Bota nuk duket se përballet me rreziqe të mëdha tani afër. Por në terma afatmesëm dhe afatgjatë, rritja e pabarazisë në të ardhura, e përkeqësuar nga mospërputhja mes aftësive dhe vendeve të punës në epokën dixhitale, do të bëhet një pengesë madhore në rritjen ekonomike, për sa kohë politikëbërsit nuk do të zbatojnë një gamë të gjerë reformash strukturore.
Rritja ekonomike po përshpejtohet nëpër shumicën e botës. Megjithatë borxhi total i botës në raport me PBB-në ka arritur në gati 250% nga 210% që ishte para krizës ekonomike botërore gati një dekadë më parë, pavarësisht përpjekjeve të paskrizës nga rregullatorët në shumë ekonomi të rëndësishme për të shtyrë sektorin bankar drejt delevizimit.
Kjo ka ngritur dyshime mbi qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike, ku disa argumentojnë se rritja e normave të interesit mund të shkaktojë një krizë tjetër botërore. Por sa gjasa ka kjo të ndodhë?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, dikush duhet të rikujtojë se borxhi është njëkohësisht një detyrim dhe një aset. Në një ekonomi të mbyllur – dhe ne nuk i detyrohemi asgjë jashtëtokësorëve – borxhi i përgjithshëm dhe asetet korresponduese domosdoshmërish anulojnë njëra-tjetrën. Pra ajo që rëndësi është përbërja e borxheve dhe detyrimeve – ose që ta themi më thjeshtë, kush i detyrohet çfarë dhe kujt.
Borxhi i lartë i sektorit publik, për shembull, sinjalizon nevojën e mundshme për rritje taksash – e kundërta e legjislacionit të taksave që po propozohet nga ligjvënësit republikanë në Shtetet e Bashkuara – dhe/ose norma më të larta interesi (reale apo nominale, në varësi të politikës monetare dhe inflacionit). Nëse borxhi i detyrohet në përgjithësi kreditorëve të huaj, rreziku i normës së interesit është i përzierë me rrezikun e kursit të këmbimit.
Për borxhin e sektorit privat, shumë gjëra varen nga lloji i borxhit. lloji hexhing, ku të ardhurat e debitorit mbulojnë të gjitha detyrimet; lloji spekulativ, ku të ardhurat mbulojnë vetëm interesin; apo i llojit Ponzi, ku të ardhurat nuk mbulojnë as këtë. Siç e ka shpjeguar ekonomisti i ndjerë amerikan Hyman Minsky, sa më e lartë të jetë pjesa e borxhit që bie në kategoritë spekulative apo Ponzi, aq më i lartë është rreziku që një krizë besimi të shkaktojë një valë të papritur deleverimi që me shpejtësi transformohet në një krizë të plotë financiare.
Si për borxhin e sektorit publik ashtu edhe për atë të sektorit privat, afatet e maturimit luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm. Afatet më të gjata të maturimit lejojnë më shumë kohë për përshtatje, duke ulur rrezikun e një krize besimi.
Megjithatë ndonëse ka pak kuptim të përqendrohesh në shifrën e thjeshtë të agreguar, si institucionet publike ashtu edhe kërkuesit privatë kanë tendencën të bëjnë pikërisht këtë. Kini parasysh mbulimin e krizës së borxheve greke. Titujt kryesorë ndjekin normën në rritje të borxhit si përqindje e PBB-së, e cila u rrit nga 100% më 2007 në 180 për qind këtë vit, megjithatë shumë pak vëmendje i është kushtuar borxhit të sektorit privat. Dhe, në fakt, kreditorët e huaj publikë zëvendësuan mbajtësit privatë të borxhit dhe normat e interesit u ulën duke bërë që borxhi i përgjithshëm i Greqisë, ndonëse ende i lartë, është bërë më i qëndrueshëm. Vijimi i qëndrueshmërisë së saj do të varet pjesërisht nga trajektorja e PBB-së së Greqisë – denominatori i raportit të borxhit.
Një gabim i ngjashëm bëhet në vlerësimin e borxheve të Kinës, mbi të cilat bota është më shumë e shqetësuar. Shifrat janë me të vërtetë tronditëse: Borxhi i Kinës në raport me PBB-në tashmë qëndron në rreth 250%, ku borxhi i sektorit privat arrin në 2010 për qind. Por dy të tretat e borxhit të sektorit privat përbëhet nga kredi bankare dhe bonde korporatash që mbahen aktualisht nga sipërmarrje nën pronësi qendrore dhe entitete të qeverive vendore. Qeveria qendrore ka kontroll të konsiderueshëm mbi këto borxhdhënës.
