Monedha e përbashkët Europiane kushtoi 1.7 për qind më pak mesatarisht gjatë vitit të kaluar në krahasim me vitin 2015, ndërsa dollari amerikan u shtrenjtua duke reflektuar ndryshimet në tregun ndërkombëtar.
Leku shqiptar e mbylli vitin 2016 me një forcim të lehtë kundrejt euros si dhe kundrejt “shportës” së dy monedhave kryesore, si pasojë e mungesës së shpenzimeve publike dhe pranisë së pazakontë të euros në treg. Dyshohet se të ardhurat nga trafiku i paligjshëm i marijuanës se ka qenë një faktor i rëndësishëm në forcimin e lekut.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, euro kushtoi mesatarisht 135.3 lekë gjatë muajit dhjetor 2016, me rënie 1.7 për qind nga kuota 137.7 lekë në të cilën euro u shkëmbye në dhjetor 2015.
Në ditët e fundit të vitit 2016, euro kushtoi vetëm 134.4 lekë sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kuota më e ulët e regjistruar në gjashtë vitet e fundit. Gjatë ditëve të para të janarit leku humbi sërish terren dhe aktualisht euro kushton rreth 135.5 lekë.
Ndërsa euro kushtoi më lirë gjatë vitit të kaluar, dollari kushtoi rreth 1.3 për qind më shtrenjtë. Në Shqipëri nuk ka shkëmbim të konsiderueshëm të dollarit me lekun në treg të lirë dhe për rrjedhojë, forcimi ose dobësimi i dollarit përcaktohen në masë të gjerë nga ndryshimet në kursin USD/EUR në tregun ndërkombëtar. Aktualisht euro kushton 1.04 dollarë, kuota më e ulët e regjistruar në shumë vite. Kjo bëri që dollari të kushtojë gati 130 lekë gjatë ditëve të fundit, kuota më e lartë e regjistruar që prej prillit 2015.
Viti 2016 qe i pari në gjashtë vjet në të cilin leku shqiptar njohu një forcim të dukshëm kundrejt euros si dhe kundrejt “shportës së monedhave tregtare”. Banka e Shqipërisë përdor një “shportë” për të matur ecurinë e lekut kundrejt dy monedhave kryesore të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, euros dhe dollarit. Shporta e njohur si NEER (Norma efektive e kursit të këmbimit sipas akronimeve në anglisht) përbëhet në masën 80 për qind nga euro dhe 20 për qind nga dollari. Përballë kësaj shporte, leku është forcuar me 1.1 për qind gjatë vitit të kaluar.
Shpenzimet e mangëta buxhetore
Shkaku kryesor i forcimit të lekut vlerësohet se qëndron në mbajtjen nga ana e qeverisë të një suficiti buxhetor të pazakontë dhe ekonomikisht të dëmshëm gjatë të gjithë vitit të kaluar. Qeveria ka demonstruar veten të paaftë për të kryer shpenzimet buxhetore të programuara, duke mos përfunduar investimet publike për të cilat vendi ka nevojë dhe për të cilat qeveria i ka paratë.
Mungesa e shpenzimeve të qeverisë duket se solli edhe mungesën e lekut në treg për pjesën më të madhe të vitit. Vetëm në fund të dhjetorit, përmes një akti normativ, qeveria e ndryshoi buxhetin duke shpërndarë disa dhjetëramilionë euro në formën e “shpërblimit” për fundin e vitit për pensionistët e vendit, para që i nxorri nga fondet e investimeve të munguara.
Paralelisht me shpenzimet e shtrënguara të qeverisë, shumë ekspertë dyshojnë se volumi i stërmadh i marijuanës së kultivuar në të gjithë territorin e vendit gjatë vitit të kaluar është konvertuar në një mënyrë a një tjetër në prani të konsiderueshme të euros në treg, gjë që solli edhe një pjesë të forcimit të lekut.
Faktori tjetër i forcimit besohet se është prodhimi relativisht i lartë i energjisë elektrike në kaskadën e Drinit, gjë që solli një volum më të paktë importesh të energjisë elektrike.
Gjithsesi në muajt e ardhshëm, rritja e pritshme e shpenzimeve publike si pasojë e afrimit të zgjedhjeve të vitit 2017 sugjeron se leku do të jetë nën presion për t’u nënçmuar.