtrihet nëpër botë.” Ndërsa institucionet tradicionale të sundimit qenë diskretituar në tërësi nga lufta, vakumi i legjitimitetit po mbushej nga demagogë të shumëfuqishëm dhe diktatura populiste: “Të mirët nuk kanë besim ndërsa të këqinjtë/ Janë përplot intensitet pasionant.” Oswald Spengler pati të njëjtën ide në librin e tij Rënia e Perëndimit, e publikuar më 1918.
Prognoza politike e Yeats kishte marrë formë nga eshatologjia e tij fetare. Ai besonte se bota duhej të ecte përmes “maktheve” në mënyrë që “Betlehemi të lindte.” Në kohën e tij, ai kishte të drejtë. Makthi që ai kishte frikë eci përmes Depresionit të Madh të viteve 1929-1932 dhe kulmoi me Luftën e Dytë Botërore. Këto qenë parangjarje të “ardhjes së dytë,” jo të Krishtit, por të një liberalizmi të ndërtuar mbi themele më të qëndrueshme shoqërore.
Por a ishin makthet e depresionit dhe luftës të domosdoshme si prelude? A është tmerri çmimi që ne duhet të paguajmë për progresin? E keqja ka qenë me të vëtetë shpesh agjent i të mirës (pa Hitlerin nuk do të kishim Kombe të Bashkuara, nuk do të kishim Pax Americana, nuk do të kishim Bashkim Europian dhe racizmi nuk do të konsiderohej tabu, nuk do të kishim dekolonizim, as ekonomiks Kejnesist e shumë gjëra të tjera). Por kjo nuk do të thotë se e keqja është e domosdoshme për të mirën, e aq më pak se nuk duhet të urojmë të keqen si mjet për një qëllim.
Ne nuk duhet të përqafojmë politikën e rrëmujës për shkak se ne nuk mund të jemi të sigurtë se një politikë e tillë do të na prodhojë një Roosevelt dhe jo një Hitler. Çdo njeri i mirë dhe racional shpreson për një rrugë të mesme për të arritur progresin.
Por a mundet që një metodë e mesme – qoftë ajo demokracia parlamentare apo konsitucionaliste – të shkatërrohet herë pas here? Shpjegimi i zakonshëm është se një sistem dështon për shkak se elitat humbasin kontaktin me masat. Por ndërsa dikush mund të presë që një distancë e tillë të krijohet në diktatura, pse kjo shkëputje e elitave nga masa ndodh edhe në vetë demokracitë?
Një shpjegim, i cili u dha për herë të parë nga Aristoteli, është transformimi i demokracisë në plutokraci. Sa më e pabarabartë të jetë shoqëria, aq më shumë stili i jetesës dhe vlerat e të pasurve ndryshojnë nga ato të njerëzve të “zakonshëm”. Të pasurit shkojnë në mënyrë simbolike të jetojnë në bashkësi të rrethuara me mure në të cilat vetëm një lloj bisede publike konsiderohet e përshtatshme, e respektueshme dhe e pranueshme. Kjo në vetvete përbën një hendek të konsiderueshëm në vetvete. Për mbështetësit e Trump, gafat e tij nuk qenë fare gafa, ose nëse qenë, mbështetësit e tij nuk u shqetësuan.
Por është ekonomiksi dhe jo kultura ajo që godet në zemrën e legjitimitetit. Kjo ndodh kur të mirat e progresit ekonomik përfitohen nga ata që sakaq janë të pasur dhe se hendeku mes kësaj minorance dhe vlerave kulturore të maxhorancës marrin fuqi serioze destabilizuese. Dhe kjo, mendoj unë, është ajo që po ndodh në botën demokratike.
