
Çfarë do të ndodhë me çmimet e naftës pas sanksioneve kundër Iranit të rivendosura nga presidenti amerikan Donald Trump? Ekonomisti Anatole Kaletsky peshon parashikimet e tregjeve financiare dhe argumenton përse ato mund të jenë gabim.

Sanksionet kundër Iranit të vendosura rishtazi nga presidenti amerikan Donald Trump ngrenë dy pyetje të rëndësishme që nuk kanë përgjigje bindëse. Së pari, a do ta bëjë botën më të sigurt ky veprim, siç pretendon Trump apo do ta destabilizojë më tej Lindjen e Mesme dhe do të pengojnë përpjekjet e ardhshme për të kufizuar armët bërthamore, siç argumentojnë shumica e ekspertëve gjeopolitikë të papunësuar direkt nga SHBA, Izraeli apo sauditët? Dhe së dyti, a do të rezultojnë po aq të forta përpjekjet e SHBA për të detyruar kompanitë e huaja të respektojnë sanksionet ndaj Iranit krahasuar me retorikën ndërluftuese të Trump?
Sanksionet e Iranit mund të rezultojnë sigurisht të jenë një gjest bosh. Siç e tha së fundmi ish-ambasadori kinez në Irani: “Për më shumë se një vit, diplomacia e Trump, nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Amerikano-Veriore, te pakti tregtar i Partneritetit Trans-Paqësor dhe marrëveshja klimatike e Parisit te çështja bërthamore e Gadishullit Korean dhe lufta civile siriane, mund të përshkruhet si një rrufe e zhurmshme por me pak shi”.
Ende, pyetja e luftës dhe paqes është e pamundur të ketë përgjigje. Pesëmbëdhjetë vite kaos në Lindjen e Mesme të shkaktuar nga lufta e Irakut në 2003 i kanë mësuar botës një mësim të madh: askush në Shtëpinë e Bardhë, CIA, Mossad apo shërbimet e inteligjencës së Saudisë ia ka idenë se çfarë mund të ndodhë tjetër në rajon.
Çështja tregtare është gjithashtu e vështirë të zgjidhet për një arsye më të thjeshtë: shtrirja e vërtetë e zbatimit të sanksioneve nuk do të jetë e qartë deri në fazat e fundit të “periudhës 6-mujore të ngadalësimit” të ofruar nga rregullimet e reja të SHBA për bizneset për t’u shkëputur nga Irani.
Por në këtë fazë të hershme të përballjes SHBA-Iran, një tjetër çështje ekonomik më e rëndësishme ia vlen të konsiderohet: çfarë do t’i bëjnë sanksionet amerikane çmimit të naftës?
Në pamje të parë, përgjigjja duket e qartë për t’u lodhur me diskutime: çmimi i naftës me siguri do të rritet teksa sanksionet ulin prodhimin dhe eksportet e Iranit, ndërsa tregtarët përgatiten për një luftë të mundshme. Por tregjet financiare kanë një zakon shqetësues: parashikimet e para nga investitorët si fare të dukshme shpesh rezultojnë të jenë gabim. Parashikimi i çmimeve të naftës mund të rezultojë e tillë për shumë arsye.
Çmimet e naftës janë tashmë 70% mbi nivelin e verës së kaluar – dhe pritshmëritë e sanksioneve të SHBA kundër Iranit kanë qenë një nxitës i madh i kësaj rritje. “Të blesh me thashetheme dhe të shesësh sipas lajmeve” është një parim i vazhdueshëm i spekulimit financiar. Blerjet e paprecedent të kontratave të naftës nga spekulatorë jo-tregtarë në tregjet e ardhshme në Nju Jork dhe Londër sugjerojnë se sanksionet mund të jenë përfshirë tashmë në çmim, me naftën e papërpunuar që po shitet me 78 dollarë fuçia.
Ky çmim nuk është ngritur kurrë mbi 70 dollarë që nga 2014, kur rritja e shpejtë e prodhimit të shistit argjilor shkaktoi ulje të çmimeve të naftës. Dhe nafta që do të blihet tani për t’u ofruar në vitin 2020 ende mbetet poshtë 70 dollarëve, duke krijuar një gjendje të pazakontë në treg të quajtur “prapësim i thellë”, që u pa në vjeshtën e 2014 dhe shpesh paralajmëron një rënie të madhe në çmim.
