Vëllezërit Enea dhe Agim Hyka, të dënuar me 50-vjet burg për vrasjen e biznesmenit fierak Taku Spaho në vitin 2011, kërkojnë lirimin nga akuza për vrasje pas prishjes së vendimit nga Gjykata e Lartë, i cili shpalli “relativisht të pavlefshme” një prej dëshmive kyç të akuzës
Prej 6 muajsh Gjykata e Apelit Vlorë ka marrë në rishqyrtim çështjen në ngarkim kundër dy vëllezërve Hyka nga fshati Povleç i Fierit, të akuzuar për vrasjen në bashkëpunim të biznesmenit Taku Spaho dhe plagosjen e shtetasve Dritan Yzeiraj dhe Renard Tole.
Në Korrik 2014, vëllezërit Hyka u shpallën fajtor për vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim nga Gjykata e Shkallës së Parë në Fier dhe u dënuan secili me 25 vjet heqje lirie. Ky vendim është lënë në fuqi me 26 Janar 2015 nga Gjykata e Apelit e Vlorë. Të dy të pandehurit e kanë mohuar akuzën gjatë gjykimit.
Dy nga gjyqtaret e Rrethit Gjyqësor Fier janë kërcënuar gjatë kohës së shqyrtimit të kësaj dosjeje, por Prokuroria nuk ka arritur ta identifikojë autorin e kërcënimeve.
Akuza e Prokurorisë kundër vëllezërve Hyka, është bazuar në një numër provash, por më kryesorja konsiderohej dëshmia e Shyqyrane Mejdini, e cila ka njohur gjatë hetimeve paraprake të pandehurin Agim Hyka si një nga autorët e krimit.
Megjithatë, kjo dëshmi e dhënë nga Mejdini është cilësuar si ‘relativisht e pavlefshme,' nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë për shkak të procedurës së marrjes së saj, i cili me vendimin e marrë me 23 Mars 2016, e ka ridërguar çështjen për rigjykim në Gjykatën e Apelit Vlorë.
Burime brenda Prokurorisë të cilat folën për BIRN në kushtet anonimati e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës së Lartë si ‘skandaloz,' duke nënvizuar që hedhja poshtë e dëshmisë hap rrugën për lirimin e të pandehurve nga akuza.
Avokati i vëllezerve Hyka, i kontaktuar nga BIRN, nuk komentoi.
Gjyqi në Gjykatën e Fierit
Taku Spaho u qëllua për vdekje me armë automatike ‘Kallashnikov' në mbasditen e 1 Dhjetorit 2011, në lagjen '16 Prilli” në Fier, një sulm gjatë së cilit u plagos rëndë shtetasi Dritan Yzeiraj dhe lehtë Renard Tole.
Në ekspertizën mjeko-ligjore të paraqitur në gjykatë, vërehet se trupi i viktimës ka pasur 44 plagë, nga të cilat 18 janë plagë hyrëse dhe 26 janë plagë dalje që kanë shkaktuar dëmtime të organeve jetësore dhe kockave.
Motivi për vrasjen e biznesmenit dyshohet se është hakmarrja. Sipas deklarimit në gjykatë nga i vëllai i viktimës, Taku Spaho i kishte thënë se kishte vrarë babanë e vëllezërve Hyka në Greqi në vitin 1997. Gjithashtu, vëllai i viktimës ka deklaruar para gjykatës se dy vite para se të qëllohej Taku Spaho, një kushëri i të pandehurve u kishte çuar fjalë se do t'i vrisnin.
Sipas prokurorisë, i pandehuri Agim Hyka është marrë si person nën hetim pas zhvillimit të seancës së paraqitjes për njohje, pasi është njohur prej dëshmitares në vendngjarje Shyqyrane Mejdini.
Sipas organit të akuzës, para paraqitjes për njohje, në deklarimet e Hykës kishte mospërputhje dhe alogjikë dhe prandaj është shoqëruar, por se ndaj tij nuk kishte prova për të nisur procedimin penal.
Prokurorja e çështjes Elsa Miha ka theksuar se menjëherë pas regjistrimit të procedimit penal ndaj të pandehurit është komunikuar edhe e drejta mbrojtjes.
