Media gjermane raportoi se ministrat e jashtëm të BE-së kanë rënë dakord për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë në rast se plotësohen kushtet specifike për secilin vend, duke sjellë efektivisht shtyrjen e hapjes së negociatave deri në vitin e ardhshëm.
Negociatat për anëtarësim do të hapen por jo tani. Dhe do të hapen vetëm pasi Shqipëria të ketë plotësuar disa kushte jo fort të lehta për t’u plotësuar. Media gjermane bëri të ditur se në takimin e sotëm në Luksemburg të Ministrave të Jashtëm të BE-së, takim që i paraprin samimit të Këshillit Europian në këtë fundjavë në të njëjtin vend, është rënë dakord me pozicionin e Gjermanisë për hapjen e negociatave me kushte.
Agjencia gjermane e lajmeve DPA e cituar nga Deutsche Welle, bëri të ditur se është informuar për vendimin nga burime diplomatike. Vendet kritike, Holanda dhe Franca hoqën dorë nga kundërshtimi i tyre duke pranuar qëndrimin e Gjermanisë. Parlamenti i Gjermanisë miratoi pak ditë më parë një rezolutë në të cilën shprehej vullneti për hapjen e bisedimeve por pasi të plotësohet një listë e detajuar kushtesh. Kushtet e raportuara gjithashtu nga Deutsche Welle, lidhen si me reformën në drejtësi ashtu edhe me reformën zgjedhore, si dhe mbi të gjitha, me luftën kundër korrupsionit.
Risia në këtë rezolutë është dëshira e Bundestagut që ecuria e reformave në Shqipëri të mos monitorohet nga afër vetëm nga Komisioni Europian, i cili ka pasur deri tani funksionin e monitoruesit dhe vlerësuesit në proces, por edhe nga qeveria gjermane përmes përfaqësisë së vet diplomatike.
Kushtet për Shqipërinë janë sa të lehta aq edhe të vështira. Kushti i parë lidhet me reformën në drejtësi. Parlamentarët gjermanë kërkojnë që Shqipëria të përfundojë vetingun e 57 gjyqtarëve dhe prokurorëve që gjenden në “listën prioritare” të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Këto gjyqtarë dhe prokurorë janë “prioritarë” për shkak se kanë aplikuar për pozicione në institucionet e reja të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Pa përfunduar vetingu i tyre vendi nuk mund të vijojë me krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe as të plotësojë vendet vakante dhe të mbyllë boshllëkun institucional të krijuar nga shkarkimi i shumicës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese si dhe vakancave të krijuara në Gjykatën e Lartë.
Procesi i 57 gjyqtarëve dhe prokurorëve mund të mbarojë shpejt, por problemi është se me normën aktuale të mbijetesës së kandidatëve para vetingut, frika është se në fund të vetingut do të mbeten më pak kandidatë nga sa janë poste për t’u plotësuar në institucionet e reja. Kjo do të thotë se thirrjet për kandidatura do të duhet të rihapen, me një proces tjetër të gjatë.
Kushti tjetër i vështirë është reforma në sistemin zgjedhor. Duke qenë se kjo është një reformë që kërkon mirëkuptim mes maxhorancës dhe opozitës, kjo do të kërkojë një pazar mes së paku dy partive të mëdha parlamentare dhe kompromisi nuk është një praktikë e lehtë në politikën shqiptare.
Këto kushte duhet të realizohen para “konferencës së parë të anëtarësimit”, që është takimi i parë mes zyrtarëve shqiptarë dhe atyre të BE-së.
Por Bundestagu ka vënë kushte të tjera që duhet të realizohen “para konferencës së dytë”, kushte që janë gjithashtu të vështira.
Në këtë kohë, reforma zgjedhore jo vetëm që duhet të jetë miratuar, por duhet edhe të jetë zbatuar. Por kushti më i rëndësishëm lidhet me kërkesën e deputetëve gjermanë që gjyqtarët dhe prokurorët që kanë dështuar në veting të çohen për ndjekie penale. Deri tani kjo nuk ka qenë praktikë e rregullt ndërsa kur ka pasur kallëzim për pak zyrtarë, hetimet nuk është se kanë çuar gjëkundi. Por fillimi i ndjekies penale duhet të paraprihet nga një kusht tjetër, krijimi i Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të njohur me akronimin SPAK. Kjo është struktura që do të duhet të plotësojë kushtin tjetër dhe ndoshta më të vështirin. Deputetët gjermanë kërkojnë “hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar”, “zbulimi dhe konfiskimi i mjeteve financiare në lidhje me korrupsionin”, dhe dënimin e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të korruptuar.
Deri më sot Shqipëria ka bërë shumë pak “hetime proaktive”, gjë që do të thotë së prokurorët të hetojnë me iniciativë të vet dhe me metoda speciale si përgjimet, zyrtarët e lartë të dyshuar për korrupsion. Hetime të tilla vijojnë të mbeten tabu. Me përjashtim të hetimeve të dy gjyqtarëve, (Majlinda Andrea dhe Shkëlqim Miri), nuk ka pasur hetime të politikanëve “me iniciativë të prokurorëve”.
Gjermanët kërcënojnë gjithashtu që nëse Shqipëria, pas hapjes së bisedimeve, zvarrit ndonjë nga këto kushte, bisedimet duhet të ndërpriten.