Duke kaluar nga spekulimet te themelet e prodhimit të naftës, është e qartë se sanksionet do të pakësojnë eksportet e Iranit aq sa për të prekur balancën globale të kërkesës dhe ofertës. Ndërsa eksportet e Iranit thuajse u dyfishuan pas heqjes së sanksioneve të mëparshme në 2015, nga 1.5 milionë fuçi dita në rreth 2.5 milionë fuçi aktualisht, shumica e kësaj nafte është shitur në Kinë, Indi dhe Turqi, që të gjitha vende që me gjasa do të injorojnë ose shkelin sanksionet e SHBA.
Pjesa e pambrojtur e tregtisë së naftës së Iranit janë eksportet e vetëm 750,000 fuçive në ditë në Bashkimin Europian, Korenë e Jugut dhe Japoni. BE ka premtuar ta ruajë tregtinë me Iranin, por edhe nëse kjo rezulton e pamundur, shumica e naftës iraniane që tani është në Europë, Japoni apo aleatë të tjerë të SHBA padyshim do të shkojë në vende si India dhe Kina që do t’i hapë rrugën naftës Saudite, Irakiane apo Ruse në Europë dhe Japoni.
Fakti se tregtarët e naftës vazhdimisht i ndryshojnë destinacionin ngarkesave të naftës nëpër glob shpjegon pse shumica e analistëve presin që sanksionet të pakësojnë furnizimin me naftë me më pak se 500,000 fuçi dita. Një ndryshim i kësaj shkalle do të jetë më i vogël se kolapsi me 700,000 fuçi i eksporteve venezueliane të naftës vitin e kaluar dhe shumë më i vogël se rritja e prodhimit ditor amerikan me 1.1 milionë fuçi të projektuar gjatë 12 muajve të ardhshëm, pa përmendur pakësimin e mundshëm në kërkesën globale të naftës shkaktuar nga rritja e thiktë e çmimeve verën e kaluar.
Thënë shkurt, sanksionet e Iranit do të kenë më pak ndikim në balancën globale të ofertës dhe kërkesës krahasuar me performancën e ekonomisë botërore dhe sjelljen e prodhuesve të tjerë të naftës. Kjo sugjeron arsye tjetër përse përballja SHBA-Iran mund të çojë në çmim më të ulët, jo më të lartë: Trump dhe aleatët e tij sauditë tani kanë një arsye shumë të fortë politike për t’i rezistuar më tej presionit në rritje mbi çmimet e naftës.
Kostot në rritje të benzinës kanë përmbysur tashmë më shumë se gjysmën e fitimeve nga ulja e taksave të këtij viti për amerikanët e klasës së mesme. Nëse çmimet e Iranit rriten më tej gjatë “sezonit të makinave”, verës që fillon në SHBA tani, Trump mund të fajësohet nga votuesit dhe republikanët mund të vuajnë në zgjedhjet afatmesme të Kongresit në nëntor, veçanërisht në shtetet Mesperëndimore.
Duke supozuar se Trump tani e sheh të përshtatshme politikisht të kufizojë çmimet e naftës, lidershipi Saudit mund të pritet t’i ofrojë atij të gjithë ndihmën e nevojshme. Nga ana tjetër, Irani dhe Rusia që kanë qenë më parë më pak agresive se Arabia Saudite për çmimin nga OPEK, mund të mbështesin tani kufizime më të ashpra për ofertën, ngaqë rritja e madhe e çmimeve të naftës mund të shkaktojnë zemërim ndaj Trump.
Eksperiencat e shkuara sugjerojnë se interesat politikë të SHBA dhe Saudisë me gjasa do të prevalojnë, të paktën në term afatshkurtër. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë pas dy luftërave në Irak. Çmimet e naftës u ulën me 45% në 1991 dhe me 35% në 2003, pas një muaji të lançimit të sulmit nga SHBA. Një rënie e kësaj shkalle duket e pabesueshme sot, por çmimet e naftës kanë gjasa të bien, pavarësisht sanksioneve të Iranit – ose për shkakun e tyre.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Titulli origjinal: Të panjohurat e ditura të sanksioneve amerikane në Iran. The Known Unknowns of US Sanctions Against Iran