Prokuroria ka argumentuar atëherë se nuk mund ta paragjykonte të shoqëruarin pa pasur një provë konkrete, pasi i cënonte të drejtat e tij dhe se kjo ka qenë arsyeja që nuk i është njoftuar e drejta e mbrojtësit para kryerjes së seancës së paraqitjes për njohje, kohë, kur sipas saj nuk ishte marrë ende nën hetim.
Gjithashtu, sipas prokurorisë, makina Wolksvagen Polo që dyshohet se është përdorur nga autorët e krimit, e cila u gjet e djegur rreth 30 minuta pas ngjarjes, ka rezultuar se është blerë në Tiranë nga i pandehuri Enea Hyka pak kohë para vrasjes. Gjatë marrjes të deklarimeve nga hetuesit disa orë pas ngjarjes, i pandehuri Enea Hyka ka pretenduar se ka qenë në shtëpi me nënën e tij, e cila ka dhënë deklarime të ndryshme nga i biri.
Edhe pse dëshmitarja Shyqyrane Mejdini i ka ndryshuar pohimet e dhëna gjatë hetimeve paraprake, prokurorja ka paraqitur në gjykatë provat filmike dhe fotografitë, si edhe procesverbalet ku ajo ka njohur të pandehurin Agim Hyka si personin që ka qëlluar me breshëri automatiku ndaj Taku Spahos.
Në nisjen e procesit gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, që drejtohej nga treshja e gjyqtarëve Matilda Shalla, Igerta Hysi dhe Adelina Zarka, avokati mbrojtës i të pandehurve kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së provave të siguruara nga organi i akuzës.
Sipas avokatit Alban Bengasi, prokuroria kishte vepruar në kundërshtim të Kodit të Porcedurës Penale, pasi sipas tij, të pandehurit Agim Hyka nuk i është dhënë e drejta e mbrojtësit gjatë kryerjes së veprimit hetimor të paraqitjes për njohje të zhvilluar më datë 5 Dhjetor 2011. Këtë pretendim mbrojtësi i vëllezërve Hyka e ka bazuar në vendimin nr.245, të 26 Shtatorit 2012, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Tjetër pretendim që ka nxjerrë mbrojtja ka qenë edhe kompetenca tokësore e lëndore, pasi sipas saj, seanca e paraqitjes për njohje është kryer në Vlorë dhe jo Fier, ku është juridiksioni i prokurorisë që hetonte çështjen.
Një tjetër provë që mbrojtja e të pandehurve i ka paraqitur treshes gjykuese ka qenë edhe një deklaratë noteriale e dëshmitares, ku ajo ka deklaruar se nuk i ka parë dhe nuk i ka njohur autorët. Avokati mbrojtës i vëllezërve Hyka i ka kërkuar atëherë gjykatës që t'i vlerësojë absolutisht të pavlefshme provat e siguruara nga prokuroria.
Lidhur me vendimin nr.245, të vitit 2012 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, prokurorja Miha ka vlerësuar se nuk mund të konsiderohej si i vlefshëm dhe i detyrueshëm, pasi paraqitja për njohje ishte kryer më 5 Dhjetor 2011, kur ky vendim nuk ishte marrë ende dhe në të njëjtën kohë nuk ishte vendim unifikues i Kolegjeve të Bashkuara.
Përsa i përket kompetencës tokësore, prokuroria ka arsyetuar se, edhe pse paraqitja për njohje është kryer në Vlorë, veprimet janë bërë nga hetuesit e prokurorisë dhe policisë së Fierit. Prokuroria paraqiti edhe prova të tjera, si mospërputhjet e dëshimve të të pandehurve me rrethanat e verifikuara të ngjarjes.
Organi i akuzës kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm të dy të pandehurve, për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe kryerjes së veprës penale në mjedis publik dhe në një orar të frekuentuar nga qyterarët, ku u plagosën dy persona të tjerë dhe u rrezikua jeta e shumë kalimtarëve. Në fund të gjykimit, gjykata vendosi dënimin në total me nga 25 vjet të secilit nga dy vëllezërit Agim dhe Enea Hyka. [kliko këtu pë vendimin e gjykatës së Fierit]
Gjatë këtij procesi gjyqësor, gjyqtaret Matilda Shalla dhe Igerta Hysi u kërcënuan nëpërmjet telefonit nga numra të panjohur në Greqi dhe për këtë arsye atyre iu sigurua mbrojtje fizike nga Garda e Republikës për rreth 4 muaj.
