Gratë dhe vajzat e komuniteteve të pafavorizuara në Shqipëri jetojnë me dhunë, varfëri, paragjykim si dhe me mungesë të shërbimeve shtetërore që i mbron ato nga dhunuesit, zbuloi një raport i publikuar enjten në Tiranë.
Një raport i publikuar të enjten në Tiranë, “Dhuna ndaj grave dhe vajzave nga komunitete të pafavorizuara”, zbuloi se vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara, të komunitetit rom dhe egjiptian si dhe të komunitetit LBT (lesbike, biseksuale dhe transgjinore) në vend, jetojnë të varura nga dhunuesit dhe shpesh përballen me mungesë totale të shërbimeve mbështetëse nga shteti, ndërsa kanë pak informacione si të mbrohen apo t’i shpëtojnë dhunës.
Organizatat e përfshira në studim, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, Qendra për të Drejtat e Grave Rome dhe Aleanca Kundër Diskriminimit të Komunitetit LGBT organizuan intervista me gra dhe vajza në rajonet e Tiranës, Elbasanit, Shkodrës dhe Vlorës. Intervista u realizua gjithashtu me nëpunës shtetëror të policisë, gjykatës, bashkive dhe institucioneve shëndetësore.
Raporti i mbështetur nga ‘UN Women,’synoi të hidhte dritë mbi format e dhunës, dhunuesit dhe njohuritë e aksesin e grave nga tri grupet e mësipërme në shërbimet e ofruara nga shteti dhe përfshiu gjithsej 91 persona, ku 26 ishin gra me aftësi të kufizuara, 26 anëtare të komunitetit rom dhe 12 anëtarë të komunitetit LGBT.
Dhuna te gratë dhe vajzat e komunitetit rom dhe egjiptian, LBT dhe me aftësi të kufizuara është e pranishme në nivele shqetësuese por është pak e raportuar apo identifikuar, zbuloi raporti.
Përveç formave të zakonshme të dhunës që rëndon mbi gratë shqiptare, vajzat dhe gratë e përfshira në studim hasin me vështirësi të shtuara.
“Ato përjetojnë edhe lloje të shtuara të dhunës, të lidhura me stereotipet, traditën, kulturën, apo edhe me statusin e tyre shëndetësor, social dhe ekonomik,” thuhet në raport.
Të paktën 195 raste të grave dhe vajzave nga komunitetet e mësipërme përjetuan dhunë gjatë vitit 2017, sipas studiuesve, por ata gjithashtu shtuan se numrat mund të jenë shumë të lartë ngaqë gratë mund të mos e raportojnë dhunën pranë institucioneve përgjegjëse.
Lexoni të ngjashme:
- Projektligji i ri për mbrojtjen nga dhuna në familje ngjall shpresë për ndryshim
- Vrasja e paralajmëruar; dhuna ndaj gjyqtares u injorua me mbyllje hetimesh dhe amnisti
Aftësia e Kufizuar dyfish e dhunuar
Gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara, pjesëmarrëse në studim raportuan se barrierat në komunikim dhe akses shërbimesh i pengojnë ato të denoncojnë dhunën dhe t’i largohen menjëherë një situate dhune.
“Ndalimi i mjekimit, izolimi në shtëpi pasi karrigia me rrota ishte shkatërruar apo lidhja me litar brenda shtëpisë për arsye të mungesës së shërbimve janë lloje specifike të dhunës fizike, të ushtruara ndaj grave e vajzave me aftësi të kufizuara,” thotë raporti.
Kërcënimi për braktisje nga familjarët i një gruaje me karrige me rrota, apo kontrolli i çdo sjelljeje dhe lëvizje, dhe kërcënimi se do të dërgohej në institucion i një vajze me aftësi të kufizuara – ishin shembuj të dhunës emocionale të ushtruara në kontekstin e aftësisë së kufizuar në raport.
Gjatë vitit të kaluar pati të paktën shtatë raste të trafikimit të vajzave me aftësi të kufizuara dhe probleme të shëndetit mendor.
Dhuna ekonomike qe gjithashtu një shkak madhor që pengonte jetesën e lirë të këtij komuniteti, ku pjesëmarrëset në studim pranuan se pagesat e aftësisë së kufizuar të tyre menaxhoheshin nga familja apo bashkëshorti dhe nuk përdoreshin për probleme të lidhura me gjendjen e tyre.
Ky cikël vicioz i dhunës, të nisur nga familja apo kujdestarët vazhdon kur gratë dhe vajzat përballen me mungesë shërbimesh duke mos lejuar trajtimin dhe rehabilitim e tyre.
Migena Ismailati nga organizata Sot për të Ardhmen, që merret me ofrimin e ndihmës ndaj grave të dhunuara në qytetin e Durrësit u shpreh gjatë prezantimit se ligjet e mira të shtetit duhet të gjejnë zbatim edhe në jetën e përditshme. Ajo dha rastin e një dhunuesi me aftësi të kufizuara mendore, i cili ishte lënë i lirë dhe kishte vazhduar dhunimin e bashkëshortes së tij për shkak se policia nuk mund ta izolonte dhe spitali nuk mund ta trajtonte.
“Duhet të ketë strategji të rehabilitimit edhe për dhunuesit,” vërejti Ismailati.
Martesa të detyruara për vajzat lesbike
Xheni Karaj, drejtuesja e Aleancës LGBT tha se gjetjet për komunitetin e lesbikeve, biseksualeve dhe transgjinorëve tregonin për një indiferencë të thellë institucionale për rastet e dhunës së personave LBT.
