Në një ngërç politik, ku as blloqet e pushtetit dhe as të opozitës nuk kanë vota të mjaftueshme për të marrë vendime të rëndësishme, zgjedhjet e menjëhershme mund të jenë e vetmja zgjidhje.
Politikanët e Kosovës, të cilët në javët e fundit kanë hyrë në një debat të ashpër mbi shkëmbimet e mundshme të territoreve midis Beogradit dhe Prishtinës, janë kthyer nga pushimet e tyre të verës vetëm për të gjetur se janë po aq të ndarë dhe po aq në një rrugë pa krye për të gjitha çështjet kyçe si më parë.
Ndër çështjet e tjera, rruga pa krye mund të ketë një ndikim të madh në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe madje të bllokojë regjimin e shumëpritur pa viza për në BE.
Të përballur me një humbje të mundshme të fondeve të rëndësishme të BE-së – nëse parlamenti i Kosovës nuk do të kishte arritur të miratonte reformat e kërkuara – ligjvënësit javën e kaluar miratuan tre dokumente të rëndësishme për marrëdhëniet e mira të vazhdueshme me Brukselin.
Por liderët e opozitës dhe ekspertët theksojnë se parlamenti mbetet “i paralizuar” dhe se kjo situatë ndoshta mund të zgjidhet vetëm me një zgjedhje të re.
Nën presionin gjithnjë në rritje nga opozita, koalicioni qeverisës ra dakord padyshim që të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme më 20 shtator për të debatuar mbi reformat kyçe të BE-së.
“E thirrëm këtë seancë pasi asambleja është pothuajse e paralizuar. Nuk ka rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të reja,” tha Avdullah Hoti, kreu i grupit parlamentar për Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK, partia kryesore e opozitës, një ditë para seancës.
Më 20 shtator, parlamenti më në fund e ratifikoi Marrëveshjen Financiare për IPA 2018; një marrëveshje me BE-në për pjesëmarrje në programin “Europa për qytetarët” dhe një marrëveshje me Komisionin Europian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Erasmus +” për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin.
Paketa IPA 2018 përfshin financimin për 11 projekte që do të ndihmojnë procesin e harmonizimit me legjislacionin e BE-së.
Ato përfshijnë çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, efikasitetin e energjisë, ekonominë digjitale, sigurinë ushqimore dhe mbështetje për një koordinim më të mirë midis arsimit dhe tregut të punës si dhe politikat sociale.
Së bashku, këto projekte duhet t’i japin Kosovës më shumë se 220 milionë euro fonde të BE-së.
Vera e ngrohtë politike pasohet nga vjeshta më e nxehtë
Megjithatë, liderët e opozitës dhe ekspertët theksojnë se ky nuk është fundi, por vetëm fillimi i një krize të madhe politike.
Problemet politike të pranishme në Kosovë për vite më radhë kanë arritur një kreshendo të re, ndërsa seanca e parë e rregullt e vjeshtës filloi më 13 shtator me 40 pika në rendin e ditës.
Parlamenti u bllokua të nesërmen, pasi partitë kryesore të opozitës, LDK-ja dhe Vetëvendosja, bojkotuan vazhdimin e seancës të premten.
Më parë, ata kishin kërkuar një seancë të jashtëzakonshëm mbi idenë e një shkëmbimi të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë – çështje që shkaktoi shumë tension nëpër rajon gjatë javëve të fundit.
Opozita donte të miratohej një rezolutë në seancën e jashtëzakonshme, e cila do të konfirmonte se “askush nuk ka mandatin për të negociuar në territorin e Kosovës”.
Ata thanë gjithashtu se nuk do të ktheheshin në parlament deri në përmbushjen e kërkesës së tyre.
“Nuk do të hyjmë në sallë derisa të mbahet seanca e jashtëzakonshme për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës,” tha Besa Gaxheri një deputete e LDK-së më 14 shtator.
Zhvillimet thjesht kanë konfirmuar hendekun midis partive qeverisëse dhe atyre të opozitës mbi zgjidhjen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nëpërmjet një shkëmbimi territoresh – dhe bllokimit që kërcënon skenën politike të Kosovës dhe parlamentin e saj.
Koalicioni qeverisës i destinuar të dështojë që ditën e parë
Koalicioni i tanishëm qeverisës u krijua pothuajse saktësisht një vit më parë, më 7 shtator 2017.
Ai përfshinte edhe koalicionin e ri të PAN-it, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, të Kadri Veselit, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, të Ramush Haradinajt, NISMA-n e Fatmir Limajt dhe Aleancën Kosova e Re, AKR, të Behgjet Pacollit, së bashku me partinë kryesore serbe të Kosovës, Listën Serbe.
