Teksa qeveria hungareze ka shtrënguar rripin për Universitetin e Europës Qendrore, studentë aktualë ose të diplomuar prej CEU nga vende të ndryshme të Ballkanit i janë bashkuar fushatës ndërkombëtare.
Rastislav Diniç, një asistent në Fakultetin e Filozofisë në qytetin serb të Nishit, i cili ka studiuar shkenca politike dhe filozofi në Universitetin e Europës Qendrore, CEU, nga viti 2006 deri në 2010, është bashkuar me fushatën ndërkombëtare për të shpëtuar universitetin e kërcënuar në Budapest.
“Vështirë të mos e kuptosh rëndësinë e kësaj përvoje për edukimin tim dhe pjekurinë intelektuale. Jo vetëm që pata mundësinë të jem i pranishëm në leksione nga ekspertë kryesorë, por edhe të takoj kolegë të kombësive dhe interesave të ndryshme, me të cilët kam ende kontakt,” tha ai për BIRN.
Lëvizja për të shpëtuar universitetin filloi pasi parlamenti i Hungarisë, i kontrolluar nga partia nacionaliste Fidesz e Viktor Orban, miratoi një ligj që ashpërson kontrollet ndaj regjistrimit të universiteteve.
Edhe pse ligji prek universitete të ndryshme, është e gjithëpranuar se objektivi kryesor i Orban është CEU, që e ka themeluar dhe financuar miliarderi i lindur në Hungari, Xhorxh Soros.
Armiqësia e Orban ndaj Soros, i parë si propagandues i vlerave liberale, anti-nacionaliste, është e mirënjohur.
Në të shkuarën, CEU ka funksionuar si një institucion pjesërisht amerikan, për të shmangur kontrollin e shtetit hungarez.
Ligji i ri e detyron CEU të ngrejë një kampus amerikan nëse do të mbajë statusin si pjesërisht amerikan. Në rast të kundërt, qeveria do t’ia ndalojë universitetit regjistrimin e studentëve nga 2018.
Orban i tha radios kombëtare më 31 mars se “Universiteti Soros” ka pasur “avantazhe të padrejta” dhe e akuzoi atë se ka vepruar jashtë sistemit. “Në Hungari, askush nuk mund të jetë mbi ligjin, edhe nëse je miliarder”, shtoi ai duke iu drejtuar Sorosit.
Pavarësisht ankesave dhe protestave, presidenti hungarez Janos Ander e ratifikoi ligjin e ri më 10 prill.
Diniç tha se kjo jo vetëm që ishte një sulm ndaj një prej institucioneve më të rëndësishme arsimore, por edhe një goditje për Hungarinë.
“Asnjë person që e ka përzemër kulturën hungareze nuk do të përjashtonte një institucion që jo vetëm e hap këtë kulturë te bota, por gjithashtu lejon takime dhe afrim të personave të arsimuar nga e gjithë bota me të [kulturën hungareze],” tha ai.
“Regjimi në Budapest ka treguar se nuk i intereson mirëqenia apo kultura e Hungarisë, por kujdeset vetëm për konsolidimin e pushtetit të vet, gjë që po çon në shtypjen e lirisë së fjalës dhe mendimit kritik,” shtoi ai.
Në protestë kundër vendimit të shtetit nuk dolën vetëm studentët ndërkombëtarë të CEU, por edhe mijëra hungarezë.
Tamara Kolariç 33-vjeçe nga Zagrebi, e cila banon në Budapest iu bashkua gjithashtu protestës.
Ajo u regjistrua për një master në shkencat politike në CEU në 2008 dhe u zhvendos në Budapest në 2011, kur u përfshi në programin PhD të universitetit.
“Askush nuk duhet të çuditet që CEU, një hapësirë e mendimit të lirë dhe debatit të bazuar te argumenti, të bëhej me kalimin e kohës shënjestër e një lidershipi që krenohet me dyfytyrësinë dhe shpërfytyrimin e debateve të rëndësishme për të përhapur panik dhe duke cituar një koncept të vjetër sovraniteti,” tha ajo për BIRN.