Prishja e vendimit nga Gjykata e Lartë
Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier u ankimua edhe nga mbrojtja edhe nga prokuroria, ku e para kërkonte pafajësi ndërsa e dyta nuk ishte dakord me masën e dënimit duke kërkuar dënim me burg të përjetshëm të të pandehurve. Megjithatë, të njëjtin vendim la në fuqi edhe Gjykata e Apelit, me kryesues gjyqtarin Ilia Bezati, dhe anëtarë të trupit gjykues Skënder Demiri dhe Petrit Aliaj. [kliko këtu për vendimin e Apelit Vlorë]
Pas vendimin të Gjykatës së Apelit Vlorë, mbrotja dhe prokuroria kryen rekurs pranë Gjykatës së Lartë, për të njëjtat arsye që ankimuan në shkallën e dytë.
Ndryshe nga Apeli, vendimi i Kolegji Penal të Gjykatës së Lartë ndryshoi rrjedhën e procesit gjyqësor ndaj të pandehurve, duke e konsideruar si relativisht të pavlefshme provën kryesore që prokuroria ka paraqitur ndaj tyre në gjykim.
Më 23 Mars 2016, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i kryesuar nga gjyqtari Edmond Ismailaj, me anëtarë gjyqtarët; Shkëlzen Selimi, Guxim Zenelaj, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca, ka vendosur të rrëzojnë vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë që kishte lënë në fuqi vendimmarrjen e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, e cila dënoi me nga 25 vite burgim secilin nga dy vëllezërit Hyka.
Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, Gjykata e Lartë ka arsyetuar se veprimi procedural i paraqitjes për njohje të të gjykuarit Agim Hyka është relativisht i pavlefshëm dhe se, ky është shkak i mjaftueshëm që vendimi i gjykatës të prishet dhe çështja të rikthehet për rigjykim, duke pranuar kështu pjesërisht kërkesën e të pandehurve që kanë kërkuar pavleshmërinë absolute, pasi sipas tyre dëshmitarja ka ndryshuar thëniet gjatë procesit gjyqësor duke mohuar të ketë parë autorin.
Në rekursin e saj, mbrojtja e të pandeurve, veç pavlefshmërisë absolute të paraqitjes për njohje, ka kërkuar edhe ekspertimin teknik të numrit të shasisë së mjetit Wolksvagen Polo, pasi ka rezultuar se ekziston edhe një mjet tjetër “Wolksvagen Golf 3”, me të njëjtin numër shasie. [kliko këtu për vendimin e Gjykatës së Lartë]
Këtë vendim të Kolegjit Penal, një prokuror me dijeni për çështjen e cilësoi si një skandal të paprecedentë nga Gjykata e Lartë.
Sipas porkurorit, i cili foli për BIRN në kushte anonimati, seanca e paraqitjes për njohje është e papërsëritshme dhe aq më pak në situatën e këtij procesi, “kur tashmë kanë kaluar gjashtë vite nga kryerja e këtij veprimi hetimor dhe dëshmitarja ka ndërruar qëndrimin e saj fillestar të mbajtur gjatë hetimeve paraprake.”
I njëjti burim i prokurorisë u shpreh se në seancën e paraqitjes për njohje, presupozohet që dëshmitari të mos ketë parë asnjë foto dhe të mos ketë asnjë orientim lidhur me autorin, veç çfarë ka parë vetë në momentin e ngjarjes, ndërsa në këtë rast, dëshmitarja do ta kishte thuajse të pamundur të ketë qëndrim të njëjtë me atë që ka mbajtur pas momentit të ngjarjes.
“Rikryerja e këtij veprimi hetimor do të ishte krejtësisht në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale dhe për pasojë do ta bënte atë krejtësisht të pavlefshëm,” tha prokurori, duke nënvizuar se vendimi i Gjykatës së Lartë i ka hapur rrugën pafajsisë të të pandehurve.