Zjarret, thatësirat dhe temperaturat rekord të kësaj vere duhet të shërbejnë si një thirrje zgjimi. Sa më gjatë që një elitë e ngushtë dhe injorante dënon amerikanët dhe pjesën tjetër të njerëzimit të sorollatet në një shkretëtirë politike, aq më tepër gjasa ka që të përfundojmë në një djerrinë.
Njerëzit modernë, të lindur në një epokë klimatike, të quajtur Holosen, kanë kaluar kufirin në një tjetër epokë, Antroposen. Por në vend të drejtimit të njerëzimit nga Moisiu në këtë labirint të ri, një grup mohuesish të shkencës dhe ndotësish aktualisht e keqdrejtojnë njerëzimin ndaj një rreziku edhe më të madh. Ne jemi që të gjithë refugjatë klimatikë tashmë dhe duhet të çajmë një rrugë drejt sigurisë.
Holosena ishte epoka gjeografike që nisi më shumë se 10000 vite më parë, me kushte të favorshme klimatike që mbështetën njerëzimin siç e dimë. Antroposena është një epokë e re gjeografike me kushte mjedisore që njerëzimi nuk i ka përjetuar kurrë më parë. Padyshim, temperatura e tokës është tani më e lartë sesa gjatë Holosenës, për shkak të dioksidit të karbonit që njerëzimi ka çliruar në atmosferë duke djegur qymyr, naftë dhe gaz, dhe duke kthyer pyjet dhe gjelbërimin e botës në ferma dhe kullota.
Njerëzit po vuajnë dhe po vdesin në mjedisin e ri, dhe më e keqja pritet të vijë. Uragani Maria vlerësohet se ka marrë më shumë se 4000 jetë në Porto Riko shtatorin e kaluar. Uraganë të intensitetit të lartë po bëhen më të shpeshtë dhe stuhi madhore po shkaktojnë më shumë përmbytje për shkak të nxehtësisë së rritur që transferohet nga ujërat në ngrohje të oqeaneve, nga lagështia më e madhe e ajrit dhe rritja e nivelit të detit – të gjitha të bëra më ekstreme nga ndryshimi klimatik i shkaktuar nga njeriu.
Muajin e shkuar, më shumë se 90 njerëz humbën jetën në periferitë e Athinës nga një zjarr shkatërrimtar i nxitur nga thatësira dhe temperaturat e larta. Zjarre të mëdha pyjore kanë përfshirë gjithashtu vende të tjera si Kalifornia, Suedia, Britania dhe Australia. Vitin e shkuar, Portugalia u prek thellë. Shumë temperatura rekord po arrihen nëpër botë këtë verë.
Sa pakujdesi nga ana e njerëzimit që e kapërceu kufirin e holosenës, duke shpërfillur – si një personazh në një film horror – të gjitha shenjat e qarta paralajmëruese. Në vitin 1972, qeveritë e botës u mblodhën në Stokholm për të zgjidhur kërcënimet mjedisore në rritje. Pas konferencës, Klubi i Romës publikoi “Limitet e Zhvillimit”, që prezantoi së pari idenë e një trajektore rritjeje “të qëndrueshme” dhe rreziqet e mbishfrytëzimit mjedisor. Njëzet vjet më pas, shenjat paralajmeruese qenë të qarta në Rio de Zhaniero, ku shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara u mblodhën për Samitin e Tokës për të miratuar konceptimin e “zhvillimit të qëndrueshëm” dhe për të nënshkruar tri traktate të rëndësishme mjedisore për të ndaluar ngrohjen globale të nxitur nga njeriu, për të mbrojtur diversitetin biologjik dhe për të ndaluar degradimin dhe djerrimin e tokës.
Pas vitit 1992, Shtetet e Bashkuara, vendi më i fuqishëm i botës, i shpërfilli tre traktatet e reja, duke sinjalizuar vendet e tjera se mund të pakësonin përpjekjet e tyre gjithashtu. Senati i SHBA i ratifikoi traktatet klimatike dhe ato të djerrëzimit por nuk bëri asgjë për t’i zbatuar ato.Dhe refuzoi të ratifikonte traktatin për të mbrojtur diversitetin biologjik, pjesërisht sepse republikanët perëndimorë këmbëngulën se bujqit kanë të drejtën të bëjnë ç’të duan me pronën e tyre pa ndërhyrje ndërkombëtare.
