
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda refuzoi të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për pezullimin nga detyra të tre gjykatësve të Apelit Durrës, të cilët dyshohen për korrupsion pas një udhëtimi turistik në Spanjë të njohur si “Çështja El Classico”, ndërkohë që prokuroria thotë se ka prova të reja nga Spanja për hetimin.

Gjykata e Apelit Për Krime të Rënda e justifikoi vendimin e vet për “mosmarrje në shqyrtim” të kërkesës së prokurorisë, pasi sipas tyre, kjo kërkesë “nuk legjitimohet”. Prokurorët patën kërkuar masë sigurie “pezullim nga detyra” për tre gjykatësit e Apelit Durrës Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, të cilët janë nën hetim pasi dyshohen se kanë marrë dhuratë nga një palë në proces gjyqësor një udhëtim falas në Madrid të Spanjës për të parë ndeshjen Real Madrit – Barcelona para se të jepnin një vendim favorizues për biznesmenin që dyshohet se financoi udhëtimin.
Tre gjykatësit e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Nertina Kosova, Dhurata Averi dhe Albana Boksi hodhën poshtë kërkesën e prokurorisë pa e marrë atë në shqyrtim.
Burime nga Prokuroria i thanë BIRN se tre gjykatësit e Apelit Durrës janë aktualisht në regjistrin e personave nën hetim dhe bazuar mbi këtë fakt, prokuroria pati kërkuar pezullimin e tyre nga detyra e gjykatësit si masë sigurie. Pas refuzimit nga gjykata, prokurorët pritet t’i drejtohen Këshillit të Lartë të Drejtësisë me të njëjtën kërkesë.
Ndërkohë, burime nga prokuroria bënë të ditur se një kërkesë e tyre për asistencë nga autoritetet spanjolle ka sjellë informacion shtesë për çështjen.
Të dhënat e siguruara nga BIRN prej dosjes hetimore tregojnë se tre gjyqtarët kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014.
Prokuroria dyshon se ky udhëtim është bërë në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku – pronari i një kompleksi turistik në Durrës – dhe është paguar prej tij.
Në kohën e udhëtimit drejt Madridit, Sadiku kishte të hapur një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Më herët, dyshohet se relatori i çështjes, Kliton Spahiu dhe gjyqtari Petraq Dhimitri kishin udhëtuar në shoqërinë e Sadikut edhe në Itali.
Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Sadiku ishte paditur nga ish ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina, prej shkurtit të vitit 2012.
Në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, çështja në fjalë është fituar nga paditësi Oliver Ushina. Ndërkohë, Gjykata e Apelit e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë duke i dhënë të drejtë Sadikut.
Sipas burimeve nga prokuroria, autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se pagesa e hotelit në Spanjë është bërë përmes kartës së kreditit të shtetasit Fatjon Pula- kushëri i shtetasit Namik Sadiku. Pula ka paguar 450 euro për qëndrimin e gjyqtarëve në hotel.
Gjatë deklarimeve në prokurori të tre gjyqtarët kanë hedhur poshtë akuzat se kanë marrë udhëtim falas në Madrid si shpërblim për vendimin favorizues ndaj Sadikut, por prova e re e marrë nga Spanja ka bindur prokurorinë të çojë kërkesën për masë sigurie në gjykatën e krimeve të rënda.
Gjyqtari Petrit Çeno i tha BIRN se nuk kishte pasur informacion për caktimin e masës së sigurisë pasi procedura e parashikon që të mos jenë prezent palët e akuzuara në seancën e parë.
“Prokuroria ka bërë një hetim të plotë dhe ka menduar të dalë në atë konkluzion dhe gjykata ka marrë atë vendim që ka marrë,” tha Çeno.
“Po, unë së bashku me dy koleget e mi kemi qenë në Spanjë dhe për këtë udhëtim unë kam dhënë shpjegime para një viti e gjysëm. Hoteli është prenotuar në internet me kartën e kreditit të atij zoterisë që nuk ja mbaj mend emrin tani, por ka qenë konsull a nuk më kujtohet mirë.Pagesa nga ana jonë është bëre ‘cash’ dhe vetëm prenotimi ëshë kryer me kartën e kreditit,” shtoi ai.
Pak ditë më parë, gjykatësi i shkallës së parë te Krimet e Rënda Luan Hasneziri e hodhi poshtë kërkesën fillestare të prokurorisë me argumentin se udhëtimi në drejtim të Spanjës i tre gjyqtarëve si dhe pagesa e Fatjon Pulës nuk krijon bindjen se jemi përpara faktit të dyshimit të arsyeshëm për aferë korruptive.