Ardhja e dytë e liberalizmit e përfaqësuar nga Roosevelt, Keynes, dhe themeluesit e Bahskimit Europian është shkatërruar nga ekonomiksi i globalizimit: Ndjekja e një ideali ekujlibri përmes lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit dhe punës, e kombinuar me një shkallë tolerante të madhe ndaj kriminalitetit financiar, shpërblimeve luksoze të jashtëzakonshme për disa, nivelet e larta të papunësisë dhe nënpunësimit dhe kufizimit të rolit të shtetit në garantimin e ndihmës ekonomike. Pabarazia ekonomike e krijuar nga këto faktorë e shkep vellon demokratike që fsheh shumicën e qytetarëve nga funksionimi i vërtetë i pushtetit.
“Intensiteti pasionant” i populistëve përmbledh një mesazh të thjeshtë, të kuptueshëm dhe bindës: elitat janë egoiste, të korruptuara dhe shpesh kriminale. Pushteti duket t’i rikthehet popullit. Natyrisht që nuk është koincidencë që të dy tronditjet politike të këtij viti – Brexit dhe zgjedhja e Trump – ndodhën në dy vendet që kanë përqafuar më fort ekonomiksin neoliberal.
Mendimet e Trump mbi gjeopolitikën dhe ekonominë duhet të gjykohen në kuadër të këtij hendeku mes të pasurve dhe të varfërve dhe jo nga standardi i idealit moral apo ekonomik. Me fjalë të tjera, Trumpizmi mund të jetë një zgjidhje për krizën e liberalizmit, nëse nuk do të jetë një ogur i disintegrimit të liberalizmit.
E shikuar në këtë mënyrë, rruga izolacioniste e Trump është një mënyrë populiste për të dhënë se SHBA ka nevojë të tërhiqet nga angazhimet, për të cilat nuk ka fuqinë ose dëshirën për t’i mbajtur. Premtimi për të punuar me Rusinë për t’i dhënë fund konfliktit të tmerrshëm në Siri është i logjikshëm, edhe pse kjo nënkupton fitoren për regjimin e Bashar al-Asad. Tërheqja në mënyrë paqësore nga përgjegjësitë botërore do të jetë sfida më e madhe e Trump.
Proteksionizmi i Trump i ka rrënjët në një traditë më të vjetër amerikane. Ekonomia amerikane e pagave të larta dhe punëve të pasura në manifakturë është rrënuar bashkë me globalizimin. Por cila mund të jetë forma e mundshme e proteksionizmit? Sfida do të jetë që të arrihen kontrolle më të rrepta pa e rrënuar ekonominë botërore ose pa ndezur rivalitete kombëtare dhe ndjenja raciste.
Trump ka premtuar gjithashtu një program prej 800 miliardësh deri në 1 trilionë dollarësh për investime në infrastrukturë, të cilat duhet të financohen nga bondet si dhe ka premtuar ulje masive të taksave mbi korporatat, të cilat supozohen se do të krijojnë 25 milionë vende të reja pune duke fuqizuar rritjen ekonomike. Kjo, sëbashku me premtimin për të mbajtur përfitimet e shtetit social, përbën një formë moderne të politikës fiskale Kejnesianiste, (megjithëse nuk është prezantuar si e tillë). Një politikë e tillë përbën një sfidë të drejtpërdrejtë për obsesionin neoliberal me deficitet dhe reduktimet e borxheve dhe në mbështetjen te lehtësimi sasior si mjeti i vetëm – dhe tashmë i përdorur aq sa mund të përdoret – për menaxhimin e kërkesës.
Ndërsa Trump lëviz nga populizmi te politika, liberalët nuk duhet të largohen të neveritur dhe të dëshpëruar, por duhet të ndërveprojnë me Trump dhe me anën pozitive të potencialit të tij. Propozimet e tij duhet të analizohen dhe përmirësohen dhe jo të hidhen poshtë si përçartje prej injoranti. Detyra e liberalëve është që të sigurohen se “ardhja e tretë” e liberalizmit të mbërrijë me kostot më të pakta për vlerat liberale. Dhe natyrisht që do të ketë kosto. Ky është kuptimi i Brexit, i fitores së Trump dhe i shumë fitoreve populiste që pritet të vijnë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Slouching Toward Trump