Prokuroria zbardhi udhëtimin në Greqi të ish-ministrit të Brendshëm me skafin e një biznesmeni dhe përfshirjen e vëllezërve Habilaj për ta riparuar mjetin lundrues pas defektit të pësuar. Tahiri akuzon Prokurorinë për keqdashje: Më ka hetuar si grup të strukturuar miqësor dhe jo kriminal.
Pas më shumë se dy orë debatesh pro dhe kundër masës së sigurisë ndaj ish-ministrit të Brendshëm- i akuzuar për trafik droge, Gjykata për Krime të Rënda rikonfirmoi të martën masën e “arrestit në shtëpi” për Saimir Tahirin.
Prokuroria e përfaqësuar nga Besim Hajdarmataj kërkoi “arrest me burg” për ish-ministrin e Brendshëm dhe paralajmëroi apelimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës. Gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, prokurori Hajdarmata paraqiti si prova kontaktet e Tahirit me vëllezërit Habilaj, një drekë mes ish-ministrit dhe Artan Habilajt në Greqi si dhe argumentin se Tahiri takonte dëshmitarët përpara se të thirreshin në prokurori, duke cënuar hetimet.
Edhe avokati i Tahirit, Maks Haxhia tha se do të apelonte. Në seancë, Haxhia kërkoi shuarjen e masës së sigurisë, duke thënë se prokuroria nuk kishte sjellë prova të reja dhe se ish-ministri nuk do të largohej nga vendi dhe as kishte mundësi të prishte provat.
Masa e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish-ministrit Tahiri u mor të shtunën nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kërkesa për masë sigurie u bë në gjykatë disa ditë pasi Tahiri hoqi dorë nga mandati i deputetit, duke thënë se do të përballej me drejtësinë si “qytetar i lirë”.
Gjashtë muaj më parë, shumica qeverisëse e mbrojti ish-ministrin e saj, duke refuzuar si politike kërkesën që prokuroria i dorëzoi Kuvendit për arrestimin e tij. Gjykata njoftoi se Tahiri është i dyshuar për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë”.
Prokurori Besim Hajdarmataj e bazoi kërkesën për masë sigurie të pretendimi se Tahiri i lirë mund të ndikonte hetimin, duke ushtruar presion mbi dëshmitarët e çështjes. Për këtë, Prokuroria përmendi takimin e Tahirit me biznesmenin Orges Liperi pas dëshmisë së këtij të fundit në Prokurori.
Sipas të dhënave të lexuara para gjykatës, Orges Liperi ishte pronari i një skafi të përdorur nga ish-ministri Saimir Tahiri gjatë pushimeve të tij në verën e vitit 2014 në Greqi.
“Ai e di një ditë para se kë do të thërrasim për të dëshmuar dhe i takon,” tha Hajdarmataj, duke theksuar se kjo mund të ndikonte në prishjen e dëshmive.
Vetë Tahiri pranoi se kishte takuar dëshmitarin, por tha se e kishte bërë për t’i kërkuar falje për shqetësimin që po i vinte për shkak të tij.
Prokuroria ngriti gjithashtu pretendimin se kishte prova për marrëdhëniet mes Tahirit dhe vëllezërve Habilaj, të cilët sipas saj i kanë përdorur këto marrëdhënie edhe për të ndikuar oficerë të policisë në pika doganore, duke mos rregjistruar lëvizjet e tyre në sistemin TIMS.
Prokuroria paraqiti si provë lëvizjet e Tahirit dhe të vëllezërve Habilaj në gusht 2014. Sipas prokurorisë, Tahiri me bashkëshorten dhe ish-zv. ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea dhe bashkëshorti i saj udhëtuan me skaf për në Greqi. Ndërkohë, Artan Habilaj me makinën që kishte blerë dhe që ishte ende e regjistruar në emër të Tahirit shoqëroi për në Lefkada të Greqisë fëmijët e tyre dhe prindërit e Tahirit.
Sipas Prokurorisë, skafi pësoi defekt në Greqi dhe u transportua për në Shqipëri nga Artan Habilaj, së bashku me një oficer policie si dhe një teknik të mjeteve lundruese. Ndërkohë, ish-ministri Tahiri u kthye pas në Shqipëri me makinën Audi AA 003 GB. Prokuroria thotë se Tahiri dhe Artan Habilaj qëndruan dy ditë bashkë në Lefkada.
“Kemi të dhëna dhe fakte se Artan Habilaj ka qëndruar dy ditë në Greqi në të njëjtën zonë ku pushonte Tahiri. Madje, kanë ngrënë dhe drekë së bashku,” tha Hajdarmataj, duke nënvizuar se nuk kemi të bëjmë me një shofer të rastësishëm.
Si provë të marrëdhënieve mes Habilajve dhe ish-ministrit, prokuroria pretendoi se me rregullimin e skafit ishte marrë Moisi Habilaj, i arrestuar në Itali për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Habilaj e kishte dërguar skafin në Brindizi të Italisë për riparime.
Prokuroria paraqiti si prova shtesë praktikën e emërimit të Sokol Bodes, ish-shef i postës kufitare në Dhërmi, tani po ashtu në hetim si pjesë e të njëjtit grup të trafikut të narkotikëve. Sipas Prokurorisë, skafi nuk u regjistrua gjatë hyrje- daljeve në Sarandë, Vlorë dhe Durrës.
Tahiri dhe avokati i tij i kundërshtuan pretendimet e akuzës. Në seancën gjyqësorë në të cilën pati jo pak debat, Tahiri pretendoi se prokuroria nuk kishte sjellë prova të reja dhe se kishte “keqdashje” në provat e sjella.
“Unë këto prova i kam ditur. Nëse duhet të mbahem i izoluar për këto prova, atëherë ky qenka standardi? Unë këtu po shikoj prokurorinë që më ka hetuar si grup i strukturuar miqësor dhe jo si grup i strukturuar kriminal,” tha Tahiri.
Ish-ministri u mbrojt duke thënë se nuk kishte përgjegjësi për veprimet e oficerëve të policisë në postat kufitare. Ai tha se masa e sigurisë arrest shtëpie ishte për të e njëjtë me masën “arrestit në burg”, duke e konsideruar veten si një person i burgosur.
Avokati i tij, Maks Haxhia pranoi faktin se Tahiri ia kishte marrë hua skafin biznesmenit Orges Liperi si dhe defektin që ai pësoi në Greqi. Megjithatë, Haxhia refuzoi të përgjigjej se pse klienti i tij kishte thirrur Artan dhe Moisi Habilajn për t’i rregulluar skafin.
“Pyesni Prokurorinë për këtë,” përfundoi Haxhia.