Pas një takimi maratonë që zgjati deri në orën 5 të mëngjesit, udhëheqësit e Bashkimit Europian arritën një kompromis në çështjen e debatuar të migrimit duke pranuar njëkohësisht të japin më shumë ndihma për vendet kufitare dhe të pengojnë lëvizjet e brendshme të migrantëve.
Ndërsa Italia vijoi të këmbëngulë për të dërguar përpara idenë e krijimit të “qendrave rajonale të dizbarkimit jashtë kufijve të BE-së”, udhëheqësit e Europës arritën një zgjidhje kompromisi mes shqetësimeve të vendeve kufitare, (më së shumti Itali e Spanjë) mbi barrën e rëndë të vendosur mbi ta nga sistemi i njohur si Rregullorja Dublin dhe vendeve të brendshme si Gjermania që kërkojnë zbatimin e rregullores Dublin për të ndaluar lëvizjet e migrantëve brenda BE-së.
Takimi i krerëve të shteteve nisi mbrëmjen e së enjtes me një protestë të kryeministrit të Italisë Giuseppe Conte, i cili refuzoi të nënshkruajë një deklaratë paraprake, efektivisht duke bllokuar të gjithë punën e Këshillit, në pritje të një zgjidhjeje për shqetësimin e vendit të tij. Pas afro tetë orësh, në mëngjesin e së premtes, Conte pranoi kompromisin e ofruar.
Konkluzionet e Këshillit, [link] premton krijimin e të ashtuquajturave “qendra kontrolli” të cilat duhet të krijohen “mbi baza vullnetare” nga shtetet anëtare, por që duhet të kenë mbështetje të plotë nga BE. Sistemi aktual i Dublinit kërkon që secili shtet të trajtojë kërkesat për status azilanti politik dhe ato të migrantëve ekonomikë gjithash me shpenzimet e veta, ndërsa si refugjatët ashtu edhe migrantët nuk kanë të drejtë të lëvizin brenda zonës së lirë Shengen. Sistemi i krijuar për të diskurajuar migrimin që në përgjithësi ka destinacion vendet e pasura, ka krijuar një barrë disproporcionale për vendet kufitare, më së shumti Greqi e Itali. Diskutimi më i madh lidhet me numrin e madh të migrantëve dhe refugjatëve që gjatë viteve të fundit kanë mbërritur në Itali nga Libia me gomone apo varka të vogla. Aktualisht Italia është përgjegjëse për shpëtimin e tyre në detin Mesdhe, por thotë se ky është një problem i përbashkët i BE-së dhe duhet të trajtohet bashkërisht.
“Në territorin e BE-së, ata që shpëtohen, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duhet të merren përsipër në basë të një përpjekjeje të përbashkët, përmes transferimit në qendra kontrolli të ndërtuara nga Shtetet Anëtare, vetëm në bazë vullnetare, ku një proces i shpejtë dhe i sigurt duhet të lejojë, me mbështetjen e plotë të BE-së, të dallojë mes migrantëve të parregullt, të cilët do të kthehen, ata ata që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, për të cilët parimi i solidaritetit do të zbatohet,” thuhet në deklaratë.
Por para idesë së “qendrave të kontrollit” në territorin e BE-së, deklarata vijon të mbështesë edhe idenë e shumëdebatuar të Qendrave Rajonale të Dizbarkimit. Këto qendra të tilla supozohet se duhet të ndërtohen në vende “jashtë BE-së” dhe duhet të funksionojnë njëkohësisht si pika kontrolli për të identifikuar refugjatët që vijnë nga vende të rrezikshme si Siria dhe që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, ashtu edhe për të diskurajuar migrantët ekonomikë. Sipas deklaratës, kjo syno gjithashtu “të shmangë tragjeditë në det”. Gjatë këtij viti, rreth 40 mijë refugjatë dhe migrantë kanë mbërritur në brigjet e Italisë ndërsa mbi 1 mijë të tjerë kanë humbur jetën në tentativë për të kaluar Mesdheun. Kjo është një shifër shumë më e ulët se sa 1 milionë refugjatët që mbërritën në BE në vitin 2015 duke ndjekur të ashtuquajturën “Rrugë të Ballkanit” nga Greqia për në Maqedoni, Serbi, Hungari e më tutje, por zgjedhjet e pritshme në Gjermani si dhe zgjedhja e politikanëve antiestabilishment në Itali kanë krijuar një krizë politike që sipas medias ndërkombëtare, rrezikon të shkatërrojë sistemin e lëvizjes pa kufij brenda zonës Shengen dhe të rikthejë kufijtë fizikë mes vendeve anëtare.
Sa i përket shpëtimeve në det, Këshilli i tërhoqi vërejtjen edhe disa organizatave humanitare të cilat kanë dërguar anije shpëtimi në Mesdhe. Sipas deklaratës, varkat me refugjatë që gjenden në ujërat territoriale të Libisë nuk duhet të shpëtohen nga anijet humanitare pasi janë përgjegjësi e Rojes Bregdetare të Libisë. Italia dhe Malta javën e kaluar refuzuan zbarkimin e një anijeje shpëtimi me refugjatë me argumentin se refugjatët e shpëtuar nuk gjendeshin në ujërat ndërkombëtare.
Në rast se migrantët dhe refugjatët gjenden në ujërat Libiane, ata duhet të kthehen në Libi, ku disa kampe të ndërtuara me ndihmën e vendeve Europiane kanë ngritur shqetësime të mëdha për shkeljen e të drejtave të njeriut.
Pavarësisht se Këshilli vijoi të mbështesë idenë e “Qendrave Rajonale të Dizbarkimit”, vendet anëtare nuk kanë arritur të gjejnë asnjë vend të gatshëm për të pranuar ndërtimin e platformave të tilla. Pas refuzimit të Tunizisë, e cila dukej se ishte e para që ka marrë një propozim të tillë nga Italia dhe Gjermania, disa vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, e hodhën poshtë këtë ide.