“Situata në të cilën ndodhet parlamenti është parashikuar që nga dita kur është votuar qeveria Haradinaj,” tha për BIRN gazetari që ndjek nga afër punën e Kuvendit, Agron Halitaj.
“Si pasojë e mungesës së numrit të partive politike shqiptare, kjo qeveri nuk mund të krijohej pa bekimin e Listës Serbe, e cila merr direktivat e saj nga Beogradi,” shtoi ai.
Koalicioni qeverisës mbajti vetëm 62 nga 120 vende, me një diferencë shumë të ngushtë. Themelimi i kuorumit që nevojitet për mbajtjen e seancave parlamentare është treguar të jetë i vështirë.
Artan Murati, nga një organizëm mbikëqyrës në Prishtinë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i tha BIRN-it se Kuvendi ka qenë krejtësisht jofunksional si rezultat i problemit të marrjes së kuorumit të nevojshëm për votim.
Ai tha se mosmarrëveshjet e thella midis koalicionit qeverisës dhe partive opozitare kanë çuar në një numër të madh ligjesh që nuk janë miratuar për shkak të mungesës së deputetëve.
Murati gjithashtu vuri në dukje se, gjatë seancës së pranverës, Kuvendi shpesh funksiononte pa një orar të rregullt të seancave dhe takimeve të Komisioneve parlamentare.
Gjatë seancës pranverore, Kuvendi përfundimisht miratoi marrëveshjen e diskutueshme mbi Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi pas vonesave të shumta, kur koalicioni qeverisës më në fund mblodhi votat e mjaftueshme.
Votimi u zhvillua në mes të gazit lotsjellës, të cilin deputetët e Vetëvendosjes e përdorën në një përpjekje për të parandaluar votimin.
Pas këtij incidenti, 13 deputetë u ndaluan nga ajo seancë, pesë prej tyre nga Vetëvendosja, ndërsa shtatë nga deputetët e tyre u arrestuan.
Reforma të rëndësishme të bllokuara nga ngërçi politik
Në seancën e tij të parë të vjeshtës, e cila filloi më 13 shtator, parlamenti do të diskutonte dhe votonte të paktën 65 projektligje.
Por numri pritej të rritej drejt fundit të vitit, pasi qeveria duhej gjithashtu të paraqiste një legjislacion të ri.
Nga këto 65 projektligje, 22 ishin të rinj, ndërsa 43 ishin në fazën e leximit të dytë.
Murati paralajmëroi se nga këto 65 ligje, 13 kanë të bëjnë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, shumica e të cilave kanë një karakter financiar që kërkon mbështetjen e dy të tretave të 120 deputetëve.
“Dhjetë nga 65 ligjet lidhen me Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe agjendës së zgjerimit të BE-së, miratimi i të cilave lidhet drejtpërdrejt me proceset më të gjera të integrimit në BE dhe liberalizimin e vizave”, theksoi Murati.
“Përmbushja e kësaj axhende do të jetë një sfidë e madhe për Kuvendin nëse vazhdon polarizimi ekstrem i partive qeverisëse dhe opozitare”, paralajmëroi Murati.
Zgjedhjet e reja mund të jenë e vetmja rrugëdalje
Gazetari Agron Halitaj thekson se në sistemet parlamentare, kur një koalicion qeverisës nuk ka mbështetjen për të miratuar ligje, shpesh përcillet një krizë institucionale dhe politike. “Kosova është në një situatë të tillë aktualisht”, tha Halitaj.
Ai shtoi se nëse bllokada vazhdon për më shumë kohë, ajo duhet të zgjidhet ose nëpërmjet ri konfigurimit të koalicionit qeverisës, krijimit të një të riu ose përmes zgjedhjeve të menjëhershme.
Analisti politik në Prishtinë, Imer Mushkolaj, i tha BIRN-it se zgjedhjet e parakohshme mund të jenë një ide e mirë, “pasi institucionet do të merrnin legjitimitetin e duhur”.
“Tani kemi një situatë absurde ku koalicioni qeverisës nuk ka shumicën e votave … dhe ku askush çnë qeveri apo opozitëÇ nuk merr përgjegjësi,” tha Mushkolaj.
Ai shtoi se nëse palët nuk bien dakord për zgjedhjet, presidenti Hashim Thaçi mund të vazhdojë me idetë e tij mbi dialogun me Serbinë, “por marrëveshjet që ai mund të arrijë nuk do të jenë të ligjshme”.
“Ne jemi në një pozitë kur mund të zgjedhim nëse do ta lejojmë Thaçin të punojë pa legjitimitet – ose të shkojmë në zgjedhje të menjëhershme,” tha Mushkolaj për BIRN.