Së fundmi, bota miratoi Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SZHQ) në shtator 2015 dhe marrëveshjen Klimatike të Parisit në dhjetor 2015. Por sërish, qeveria amerikane ka shpërfillur me dashje SZHQ, duke u renditur e fundit mes vendeve të G20 në aspektin e përpjekjeve qeveritare për zbatim. Dhe presidenti Donald Trump ka deklaruar qëllimin e tij për ta nxjerrë SHBA nga marrëveshja klimatike e Parisit në çastin më të hershëm të mundshëm, në 2020, katër vite pasi akordi hyri në fuqi.
Më e keqja pritet të vijë. Rritja e dioksidit të karbonit, e shkaktuar nga njeriu nuk ka arritur ende efektin e saj të plotë paralajmërues, për shkak të vakumit të gjerë të ndikimit të saj në temperaturat e oqeanit. Pritet ende që të ndodhë një rritje me 0.5 gradë celsius gjatë dekadave të ardhshme bazuar në përqëndrimin aktual të CO2 (408 pjesë për milion) në atmosferë dhe më shumë ngrohje përtej kësaj nëse përqendrimet e CO2 vazhdojnë të rriten me djegien si tani të karburanteve fosile. Për të arritur qëllimin e marrëveshjes së Parisit për kufizimin e ngrohjes globale nën 2 gradë nga niveli paraindustrial, bota duhet të kalojë nga qymyri, nafta dhe gazi te energjia e rinovueshme rreth vitit 2050 dhe nga shpyllëzimi te ripyllëzimi dhe restaurimi i tokës së degraduar.
Por pse njerëzimi vazhdon të shkojë qorrazi përpara, drejt një tragjedie të sigurt?
Arsyeja kryesore është se institucionet tona politike dhe korporatat gjigante me dëshirë i shpërfillin rreziqet dhe dëmet në rritje. Politika do të marrë dhe të mbajë pushtetin, jo të zgjidhë probleme, edhe kur janë probleme mjedisore jetë a vdekje. Menaxhimi i një kompanie medhore lidhet me maksimizimin e vlerës së aksionerit, jo me të thënit të vërtetën apo me shmangien e një dëmi më të madh ndaj planetit. Investitorët që kërkojnë fitim zotërojnë media kryesore ose të paktën e influencojnë median përmes blerjes së reklamave. Kështu, një grup i vogël por shumë i fuqishëm mban në vend sistemin e energjisë bazuar te karburantet fosile përballë rrezikut në rritje ndaj pjesës tjetër të njerëzimit sot dhe në të ardhmen.
Trump është budallai i fundit që po i bën ndere ndotësve, të përkrahur nga republikanët në kongres që financojnë fushatat e tyre zgjedhore me kontributet nga keqbërësit mjedisor si Industritë Koch. Trump e ka mbushur qeverinë amerikane me lobistë industrialë që vazhdimisht po shpërbëjnë çdo rregullim mjedisor që mund të prekin. Së fundmi, Trump nominoi një ish-avokat për kompaninë mega-ndotëse Doë Chemical që të drejtojë programin e pastrimit toksik në Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit. Kjo nuk mund të shpiket.
Kemi nevojë për një lloj të re politike që fillon me një synim global të qartë: siguri mjedisore për njerëzit e këtij planeti, duke përmbushur marrëveshjen klimatike të Parisit, duke mbrojtur diversitetin dhe duke ulur ndotjen, që vret miliona njerëz çdo vit. Politika e re duhet të dëgjojë ekspertët shkencorë dhe teknologjikë, jo liderët e bizneseve që kanë interesa vetjake dhe politikanët narcisistë. Klimatologë në gjendje të matin rreziqet në rritje. Inixhinierët të na informojnë si ta bëjnë tranzicionin të shpejtë, deri më 2050 me energji zero karbon. Ekologët dhe agronomët të na tregojnë si të rrisim të mbjella më të mira dhe më të shumëta në më pak tokë ndërsa i japim fund shpyllëzimit dhe kthejmë tokën e degraduar.
Një politikë e tillë është e mundur. Në fakt, publiku mezi e pret këtë. Një shumicë e madhe amerikanësh, për shembull, duan të luftojnë ngrohjen globale, të qëndrojnë në marrëveshjen klimatike të Parisit dhe të përqafojnë energjinë e rinovueshme. Megjithatë, për sa kohë një elitë e ngushtë dhe injorante t’i dënojë amerikanët dhe pjesën tjetër të njerëzimit të vërtitet pa qëllim në një shkretëtirë politike, me shumë gjasa ka që të përfundojmë në një tokë të çuar dëm pa mundësi arratisje.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. We Are All Climate Refugees Now