CEU, sipas saj, “nuk është një” konspiracion liberal”. Është produkt i dijes – dhe duke e larguar atë, largon të ardhmen e rinisë,” tha Kolariç.
“Jam rritur akademikisht këtu; mësova si të zgjeroj horizontet e mia akademike,” shpjegoi ajo.
Ajo beson se CEU ka lënë një gjurmë të rëndësishme në Kroaci dhe në pjesën tjetër të rajonit, ngaqë shumë intelektualë të njohur të rajonit janë të diplomuar aty.
Universiteti ka luajtur një rol në shoqëritë post-komuniste pasi ka ofruar një vend për studime të çështjeve të ndjeshme ose të lëna pas dore si nacionalizmi apo politikat gjinore, thotë ajo.
Kjo i ka bërë njerëzit të fillojnë ngadalë të rimendojnë ” se çfarë ka ndodhur në shoqëritë tona në vitet 1990 dhe si mund të ecim përpara, ndërsa njihen çështje më të thella strukturore, të cilat më parë janë shpërfillur”, tha ajo për BIRN.
Një tjetër ish-studente e CEU nga Zagrebi, Jana Kujundziç, 27 vjeçe, sot punon si koordinatore projekti pranë Telefoni Blu, një OJQ me bazë në Zagreb që ndihmon viktimat e dhunës.
Në vitin akademik 2013/14, ajo studioi për gjininë në CEU, duke mbrojtur me sukses një tezë masteri për dhunën seksuale të luftës në Kroaci.
“Për mua, CEU ishte një eksperiencë fantastike… Kalova një vit aty, duke mësuar shumë; ishte padiskutim një eksperiencë që më ndryshoi jetën,” tha ajo për BIRN.
“Më bëri të mendoj në mënyrë kritike, gjë që nuk më ishte inkurajuar në fakultetin tim në Zagreb,” tha ajo, duke shtuar se CEU ofroi “një horizont më të gjerrë” sesa ai që mund të shihej nga perspektiva lokale.
Kujundziç shpjegoi se në CEU studentët kishin mundësi të mësonin për kritikat e kapitalizmit, neoliberalizmit, si dhe rënien e socializmit, ngjarjet që çuan në ndarjen e Jugosllavisë dhe patriarkinë – qasje që ajo i konsideron jo të zakonta në përgjithësi.
“Studimet e mia aty ishin shumë të rëndësishme sepse në Kroaci nuk ka studime të tilla gjinore,” theksoi Kujundziç.
Ajo tha se ishte e shokuar – por jo e befasuar – nga lëvizja e autoriteteve hungareze.
“Do të ishte turp nëse diçka e tillë zhdukej, një universitet i klasit botëror, që ofron bursa të tilla… Është i rëndësishëm sepse jo çdokush mund të përballojë të studiojë në Suedi apo Angli nëse nuk marrin bursa të plota, gjë që është shumë e vështirë,” tha ajo.
Daniel Penev, një student bullgar që po kryen master në marrëdhëniet ndërkombëtare në CEU, tha se ishte i zhgënjyer nga dështimi i politikavë vendas dhe atyre të BE-së për t’iu përgjigjur sulmit të qeverisë.
“Heshtja kur liritë dhe vlerat demokratike po shkelen është e barazvlefshme me pranimin e heshtur,” tha ai për BIRN.
Penev tha se CEU ishte shumë i rëndësishëm për rajonin e Ballkanit pasi i ofronte studentëve nga vendet e Ballkanit një arsim të cilësisë së lartë vetëm disa qindra kilometra larg atdheut.
“Kur të mbarojnë arsimin në CEU, studentët nga Ballkani mund të kthehen lehtësisht në atdhe dhe ta përdorin dijen, aftësitë dhe lidhje për t’i sjellë përfitime shoqërive të tyre,” shpjegoi ai.
“Kjo jo vetëm parandalon tharjen e trurit që shumë njerëz po e diskutojnë këto kohë, por gjithashtu i bën shoqëritë më demokratike, të hapura, të lidhura dhe të afta ekonomikisht,” përfundoi ai.