“Një nga problematikat më të mëdha të komunitetit është dhuna në familje, që ushtrohet kryesisht nga baballarët dhe vëllezërit,” u shpreh Karaj.
“Në momentin që merret vesh orientimi seksual i vajzave në familjet e tyre, ato detyrohen të martohen me një partner mashkull, pasi konsiderohet e papranueshme që vajzat të dashurojnë gjininë e njëjtë,” shtoi ajo.
Por LBT në Shqipëri përballen përveç dhunës fizike, edhe me dhunë psikologjike dhe emocionale si dërgimi te mjekët për të ‘mjekuar’ homoseksualizmin, si dhe dhuna ekonomike shprehur nga familja përmes kërcënimit për mospagesë të shkollimit në rast se individi nuk përfshihet në marrëdhënie heteroseksuale.
Gratë transgjinore janë shpesh viktima të krimeve të urrejtjes, përjetojnë dhunë, abuzime nga policia dhe përjashtohen nga shërbimet shëndetësore, zbuloi raporti. Gjithashtu gratë transgjinore e kanë të pamundur të marrin me qira ambiente banimi, pasi kur zbulohet identiteti i tyre gjinor ato përzihen nga shtëpitë, ndonjëherë edhe me dhunë.
“Gratë lesbike ndonjëherë detyrohen të bëjnë marrëveshje me meshkuj homoseksualë për të krijuar lidhje ose martesë me qëllim që të shpëjtojnë nga presioni i familjeve të tyre,” thuhej në raport.
Lexoni të ngjashme:
- KE: Gratë në Shqipëri vazhdojnë të jenë viktima të dhunës me bazë gjinore
- Vrasja në familje, pasojë e tolerimit të konflikteve dhe dhunës brenda saj
- Viktimat e dhunës në familje vuajnë për vite në heshtje
Gratë rome: të dhunuara dhe të varfra
Manjola Veizi, drejtuese e qendrës për të drejtat e grave rome tha se gratë dhe vajzat e komunitetit ende përballen me shumë paragjykime dhe pabarazi.
“Gratë rome dhe egjiptiane përfaqësojnë një nga grupet më vulnerabël edhe brenda komunitetit vetë,” theksoi Veizi.
“Varfëria afatgjatë dhe përjashtimi social bëjnë që vajzat dhe gratë rome të jenë të ekspozuara ndaj dhunës në familje dhe diskriminimit të shumëfishtë,” shtoi ajo.
Raporti zbuloi se dhuna tek ky komunitet niste që në moshë të hershme, intensifikohej gjatë viteve të para të martesës dhe vazhdonte edhe në moshën 50 vjeçare. Mungesa e njohurive për dhunën, format e saj dhe shërbimet që ekzistojnë, e rëndon edhe më shumë situatën e grave të komunitetit rom.
Në intervistat e dhëna për studiuesit, gratë rome shprehen se ato “nuk duan të shkatërrojnë familjen”, por gjithashtu varfëria ia lidh duart pasi siç thonë dhe ato “nuk kemi ku të shkojmë, jemi të papuna dhe nuk kemi përkrahje të familjes”.
Moslejimi për të vazhduar shkollën gjatë adoleshencës, martesat e hershme, detyrimi për të lypur, mungesa e vullnetit të bashkëjetuesit për martesë të ligjshme, apo ndërhyrja e vjehërrve në rritjen e fëmijëve janë disa nga pengesat kryesore të grave rome.
E pranishme gjatë prezantimit të studimit, Etleva Sheshi, drejtuesja e departamentit për përfshirje sociale dhe barazi gjinore në Ministrinë e Shëndetësisë, Mbrojtjes Sociale dhe Rinisë u shpreh se ligji i ri për dhunën në familje ofron mbrojtje të shtuar për gratë e dhunuara dhe se më shumë pritet të bëhet për të garantuar mbrojtjen e grave viktima të dhunës edhe përmes trajnimit të nëpunësve shtetërorë për trajtimin e tyre.
Duke iu referuar ligjit të ri për mbrojtjen nga dhuna në familje, prof. Aurela Anastasi përgëzoi miratimin e ndryshimeve të reja dhe nxiti institucionet shtetërore të shtojnë mbrojtjen e grave në standarde të larta, mundësisht në të ardhmen përmes një ligji tjetër për dhunën me bazë gjinore, veç asaj në familje.
“Duhet të kapim frymën e ligjit, pra të mos i burgosim gratë dhe vajzat në strehëza mbrojtëse sepse dhunohen,” tha Anastasi ndërsa shtoi se atyre duhet t’i sigurohet vazhdimësia e një jete të lirë.
Raporti citon nëpunës shtetëror të mbetur anonim, në intervistat e të cilëve pranojnë se u mungojnë kushtet e shërbimit për gratë e tre komuniteteve, veçanërisht ato për viktimat e dhunës me probleme të shëndetit mendor. Shteti gjithashtu ka mungesë të statistikave të grupeve që u përkasin gratë e dhunuara, pasi deri më tani raportohen vetëm të dhëna si mosha, edukimi dhe së fundmi gjendja sociale, ekonomike.
Studimi rekomandoi përmirësim të kuadrit ligjor dhe atij të mbledhjes së të dhënave, rritje të bashkëpunimit të institucioneve përgjegjëse dhe kapaciteteve të specialistëve, si dhe akses të shtuar në informacion dhe shërbime mbështetëse për gratë dhe vajzat. Nga ana tjetër, ekspertët gjithashtu këshilluan rritje të kapaciteteve të familjarëve e kujdestarëve, rritje të planifikimeve financiare dhe fuqizim të monitorimit e vlerësimit të zbatimit në praktikë të angazhimeve ligjore e politike të ndërmarra.