
Prokurorët e Kosovës po diskutojnë ndryshimin e kodit të procedurës penale në mënyrë që të mund të gjykojnë në mungesë të dyshuarit për krime lufte, pasi një marrëveshje ekstradimi me Serbinë duket se s’ka gjasa të ndodhë.

Autoritetet gjyqësore të Kosovës po marrin në konsideratë mundësinë e ndryshimeve në kodin penal me qëllim ndjekjen penale në mungesë të të dyshuarve për krime lufte, pasi ata shohin pak shanse që Kosova të nënshkruajë një marrëveshje me Serbinë për bashkëpunim gjyqësor.
Ekspertët thanë për BIRN se qindra të dyshuar serbë në rastet e krimeve të luftës do të ndiqeshin penalisht nëse Prishtina mund t’i gjykonte ata në mungesë.
Kryeprokurori i Kosovës Aleksander Lumezi tha të martën, pas një takimi me ministrin e drejtësisë Abelard Tahiri dhe kreun e Prokurorisë Speciale Reshat Millaku, se ai po kërkon të ndryshojë kodin penal për të zgjidhur problemin e dosjeve të mbetura të krimeve të luftës.
Kodi i procedurës penale në Kosovë aktualisht nuk lejon gjykime në mungesë, sepse, sipas ligjit, ato shkelin të drejtat e të pandehurve për të pasur qasje në dokumente dhe për t’u mbrojtur.
“Ndoshta do të jemi në gjendje të arrijmë një kompromis mbi mundësinë që disa njerëz – vetëm ata që janë të përfshirë në rastet e krimeve të luftës – të mund të gjykohen në mungesë,” tha Lumezi.
“Nëse ai person kapet nga autoritetet e Kosovës pas vendimit, ne mund të kryejmë një gjykim me një procedurë të shkurtuar për ta lejuar të dyshuarin të mbrojë veten,” shtoi ai.
Avokati nga Prishtina, Tome Gashi, tha për BIRN se Kosova ka pritur shumë një zgjidhje për këtë problem. “Prokurorët e Kosovës kanë prova kundër qindra serbëve të përfshirë në krimet e luftës të kryera kundër civilëve në Kosovë,” shpjegoi ai.
“Është e padrejtë dhe e palogjikshme që ata të mbeten të pandëshkuar ose gjykimi të mos mund të kryhet për shkak të një rregulli të vendosur nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, në vitin 2004, kur një nen iu shtua kodit të procedurës penale që ndalon gjykimet në mungesë,” Gashi tha.
Për më tepër, tha ai, ndryshimet duhet të bëhen së shpejti, sidomos pasi që në shumë raste me kalimin e kohës bëhet e vështirë gjetja e provave, kështu që familjet e 15,000 viktimave të luftës rrezikojnë të mos marrin kurrë ndonjë drejtësi.
Mungesa e bashkëpunimit midis Prishtinës dhe Beogradit ka bërë që kriminelët seriozë shpesh të shmangin drejtësinë.
Siç raportoi BIRN, kriminelët e dënuar nga Kosova apo Serbia thjesht duhet të kalojnë kufirin për t’i shpëtuar dënimeve me burg për krimet që kanë kryer, për shkak të mosbashkëpunimit midis policisë dhe gjyqësorit në të dy vendet.
Edhe organi i sundimit të ligjit të BE-së, EULEX, kur ai ende kishte ende mandatin e tij të plotë, kishte probleme me hetimin, arrestimin dhe ndjekjen penale të kriminelëve që kishin lidhje në Prishtinë dhe Beograd.
Situata ishte sidomos e tmerrshme kur erdhi puna te ndjekja penale e krimeve të krimeve të luftës; edhe pse Kosova dhe EULEX-i lëshuan më shumë se 50 urdhra arresti për shtetasit serbë përmes misionit të OKB-së, UNMIK, asnjë prej tyre nuk u ekstradua apo u arrestua.
Hetuesit e EULEX-it përfunduan hetimet për vrasjet masive në fshatrat Suharekë dhe Mejë në vitin 1999, por asnjëherë nuk u morën autorët e supozuar, të cilët besohet të jenë në Serbi.
Që nga viti 2016, EULEX-i nuk ka pasur më mandat për të nisur rastet e veta. Ndërsa rastet e reja të krimeve të luftës po drejtohen nga prokuroria e Kosovës, bashkëpunimi me Serbinë de fakto është bllokuar.
Ky është një problem i madh kur, në 90 për qind të rasteve për prokurorinë e Kosovës dhe të Serbisë, viktimat janë në një vend dhe autorët janë në anën tjetër.
Prokuroria serbe e krimeve të luftës nuk ka ngritur asnjë padi për krimet lufte në Kosovë në katër vitet e fundit, ndërsa prokuroria e Kosovës ka nisur më së shumti raste kundër ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi ata janë të dyshuarit e vetëm që ajo mund të nxjerrë në gjyq.
Serbia këmbëngul se ka juridiksion universal për të hetuar të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi, por Kosova këmbëngul se, si një shtet i pavarur, prokurorët e Beogradit nuk kanë autoritet të hetojnë brenda Kosovës.
Autoritetet e Prishtinës gjithashtu thonë se Beogradi ka hedhur poshtë ofertat e tyre për ndihmë juridike, pasi vijnë nga një shtet që Serbia nuk e njeh.
Ndërsa EULEX-i ka siguruar ekstradimet nga disa vende që nuk e njohin Kosovën, si Sllovakia dhe Bosnja, nuk ka pasur ekstradime midis Kosovës dhe Serbisë, pasi Prishtina dhe Beogradi nuk kanë përfunduar ende ndonjë marrëveshje të tillë.
Mungesa e çdo bashkëpunimi gjithashtu ka penguar hetimin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviç në janar të këtij viti.
Përfaqësuesit e Kosovës thanë se disa shkëmbime informacionesh u zhvilluan midis Prishtinës dhe Beogradit, por Serbia tha se vetëm EULEX ndërhyri në transferimin e informacioneve.
Përfaqësuesit e EULEX-it thanë për BIRN se po ndihmonte me këtë rast duke bërë ndërmjetësin midis Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë, ndërsa ministria e drejtësisë e Kosovës dhe ajo e Serbisë thanë për BIRN se kishin marrë disa informacione nga njëri-tjetri.