Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe shpura e tij i kanë thënë me mençuri çdokujt që dëshiron të dëgjojë se nuk mund të pritet shumë nga propozimet e reja për ndryshimin e kodit të punës. Me të vërtetë, ekonomiksi i reformave sugjeron se ato kanë pak gjasa të sjellin të vetme një ndryshim të madh.
Në fund të gushtit, Presidenti i Francës Emmanuel Macron parashtroi një ndryshim rrënjësor në tregun e punës si gur kyç për presidencën e tij – dhe i tillë që mund të përcaktojë edhe vetë të ardhmen e eurozonës. Objektivi i tij është që të ulë normën kryeneçe të papunësisë në Francë, fare pak poshtë kufirit prej 10 për qind, dhe të energjizojë ekonopminë që ka nevojë dëshpërimisht për një nisje të re.
Reforma e punës ka qenë prej kohësh në axhendën e Francës. Praktikisht çdo administratë në Francë në aq kohë sa mbahet mend është përpjekur të rishkruajë kodin voluminoz të punës, zakonisht duke dështuar përballë protestave nga sindiktatat. Macron nuk e fsheh se me kë do të përballet në këtë situatë: ai e ka përshkruar përpjekjen e tij si një revolucion Kopernikan. Por këtë herë situata mund të jetë e ndryshme. Edhe pse sindikata e dytë më e madhe në vend ka bërë thirrje për grevë të përgjithshme, ka shenja se Macron do të ketë mbështetjen politike për të cilën ka nevojë.
Reformat e Macron synojnë të rrisin atë që në mënyrë eufemike quhet fleksibiliteti i tregut të punës. Reformat e propozuara mund ta bëjnë më të lehtë për kompanitë të heqin nga puna punonjësit, do të decentralizojnë fuqinë negociuese të punëdhënësve dhe punëmarrësve në firmat e vogla (duke eliminuar marrëveshjet në nivel sektori), dhe do të vendosë tavane për masën e kompensimit për pushime të padrejta nga puna, duke i dhënë kompanive një lehtësim nga dëmet e paparashikueshme që mund të pësojnë nga gjykimet mbi procedurat e pushimeve nga puna. Për më tepër, reformat heqin një kërkesë që lidhte pushimet në masë nga puna te kompanitë e mëdha me përfitueshmëri botërore; kompanitë tashmë do të lejohen të pushojnë punonjës thjeshtë në bazë të përfitueshmërisë së brendshme.
Logjika pas reformave të Macron në tregun e punës është e njëjta që është ngritur nga ekonomistët e politikave në kuadër të axhendës së reformave strukturore të shtyra përmes institucioneve ndërkombëtare të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe OECD përgjatë tri dekadave të fundit. Fleksibiliteti më i madh, sipas këtij këndvështrimi, do t’i mundësojë kompanive franceze të përshtaten më shpejt dhe në mënyrë më efikase me ndryshimin e kushteve të tregut, gjë që do t’i bëjë ato më konkurruese dhe dinamike duke i dhënë nxitje ekonomisë së Francës.
Ideja që lehtësimi i pushihmeve nga puna do të reduktojë, në vend që ta rrisë, papunësinë, nuk është një ide kaq e çmendur sa duket. Nëse kostot e pushimit nga puna janë tepër të larta, kompanitë nuk do të punësojnë më shumë njerëz kur tregu është në rritje, nga frika se ato nuk do të jenë në gjendje të pakësojnë forcën punëtore më vonë kur tregu të jetë në rënie. Kostot e pushimeve nga puna janë në vetvete njëkohësisht edhe kosto të punësimeve të reja, thonë ekonomistët. Reduktimi i kostove të pushimit nga puna sjell rrjedhimisht edhe reduktim të kostos së punësimeve.
Por nëse reduktimi i kostove të pushimit e rrit apo jo punësimin, kjo varet nga balanca e këtyre dy faktorëve kompensues. Rezultati varet nga fakti nëse kompanitë janë më të kufizuara nga kostot e punësimit apo nga kostot e pushimit.