Për Kinën, rreziku më i madh ndoshta qëndron në sektorin bankar në hije, mbi të cilin nuk ka të dhëna të besueshme. Në anën tjetër, një pjesë domethënëse e rritjes në raportet e borxhit privat në vitet e fundit mund të ketë qenë rezultat i “formalizimit” të një pjese të sistemit bankar në hije – një tendencë që në fakt mund të jetë pozitive për stabilitetin ekonomik.
Dhe ka akoma lajme të mira për Kinën. Shumica e borxhit kinez është në renminbi; vendi posedon rezerva masive në valutë të huaj, gati 3 trilionë dollarë; kontrollet mbi kapitalin janë gjithashtu efektive, pavarësisht se janë lehtësuar gjatë viteve të fundit. Udhëheqësit e vendit kanë për rrjedhojë një thesar lufte për politika publike të cilin mund ta përdorin përballë trazirave financiare.
Pes pjesës tjetër të ekonomive në zhvillim, ka disa burime shqetësimi. Por, në përgjithësi, situata është relativisht e qëndrueshme. Megjithëse borxhi i sektorit publik së fundmi ka qenë në rritje, nivelet e tij mbeten të tolerueshme. Dhe borxhi i sektorit privat ka pësuar vetëm rritje të moderuar në raport me PBB-në.
Sa i përket ekonomive të zhvilluara, ka pak arsye për të besuar se një krizë borxhesh është e afërt në Japoni. Në SHBA, borxhi publik do të rritet, falë ndryshimit të pritshëm në ligjin fiskal; por goditja mund të përballohet, së paku për vitin e ardhshëm apo dy vitet e ardhshme, nga vijimi dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike. Dhe megjithëse asetet me cilësi të ulët të mbajtura nga sistemi bankar me gjasa pengojnë rimëkëmbjen e Europës, ato ka pak gjasa të shkaktojnë një krizë financiare.
Shkurt, bota nuk duket se përballet me shumë rreziqe për një krizë borxhesh në terma afatshkurtër. Përkundrazi, duket se është hapur sipari për rritje të vazhdueshme në vlerën e aseteve dhe në rritjen ekonomike të nxitur nga kërkesa.
Gjithsesi, rreziqet gjeopolitike nuk duhet të injorohen. Ndërsa tregjet kanë tendencën të injorojnë krizat politike të lokalizuara e sfidat gjeopolitike gjithnjë e më të mëdha, disa drama mund të dalin jashtë kontrollit. Në veçanti, kërcënimi bërthamor nga Koreja e Veriut mbetet akute, me mundësinë e një përshkallëzimi të papritur që po shtohet duke rritur rrezikun për konflikt mes SHBA-së dhe Kinës.
Lindja e Mesme mbetet një burim tjetër destabiliteti serioz, me tensionet në Gjirin Persik të intensifikuara deri në atë pikë sa armiqësia mes Iranit dhe Arabia Saudite dhe/ose trazirat brenda Arabisë Saudite nuk janë më të paimagjinueshme. Në këtë rast, është Rusia që mund të përfundojë në përplasje me SHBA-në.
Edhe nëse një trazirë e tillë madhore gjeopolitike nuk ndodh, e cila mund të dëmtojë rëndë perspektivat e ekonomisë botërore në terma afatshkurtra, rreziqet serioze afatmesme dhe afatgjata janë në rritje. Rritja e pabarazisë në të ardhura, e përkeqësuar nga mospërputhja mes aftësive dhe vendeve të punës në epokën dixhitale, do të pengojë rritjen, për sa kohë një gamë e gjerë reformash strukturore nuk zbatohen, përfshirë reformën për të kufizuar ndryshimet klimaterike.
Për sa kohë që situata gjeopolitike mbetet e menaxhueshme, politikëbërësit mund të kenë kohë për të zbatuar reformat strukturore të nevojshme. Por dritarja e mundësisë nuk do të qëndrojë e hapur përgjithmonë. Nëse politikëbërësit humbasin kohë në arsyetimin e gabuar të ekonomisë që rrjedh për poshtë, siç po ndodh në SHBA, bota mund të jetë nisur për telashe të mëdha ekonomike.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Is Another Debt Crisis On the Way?