Presidenti francez Emmanuel Macron fillimisht e përshkroi lëvizjen e tij të re politike si “as djathtas dhe as majtas” dhe tani thotë se ajo është “si djathtas ashtu edhe majtas”. Por ai nuk do të mund t’i bëjë bisht pafundësisht kësaj. Herë ose vonë, ai do të duhet të zgjedhë një anë me të cilën të bëhet aleat.
Vizita shtetërore e presidentit francez Emmanuel Macron në Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar ishte një shembull i përsosur kontrasti. Pavarësisht dinamikës miqësore, axhenda dhe retorika e Macronit ishin pothuajse diametralisht të kundërta me presidentin e SHBA-së Donald Trump. Por lidershipi i Macronit është temë e një sfide edhe më rrënjësore; mënyra se si ai e menaxhon atë mund të tregojë rrugën përpara për politikën liberal-demokratike.
Duke ju drejtuar Kongresit Amerikan në anglisht, Macron artikuloi një botëkuptim të sinqertë internacionalist, duke bërë thirrje për institucione më të forta ndërkombëtare, një riangazhim në sistemin rregullator të tregtisë ndërkombëtare dhe një përqafim të përgjithshëm të globalizimit. Në lidhje me Iranin, ai përsëriti nevojën për të ruajtur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nga e cila Trump sapo është tërhequr, edhe pse ai bëri thirrje për marrëveshje plotësuese mbi temat që marrëveshja ekzistuese nuk i trajton.
Macron ka sinjalizuar gjithashtu se ai do të ndjekë një fushatë pan-europiane për zgjedhjet e Parlamentit Europian 2019. Si një demokrat, ai beson se thellimi i Bashkimit Evropian duhet të shkojë krah për krah me zhvillimin e një hapësire politike vërtet europiane.
Në një kohë kur flitet dhe shkruhet shumë për rënien e liberalizmit, të ardhmen e demokracisë sociale, rritjen e nacionalizmit dhe reagimin ndaj globalizimit, qëndrimi internacionalist i Macronit është i dukshëm. Në fakt, Macron ka hedhur një hap qorrazi në “politikën e re” të Perëndimit, një terren që nuk përcaktohet më krejtësisht nga konkurrenca mes partive të mëdha të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë. Por a po kthen vërtet faqe politika përsa i takon ndarjes tradicionale midis të djathtës dhe të majtës?
Do të ishte gabim ta përshkruani Macronin, i cili shërbeu si ministër në qeverinë socialiste të paraardhësit të tij François Hollande, thjesht si një një centrist. Edhe pse ai ka lëvizur drejt qendrës, ai nuk iu bashkua një prej partive të vogla tradicionale të qendrës, por në vend të kësaj krijoi vetë “lëvizjen” e tij.
Fillimisht, Macron e përshkroi atë lëvizje – të cilën e quajti En Marche! – si “as djathtas dhe as majtas” duke shmangur termin “centrist”. Tani, ai thotë se ajo është “edhe në të djathtë edhe në të majtë”, duke sinjalizuar dëshirën e tij për të fituar votuesit e qendrës së majtë dhe ata të qendrës së djathtë.
Nëse ndarja tradicionale e majtë-djathtë po mjegullohet, lind pyetja se çfarë do ta zëvendësojë atë. Me globalizimin në qendër të debatit politik në shumicën e vendeve, mund të duket se përgjigjja është një ndarje midis forcave kozmopolite dhe mendjengushta.
Sipas këtij interpretimi, Macron udhëheq lëvizjen pro-globalizim (dhe pro-Europiane) të Francës dhe ata që e kundërshtojnë atë, në të djathtë apo në të majtë, lidhen nga një opozitë e përbashkët ndaj hapjes ekonomike. Dhe, në fakt, e djathta ekstreme dhe e majta e largët po përkrahin mesazhe ekonomike të ngjashme.
Ndërkohë, partitë ekzistuese politike të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë – në Francë dhe në të gjithë Perëndimin – kanë tendencë të përfshijnë fraksione të orientuara ndërkombëtarisht dhe ata që janë më dyshues ndaj globalizimit. Nëse globalizimi po bëhet ndarja kryesore zgjedhore në vendet perëndimore, këto dy kampe, sipas logjikës, ka gjasa të ndahen dhe të formojnë familje të reja politike.
Megjithatë, ndërkohë që besoj se do të ketë ndonjë lloj lëvizjeje në këtë drejtim, ndarja tradicionale e majtë – e djathtë duket se nuk ka gjasa të zhduket. Partitë tradicionale do të vazhdojnë të debatojnë rreth çështjeve që kanë të bëjnë me shpërndarjen e të ardhurave, përfshirë progresivitetin e sistemeve të taksave dhe synimin dhe qëllimet e duhura të politikës sociale. “Platforma” e globalizimit më vete nuk do të jetë mjaftueshëm e fuqishme për të përcaktuar një parti të madhe politike.
Kjo do të thotë se në vitet e ardhshme, Macron do të duhet të përafrohet më shumë me qendrën e djathtë ose me qendrën e majtë. Rrethanat e veçanta që mundësuan fitoren e tij elektorale në vitin 2017 – një qendër e majtë e diskredituar dhe një kandidat i qendrës së djathtë i skualifikuar për shkak të skandalit – nuk do të ndodhë përsëri. Ai do të duhet të bëhet një lider internacionalist i majtë ose një lider internacionalist i djathtë.
Vetëm një prej këtyre duket se është një opsion i qëndrueshëm. Politikat tradicionale të qendrës së djathtë nuk do të ishin lehtësisht të pajtueshme me një prirje të fortë internacionaliste. Nëse globalizimi, në dimensionet e tij të ndryshme, do të mbështetet nga një shumicë popullore, ai do të duhet të shoqërohet me politika sociale të modernizuara që i ofrojnë ndihmë efikase atyre që kanë nevojë për të. Në një kohë përçarjeje të vazhdueshme ekonomike, kjo do të jetë edhe më e rëndësishme.
Hapja ekonomike kërkon solidaritet social. Kjo nuk do të thotë të mbrosh vende pune specifike nga konkurrenca tregtare apo inovacioni teknologjik. Kjo do të thotë të ndihmosh njerëzit që të përshtaten me ndryshimet e vazhdueshme, duke u ofruar të gjithë qytetarëve burimet e nevojshme, siç janë arsimi, qasja në kujdesin shëndetësor dhe mbështetje tranzicionale. Me pak fjalë, një qëndrim popullor pro-globalizim duhet të shoqërohet nga një kontratë e re shoqërore – e mbështetur nga burime publike – që i bën thirrje një shumice të madhe. Përndryshe, do të jetë tepër e vështirë t’i rezistosh këngës së sirenës të neo-nacionalizmit.
Ndërkohë që kompleton reformat e nevojshme të taksave dhe tregut të punës, punë të cilës ai tashmë i ka hyrë, Macron do të duhet të trajtojë këtë sfidë. Në ndryshimin aktual të paradigmës politike, ata që favorizojnë hapjen do ta shndërrojnë njëanshmërinë nacionaliste vetëm duke miratuar si objektivin e tyre parësor një qasje të modernizuar ndaj solidaritetit social.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Macron’s Internationalism and the New Politics.