Në kohë të mira, kur firmat duan të zgjerohen, është kostoja e punësimeve të reja ajo që merret parasysh dhe nëse lehtësohet procesi i pushimeve nga puna, kompanive do t’u hiqet pengesa kryesore për investime dhe zgjerim të kapaciteteve. Në kohë më pesimiste, reduktimi i kostove të pushimeve nga puna thjeshtë do të sjellë më shumë pushime nga puna. Se cili nga këto dy faktorë do të triumfojë, kjo varet nga kërkesa agregate dhe “shpirti kafshëror” i punëdhënësve.
Ky ambiguitet shpjegon se pse ka rezultuar e vështirë që të krijohet një model i qartë empirik i marrëdhënies mes mbrotjes në punë dhe performancës së tregut të punës, pavarësisht entuziazmit mes shumë ekonomistëve dhe politikëbërësve për reformat që nxisin fleksibilitetin. Ka prova të konsiderueshme se ligjet e forta të mbrojtjes në punë e reduktojnë qarkullimin e vendeve të punës – numrin e punësimeve dhe pushimeve nga puna. Por kur vjen puna te niveli i përgjithshëm i punësimit dhe papunësisë rezultati i pritshëm është sërish shumë i paqartë, siç tregon një vrojtim i kryer së fundmi. Të dhënat krahasuese na japin ne pak shpresë se reformat në Francë do të sjellin një rritje të konsiderueshme në nivelin e punësimit.
Franca mendohet se ka ligje veçanërisht të rënda mbi punën. Megjithatë shumë nga ekonomitë me të cilat ky vend konkurron kanë mbrojtje të ngjashme të forta për tregun e punës. Në fakt, sipas indikatorëve të OECD për mbrojtjen në punë, punonjësit Gjermanë dhe Holandezë me kontrata të përhershme kanë siguri edhe më të madhe në punë se sa punonjësit në Francë. (Fusha ku sistemi Francez rezulton veçanërisht i ashpër është ajo e kontratave të përkohshme.)
Në disa drejtime, Franca qe vetëm pas Gjermanisë në termat e derregullimit të tregut të punës në periudhën para krizës financiare botërore. Megjithatë nivelet e papunësisë në Gjermani dhe Holandë janë shumë më të vogla se sa papunësia në Francë.
Dallimi real mes këtyre ekonomive është që Gjermania dhe Holanda, ndryshe nga Franca, kanë llogari korrente me suficite të mëdha. Kjo do të thotë se ekonomitë e tyre marrin një rritje të fuqishme nga kërkesa e huaj. Përkundrazi, Franca ka një deficit të vogël në llogarinë korrente.
A mundet që reformat për të rritur fleksibilitetin e tregut të punës t’i japin industrisë së Francës një ngritje të ngjashme? Ndoshta. Por kjo kërkon njëkohësisht edhe një rritje të fortë në shpirtin kafshëror të industrialistëve të Francës. Psikologjia mundet të luajë në fund një rol më të madh se sa detajet e vetë reformave.
Në një diskutim të tillë teknokratik, është e lehtë të harrosh se ajo që ekonomistët e quajnë “ngurtësitë e tregut të punës” kanë në fakt një komponent kyç në kontratën shoqërore në të gjitha ekonomitë e zhvilluara kapitaliste. Ato ofrojnë të ardhura dhe siguri në punësim për punonjësit që në kushte të tjera do të kishin jetë shumë të trazuara. Dhe, siç e ka vërejtur ekonomisti Italian Giuseppe Bertola këta punëtorë mund të jenë eficentë edhe nga këndvështrimi më i ngushtë ekonomik, për shkak se ata lehtësojnë sheshimin e të ardhurave nga puna.
Shpura e Macron me mençuri i ka thënë kujtdo që ka veshë për të dëgjuar se nuk mundet të pritet shumë nga kodi i ri i punës. Ekonomistët e reformave sugjerojnë se këto ndryshime nuk mund të bëjnë një dallim të madh. Telashi është se vetë Macron ka pak mjete në dispozicion për të përshpejtuar rritjen ekonomike të Francës. Në terma të politikës makroekonomike, duart e tij janë të lidhura në eurozonë dhe ka pak mundësi që Gjermania të ndihmojë atë në rritjen e investimeve dhe shpenzimeve. Kështu, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo Macron, presidenca e tij ka gjasa do të gjykohet nga pasojat ekonomike dhe politike që do të krijohen nga reformat e tij në kodin e punës.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Macron’s Labor Gambit